04 Prill 2020

Nga Rubini dhe Klintoni e deri tek Grenelli, dhe prapambetja e politikanëve kosovarë që nga koha e UNMIK-ut

Shkruar nga Gurakuç Kuçi

Në kohën e para pavarësisë së Kosovës, atëherë institucioni udhëheqës i Kosovës ishte UNMIK-u, këta të fundit realisht me kompetencat e tyre ishin sundimtarët e Kosovës.

Ndërsa, u krijuan Institucionet e Përkohshme Vetë-Qeverisëse (IPVQ), kompetencat nga UNMIK-u tek IPVQ-ja barteshin në mënyrë graduale.

Kjo bartje e kompetencave nuk kishte treguar për asnjë moment rezultate, institucionet vendore nuk merreshin me ndërtimin e vendit bazuar në kompetencat e tyre por në të vërtetë vepronin në krejt të kundërtën.

 Deri para shpalljes së pavarësisë institucionet e Kosovës nuk kishin kompetenca të plota vetëm në politikën e jashtme dhe në fushën e sigurisë, por prapë kjo nuk kishte mjaftuar që të angazhonte politikanët shqiptarë dhe të tjerët që të punonin në të mirë të vendit. Për më keq vazhdimisht angazhoheshin vetëm në pikat ku nuk kishin kompetenca.

I njëjti mentalitet, kryesisht edhe të njëjtit politikanë me psikozë për pushtetin i kemi edhe sot në krye të vendit të cilët vazhdimisht kanë neglizhuar zhvillimin e Kosovës dhe janë marrë me kapjen e shtetit për interesa personale dhe grupore.

Vërejtja më serioze publike që klasës tashmë të vjetër dy-dekadëshe politike u ishte bërë para një dekade që nëse dëshirojnë ta shpëtojnë nderin e tyre të tërhiqen nga politika. Këtë ua kishte bërë të qartë ish-asistenti i Sekretarit Amerikan për Çështje Publike, James Rubini, nw vitin 2011.

Mirëpo, amerikanët nuk u dëgjuan dhe Kosova po vazhdon me të njëjtit politikanë të cilët përveç që e kanë shkatërruar Kosovën, nuk lejojnë as edhe tranzicion pushtetesh qoftë në institucionet shtetërore e aq më pak ato partiake.

Një dekadë më pas një thirrje të ngjashme e ka bërë edhe Përfaqësuesi Special i Presidentit të SHBA-së për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Ky i fundit jo i drejtpërdrejt sa i pari mirëpo po aq i kuptueshëm sa ai i cili tha se “SHBA-ja është e interesuar për zhvillimin ekonomik të Kosovës”.

Mesazhi i z. Grenell është se të tërhiqen nga politika ata të cilët deri më tani nuk kanë mundur ta zhvillojnë por vetëm ta shkatërrojnë ekonominë e Kosovës dhe se nuk ka gjasa të shtrembërohet rezultati i zgjedhjeve për të prodhuar qeverisje e cila nuk ka dalë sipas votës së qytetarëve e aq më pak zgjedhje të reja.

Pra, Kosova para vetës ka alternativën e të ardhmes dhe zhvillimit ekonomik ose të vazhdoj të mbetet si në dy dekadat e kaluara, një ndikim jo i drejtpërdrejtë për formimin e koalicionit.

Nuk është asgjë befasuese nëse këtij mesazhi prapë nuk i binden kasta politike në Kosovë sepse kjo është vërtetuar shumë herë deri më tani.

Një mesazh jetik për mirëqenien në Kosovë ka qenë edhe mesazhi i Hillari Klintonit gjatë vizitës së saj në vitin 2012 ku kërkonte që të privatizohet PTK-ja.

Mirëpo, ky mesazh nuk shkoi në vend sepse privatizimi i kësaj ndërmarrje do të ishte humbje e shumëfishtë për klasën politike si për çështjen e punësimit, zhvatjen e fondeve për reklama e për aktivitete të ndryshme, hapjen e pikave për marrjen e qirasë dhe punësime nëpër Kosovë e plot variante të tjera të zhvatjes si ajo me Z Mobile dhe Devollët.

Privatizimi me 2012 i PTK-së do ia largonte një instrument korrupsioni të madh klasës politike dhe në një masë të konsiderueshme edhe do ta frenonte manipulimin me qytetarë dhe keqpërdorimin e fondeve publike.

Sidoqoftë, mbetet të shihet rezultati i mesazhit të Grenellit, mirëpo nuk është që ka ndonjë shpresë për zhvillim ekonomik në Kosovë me njerëzit dhe formatin e njëjtë që e kanë shkatërruar Kosovën dhe të njëjtit nuk janë të gatshëm ta lëshojnë pushtetin e as ta zhvillojnë Kosovën dhe të bëjnë vetëvrasje politike për hatër as të SHBA-së e as të Grenellit. Kjo qasje e kastës politike në Kosovë në të vërtetë po e nxitë SHBA-në që të veprojë me mjete tjera dhe jo vetëm me mesazhe për ndryshimin e gjendjes në Kosovë.

Pra, tërheqjen nga politika nuk e kanë konsideruar kasta politike as atëherë kur kanë qenë në pikën më të lartë të famës së mirë të tyre dhe dyshoj se do ta konsiderojnë edhe tani.

Në të vërtetë amerikanët kanë miq në popull, por jo në kastën politike, sepse janë të njëjtit që i shmangën detyrave që nga koha e UNMIK-ut.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Prill 2020

- Me iniciativë të kryetarit Lutfi Haziri mbahet takimi i kryetarëve të komunave të Agjencionit për Zhvillim Rajonal - Lindje më qëllim ndarjen e përvojave me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19. (Qendra Operative Emergjente e cila ndodhet në qendrën e studentëve, përkatësisht te kampusi i shkollave të mesme, ora 11:00)