23 Prill 2024

Në kujtim të 2 Korrikut historik

Shkruar nga Gani Qarri


Kuvendi i Kosovës, në mënyrë unanime më 2 korrik të vitit 1990,shpalli deklaratën kushtetuese për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.

Për herë të parë dhe në mënyrë zyrtare, 45 vite pas ripushtimit  të dhunshëm serbojugosllav, institucioni më i lartë i vendit, shpalli publikisht Kosovën entitet të barabartë me republikat tjera në ish federatën jugosllave.

Këtij akti historik i priu grupi i deputetëve shqiptar me në krye Muharrem Shabanin, Bujar Gjurgjealon, Bajram Kelmendin etj. Kuvendi i atëhershëm Kosovës me praninë e 111 deputetëve, vendosi ta shpallte Pavarësinë e vendit edhe duke qëndruar në këmbë, para dyerve të institucionit të vet më të lartë vendimmarrës, pasi që organet e pushtuesit serb, kishin mbyllë dyert e objektit të tij.

Tubimi u drejtua nga Muharrem Shabani,Deklaratën e Pavarësisë e lexoi Bujar Gjurgjeallo, ndërsa vendimi u pranua dhe nënshkrua unanimisht nga të 111 deputetët e pranishëm të Kuvendit të Kosovës, pjesëmarrës në këtë tubim.

Ishte koha kur tashmë në horizonte ndjehej furtuna në ardhje e shpërbërjes së sigurt të ish Jugosllavisë, ndaj akti i shpalljes së Pavarësisë, përveç se ishte shprehje e vullnetit politik e juridik, në fakt ishte argumenti më i guximshëm e vendimtar që shpaloste hapur dhe praktikisht aspiratat e kamotshme kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi.

Miratimi i Deklaratës Kushtetuese i 2 Korrik të vitit 1990,shënoi edhe fillimin praktik të përpjekjeve të pareshtura politike e diplomatike për bartjen e çështjes së Kosovës në tryezat ndërkombëtare për zgjidhjen e saj.

Atëbotë ky akt shembullor, erdhi si pjesë e vizionit të presidentit historik të Kosovës ,dr. Ibrahim Rugova dhe nisi si beteja e parë politike që u iniciua nga ai vet, për imponimin e ndërhyrjes ndërkombëtare në konfliktin qindravjeqar ndërmjet Kosvës dhe Serbisë.

Por ,sikur mos të mjaftonin problemet ekzistuese,shtypja dhe sundimi barbar serb mbi Kosovën e pushtuar, mu ditën që ajo shpalli Deklaratën e Pavarësisë, si krismë rrufeje e shkrepur ditën për diell, u shkep lajmi spektakolar se edhe vëllezërit tanë në Shqipëri, ( me udhëzimin e kush e di kujt) zgjodhën pikërisht 2 korrikun e vitit 1990,për futje nëpër ambasadat e huaja në Tiranë.

Kjo ngjarje e papritur jo vetëm se befasoi fort shqiptarët e Kosovës, por hijesoi shumë edhe Shpalljen e Deklaratës së Pavarsisë së tyre, në arenën ndërkombëtare.

Dy vendet u orientuan njëkohësisht në dy kahje difuze dhe sot e atëherë, 2 korriku jo vetëm që sjell dy kujtime krejt të ndryshme brenda një populli, por secila nga ngjarjet kujtohet më vete, me mendime të pa ç`mjegulluara ende dhe porosi e botëkuptime të pa sqaruara kuptueshëm për të gjithë.

Ndaj, ngjarjet e dy korrikut 1990,në Shqipëri, nga shqiptarët e Kosovës, nuk u përjetuan si koincidencë, por si të porositura “enkas” nga shërbime të huaja dhe regjimi i Millosheviqit, i cili i liruar nga e vëmendja e opinionit botëror, që e tëra pothuajse u përqendrua tek vërshimet e shqiptarëve nëpër ambasadat e huaja në Tiranë, pushtuesi serb jo vetëm se reagoi tepër ashpër por nga ajo ditë edhe ndërmori aktet më brutale duke mbushur Kosovën me forcat e veta të sigurisë, suprimuar të gjitha institucionet e Kosovës dhe bërë pushtimin klasik të saj me ushtri dhe polici.

