19 Mars 2024

Pandemia dhe elementet e saj

Shkruar nga Anila Shala

P- padukshmëri

Jeta ka ironi të shumta, të cilat kur ndodhin na tronditin dhe na fusin në mendime të thella, ku gjejmë veten duke bërë pyetje filozofike.

Ngacmojmë ndërgjegjen tonë, e cila nuk harron edhe nëse vetëdija jonë po; i bëjmë presion mendjes duke i shtruar pytje, përgjigjet e së cilave jo vetëm që nuk i gjejmë në mendjen tonë, por as në libra, media e portale të shumta.

E viti 2020 na shkaktoi një ngjarje historike, një luftë botërore moderne, një pandemi, që tundi botën dhe të gjitha sferat e saj. Por shtrohet pyetja, nga kush u shkaktua kjo pandemi?

Kjo situatë u shkaktua nga padukshmëria. Padukshmëria e virusit, pika e tij e fortë e dobësia jonë., që doli të jetë paradoksale.

Veçori kjo e tij që rriti numrin e pasojave në njerëz e në veprimtaritë e tij. Qëndrojmë të mbyllur duke soditur bukuritë e natyrës dhe nuk shohim asgjë të pahijshme.

Përkundrazi shohim një bukuri mahnitëse, që i ka munguar natyrës me vite e disa nga ne nuk e kanë përjetuar kurrë këtë bukuri. E pse mos të dalim?

Asgjë nuk po shohim, asgjë të dyshimtë nga e cila të frikësohemi e të fshihemi nga ajo. Mirëpo, këtu është qëllimi që ka armiku ynë. Nuk shihet, nuk vërehet prezenca e tij deri sa ai të na pushtoj.

Nuk kemi armë për ta mposhtur, është më i fortë se sa shpikjet tona e paramendimet tona për të.

 Kështu që duhet të fshihemi nga ai duke qëndruar të mbyllur në shtëpitë tona duke u shkëputur nga jeta jonë normale në mënyrë që mos të përballemi me të, sepse fitorja ndaj tij është skeptike.

 E pasi që jemi në shtëpi me shumë kohë të lirë, na bie në mend edhe një pyetje tjetër. A kemi vrasës tjerë të padukshëm në jetën tonë? Armiq që na sulmojnë pak e nga pak çdo ditë, e ne i shpërfillim dhe nuk ndërtojmë as muret mbrojtëse e as nuk punojmë për t’i mposhtur ata.

Këta janë të ndryshëm për secilin, andaj është përgjegjësi e secilit të filloj betejën e tij ndaj tyre, kurse tani duhet të luftojmë armikun tonë të përbashkët e të padukshëm me armët e vetme, të cilat i kemi në duar.

A- ambicie

Ambicia është një dëshirë e fortë dhe synim këmbëngulës për të bërë diçka me vlerë, e cila do të ndihmonte personin që e posedon dhe e shfrytëzon atë për zhvillime pozitive.

Arritjet e fituara nga ato zhvillime jo vetëm që e ndihmojnë atë individ, por edhe komunitetin në të cilin ai ndodhet.

Ky synim po kërkohet të posedohet e të fitohet gjatë situatës në të cilën gjendemi, por kjo ndodhi të jetë e vështirë, sepse është zvogëluar lista e burimeve të cilat na inspirojnë e na ofrojnë gëzim.

Tani priremi të jemi vetëm euforik, jemi produktiv për disa momente, bëjmë një listë të mbushur të gjërave, të cilat duam t’i bëjmë mirëpo shumë pak prej tyre përmbushen.

Disa kemi vendosur që të pushojmë, sepse këtë kohë të lirë nuk do ta kemi ndoshta asnjëherë. E disa të tjerë mundohemi të shfrytëzojmë këtë kohë për të bërë gjëra sa më produktive.

Por prapë se prapë tek të dy palët mungon dëshira e zjarrtë për të implementuar planet që kemi, mungon energjia optimiste e ditëve të zakonshme, sepse është e vështirë që në një presion nga lajmet dhe ngjarjet e fundit të kemi një qëndrim optimist.

