19 Nëntor 2019

Partitokracia dhe kakistokracia në funksion të kleptokracisë!

Bardhyl Mahmuti

Duke u nisur nga fakti se transformimi i votës së popullit në përfaqësuesit e vet nëpër institucione të niveleve të ndryshme shtetërore, nuk mund të shihet e shkëputur nga sistemi i votimit, debatet që zhvillohen kohëve të fundit lidhur me modalitetet e zgjedhjeve të lira, duhet të jenë preokupim i tërë shoqërisë.


Shprehja e pakënaqësive me sistemin politik në Maqedoni hap, ndër të tjera, edhe debatin rreth mënyrës së përzgjedhjes së përfaqësuesve të popullit në zgjedhje. Aktualisht në Maqedoni, modeli i përzgjedhjes së përfaqësuesve të popullit është model i regjimit partitokratik.


Të sqarojmë për lexuesin që nuk i ka ra rasti të lexojë për këtë formë të qeverisjes.


Me partitokraci definohet një regjim i veçantë në të cilin thelbi i pushtetit politik qëndron në udhëheqjen e partive politike. 


Sipas politologut të shquar D.-L. Seiler,  (D.-L. Seiler, La politique comparée-Politika krahasuese- Paris, 1982, f. 75-76 ) pesë elemente thelbësore karakterizojnë këtë regjim politik: 


Në partitokraci kemi përqendrimin e madh të pushtetit në duar të udhëheqjes së partive politike. Udhëheqjet partiake përcaktojnë orientimin politik dhe kanë monopolin e marrjes së vendimeve.


Roli i parlamentit është shumë i vogël. Në të vërtetë parlamenti në vazhdimësi ndodhet para aktit të kryer dhe nuk mund të luajë me efikasitet rolin e arenës politike ku gjërat duhet të zhvillohen. 


Qeveria ushtron pushtetin e vet në kuadër të një marrëveshjeje të bërë në mes partive politike. Partitë politike përcaktojnë, ndër të tjera, opsionet e politikës qeveritare.


Kabineti partitokratik nuk mund të sigurojë stabilitetin e nevojshëm politik, por është veçori se ky kabinet nuk mund të bjerë për shkak të votës së mosbesimit të parlamentit. Në partitokraci qeveritë shpartallohen nga brenda, si pasojë e divergjencave të partive në koalicion ose në rastet specifike nga konfliktet e brendshme të vetëm një partie.

 

Karakteristikë e fundit e partitokracisë është fakti se elektorati është i destabilizuar. Duke votuar, qytetari nuk mund të shprehë asgjë tjetër pos besimit ndaj një partie. Ai nuk mund të influencojë as orientimin politik dhe as natyrën e koalicioneve të mundshme. I vetmi atribut i tij është të shpërndajë letrat ndërmjet lojtarëve (partive politike) pa pasur mundësi të influencojë rrjedhën e vetë lojës.


Në një analizë të hollësishme do të duhej të ndaleshim në të gjitha karakteristikat e mësipërme dhe të shihnim  përputhjen e tërësishme të këtij regjimi politik me realitetin tonë. Në këtë punim do të kufizohemi në fakte të pakontestueshme: 


Votimi për partinë dhe  liderin e saj ka sjellë në skenën institucionale njerëzit më të dobët që ndonjëherë kanë pasur shqiptarët si përfaqësues politikë në Maqedoni. 


Përzgjedhja e listës elektorale me kriterin e dëgjueshmërisë dhe besnikërisë së verbër ndaj liderit partiak ka sjellë në funksionet më të larta njerëzit më të këqij për të na qeverisur. Kjo formë e përzgjedhjes instaloi kakistokracinë! ( Sqarim për lexuesin që nuk e ka dëgjuar këtë shprehje: në listën e mënyrave të qeverisjes kakistokracia paraqet qeverisjen nga të këqijtë).

