29 Mars 2024

Panairi që promovon kriminelët

Shkruar nga Hajro Hajra

Më 21 tetor 2018 në Beograd është hapur Panairi i  63-të Ndërkombëtar i Librit. Moto e këtij panairi, i cili do të jetë i hapur deri më 28 tetor, është “Kënaqësia e leximit” (Radost čitanja). Natyrisht, këtu nuk ka asgjë të keqe.

Çdo dashamirës i librit, çdo lexues i pasionuar i librit do të duhej të gëzohej, sepse aty mund të gjejë botime të reja, të zhanreve të ndryshme nga botues të shumtë nga Serbia dhe nga shumë shtete të botës (në njoftimet e medieve serbe thuhet se në panair do të jenë 500 pjesëmarrës të drejtpërdrejtë).

Panairin e ka hapur akademiku serb Matija Beqkoviq, shkrimtar e poet dhe, për ata që nuk kanë informacion, autor i një poezie me titull “Kosovo polje” (Fusha e Kosovës), vargjet e së cilës i përshkon helmi e vreri që vjell kundër shqiptarëve. Asgjë e re. Beqkoviqi nuk është as i pari, as i fundit që vjell kundër shqiptarëve.

Më tej, po sipas medieve serbe, thuhet se mysafir nderi i këtij panairi është shteti i Marokut. Historiani maroken Abdullah Busuf, i cili ka folur në emër të delegacionit maroken, të cilit i prin ministri i kulturës Mohamed Laaraj (Mohamed Larazh), ka falënderuar Republikën e Serbisë, e cila e ka zgjedhur Marokun, si të parin shtet arab, mysafir nderi të panairit.

 Asgjë e re deri këtu, kur dihet se shumica e shteteve arabe, përfshirë këtu edhe shtetin turk, janë bythë e brekë me Serbinë e sotme, ashtu siç kanë qenë dikur me Jugosllavinë e Titos.

Në këtë panair, thuhet më tutje në mediet serbe, është hapur solemnisht edhe stenda e Ministrisë së Mbrojtjes dhe e Ushtrisë së Serbisë. Aty do të ekspozohen 20 tituj të rinj, në mesin e të cilëve vend të veçantë zë Edicioni «Ratnik» (Luftëtari)).

Kryeshefi i Shtabit Gjeneral të Ushtrisë Serbe, gjeneral-nënkoloneli Millan Mojsilloviq, duke folur para mysafirëve dhe dashamirëve të fjalës së shkruar «ushtarake», ka përshëndetur në emër të ministrit të mbrojtjes Aleksandar Vulin dhe ka shtuar se rrëfimi për luftëtarin serb vazhdon me edicionin «Ratnik», në 7 librat e të cilit 70 dëshmitarë flasin për heroizmin e ushtrisë së atëhershme të Republikës Federative të Jugosllavisë në mbrojtje të Kosovës e Metohisë gjatë agresionit të NATO-s më 1999 (le të kujtojmë me këtë rast se po ky ministër, Vulini, më 3 dhjetor 2015, asokohe ministër i punës, kishte pritur në Nish ish-gjeneralin e Ushtrisë Jugosllave Vlladimir Llazareviqin, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Kosovë me 15 vjet dhe i liruar pasi kishte mbajtur 10 vjet burg).

Në atë pritje, ku kishin marrë pjesë edhe ministri i drejtësisë, Nikolla Sellakoviq, ministri i mbrojtjes Bratisllav Gashiq, kryeshefi i shtabit general Lubisha Dikoviq dhe qindra ithtarë të kriminelit Llazareviq, A. Vulin, pos të tjerash, kishte thënë: - …Ky shtet (pra, Serbia), duhet të krenohet me gjeneralët e vet.

Le t’i kthehemi panairit të famshëm që do të mbahet mend gjatë për librat e promovuar.

Në ditën e tretë, më 23 tetor, në Panairin e Beogradit, në kuadër të Edicionit “Ratnik” të Qendrës Mediale “Odbrana” (Mbrojtja) u promovua ditari i luftës i komandantit të Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999, gjeneral-nënkolonelit Nebojsha Pavkoviq, i dënuar nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burg për krime lufte në Kosovë (dënimin është duke e vuajtur në një burg të Finlandës).

Libri i këtij krimineli të luftës, i promovuar të martën me pompozitet, siç njoftojnë mediet serbe, mban titullin "Treća armija 78 dana u zagrljaju 'Milosrdnog anđela'" (Armata e tretë 78 ditë në përqafim të “Engjëllit mëshirëplotë”). Engjëll mëshirëplotë këtu quhet me ironi “agresori” NATO. Ky libër, ky ditar lufte, siç e quan autori, ka katër vëllime dhe, gjithnjë sipas medieve serbe, ka zgjuar interes të jashtëzakonshëm te dashamirësit e librit (kupto: dashamirësit e krimit). Më tej thuhet se këtë libër, i cili është një dëshmi e dokumentuar për ngjarjet në Kosovë që nga tetori i vitit 1994 deri në dhjetor 1998, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Armatës së Tretë Jugosllave e ka shkruar në burg.

Se çfarë margaritarë fshihen në katër vëllimet e këtij libri, vetëm mund të hamendësojmë.

Le të kujtojmë me këtë rast se ky nuk është libri i parë i këtij krimineli të luftës. Më 2015 ai ka publikuar librin “Miris baruta i smrti na Kosovu i Metohiji 1998 godine” (Era e barutit dhe e vdekjes në Kosovë e Metohi në vitin 1998).

Në fund mediet serbe japin njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, ku thuhet se gjatë këtyre ditëve Qendra Mediale “Odbrana” do t’i paraqesë edhe tre libra të Edicionit “Ratnik”, të enjten, më 25 tetor 2018, librin "Borba na Košarama" (Lufta në Koshare), të premten librin "Bitka za Paštrik" (Beteja për Pashtrikun) dhe të shtunën librin "Prištinski korpus – sećanja ratnih komandanata" (Korpusi i Prishtinës – kujtime të komandantëve të luftës), pa dhënë emrin e autorit apo të autorëve. 

Derisa në Serbi publikohen e promovohen me bujë libra të atyre që në Kosovë kanë vrarë, kanë masakruar, kanë dhunuar e kanë dëbuar shqiptarë, në Kosovë heshtin luftëtarët, ata që vërtet kanë qenë luftëtarë, heshtin historianët (është fjala për historianët e mirëfilltë, jo për ata që partizançe janë bërë historianë, madje edhe me tituj doktori shkencash), heshtin akademikët, heshtin të gjithë. Deri kur?




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)