22 Qershor 2018

Ofanziva politike e Vuçiqit karshi Kosovës së heshtur

Shkruar nga Bahri Bivolaku

Qeverisja në Kosovë sot, duhet të tregojë vazhdimësinë e politikës këto 20 vitet e fundit për të mbyllur kapitullin e hapur me Serbinë në rrugën e nisur, veçanërisht tani kur politika e Serbisë po shënon kthesën e saj historike dhe afruar Brukselit. Prerjet na ndajnë pozicionin dhe na shndërrojnë në çunin e lazdruar të Ballkanit.

“Asnjëherë mos i mbajë syt përdhe kur hedhë hapin, vetëm ai që mbanë sytë të fiksuar në horizontin e largët, do ta gjejë rrugën e duhur.” Është kjo thënie e lexuar vite më parë nga ndonjë mendimtar, e cila përshkruan më së miri qëndrimin e dikurshëm politik që kishte politika e Kosovës karshi Serbisë arrogante. Pala kosovare e mbështetur nga segmentet e politikës ndërkombëtare karshi Serbisë në dekadën e fundit nuk i mbajti sytë përdhe, por në horizontin e largët për të arritur në cakun final. Kjo politikë jo gjithëherë ishte unike në veprim, pasi kishte mendime e qëndrime kundër kësaj rruge të trasuar që nga periudha e luftës së UÇK-së, bisedimet e Vjenës e tutje.

Sot, kur si duket politika e Serbisë ka filluar të ndryshojë, pasi dihet ajo gjithnjë mbante sytë përdhe, tek ne ndodhin anomalitë e mëdha dhe duan çasje tjetër që të ndryshojnë pozicionet me Serbisë. Pra, në finale kërkojnë që ne t’i mbajmë sytë përdhe e Serbia në horizontin e hapur. Nuk kuptohet ndryshe pozicioni ku në Kosovë faktorizohen ata që ishin kundër Rambujesë, kundër Planit të Ahtisarit, kundër bisedimeve të Vjenës, Brukselit e tutje me idenë e krijimit të një Republike të re e vetanake, ngjajshëm siç dikur mbante politika e Serbisë karshi të tjerëve. Sot, kur Vuçiç e Daçiç thërrasin për krijim të boshtit të paqes e stabilitetit me shqiptarët, gjithsesi të shtyrë nga ndërkombëtarët për të ecur drejtë BE-së, ne dëshirojmë të ndërrojmë rrugë.

Sot, kur politika serbe deklaron gatishmërinë për normalizim të mardhënieve me Kosovën e shqiptarët dhe në Bruksel shihet si progres i madh, ne po mendojmë të gjejmë rrugë tjera e koncepte tjera politike jashtë formulës së përcaktuar në Bruksel e Uashington. Qeverisja në Kosovë sot, duhet të tregojë vazhdimësinë e politikës këto 20 vitet e fundit për të mbyllur kapitullin e hapur me Serbinë në rrugën e nisur, veçanërisht tani kur politika e Serbisë po shënon kthesën e saj historike dhe afruar Brukselit. Prerjet na ndajnë pozicionin dhe na shndërrojnë në çunin e lazdruar të Ballkanit.

Është momenti që Kosova krahas ofanzivës politike të presidentit të Serbisë Vuçiç të fillojë të flasë, të flasë me gjuhën që ka folur nga kohët e para, gjatë e pas luftës e jo me gjuhë tjetër. Sot, presidenti i Serbisë flet për normalizim të mardhënieve mes Kosovës e Serbisë (gjë që ka qenë edhe objektivë a qëllim i dizajnuesit të dialogut në Bruksel) dhe karshi këtij qëndrimi që padyshim bëhet edhe për të marrë poena politik në Bruksel, ne të heshtim apo ndërrojmë kurs tregon absurditetin tonë, tregon jokoherencën e politikës shtetërore të Kosovës. Dikur në Bruksel, Kosova sikur në anekdotat e Nastradinit sillte fiq, gjersa Serbia si gjithnjë me kërkesën maksimaliste e populliste sillte ftonjë. Atëherë Kosova nga Brukseli goditej me fiq, e Serbia me ftonjë.

Nëse ne ndërrojmë kurs dhe mendojmë se tani jemi mjaft të fortë për të ecur vetëm rrugës së shtetëndërtimit dhe bërë prerje politike nga e kaluara, do të ndërrojë edhe çasja e Brukselit e Uashingtonit ndaj nesh. Shikuar nga perspektiva e anekdotës së Nastradinit, i bie që ne të goditemi me ftonjë e Serbia me fiq. Kjo është arsyeja që politika në Kosovë duhet t’i kthehet racionales e arsyes dhe sa më parë të krijojë institucionet e saja me forcat politike që me politikat e tyre dëshmojnë se ecim rrugës së njohur të veprimit politik të trasuar që dy dekada e jo të forcave politike që kërkojnë rrugë të reja e që mbase edhe mund të jenë njëkahore, apo rrugë pa cak.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Qershor 2018 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  C-301, ora 9:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në manifestimin për nder të Ditës së Komunitetit Egjiptian. (Ndërtesa e Qeverisë – salla P-31, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të behët shqyrtimi i Raportit vjetor të Radio Televizionit të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 10:00)

- Për nderë të Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Civil, Ministria e Administratës Publike, gjegjësisht Departamenti i Administrimit të Shërbimit Civil, do të organizoj takim për shënimin e kësaj dite​. (Salla e Madhe të ish-Pallatit “Rilindja”, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në të cilën do të diskutohet rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00)

- Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit” të mbështetur nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2017” organizon konferencë për media, për të shpalosur ndikimet e raportimeve të rasteve në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit". (Hoteli Sirius, ora 11:15)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi do të vizitojë Komunën e Kamenicës ku do të takohet me Kryetarin, Qëndron Kastrati. (Komuna e Kamenicës, ora 14:00)

- Në vazhdën e aktivitetit "Ditët e Kuvendit", mbahet takimi i deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës me qytetarë të Pejës. (Teatri profesional “Istref Begolli”, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në përurimin e fluturakeve të para të prodhimit të rrymës me erë. (Fshati Kikë, Komuna e Kamenicës, ora 14:00)

- Aleanca Franceze në Prishtinë organizon kuiz muzikor. (Sheshin Zahir Pajaziti, ora 19:00)