Se deri në çfarë shkallë mund të shkojë kjo lidhje dhe favorizim i individëve dhe grupeve të caktuara dëshmon historia e sistemeve politike të një numri të shteteve të Evropës perëndimore në periudhën e pasluftës së Dytë Botërore.


Në një kontekst historik kombëtar dhe ndërkombëtar të pasluftës së Dytë botërore, partitë e ndryshme politike arritën që në fillim të krijimit të institucioneve të reja, të imponojnë të drejtën e tyre për të përcaktuar politikën kombëtare. Si rrjedhim i kësaj forme të funksionimit do të kemi mungesën e ndarjes së mirëfilltë të shtetit nga partia dhe futjen e institucioneve shtetërore nën tutelën e partive politike.  


Në mungesë të një tradite të administrimit të fortë shtetëror, shërbimet publike nuk mundën t’i shpëtojnë presioneve partiake. Në vend të profesionalizmit kriteret e afinitetit partiak u institucionalizuan si kritere të vetme të avancimit në funksione të larta.


Duart e partive nuk do të ndalen vetëm në administratë. Si rezultat i drejtpërdrejtë i kontrollimit të administratës ato do të shtrihen, madje edhe do të shtinë në dorë sektorë të tërë të ekonomisë, do të favorizojnë korrupsionin, do të favorizojnë lidhjet me grupet mafioze dhe do të jenë të implikuar në krimin e organizuar. 


Nuk e shoh të udhës të zgjatem në historinë e hidhur të partitokracisë në Evropë. E kam të qartë se shumica e udhëheqësve të misioneve ndërkombëtare në Shkup i njohin shume mire pasojat.


Megjithatë, imponohet shembulli i Italisë.


U deshtë që të vriten udhëheqësit eminent të luftës anti-Mafia ( generali Dalla Chiesa dhe gjyqtari Falcone), të shpërthejnë skandalet e ndryshme të korrupsionit, të mobilizohen miliona njerëz për të dalë në shesh përmasat e implikimit të udhëheqësve politik në krimin e organizuar.


Dhe pas gjysmë shekulli jostabiliteti politik i karakterizuar me një pafuqishmëri të shtetit, institucionet e Republikës së Italisë hynë në një rrugë të reformave. 


Se cili është rezultati përfundimtar i luftës për reforma nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që askush nuk ka guxim t’u thotë italianëve që të mbajnë parti të forta dhe shtet të dobët, të mbajnë partitokracinë në vend të shtetit të fortë të mbështetur në drejtësi.


Kufizimi në shembullin e Italisë është i qëllimshëm. Ngjashmëria që e karakterizon Maqedoninë gjatë kësaj faze tranzitore është e madhe me atë të Italisë,  si në kontekstin historik ashtu edhe atë rajonal. Maqedonia doli nga një regjim diktatorial dhe ju hap perspektiva drejtë demokratizimit; Maqedonia nuk ka  traditë të administrimit të fortë shtetëror siç e kanë shtetet e demokracive perëndimore … Maqedonia është në zemër të Ballkanit « ku mbretëron anarkia dhe ku vetëm krimi është i organizuar ».


Përderisa sistemi me lista të hapura krijon  lidhje të ngushta dhe të drejtpërdrejta mes votuesve të njësive zgjedhore dhe përfaqësuesve të zgjedhur, në sistemin me lista të mbyllura « qytetari nuk mund të shprehë asgjë tjetër pos besimit ndaj një partie. E vetmja kompetencë e tij është të shpërndaj votat ndërmjet partive politike, pa pasur mundësi të influencojë rrjedhat politike.


Përderisa sistemi me lista të hapura forcon kualitetin e të zgjedhurve në institucionet shtetërore dhe përqendron pushtetin politik në organet udhëheqëse të shtetit, sistemi me lista të mbyllura forcon partitë politike dhe rritë përqendrimin e madh të pushtetit në duar të udhëheqjes së partive politike të cilët arrijnë të shtinë në dorë edhe institucionet shtetërore. 


