18 Janar 2018

Njohja mbase edhe mund të tërhiqet

Shkruar nga Arton Musliu

Këto ditë është bërë temë diskutimi e trajtimi çështja e njohjes së shteteve si institut i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Shkas për këtë ka qenë “tërheqja” e njohjes që kinse shteti i Surinamit ka bërë në raport me shtetin tonë.

Tani, pa u lëshuar në ligjshmërinë e këtij veprimi në kontekstin e rrespektimit të procedurave të brendshme të shtetit të Surinamit, është ngritë dilema nëse njohja që një shtet i bën tjetrit mund të tërhiqet? Mbase edhe mund të tërhiqet! 

Mirëpo për të eksplikuar në mënyrë të argumentuar institutin e njohjes para së gjithash duhet të nisemi, natyrisht edhe të mbështetemi, në të drejtën ndërkombëtare pozitive.

 Çka thotë e drejta ndërkombëtare për këtë çështje? Çka nënkuptojmë ne me marrëveshjet ndërkombëtare apo traktatet, rrespektivisht konventat ndërkombëtare? A janë këto të obligueshme për të gjitha shtetet apo vetëm për shtetet pjesëmarrëse, nënshkruese dhe ratifikuese?

Këtyre pyetjeve duhet dhënë përgjigje gjithsesi nga pikëvështrimi i normave juridiko ndërkombëtare të sistemit juridik ndërkombëtar.

Kësisoji, dokumenti i parë juridik ndërkombëtar i cili ka trajtuar institutin e njohjes është Konventa e Montevideos mbi të Drejtat dhe Detyrimet e Shteteve, e vitit 1933, neni 6 i së cilës thotë që njohja është e pakusht dhe e parevokueshme.

Deri këtu gjithçka është e qartë. Pra njohja është akt diskrecional, natyrisht ekskluzivisht politik,  që një  shtet e ndërmerr për të njohur subjektivitetin juridik dhe politik të një shteti tjetër.

 Konventa e Montevideos natyrisht se është e regjistruar në sekretariatin e Kombeve të Bashkuara ashtu siç kërkon Karta e kësaj organizate.

Kësisoji, ajo paraqet marrëveshje ndërkombëtare. Tani çështja është a paraqet kjo marrëveshje obligim për të gjitha shtetet apo vetëm për ato shtete të cilat e kan ratifikuar atë?!

Këtë paqartësi e heqë neni 26 i Konventës së Vienës mbi të Drejtën e Traktateve, e datës 23 maj 1969 dhe e hyrë në fuqi, rrespektivisht e regjistruar në sekreteriatin e OKB- së më datë 27 janar 1980.

Sipas këtij neni çdo marrëveshje në fuqi është detyruese për palët pjesëmarrëse (ratifikuese). Derisa sipas nenit 34 asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk krijon obligime për shtetet e treta, pra për shtetet që nuk kan nënshkruar dhe ratifikuar një marrëveshje të tillë.

Pra, për ta bërë sa më të qartë, secila marrëveshje ndërkombëtare nuk prodhon efekt juridik për shtetet e treta por vetëm për shtetet që kan nënshkru dhe ratifiku një marrëveshje të tillë.

Në rastin e Konventës së Montevideos mbi të Drejtat dhe Detyrimet e Shteteve mund të themi se dispozitat e kësaj marrëveshje janë detyruese vetëm për shtetet pjesëmarrëse dhe ratifikuese të saj.

Numri i shteteve që kan ratifikuar këtë marrëveshje është simbolik në krahasim me numrin e shteteve sot. Këto janë 15 shtete të Amerikës Latime dhe ShBA. 

Shikuar në pikëvështrimin politik njohja është akt i pavarur dhe politik që një shtet sovran e ndërmerr për të njohur një realitet të ri të krijuar në një entitet tjetër.

Në kontekstin aktual ndërkombëtar në kuptimin e formimit të shteteve të reja njohja ka rol pothuajse vendimtar në sajimin e subjektivitetit shtetëror të një entiteti.

Mirëpo, duke qenë se kjo ështe çështje që kërkon studim dhe duke qenë se nuk mund të elaborohet në këtë format atëherë në mënyrë koncize duhet cekur gjithsesi se në të drejtën ndërkombëtare bashkëkohore formimi i shteteve të reja në masë të konsiderueshme varet nga njohjet që merr nga shtetet tjera, e veçanarisht nga Fuqitë e Mëdha.

Përfundimisht, njohja parimisht nuk mund të tërhiqet duke qenë se nuk është praktikë ndërkombëtare, e përjashtimisht mbase mund të tërhiqet.

Një gjë të tillë e ka bërë Presidenti i ShBA- së Willson në vitin 1913 atëhërë kur tërhoqi  njohjen e Meksikës duke qenë se në këtë të fundit në pushtet kishte ardhur në mënyrë të dhunshme gjenerali ushtarak Victoriano Huerta.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Janar 2018 - Ministri i Arsimit,Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi do të zhvilloi një takim me kryetarin e komunës Gazmend Muhaxheri. (Rezidenca e kryetarit Muhaxheri në Pejë, ora 9:30)

- Mbahet mbledhja e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku do të formohet Komiteti për Politikë dhe Financa si dhe do të caktohen anëtarët e komisioneve të aksionarëve nëpër ndërmarrjet publike komunale. (Objekti i Komunës, ora 10:00)

- Demokracia Plus në bashkëpunim me CoDe organizon tryezën me temë “Roli i Grupeve Jo formale të Grave në Politik Bërje – Shkëmbimi i përvojave në mes të grupeve jo formale të grave në nivel lokal dhe institucioneve qendrore”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë - KOMF organizon konferencën e lançimit kombëtar të Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Hapen punimet e punëtorisë me temë  “ Profilizimi i mësimdhënësve të klasave  I -V ”,  të organizuar nga MAShT dhe ku do të jenë të pranishëm drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit në rajonin e Pejës  si dhe të gjithë drejtorët e Sh.F.M.U-ve së bashku me dy mësimdhënës të klasave  I –V dhe nga një mësimdhënës i shkollave të fshatrave. (Shkolla fillore “Shaban Spahija “ në Pejë, ora 10:00)

- Ministri i Infsrastrukturës, Pal Lekaj, do të zhvillojë vizitë inspektuese në Autostradën “Arbën Xhaferi”. (Autostrada në fshatin Doganaj, ora 10:30)

- Në kuadër të lansimit të programit Zhvillim Rajonal, Ministria për Zhvillim Rajonal,  nesër më 18 janar, 2018,  nga ora 13:30, organizon takimin me kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës me qëllim të informimit të komunave lidhur me këtë programin për Zhvillim Rajonal dhe mundësit e zhvillimit socio- ekonomik rajonal. (Ndërtesa e Qeverisë, salla e takimeve P-38 në, ora 13:30) 

- Mbahet mbledhja për themelimin e komisionit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe kordinim vendor në fushën e Shkencës së Astronomisë në kuadër të Asociacionit për Mbështetjen e Arsimit dhe Aftësimit Profesional të Republikës së Kosovës. (Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ora 15:00)