28 Mars 2024

Nuk do të zmbrapsemi

Fjalimi i Hashim Thaçit

Ditët që shkuan, edhe sot keni përcjellur me vëmendje të shtuar zhvillimet në vend, veçmas në pjesën veriore te vendit.

Institucionet e Kosovës kanë pasur aktivitete konkrete dhe të shtuara në shtirjen e plotë të sovranitetit, për çka kemi vazhduar t’u njoftojmë Ju dhe partnerët ndërkombëtar për zhvillimet aktuale dhe veprimet tona.

Nesër, policët dhe doganierët e Kosovës, bashkërisht me EULEX-in dhe KFOR-in do të fillojnë implementimin e planit operacional, për funksionalizimin e pikave doganore 1 dhe 31.

Plani operacional është hartuar nga Qeveria e Kosovës dhe në koordinim e mbështetje të plotë me SHBA-të, BE-në, NATO-n dhe EULEX-in, dhe tashmë edhe publikisht ka marrë mbështetjen e tyre.

Jam krenar që kemi pasur mirëkuptimin dhe mbështetjen Tuaj e të partnerëve tanë ndërkombëtar.

Unë bashkë me Ju i besojmë suksesit të kohezionit qytetar dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtar.

Ne kemi përjetuar gjatë historisë sukseset e koordinimeve tona dhe këtë e kemi edhe sot edhe do ta kemi çdo herë kur vendosim për vendit tonë, për sovranitetin, për territorin tonë dhe për te drejtat e secilit qytetar që të jetojë i lirë dhe dinjitoz.

Ky është sukses ynë i përbashkët, dhe bashkërisht si qytetarë dhe institucione duhet t’a konsolidojmë këtë të arritur. Ky është suksesi i Shtetit tonë.

Të nderuar qytetarë, Unë ju ftoj të ruajmë qetësinë dhe maturinë. Veprimi i nesërm në veri nuk është i drejtuar kundër askujt. Kundër asnjë grupi etnik.

Në veri nuk është në konflikt qeveria me qytetarin, por e drejta me padrejtësinë, ligji me joligjshmërinë, e kaluara konfliktuoze me të ardhmen në paqe.

Qeveria e Kosovës është garantuesi dhe mbrojtësi më i mirë i të drejtave Tuaja pa dallime, në veçanti edhe për qytetarët tanë serbë që jetojnë në veri.

I ftoj ata të jetojnë pa frikë, të jenë pjesë e jetës sonë si qytetarë të barabartë, të respektojnë vendimet tona dhe të botës demokratike për rend dhe ligj dhe të jetojnë në harmoni në mes të gjithë qytetarëve dhe në paqe me njeri tjetrin dhe kombet e lira.

Askush nuk ka nevojë te shqetësohet, asnjë qytetar kudo që jeton në vend. Të vazhdojnë jeten normale në shtëpitë dhe pronat e tyre.

Ne jemi në përpjekje për rend dhe ligj, për hapje te perspektivës evropiane për qytetarët dhe shtetin tonë.

Të shqetësuar janë vetëm shkelësit e ligjit, cenuesit e sovranitetit tonë, ata që kanë zaptuar jetën e shumicës se qytetareve serbë që jetojnë atje dhe ata që kane stimuluar ata njerëz dhe ato struktura ilegale dhe kriminale të dhunshme.

Si kryeministër ju siguroj që ne nuk do të zmbrapsemi. Vetëm ju lus për mirëkuptim, bashkëpunim dhe besim.

Integrimi i veriut do të jetë një proces me shumë sfida, por jam i bindur, bashkërisht, si qytetarë dhe botë demokratike do t’ia dalim me sukses.

Ne kemi ende shumë punë për të bërë, për hapjen e gjykatave dhe fillimin e ofrimit të shërbimeve tona si qeveri në atë pjesë të vendit tonë.

Ju garantoj, se nuk do të ndalemi së punuari deri në shtrirjen e plotë të ligjshmërisë në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës.

Vendosja e rendit dhe Ligji është parakushti kryesor për jetë dinjitoze, e këtë ua kemi borxh të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe për këtë qëllim e kemi mbështetjen e të gjithë partnerëve tanë nderkombetar.

Pas suksesit me 25 korrik, sot, është thënë qartë dhe botërisht se Kosova nuk është vetëm në përpjekjet e saja për rend dhe ligj.

Ta ruajmë këtë unitetet kosovaro-ndërkombëtar.

Të nderuar qytetarë, Në çdo veprim Qeveria e Kosovës po ushtron të drejtën që e kanë vendet dhe kombet e lira e demokratike, po krijojmë mundësi të barabarta për të gjithë Ju dhe jemi në krah me të drejtën dhe botën demokratike, që janë synime të të gjithë neve, që jetojmë në këto hapësira.

Veprimet tona kane për qellim mbylljen e një problemi që ka penguar zhvillimin dhe paqen ne mes nesh, që ka cenuar sovranitetin e ligjet tona e që ishte hapësira për mundësi konfrontimesh.

Zgjidhja e këtij problemi lehtëson jetën e qytetarëve tanë atje, hap mundësi për zhvillim demokratik dhe investime në atë pjese, mbyll kapitullin e fundit të konfliktit edhe me shtetin fqinj, Serbinë.

Veprimet tona janë të ligjshme dhe demokratike, që po e zhvendosin pjesën veriore të vendit tonë nga gjendja e anarkisë, në atë te rendit dhe ligjit.

Të nderuar qytetarë, Vendi ynë - shteti i Kosovës, synon demokracinë, të bazuar në rend dhe ligj, paqen me të gjithë popujt dhe shtetet që jemi fqinj, synon integrimin në BE dhe në NATO dhe këtë do ta arrijmë me pune dhe solidaritet si qytetarë, me partneritet me botën demokratike dhe si vend sovran dhe demokratik.

Ne duam që edhe qytetarëve tanë në veri t’u krijojmë mundësi të barabarta. T’u krijojmë mundësi për siguri dhe jetë demokratike. Vendosja e rendit dhe ligjit është parakusht për demokracinë,  paqen dhe zhvillimin.

Edhe një herë iu drejtohem të gjithë qytetarëve, kudo në Kosovë, të ruajnë maturinë dhe të kenë besim në institucione, në rend dhe ligj, në të ardhmen në paqe e zhvillim.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)