29 Mars 2024

Në mungesë të pastërtisë, lojëra të ndyra për ata që nuk kanë fytyra!

Shkruar nga Behxhet Sh. SHALA


Ishte një pritje që në seancën konstituive të 24 gushtit do të zhbllokohej, në radhë të parë Kuvendi duke zgjedhur organet drejtuese e pastaj edhe formimi i Qeverisë së Kosovës me kryeministrin që e siguron shumicën e votave. Pritjet ishin të mbështetura në premtime të deputetëve që shfaqën gatishmëri për ta zhbllokuar procesin por doli e kundërta.

 

Seanca e 24 gushtit, a ishte e dështuar apo e planifikuar

Në momentin e fundit, duket se kishte ndërhyrje nga lart dhe procesi dështoi për t’u shndërruar në arenë ku “gladiatorët e politikës“ nxorën armatimin verbal për të pushkatuar armiqtë politikë dhe për ta demonstruar një patriotizëm, me një adrenalinë falco, të stërpërsëritur dhe demode, deri në neveri. Të tillët edhe flamurin kombëtar e kanë shndërruar në një diçka për përdorim të çastit e që ndërlidhet me nevojën e tregimit të forcës apo kur iu duhet për të fituar forcë në ndërkohë që të gjitha të mirat i gëzojnë nga Kosova, qoftë ato materiale (në radhë të parë) por edhe ato afirmative sikur edhe përfundimin e kursit të gjeografisë (duke e shetitur botën) me paratë e këtij vendi të cilit shumë herë i kanë vurë flakën ! Fjalë të rënda nga karrieristë të pangopur për pushtet. Kryesuesi i seancës nuk arriti ta ruajë paanshmërinë politike (së paku për aq kohë sa është kryesues) dhe i diskriminoi subjektet tjera politike duke ua dhënë fjalën në mënyrë selektive. Natyrisht, së pari i dha fjalën gurusë së tij politik i cili pati një fjalim puro politik, të përgatitur mirë dhe goditës dhe që nuk i takonte shkaku se kjo ishte seancë konstituive, pa debate politike dhe të tjera por ishte lëshim i kryesuesit i cili vazhdimisht thoshte se nuk lejohet debati kurse foltoren e Kuvendit e shndërroi në në duel krejtësisht të panevojshën për natyrën e seancës midis Albin Kurtit dhe Kadri Veselit, i pari anëtar – kryetar i LV kurse i dyti kryetar i PDK –së dhe PAN-it.

 