Prandaj, me të drejtë shtrohet pyetja se kush dhe pse dëshiron të mbajë në fuqi atë që demokracitë perëndimore me sakrifica të mëdha mundohen ta largojnë ?


Përgjigja është e qartë: vetëm ata që përmes partitokracisë dhe kakistokracisë mundohen ta përjetësojnë kleptokracinë (pushtetin e hajdutëve) kanë interes që të përjetësojnë këtë formë të përzgjedhjes së përfaqësuesve të popullit.


Populli, që përjeton mbi kurrizin e vet pasojat e kakikratëve dhe kleptokratëve ka interes që të mobilizohet në debatin rreth modalitetit të përzgjedhjes së përfaqësuesve politik. Kjo do të krijonte parakushte që përfaqësuesit politik t’i jepnin llogari popullit e jo liderëve partiak që i kanë përzgjedhë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 nëntor 2019 - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës organizon konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë me titull: “Rreziqet dhe mundësitë në një sektor financiar dinamik-rruga zhvillimore”, që do të mbahet në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të themelimit të BQK-së. (Hotel Swiss Diamond, ora 8:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në shënimin e 20 vjetorit të themelimit të BQK-së. (Hoteli Swiss Diamond, ora 9:00)

- Punëtorët teknik të qendrës studentore, punëtorët teknik të disa shkollave që menaxhohen nga komuna e Prishtinës, punëtorë teknik të Universitetit të Prishtinës, punëtorë të sigurimit fizik të UP-së dhe QMF-ve, punëtorët teknik të disa shkollave në Gjilan do të ndalin punën e tyre në shenjë pakënaqësie për pagën e tyre të ulët. (Protesta mbahet ne vendete e tyre te punës, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit mban mbledhjen e njëmbëdhjetë e rregullt e Komiteti për Politik dhe Financa. (Objekti i Komunës së Rahovecit, ora 10:00)

- Zyra e BE-së në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës do të organizojë një vizitë në Gjykatën Themelore në Prishtinë në të cilën do të diskutojë për zhvillimet dhe arritjet në operacionalizimin dhe digjitalizimin e bazës kombëtare të të dhënave të evidencës penale, e zbatuar nga Sistemi qendror kombëtar i evidencës penale. (Gjykata Themelore e Prishtinës, ora 10:15)

- Mbahet ceremonia e ndërrimit të komandës në mes të Komandantit në largim të KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’addario dhe Komandantit në ardhje të KFOR-it, gjeneralmajor Michele Risi. (Kampi i Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it Film City, ora 10:30 - mediet duhet të arrijnë tek Porta kryesore e Kampit Film City jo më vonë se ora 9:30)

- Presidenti Thaçi dhe Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, merr pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it. (Film City, ora 10:25)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Zëvendësdrejtori i Fondi Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang mbajnë konferencë për media. (Swis Diamand Hotel, ora 10:45)

- Zyra e UNICEF-it në Kosovë do të mbajë aktivitet me fëmijët në kuadër të shënimit te 30 vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës. (Sheshin “Zahir Pajaziti”, ora 14:00)

- Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pret në takim ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Lorenzo Guerini. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Forumi për Iniciativa Qytetare FIQ organizon publikimin e analizës së Legjislacionit të Kosovës lidhur me Filantropinë dhe OJQ-të, me autor Qerkin Berisha. (Zyret e FIQ, Resource Center në Pejton, ora 14:00)

- Ambasadorja e Francës, Marie-Christine organizon pritje ku do të dekorojë znj.Blerta Zeqiri, ''Kalorëse në Urdhrin e Artit dhe Letërsisë''. (Rezidenca e Francës, ora 18:30)

- HANDIKOS organizon ceremoninë e hapjes së  ekspozitës me fotografi  “EmbraceMe-Kosovo”, me portrete nga jeta e nëntë personave nga Kosova, të punuara nga fotografja holandeze Karin Brongers. (Shtëpia e Evropës, ora 19:00)