Mbi të gjitha duhet provuar të gjitha mënyrat që ndjenja e të qenurit ambicoz të rikthehet tek ne në mënyrë që të kalojmë më shpejt ditët që na kanë mbetur e pastaj të fillojmë jetën e normalitetit të ri. Pasi që të gjitha gjërat kanë ndryshuar dhe po vazhdojnë ende të ndryshojnë.

N- ndryshueshmëri

Si qenie njerëzore kemi tendencë të shpërfillim të mirat, që na rrethojnë dhe përqendrohemi tek sendet negative.

Gjithashtu harrojmë edhe të jemi mirënjohës për shumë gjëra, kurse u kushtojmë kohë e rëndësi aktiviteteve e ngjarjeve të shumta vlerat e të cilave janë edhe më të përkohshme se relativiteti.

Nëse ne kemi si parim ligjin e këtij të fundit nuk e besoj se do të kemi shumë probleme në jetë, por fatkeqësisht edhe këtë e harrojmë. E pastaj pasojat vijnë dhe jo gjithmonë jemi të aftë të përballemi me to.

Në rastin tonë ishte pandemia arsyeja e rikujtimit të shumë personave, vlerat e përgjegjësive, të cilat i kemi harruar si pasojë e jetës dinamike, por edhe neglizhencës sonë.

E tani armiku jonë duke na mbyllur shumë lehtë e shpejt na tregoi se mund të humbasim lehtësisht më të dashurit tanë, pasurinë tonë dhe shumë gjëra të tjera.

Kështu që, çdo veprim i yni luan rol dhe lë gjurmë edhe nëse ne nuk jemi të vetëdijshëm për pasojat dhe ndikimin e atyre veprave.

Këtë ndryshueshmëri të rutinës sonë e shkaktoi kjo situatë në të cilën nuk gjendet vetëm vendi ynë, por e tërë bota dhe vazhdimisht priten ndryshime.

Qoftë në aspektin e zhvillimit ekonomik të vendit, që përfshin sektorë të shumtë nga të cilët varet mbijetesa e popullsisë, por edhe zhvillimi i shtetit.

Pastaj kemi ndryshimet në sistemin edukativo-arsimor, sfidë me të cilën njerëzimi nuk është përballur asnjëherë me këto përmasa.

 Pra, çdo gjë ka marrë kthesa dhe rrugë të ndryshme. E ndryshime ka edhe në gjendjen emocionale të njerëzve.

 Ata këtyre ditëve mësuan përsëri se çfarë është me vlerë në jetën e tyre e çfarë jo, çka meriton përkushtim e nga çka duhet të heqin dorë.

E sot më shumë se kurrë na tregoi se si duhet të kemi një ndryshueshmëri për të mirë. Duke i qëndruar njëri tjetrit pranë, duke ndihmuar që të tejkalojmë këtë sfidë, sepse vetëm njëri tjetrin kemi tani.

Të tjerat ikin më shpejt, e njeriu për të mbrojtur veten nga vetmia, që e ka mangësi e ka frikë nga ajo i duhet qenia e tij. I duhet një njeri tjetër të flas, të shpreh mendime dhe të kaloj kohë me të. Fundja, jemi qenie humane dhe tani erdhi koha që ta dëshmojmë atë më së miri.

D- dobitë

Si çdo ngjarje me të cilën është ballafaquar njeriu edhe kjo në të cilën po kalojmë tani ka anën e saj pozitive dhe negative.

A nuk është ashtu edhe për çdo gjë në këtë jetë? Është thënë shumë moti në një proverb kineze se çdo e mirë ka një të keqe dhe çdo e keqe e ka një të mirë.

Madje ndoshta edhe është bërë klishe duke u përsëritur vazhdimisht, por a ndalemi ndonjëherë të logjikojmë dhe të mendojmë më shumë rreth filozofisë që përmban. Duket një fjali e thjeshtë, por në fakt mban në vete shumë enigma dhe kuptime.

Me anën negative të ngjarjeve aktuale jemi njohur dhe po u bëjmë ballë çdo ditë. Megjithatë në mënyrë që t’ia lehtësojmë vetes luftën me betejën që po mbizotëron duhet të kujtojmë dhe të mundohemi të gjejmë sado pak dobi të cilat ajo po i ofron.