Fjalët ishin shumë të rënda, si për deputetët ashtu edhe për opinionin. Në situata normale do të ishte më mirë që Kadri Veseli të mos përgjigjej fare, në rrethana aktuale kjo ka qenë gjuha e vetme e komunikimit që është dashur të përdorej. Askush në Kosovë nuk ka pronësi mbi patriotizmin dhe lufta për liri nuk ka filluar, as me Kadri Veselin e as me Albin Kurtin dhe sigurisht se nuk do të përfundojë me këta. Asnjëri nga ta nuk e ka shkruar historinë e shqiptarëve dhe të Kosovës ndonëse ka përpjekje të rishkruhet historia që nuk është herë e parë që bëhet kjo. Nëse këtë rishkrim ka dashur ta bëjë Davutogllu i Turqisë, pse mos ta bëjnë Veseli dhe Kurti. Në Kuvend, por edhe në institucionet tjera duhet të përdoret një gjuhë pa urrejtje, jo nga pozita e mujsharit por nga forca e argumentit. Nuk e di pse shpenzohet kohë në përpjekje që të ndërhyhet në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit i cili, deri më tani ka qenë proces i natyrës teknike. Përpjekja që me çdo kusht të kushtëzohet se kush do të jetë kryetar apo nënkryetar i Kuvendit është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën aktuale të Kosovës dhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 e që është mbështetur pikërisht në këtë Kushtetutë, e cila mund të mos iu pëlqejë disa subjekteve politike apo individëve që e duan pushtetin me çdo kusht, por, derisa nuk të ndryshohet kjo Kushtetutë, gjendja është si është. Të gjithë e kanë të qartë se pa zgjedhjen e drejtuesve të Kuvendit të Kosovës, nuk mund të bëhet hapi tjetër, formimi i qeverisë së Kosovës dhe zgjedhja e kryeministrit por vazhdimisht po këmbëngulet në insistime se kush mund të jetë kryetar i Kuvendit e kush nuk mund të jetë. Në këtë drejtim, duke e përdorur apo keqpërdorur kushtëzimin si mjet tjetër të luftës, LV dhe LAA janë bllokues të formimit të institucioneve. Në anën tjetër, duke mos e përdorur të drejtën kushtetuese për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, si e drejtë ekskluzive kushtetuese e PAN-it, PAN po bëhet lojtar aktiv dhe përcaktues për bllokimin e formimit të institucioneve. Me një fjalë, askush, madje as Labinot Tahiri dhe Behgjet Pacolli, nuk kanë vullnet të formohen institucionet e Kosovës, ndonëse po derdhin lot krokodili më shumë se të gjithë krokodilët e lumit Nil. Labinot Tahiri është shndërruar në hermafrodit politik dhe, disi është bërë pjesë e serialit Utaran, ku luan disa role; e përkrah Ramushin deri në hyjnizim kurse nuk e voton kur duhet të votohet! Situatë interesante dhe e ngatërruar, edhe për Frojdin e lëre më për mua që jam injorant në politikë! Se “banda“ politike Boni dhe Klajd e luajnë rolin që e luajnë, aspak nuk më vjen çudi sepse këtë rol të përshtatjes politike apo çergarizimit politik e kanë përvetësuar, deri në përsosmëri! Në këtë seancë ku nuk lejohet debati dhe ku pati pushkatime politike, njerëzore, morale dhe kombëtare, rënd u godit edhe Isa Mustafa, pikërisht nga Albini i cili e krijoi një raport sadomazohist përballë Isës; në një anë e dhunon në çdo aspekt pastaj i shfaq dashuri duke i shtrirë dorën e bashkëpunimit ! Tash, kjo e tejkalon Frojdin dhe kalon në kompetencë të Niçes. Isaja, si i pushkatuar dhe dhunuar në çdo aspekt e ka humbur arsyen sepse kërkon përgjegjësi nga PDK që e ka votuar mocionin e mosbesimit por se nuk e ka dhunuar fizikisht, as Isa Mustafën e as familjen e kryeministrit në detyrë. Isa Mustafa, të kaluarën e ka lënë peng për bashkëpunim me LV duke kërkuar sqarime për 72 dosje (tash kompetencë e prokurorisë), sqarime për sulmet që ia bëri LV dhe sqarimet pse e cilësuan si tradhëtar. Këto janë krejtësisht të natyrës personale dhe Isaja, personalen e ka ngritur mbi LDK-në dhe institucionet.

 

Tash, askush nuk po e përmend si kusht të bashkëpunimit me LV, vlerësimin për figurën dhe rolin e Ibrahim Rugovës por se personaliteti i Isës po del të jetë më i rëndësishëm. Adem Mikullovci, në një seancë ku nuk lejohet debati përveç se për Albin Kurtin dhe Kadri Veselin nuk vlen ky rregull, ia mohoi këtë të drejtë Avdullah Hotit i cili, pa asnjë dyshim do ta mbronte personalitetin e Isës kurse me emënakun tim me gj të butë (Begjën) u soll keq duke i thënë se me 3-4 stolica – karrike nuk i takon fjala. Kështu përfundoi edhe kjo seancë destruktive kurse deputetët, që sipas kushtetutës duhet të gjejnë zgjidhje për ta zhbllokuar situatën, para Festës së Kurban Bajramit, po e bëjnë kurban buxhetin e Kosovës duke e shpërdorur për veprimet destruktive dhe promovimin e anarkisë e cila, lehtësisht mund të përfundojë me një luftë qytetare! Kanibalizmi verbal është pjesë hyrëse e menysë së kanibalizmit të vërtetë dhe po të mos ishin ndërkombëtarët në menynë do të kishim specialitet si: biftek Haradinaj, virshlle Kurti, Isa Burger, omlet Vetëvendosje, proshutë Veseli, ramstek ala Hashimo, turli Pacolli me mëlmesa të hidhura dhe të serta, Donika dhe Besa, Ganja dhe Blerta, Timja dhe Kimja dhe kombinime të tjera. Në këtë meny problem duket të jetë vetëm deserti sepse e gjithë oferta po thjeshtësohet në një, pudingu i Dudes.