Nga toka e Kosovës, Millosheviqi paralajmëronte ditë e vite të nxehta, edhe për republikat tjera ish jugosllave,prej nga lëshonte i trimëruar edhe kërcënimet më të pështira drejtuar atyre, të cilat pas pak vitesh u përshkallëzuan në luftë të hapur dhe dogjen pothuajse pjesët më të mëdha të ish Jugosllavisë.

E vetmja dëshmitare e ngjarjes historike të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, nga arena ndërkombëtare ishte Kristine von Kohl, (Christine von Kohl) këshilltare e Federatës së Helsinkit për të drejtat e njeriut me seli në Vjenë të Austrisë, e cila përcillte me vëmendje çdo zhvillim, gjendjen dramatike dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe ish Jugosllavi.

Më 2002,për kontributin e saj, ajo do të nderohej me çmimin SEMO, për të drejta të njeriut.
 
Pas një pune të gjatë si korrespondente e gazetave daneze, gjermane, austriake e suedeze dhe përkthyese nga gjuhët skandinave në gjermanisht, Christine von Kohl kishte pësuar dobësim të shikimit dhe të gjithëve si sot,na kujtohet ,se ajo me vete mbante një qenë me shenjën e të verbërve.

Por zonjën von Kohl nga regjimi pushtues i Serbisë së Millosheviqit, nuk e shpëtoi misioni që kishte as mirënjohja ndërkombëtare, ndaj me të mbaruar tubimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët shpallën Deklaratën e Pavarësisë, ajo u mor nga policia e pushtuesit në zyrat e tyre, për një të ashtuquajtur \"bisedë informative\", të cilën, në shenjë mirënjohjeje e falënderimi, z.Luljjeta Pula ish aktiviste e njohur në Kosovë, nuk do ta linte vetëm dhe shoqëronte atë edhe në polici,.

Ishte Christine von Kohl, dëshmitarja e gjallë e shpalljes së Deklaratës për Pavarësi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ajo që informoi gjithë botën për pushtimin brutal, shkeljet e rënda dhe degradimin total të të gjitha të drejtave dhe lirive të shqiptarëve nga pushtuesit serb, në Kosovë.

Akti historik që deputetët e atëhershëm nxorën para tytave të pushtuesit, vërtetë ata i futi në histori dhe bëri të paharrueshëm,të cilët meritojnë nderim të përjetshëm dhe respekt të pafund, nga shteti dhe populli i Kosovës tonë -sot të lirë.

E po të vështrojmë vetëm për një moment në retrospektivë dhe bëjmë krahasimin e deputetëve të atëhershëm, të varfër e të vuajtur të atdheut, të cilët rrezikonin jetën e familjet dhe përndiqeshin këmba këmbës nga armiku ,kudo që ata shkonin, me deputetët e sotëm, shumica prej të cilëve brenda natës u bënë-milioner, kthyer në ndjenja, kjo për shqiptarët do të thotë se politik-bërësit dhe deputetët aktual,në kundërshtim me ata, po i shkaktojnë popullit dhe vendit të vetë- izolim, ngecje, prapambetje ekonomike dhe dëshpërim të pafund.

Deputetët e viteve të 90-ta,pa asnjë hezitim, rrezikuan çdo gjë që patën, për vënien e themeleve të shtetit, ata më 2 korrik të vitit 1990 shpallën Deklaratën e Pavarësisë, ndërsa vetëm pak më tepër se 2 muaj më vonë, më 7 shtator të po atij viti edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, derisa këta të tanishmit, rrezikojnë shtetin për tu pasuruar sa më shumë vet me familje e farefis dhe lartësuar vetveten në kurriz të Kosovës, athua kur do të marrin shembull edhe këta të sotmit nga deptetët historik të 2 korrikut 1990 e të punojnë me dashurinë, vullnetin dhe kurajon e tyre edhe për Kosovën, që populli tu shpreh respekt dhe kujtoj me nderim si ata.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)