Ndoshta edhe duket absurde se si të kërkojmë përfitime nga e gjithë kjo. Prapë se prapë duhet të mundohemi, sepse është në të mirën tonë.

Dobi e kësaj pandemie është koha e lirë, që ajo po na ofron e ndoshta nuk do ta kemi më, prandaj është zgjidhje e jona se si dëshirojmë të shfrytëzojmë këtë kohë.

Duke kaluar kohë me familje, duke u mbushur me energji, e cila do të na duhet pas kësaj dhe duke punuar në arritjen e planeve tona afatgjate.

Dhe nuk janë vetëm këto, ka edhe shumë mënyra tjera se si mundemi të kalojmë ditët, vetëm dallon se për çfarë jemi të interesuar dhe çfarë kemi për synim. Disa nga përfituesit më të mëdhenjë janë natyra dhe qeniet e saj; bimët e shtazët.

Pas shumë konferencave e organizimeve të shumta, të cilat u zhvilluan në gjithë botën për qëllim të eleminimit të ngrohjes globale dhe reduktimit të veprimtarive njerëzore që shkaktojnë pasoja të dëmshme botës së gjallë.

Tani i erdhi koha natyrës që të marrë veten, të rikthej energjinë dhe bukurinë e saj. Të bëhet përsëri shtëpi për shumë bimë e shtazë, të cilat çdo ditë po rrezikoheshin nga veprimet tona të pamenduara. Por nuk është natyra e vetmja, sepse kjo është një dobi zingjirore.

Ajo shkon në hallka – hallka dhe secili përfiton, e në këtë rast edhe ne do të përfitojmë së shpejti nga natyra. Përfitime këto që do të sjellin ndryshime pozitive në lëmi të ndryshme globale.

Prandaj, duhet të kemi një qëndrim realist ndaj këtyre ndodhive dhe t’i shohim ato në perspektiva të ndryshme, sepse kur të dalim nga kjo pandemi do të filloj jeta normale. Por një jetë normale e re për të gjithë, pasi që asgjë nuk do të jetë si më parë.

E- empatia

Empatia është aftësia për të kuptuar ose ndjerë atë që një person tjetër po përjeton, domëthënë aftësia për ta vendosur veten në pozicionin e tjetrit.

Rëndësia e të qenurit empatik është shumë e madhe dhe mungesa e saj ka ndikuar në mospërmisimin e shumë ngjarjeve në botë, gjithashtu edhe në pengimin e zhvillimit dhe emancipimit të shoqërisë.

Efektet pozitive të empatisë janë: nxitja e ndjenjave të mira, pozitive, nxitja e shëndetit dhe mirëqenies fizike e emocionale, shërimi i problemeve të dhimbshme psikologjike, zgjidhja më e lehtë e konflikteve dhe shumë dobi tjera, që ndihmojnë mënyrën e jetesës. Pra, mund të themi se empatia është gjithmonë me rol, mirëpo është veçanërisht e rëndësishme gjatë një krize të shëndetit publik. Praktikimi i empatisë gjatë pandemisë COVID-19 jo vetëm që hap mendjen për atë që po përjetojnë të tjerët, por gjithashtu mund të sigurojë një lidhje sociale që mund të ndihmojë në luftimin e ndjenjave të izolimit.

Gjatë një ngjarjeje, e cila ndodhet në një shkallë të gjërë, është e rëndësishme të mbajmë mend se të gjithë jemi në këtë luftë së bashku, se ajo çfarë kemi është vetëm njëri-tjetri. Duhet të mendojmë për të tjerët dhe të mos harrojmë të kërkojmë ndihmë nëse na nevojitet.

E gjithashtu edhe të dhurojmë ndihmë në bazë të mundësive dhe kushteve që kemi, sepse në këto raste edhe ndihma më e vogël vlenë dhe ka peshë të madhe.