Më pyeti kojshia, a po ndërtohet apo po rrënohet shtëpia
Ka mendime të ndryshme se kush mund ta bllokojë apo zhbllokojë situatën. Bllokuesit janë tashmë të njohur, janë të gjithë, pa përjashtime, kurse zhbllokuesit nuk janë askundi përveç se e bëjnë një delikt verbal e pastaj radhiten të bllokuesit. Dikush thotë se situatën e zhbllokon Pacolli dhe Labinot Tahiri pasi të tjerët nuk po e duan Kosovën sa e duan Begja dhe Labi. Rrenë qoftë! Mirëpo, nëse i referohemi Kushtetutës aktuale dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 faktori vendimtar, i pashmangshëm dhe përcaktues për formimin apo bllokimin e institucioneve është koalicioni PAN. Pavrësisht skemave sadomazohiste dhe pavarësisht kontratës për koalicion që mund ta nënshkruajnë Albin Kurti dhe Isa Mustafa + Behgjet Pacolli + Boni dhe Klajd (tezja e Gadafit dhe shoqëruesi i saj), edhe nëse kësaj marrëveshjeje i shtohet nënshkrimi i Stoltenbergut të NATO-së apo Mogerinit (shoqes së Hashimit dhe A. Vuçiqit), këta nuk mund ta japin kryetarin e Kuvendit dhe pa zgjidhjen e kryetarit të Kuvendit, Albini, Dulla, Begja, Limoza por askush tjetër nuk ka gjasa të bëhet kryeministër.

 

Çelësi është te PAN-i e jo te Papë Albani. PAN mund ta propozojë sa herë të dojë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit dhe kjo nuk mund të votohet nga këta të opozitës. PAN duhet ta propozojë kend të dojë për kryetar të Kuvendit kurse deputetët e votojnë. Nëse gjendja mbetet 60 me 60 vota atëherë, sa është përgjegjësi e PAN që nuk e siguron shumicën është edhe përgjegjësi e opozitës që nuk e voton pakon e drejtuesve të Kuvendit. Kadri Veseli tha botërisht se nëse Albin Kurti i siguron 61 vota atëherë, si kryetar i PAN-it do të nënshkruaj që Albini ta udhëheq Kuvendin dhe qeverinë. Kadriu nuk është Kushtetuta dhe nuk është mbi Kushtetutën. Ai, sipas Kushtetutës aktuale nuk mund që me një nënshkrim të vendos për kryetarin e Kuvendit. Ka të drejtë të bëjë propozim por nuk ka gjasa që dikush jashtë koalicionit PAN të bëhet kryetar Kuvendi. Edhe nëse vepron ndryshe, Kushtetuta do ta rrëzojë këtë vendim. Opozita, nëse e siguron shumicën parlamentare mund ta japë kryeministrin dhe ta formojë qeverinë gjë që po më duket si mision i pamundur. Nëse hyhet në votim të kushtëzuar me largimin e Kadri Veselit, atëherë PAN duhet të kushtëzojë që, nëse koalicioni LV dhe LAA e fiton të drejtën për formimin e qeverisë atëherë Albin Kurti, Avdullah Hoti, Behgjet Pacolli apo të tjerët nuk mund të jenë kandidatë për kryeministër. Kushtëzimi prodhon kushtëzimin. Për këtë arsye, PAN dhe Kadri Veseli nuk kanë pse të takohen me tezen e Gadafit në Kosovë as me Lilirin shkaku se ata po e duan kokën e Kadrisë e jo zhbllokimin e situatës. Gjithashtu, nuk duhet të dërgohet asnjë ofertë për serialin Utaran (Lami, Korbi, Labi dhe Begja) e që këta pastaj të llogariten si shpëtimtarë të Kosovës sepse nuk janë të tillë e as që mund të bëhen të tillë! Me miell ta kallamoqit, nuk mund të gatuhen simite ! Po të isha në vend të Kadri Veselit dhe Isa Mustafës, do të hiqja dorë nga të qenit pozitë dhe pushtet dhe do të kaloja në opozitë. Po këta nuk e bëjnë këtë prandaj do të kalojnë të zinjt e ullirit. Politikisht dhe strategjikisht është shumë më e favorshme dhe e dobishme të kalohet vullnetarisht në opozitë kur jeni në pushtet se sa të nxirreni në opozitë me votën e qytetarit.
LDK është duke u përballur me “ vdekjen e bardhë” ku, mortaliteti politik është më i lartë se nataliteti. Injektimi i disa të rinjve pa kurriz, vetëm sa e shpejton këtë vdekje.


