23 Prill 2024

Njëzet vjetët e pajtimit shqiptar

Ramiz BOJAJ

Epoka e pajtimit shqiptar(Verrat e Llukës), në vitet e nëntëdhjeta të udhëhequr nga Anton Qeta(plaku i urtë), shënon hapin më të rëndësishëm në historinë e organizimit nacional si dhe rrugëtimin e rilindjes së shtetit të pavarur të Kosovës.

Çdo komb i gëzohet heronjve të mëdhenj, të cilët dinë të rrezatojnë në momente të veçanta dhe delikate. Shqiptarët, gjatë historisë së tyre nxorën në pah heronjtë e vet, të cilët për nga madhështia dhe guximi mbetën shëmbëlltyrë të lirisë dhe atdhedashurisë. Kosova në vitët e nëntëdhjeta shënoi epokën e shtetbërjes duke hequr prangat e robërisë (fillimisht çrrënjosjen e gjakmarrjes dhe vellavrasjes), për të vazhduar me betejat e pandalshme deri në çlirimin definitiv të Republikës së Kosovës.

Në këtë kontekst figura e Anton Qetës(bacë Antonit), mbetet fanar drite-përjetësie  në rrugën e lirisë, pavarësisë dhe unitetit nacional. Promotorët e pajtimit shqiptar, bashkë me bacë Antonin, ishin edhe Zekeria Cana, Dom Lush Gjergji,  Xhevat Kryeziu, Rexhep Boja, etj., sëbashku me një numër të madh të rinjësh, aktivistë e studentë të shquar. Tubimi madhështor i pajtimit të gjaqeve në Verrat e Llukës, jo vetëm që çliroi dhe fali qindra jetë të rinjsh të bashkombasve tanë që po vuanin nën ethet e hakmarrjeve, por në këtë eveniment u dha kushtrimi i rezistencës shqiptare kundër pushtuesit serbosllav. Edhe më madhështore e bënte këtë tubim prania e vellazërisë shqiptare nga të gjtiha anët e etnisë shqiptare, si ngë Presheva, Çamëria, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova Lindore.

Uniteti që trembi pushtuesin serbosllav

Në emër të unitetit gjithëkombetar, plaku Anton Qeta, theu përgjithmonë mitin e hakmarrjes ndershqiptare, duke e kthyer urrjetjen në dashuri dhe perçarjet në bashkim. Aksioni i pajtimit të gjaqeve në Kosovë në vitin 1990, vështruar nga rrethanat ekzistuese, ishte esencialisht i nevojshëm, fillimisht për të ruajtur identitetin kombëtar për faktin se okupatori i egër serb vazhdonte përpjekjet me masa të ndryshme (represion, dhunë e terror) për të zhdukur fizikisht kombin tonë nga trojet e veta shekullore (masakrat dhe spastrimet e vazhdueshme etnike), për të vazhduar edhe me organizimin e luftës për liri.

Duke ngritur vijën e parë të rezistencës shqiptare, fillimisht filloi ndërtimi i unitetit kombëtar. Mbi këtë koncept në Verrat e LLukes u falën më shumë se 120 gjaqe, të cilat u sublimuan në praninë e mbi gjysmë milioni bashkëkombas shqiptar, nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Shtrirja e dorës në besa-besë, kishte kushtrimin kumptimplotë të besëlidhjes. “Ata qe falin gjakun vëllaut të vet, lirojnë nga prangat e robërisë një jetë të re, janë heronjtë e kombit tonë”, ishin fjalëmitet e kryeplakut shqiptar, Anton Qetta, njeriu qe diti, mundi dhe bëri epokë të re për Kosovën dhe kombin shqiptar. A ka më madhështi dhe më burrëi që të kthesh zemrat e vuajtura e të dhimbsura në dashuri dhe vellazëri. Këtë mundi të bënte vetëm magjia e fjalës së lirisë për kombin dhe atdheun.

