25 Prill 2024

Në emër të gruas

Shkruar nga Florina Duli 

Dita Ndërkombëtare e Gruas 8 marsi, gjenë shumë pak gra të punësuara. Vetëm një në dhjetë gra në Kosovë vlerësohet se janë në marrëdhënie pune. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës shkalla e punësimit tek femrat është vetëm 13.1 për qind.

Punësimi i grave sfidohet me barriera të ndryshme si, pushimi i lehonisë që saktësohet në Ligjin e punës.

Në kohën e periudhës së administrimit ndërkombëtar, kohëzgjatja e pushimit të lehonisë prej 12 javësh e aprovuar me Rregulloren 2001/27 e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, shkaktoi pakënaqësi të mëdha mes organizatave të grave dhe sindikatave.

Në anën tjetër, ishin edhe bizneset që vazhdimisht  janë ankuar për barrën e madhe financiare që u paraqet pushimi i lehonisë.

Rregullorja e përmendur u ofronte pushim me pagesë vetëm grave punonjëse dhe atë vetëm pas lindjes së fëmijës, duke mos paraparë pushimin e atësisë. Gjatë konsultimeve me palën kosovare të dy botëkuptimet u përplasën keq: Pala vendore insistonte se ne gjithmonë u kemi ofruar grave pushim të gjatë lehonie, bile bile, ligji i paraluftës ofronte 2 vjet pushim me pagesë për fëmiun  e tretë.

Kurse, pala ndërkombëtare insistonte se pushimi i gjatë i lehonisë do zvogëlojë shanset e grave të moshës së re për punësim dhe do të zvogëlojë atraktivitetin e Kosovës për investime të huaja.

Pas shumë debateve, organizatat e grave, sindikatat dhe akterët e tjerë të angazhuar arritën të bindin qeverinë e Kosovës të miratojë ligjin aktual të punës, i cili rrit pushimin e lehonisë nga 12 javë në 12 muaj.

Pra, qysh  në vitin 2010 u miratua ligji ekzistues i punës dhe i njëjti nisi të zbatohet. Për gjashtë (6) muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70 për qind të pagës bazë.

Tre (3) muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50 për qind të pagës mesatare në Kosovë dhe u garanton të drejtën për të kërkuar edhe tre (3) muaj të tjera pa pagesë. Gjithashtu, neni 50 i këtij ligji, u jep disa ditë pushim edhe baballarëve.

Por, është mënyra e financimit, arsyeja që e bën pushimin e lehonisë, faktor diskriminues ndaj grave. Duke marrë për bazë madhësinë e bizneseve në Kosovë dhe nivelin e punësimit të grave është e domosdoshme dhe urgjente ndryshimi i ligjit të punës dhe heqja e barrës së madhe të bizneseve.

Ndarja e barrës së pagesës në mes të bizneseve dhe qeverisë nga 4.5 muaj është vetëm njëri nga opsionet. Duke mos i lënë anash edhe propozime të tjera, të cilat e lirojnë biznesin për një fazë nga barra e lehonisë.

Në anën tjetër rrethanat nuk janë aspak lehtësuese as për punësimin e grave, marrë parasysh mungesën e për kujdesit të mjaftueshëm dhe të përballueshëm financiarisht për fëmijët, apo mungesën e vetë ofertës në tregun e punës.

Një situatë e tillë, e ka hapur debatin, që çon në ndryshimin e një të drejte siç është ajo e  lehonisë, në atë prindërorë.

Mbështetësit e kësaj të fundit, vejnë theksin në të drejtat dhe detyrat e barabarta të prindërve në për kujdesin ndaj fëmijëve. Edhe nëse një politikë e tillë aplikohet në këto rrethana, ndikimi i saj nuk do të ketë efektin e kërkuar në garantimin e të drejtave të grave.

Qeveria duhet të mos e konsiderojë çështjen e lehonisë vetëm si barrë financiare, por duhet ta trajtoj me politika dhe legjislacion të veçantë, për ta bërë natalitetin faktor të zhvillimit shoqëror.  

Zgjidhja duhet të bëhet përmes ndërhyrjes në ligjin aktual, ku qeveria merr përgjegjësin kryesor për financimin e pushimit të lehonisë.

Nataliteti i popullsisë, në secilin prej vendeve ku shteti ligjor është i konsoliduar dhe demokracia si mënyrë jetese e arritur, përbënë interes të përgjithshëm. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet, por kryesorja është ruajtja e moshës mesatare të popullsisë, si garanci për zhvillimin shoqëror.

Ngarkimi i barrës kryesore të punëdhënësit për të bërë pagesën e pushimit të lehonisë, po ndikon që këta të fundit të mos punësojnë gra të reja, në kompani dhe biznese private.

Rrjedhimisht, po shkaktohet shkelje e të drejtave të njeriut duke pamundësuar shanset e barabarta për të gjithë në tregun e punës.

Në këto rrethana konsolidimi i demokracisë jo vetëm që bëhet i pamundur, por vihet në rrezik qenësia normale e shoqërisë, ku pabarazitë mund të shkaktojnë situata të pa menaxhuara.

Zgjidhja e duhur do të ishte që përgjegjësitë kryesore për këtë çështje t’i takojnë qeverisë. Kjo mund të arrihet përmes diskutimeve dhe aplikimit të modeleve nga vendet e ndryshme.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)