PDK ka probleme të regjenerimit të kuadrove. Deri më tani kanë qenë disa babaxhanë të parapaguar për poste, nëse nuk bëhesh deputetë atëherë bëhesh ministër, nëse nuk bëhesh as ministër atëherë bëhesh drejtor bordi apo kryeshef i ndërmarrjeve anipse jeni krejtësisht i paditur për postin që e keni dhe se e falimentoni ndërmarrjen apo aty ku ju kanë vendosur pa pasur dy koqe mend. Disa politikanë në PDK e kanë luajtur rolin e klloqkave por, në vend se të qelin zogj (politikanë të rinj), ata i kanë shkatërruar vezët duke bërë furrikë mandate e mandate të tëra. Në PDK, rryma titiste në një kohë ka qenë politikbërëse kurse krahu i luftës ka zbatuar politikat e tilla. PDK ka nevojë që së paku 8 vjet të bëjë përpjekje të rikuperohet, ta bëjë plotësimin e partisë me kuadro që marrin erë nga politika, që kanë projekte zhvillimore (kjo është më patriotikja sot), të lirohet nga ashtëzimi reumatik i kuadrove që nuk kanë të bëjnë aspak me partinë në fjalë, ta ngrejë një rini me edukim politik e jo që funksionon sipas disa sloganeve, t’i pastrojë listat nga të gjithë të inkriminuarit e që e ka filluar dhe ta forcojë shtyllën politike të një partie me orientim perëndimor dhe me përmbajtje kombëtare. Është sfidë por jo edhe mision i pamundur mirëpo me këtë formacion dhe përbërje që e ka sot, PDK nuk do të ringjallet dhe, nga vdekja klinike do të kalojë në vdekje faktike kurse nekrologun do ta shkruaj KQZ. Mbetja në pozitë me çdo kusht do t’i forcojë partitë rivale por jo edhe PDK. Prandaj, kalimi në opozitë është aparati më i mirë për ringjallje për PDK. E thashë këtë pa pretendime se jam i pagabueshëm!