Sfondi

Deçani dhe Verrat e Llukës, dukeshin më madhështore se kurrë më parë. Në këtë tubim plaku Anton Çeta dhe profesor Zekeria Cana, shtrenguan duart duke i ngritur lartë në shenjë uniteti, bashkimi e vellazërie shqiptare. Kur flitej për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, çdo zemër shiptari mbushej frymëzim lirie e atdhedashurie. Mbi këtë ndjenjë shqiptarët përballuan çdo dhimbje, çdo plagë që akoma kullonte gjak nga vesi i gjakmarrjes. Dhe vargu i faljes së gjaqeve të vellëzërve ishte sa i madh aq edhe profetizues.  Duke shtrënguar duart me bacë Antonin, dëgjoheshin zërat e përvajtshëm: Të qoftë falë gjaku bacë Anton, ty dhe Kosovës. Ishin prekëse fjalët e atyre që falnin gjakun e më të dashurve të tyre. “Gjakun ia falë Kosovës, rinisë dhe kombit shqiptar”.

Për hirë të flamurit dykrenar me shqiponjën e Skëndërbeut. Nuk ka plumb për vëllaun tim. Dhe të përqafuar u falën dhjetëra e qindra gjaqe.  Këtu u lidh besa e shiptarit, ku më pas u dha betimi për liri. Dhe, vërtet ky ishte hapi i parë i vetëflijimit për kombin e atdheun. Ky ishte bazamenti i organizimit të kombit për rezistencë dhe luftë të pa kompromis kundër pushtuesit sllav. Beteja e lirisë mbeti e gjatë dhe e mundimshme, deri në shpalljen e pavarësisë së vendit tonë me 17 shkurt të vitit 2008. Mirëpo, Beteja e Pajtimit kombëtar mbeti bazament dhe udhërrëfim i fitorës së madhe të Kosovës, i formësimit të unikombit. Njëherësh ky ishte grushti më i madh që i ishte dhënë armikut serb.

Themelet e shtetit të Kosovës

Për Kosovën dhe etnikumin shqiptar është luftuar me shekuj. Por, hapi i parë i shtetit modern dhe demokratik të Kosovës u hodh më 2 Korrik të vitit 1990. Anton Qeta në ballë të kombit, bashkë me presidentin historik, dr. Ibrahim Rugovën, Mark Krasniqin, Zekeria Canën e shumë figurta tjera historike, themeluan autoritetin funksional të shtetit të pavarur të Kosovës.

Në këtë kontekst,  partitë Politike shqiptare të Kosovës themeluan edhe Këshillin Koordinues, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve shtetformuese si subjekte politike përfaqësuese legjitime të popullit shqiptar, të cilat kishin për bazë edhe ndërtimin e platformës dhe strategjisë  unike për t\'iu kundërvënë me sukses pushtuesit serbosllav.

Plaku i urtë, siç i kishte dhënë epitetin populli, kishte arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmuara dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve 90. Në zgjedhjet e para të organizuara më 1992, Anton Çetta zgjedhet deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Por, veprimtaria e pajtimit të gjaqeve, tash e përgjithmonë mbetet vepër e rrallë, monument i pavdekshëm që përkujton Verrat e Llukës dhe vlerat e Kosovës e të kombit në përgjithësi.

Plaku i urtë, Anton Qeta, në momentet më delikate dëshmoi virtytet madhështore si figurë markante e kombit. Ai pasqyron përjetësisht, çiltërsinë, mençurinë dhe atdhedashurinë që shëroi zemrat e dhjetërave mijërave njerëzve, por mbi të gjitha shëroi një plagë të madhe të kombit. “Një popull qe urren nuk meriton të jetojë”, ishin fjalët e binomit të kombit Anton Qeta, i cili në momentet më të vështira bëri qe shqiptarët të bashkohen rreth flamurit, pavarësisë dhe lirisë kombëtare.

Shteti i Kosovës, mban në përkujtim të pavdekshëm heronjtë: Adem e Hamëz Jashari, Sali Çeku, Agim Ramadani, vëllezërt Haradinaj e shumë e shumë të tjerë, të cilët mbetën përgjithmonë flakadan të lirisë së Kosovës dhe udhërrëfyes për lirinë kombëtare në brezat qe vijnë.

Betejat për kombin dhe atdheun e shqipeve do të vazhdojë deri sa shqiptarët të jetojnë të lirë në trojet e veta etnike, pavarësisht rrugës së moderne dhe të integrimeve. Verrat e Llukës nuk ishin vetëm vend pajtimi, por ‘log’ që bashkoi zemrat gjithëshqiptare.
 

(Autori është publicist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)