 Për këtë arsye duhet të kërkojmë mënyra se si të ndihmojmë, qoftë edhe duke qenë një bashkëbisedues me dikë, pasi që gjendja jonë psikologjike gjatë situatave të tilla nuk është stabile dhe mund të sfidohemi me çrregullime të shumta.

Qoftë hormonale, të gjumit, shëndetit mendor dhe fizik, po ashtu edhe çrregullime të mënyrës së të jetuarit. Prandaj edhe në ngjarje të tilla, komunikimi zë një vend të madh në përmisimin e gjendjes aktuale.

Një nga gjërat më të mira që mund të bëjmë për të mbështetur të tjerët është thjeshtë të qëndrojmë në shtëpi dhe t’u përmbahemi udhëzimeve nga organet kompetente.

Të dëgjojmë të tjerët, të përfshihemi në akte shërbimi, sepse këto janë strategjitë që mund të ndihmojnë në ndërtimin e empatisë.

E si përfundim empatia dhe mirëkuptimi janë pjesa kritike e dhembshurisë dhe më e rëndësishmja e veprimit. Prandaj të përpiqemi të jemi sa më empatik në mënyrë që të përfitojmë jashtëzakonisht shumë përmes sjelljeve tona.

M- meditimi

Meditimi është çelësi për hapjen e dyerve të ekzistencës. Ai ështe gjendje e jo-mendjes, e vetëdijes së pastër, por pa asnjë përmbajtje.

Ai është njëra prej mundësive dhe zgjidhjeve më të mira që mund të praktikoj njeriu në mënyrë që të përfitoj në shumë sfera të jetës.

 E kryesorja që të krijoj një transformim në veten dhe jetën që jeton përmes mënyrave të shumta të meditimit.

Të drejtohet nga hyjnorja, por së pari duhet ditur ç’është meditimi e pastaj çdo gjë tjetër vjen në mënyrë të natyrshme. Arti i meditimit është si të veprojmë fuqishëm.

Si t’i heqim qafe mendimet dhe si të shndërrojmë në vetëdije energjinë, e cila rrymon si mendim.

Mendja jonë është gjëmb, i cili shkakton dhimbje të shumta me mendimet e saj të pafunda, ku me raste janë mendime skeptike, pesimiste e cinike.

Sidomos gjatë situatave të ngjashme me atë në të cilën ndodhemi, sepse triumfon e panjohura dhe ajo është gjithmonë frikësuese.

Meditimi sjellë shumë përfitime për shëndetin tonë fizik, mendor dhe emocional. Ai shëron njëkohësisht mendjen dhe trupin nëpërmjet gjendjes së qetësisë.

Disa përfitime fizike të meditimit janë rregullimi i tensionit të gjakut dhe përmisimi i frymëmarrjes si pasojë e rritjes së sasisë së ajrit në mushkëri.

Personat që praktikojnë meditimin ndihen më mirë, më të qetë dhe kanë më shumë vetkontroll. Gjithashtu edhe reaksionet kimike në trup që lidhen me stresin janë më të vogla, kjo e fundit ndikon në zvogëlimin e ankthit.

Përfitime tjetra nga meditimi janë qetësimi i mendjes, rregullimi i humorit, zhvillimi i memories dhe reduktimi i depresionit.

Kohëve të fundit shumë mjek këshillojnë pacientët e tyre të meditojnë kur kanë probleme të llojeve të ndryshme, sepse është një terapi alternative që ndihmon njerëzit të ekuilibrojnë gjendjen fizike, psikologjike dhe emocionale.

Të gjitha këto anë pozitive të meditimit do të luanin një rol të madh për personat, të cilët janë duke e praktikuar ose do të praktikojnë këtyre ditëve.

E sidomos ditëve të fundit, në këtë kohë pandemie ku hulumtojmë vazhdimisht zgjidhje të ndryshme në mënyrë të arritjes së një qetësie shpirtërore dhe kur jemi gjithmonë të ekspozuar nga numri i madh i lajmeve në media, të cilat jo gjithmonë janë të vërteta.

Dhe meditimi është zgjidhja jonë e duhur në mënyrë që të dalim nga kjo betejë e fortë dhe të gatshëm për të filluar jetën tonë të re.