LV është shumë e interesuar për pushtet kurse pushteti sot më së shumti e dëmton pikërisht LV. Shpejt u rritën dhe patën një të kaluar kur e pësuan nga dhuna por edhe ushtruan dhunë mbi të tjerët. Është kohë shumë e shkurtër të transformohen në paqësorë nga jopaqësorë që ishin deri dje. E fituan Prishtinën por e mbijetuan mandatin me gurabijat që ua la Isa Mustafa. E rritën tatimin në pronë 100% por nuk rritën edhe cilësinë e shërbimeve të ofruara. Në mesin e tyre e kanë edhe Mr. 200.000 euro me të cilin duan ta luftojnë korrupcionin. E kanë bërë lëmsh komponentën kombëtare me ate titiste. Çdo individ me përcaktim të pastër kombëtar, ose e kanë larguar ose e kanë margjinalizuar. E duan ideologjinë socialdemokrate por e duan më shumë hedonizmin. Pushkatimin publik e kanë mjet kryesor për eliminim të kundërshtarëve deri sa t’u kthehet si bumerang. Nëse Prishtina merret si shembull përparimi dhe i mirëqeverisjes e që në kontekstin global është si fshati Makondo i Markezit, Kosova do ta kishte perspektivën e Venezuelës së Nikola Maduros sot. LV duhet të distancohet nga pushkatimi publik dhe veprimeve të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës (që nga ministri e deri te drejtori), të trajtojë me dinjitet prokurorët dhe gjyqtarët që i fyen çdo herë kur ka mundësi pa e kuptuar se me qëllim apo pa qëllim po e fyen shtetin dhe pushtetin që po e gjakon, të lirohet nga ekstremistët dhe anarkistët që shumë e dëmtojnë pikërisht LV, të kuptojë se po jetojnë në Kosovë dhe se atdheu i tyre për momentin është Kosova, të mos manipulojnë për bashkimin kombëtar kur nuk po punojnë në atë drejtim, ta lënë flamurin kombëtar aty ku e ka vendin dhe ku e duan të gjithë, të punojnë për Kosovën dhe të mendojnë dhe ta duan Shqipërinë dhe shumë të tjera për të cilat mund të shkruaj më vonë.

Zgjedhjet lokale
U bënë publike emrat e kandidatëve për kryetar të komunave për zgjedhjet lokale. Në Prishtinë, nëse funksionon koalicioni kundër Shpendit, Shpendi i humbë zgjedhjet. Mitrovica u bë interesant me kandidaten e PDK dhe të LV. Kandidaten e PDK e sulmuan se ka zgjedhur partinë e gabuar duke pretenduar se të gjithë ata që nuk janë LV, janë në parti të gabuar. Valdetja dhe Fehmiu janë favortit për faktin se Agim Bahtiri diplomoi dhe tash mund të ketë angazhime akademike në Universitetin e Prishtinës që ka aq nevojë për kuadro të tilla. Unë jam për Valdeten dhe Fehën. Në Gjilan Luta është favorit, Zenuni është pajisur me vizë transit kurse Samiu e ka vështirë të fitojë. Prizreni është atraktiv shkaku se thuaja të gjithë kandidatët, hiç Zafirin legjendar, garojnë për herë të parë. Në Gjakovë Limoza do të bëhet limonatë dhe vetëm koalicioni i duhur mund t’i ndihmojë asaj. Peja nuk ka favorit të theksuar, koalicionet vendosin për fituesin. Fatoni në Ferizaj mund të ndahet më dhëmbë të mpirë. Në disa qytete LV ka top garues, në disa ka garues arrnues. LDK po luan me veteranë që e kanë fituar statusin në bazë të rezultateve të mëparshme e që nuk garantojnë se do të mbetet kështu edhe pas zgjedhjeve lokale. Ia punuan Ismetit në Prishtinë duke e eliminuar me një votim të fshehtë gjë që nuk e bënë kur ishte në pyetje Terr Manaj në Prizren me Hatim Baxhën. Zvatim tipik i standardeve të dyfishta dhe haram i qoftë Ismet Beqirit nëse nuk kalon në Nisma për Kosovën apo AKR. PDK ka kandidatë shumë të mirë mirëpo ka dështime siç ishte dorëzimi në Skënderaj si dhe, sipas mendjes sime dështimi në Lipjan, Besianë dhe Gjilan. AAK luajti me lojtarë që i ka në dispozicion dhe këta janë më të mirët në këtë moment. Ka kohë për analiza.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)