Meditimi është ilaç, prandaj harroni problemet tuaja dhe thjesht hyni në meditim dhe pastaj do vëreni rezultatet.

I- inovacioni

Inovacioni është një ide e re, pajisje efektive ose proces, që mund të shihet si aplikimi për zgjidhje më të mirë, që ofron mundësi për plotësimin e kërkesave të reja dhe nevojave aktuale të tregut.

E gjithë kjo realizohet përmes produkteve, shërbimeve, teknologjive dhe ideve efektive, që janë të aplikueshme për qeverinë, tregjet e ndryshme dhe shoqërinë në përgjithësi.

Viteve të fundit me zhvillimin e teknologjisë dhe pjesëmarrjen e saj në përditshmërinë tonë është bërë më vitale rëndësia e inovacionit.

Për këtë arsye çdo kompani mundohet që përmes inovacionit t’u ofroj klientëve produkte më të reja dhe të sofistikuara, ku përmes kësaj metode jo vetëm që ndihmon ato kompani të përfitojnë financiarisht, por u ndihmon edhe klientët të përfitojnë.

Pasi që përmes atyre pajisjeve mund të kryejnë shërbime të shumta, të cilat nuk kanë mundur t’i kryejnë më parë ose të ndihmojnë në kryerjen më efektive dhe të shpejt të shërbimeve.

Gjatë pandemisë inovacioni ka ndikuar në kalimin e saj në mënyrë më të lehtë, duke ofruar alternativa të shumta në degë të ndryshme për të zëvendësuar procese, të cilat nuk mund të zhvillohen gjatë kësaj kohe.

Gjithashtu të ndihmoj në parandalimin e krizave si në aspektin ekonomik ashtu edhe në fushën e edukimit dhe fushat e tjera esenciale.

Nëse nuk do të ekzistonte teknologjia në këtë situatë do të vështirësohej jeta e njeriut. Përmes inovacionit është zhvilluar mësimi online në të gjithë botën me anë të platformave të shumta.

Kjo ka ndihmuar që nxënësit dhe studentët të përfundojnë vitin e tyre akademik edhe pse në një mënyrë ndryshe, të mos humbasin mundësinë e shkollimit, që është parësore për ta.

Mënyra e tillë e të zhvilluarit të mësimit është përcjellur me sfida të mëdha e sidomos në vendet ku mungon pajisja me mjetet teknologjike, përveç kësaj kanë pësuar ndryshime dhe çrregullime metodologjia e të mësuarit dhe vlerësimit.

 Mirëpo, duhet të kemi një qëndrim pozitiv drejt kësaj, sepse në qoftë se nuk do të kishim këtë mundësi do të shkaktohej një kaos më i madh pasi që do të ndërronte e gjithë ecuria e zhvillimit të këtyre proceseve.

Sa i përket ekonomisë, përmes zhvillimit të teknologjisë, disa kompanive dhe bizneseve u është mundësuar që përmes platformave të avancuara online të shesin produktet e tyre.

 Kjo ka ndihmuar që edhe klientët të mos mbesin pa ato produkte apo të blejnë artikuj të tjerë, gjithashtu ka ndihmuar që ato biznese të mos pësojnë humbje të madhe financiare dhe të zhvillojnë biznesin e tyre përmes këtyre platformave.

Përveç përfitimeve të lartpërmendura, inovacioni teknologjik ka shfaq një ndikim të madh në rutinën tonë gjatë qëndrimit në shtëpi.

Nëpërmjet filmave, librave online, serialeve dhe rrjeteve të shumta sociale, që kanë pasur një rëndësi të madhe në argëtimin dhe përmisimin e disponimit tonë.

Duke mos harruar edhe seminarët dhe eventet e ndryshme edukative e kulturore të zhvilluara në platformat online.

Për ta përmbyllur, inovacioni ka qenë njëri prej faktorëve kyç që ka ndihmuar në përballimin e kësaj sfide dhe po vazhdon ende të ndihmoj në pakësimin e pasojave të saj.

Prandaj ne duhet të jemi të gatshëm të shfyrtëzojmë përfitimet nga ai në mënyrën më të mirë të mundshme. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)