28 Mars 2024

Ndihmat për financimin e diktaturave në vend të zhvillimit

Shkruar nga Isa Mulaj

Raport i shkurtë rreth ndihmave nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën (2008 – 2011)

Ndihmat e jashtme mund të përkufizohen si transfere nga njerëzit e varfër në vendet e pasura, te njerëzit e pasur në vendet e varfra – Douglas Casey

Ka kohë që ndihmat e jashtme për zhvillim janë bërë objekt i kritikave nga ana specialistëve dhe nobelistëve të ekonomisë. Agjencitë donatore nga shtetet e zhvilluara kritikohen se ndihmat të cilat i japin për vendet në zhvillim, janë më tepër shpërblim për partnerët ushtarakë dhe politik, se sa për zhvillimin e vërtetë ekonomik dhe shoqëror.

Kundërthënie te ashpra në politikat ekonomike të ndihmave të jashtme kanë dalë edhe ndaj organizatave financiare ndërkombëtare në rastet kur këto e kishin drejtuar mbështetjen e tyre ndaj qeverive, disa prej të cilave shpejt u kthyen në diktatura duke i shtypur popujt e vet. Kjo qasje iu kthye bumerang përpjekjeve të vendeve të zhvilluara për zhvillimin e demokracisë dhe shoqërisë civile, sidomos në disa vende të Afrikës Qendrore.

Duket sikur mbështetja e një grupi të vogël ose qeverive në vend të zhvillimit të përgjithshëm nga i cili do të përfitonte shumica e popullsisë, ende nuk ka ndryshuar në parim, përkundër ironisë së vazhdueshme të shprehur ndaj kësaj qasje nga ekonomistët dhe popullsia e vendeve marrëse të këtyre ndihmave.

Meqenëse Kosova është në prag të përfundimit të periudhës tri vjeçare për marrjen e ndihmave të premtuara nga konferenca e donatorëve, do të ishte e dobishme të bëjmë një vështrim të shkurtër rreth ecurisë së tyre. Publiku dhe mediet në përgjithësi nuk kanë informacione bazë dhe të duhura se çka ndodhi me paratë e premtuara, sa u shpenzuan dhe ku, dhe çfarë ndikimi sollën.

Marrë në përgjithësi, gjendja e përkeqësuar ekonomike në Kosovë prej asaj kohe i ka shtyrë shumicën e njerëzve, madje edhe vetë ekonomistët, të mendojnë se nuk doli ndonjë përfitim i duhur ose siç shpresohej nga ajo konferencë e donatorëve.

Cilat ishin zotimet në Konferencën e Donatorëve për Kosovën?

Në konferencën e donatorëve për Kosovën të mbajtur në Bruksel më 11 korrik 2008 ku kishin marrë pjesë 37 vende dhe 16 organizata ndërkombëtare, ishin premtuar 1,2 miliardë euro për t’i përmbushur nevojat financiare për zhvillim ekonomik dhe social siç ishin identifikuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2008 – 2011 të Qeverisë së Kosovës, duke përfshirë edhe një rezervë për detyrimet. Zotimi më i madh ishte bërë nga Bashkësia Evropiane (BE) me 800 milionë euro, i pasuar nga SHBA me 400 milionë dollarë ose 225 milionë euro sipas kursit të këmbimit në atë kohë.

Në mesin e shteteve të BE-së, pos Komisionit Evropian (KE) si donator i shteteve të përbashkëta, dominonte zotimi i Gjermanisë me 100 milionë euro, pastaj vinte Britania e Madhe me 28 milionë funta, Luksemburgu me 25,5 milionë, Italia me 13 milionë, Franca me 2,3 milionë, dhe Slovenia e Bulgaria me nga 500.000 euro. Zvicra e cila nuk është anëtare e BE-së kishte premtuar barasvlerën e 47 milionë euro në franga.

Një pjesë e ndihmës së SHBA-ve nga 400 milionë dollarë ose 150 prej tyre, ishte paraparë për ndihmë Kosovës në shlyerjen e borxheve të jashtme, të cilat Plani i Atisarit i kishte identifikuar si borxhe të trashëguara nga Serbia dhe ish-Jugosllavia, që do të thotë se kjo shumë e mjeteve të zotuara do të jetë jashtë ndonjë funksioni në Kosovë.

Shtrohet pyetja, sa dhe ku janë shpenzuar këto mjete deri në vitin e tretë ose të fundit? Në opinionin e gjerë ka shumë paqartësi rreth dinamikës së livrimit të këtyre mjeteve dhe ndikimet që i kanë pasur në Kosovë. Sipas të dhënave që i zotëron Ministria e Ekonomisë dhe Financave (MEF) e Qeverisë së Kosovës, deri më tani janë livruar mbi 550 milionë euro, që do të thotë vetëm rreth 46 për qind e mjeteve të premtuara.

Në këtë shumë prinë SHBA me 36.1 dhe KE me 32 për qind te të gjitha mjeteve të angazhuara. Madje, SHBA-të paraqiten si dhënës i afër 200 milionë eurove, ose më shumë se i atyre që i kishin premtuar në vlerë prej afër 158 milionë euro.

Pos SHBA-ve, raportohet se edhe Holanda, dhe Britania e Madhe kanë shpenzuar më shumë se që kanë premtuar gatë kësaj periudhe, e deri-diku edhe Franca me një ndryshim prej disa dhjetëra mijëra eurove.

Vendet tjera donatore kanë dhënë më pak se qe kanë premtuar, ku vlen të përmendet rasti i Gjermanisë, zotimi i së cilës deri më tani ishte 88 milionë euro ndërsa ka dhënë 43,5 milionë prej tyre, dhe i Komisionit Evropian i cili nga 334 milionë euro të premtuara ka shpenzuar 176, duke mbetur kështu “borxhliu” më i madh për mjetet e premtuara.

Si, dhe ku u shpenzuan donacionet e përgjysmuara?

Donacionet janë shpërndarë kryesisht nëpërmjet agjencive të shteteve përkatëse si USAID, SIDA, GTZ, KfW, qeveritë, ambasadat, dhe mekanizmave tjerë të tyre. Sipas përcaktimeve, përfituesi më i madh i raportuar ka qenë Qeveria dhe e ashtuquajtura “Shoqëri Civile” e Kosovës, me afër 177 milionë euro.

Nuk është e qartë pse mjetet e livruara në këta dy sektorë krejtësisht të veçantë janë përfshirë me një zë “Qeveria dhe Shoqëria Civile”. Ndoshta ky edhe mund të jetë shkaku pse në realitet kemi pasur rokada të shumta nga partitë politike në shoqëri civile dhe anasjelltas, dhe bindja e thellë e publikut të gjerë se shoqëria civile në Kosovë faktikisht është e politizuar.

Përveç kësaj, në ekonomikën e ndihmave të jashtme, gjithnjë e më shumë është duke u kundërshtuar haptas drejtimin e shumë donatorëve në financimin e qeverive të korruptuara dhe me qeverisje autoritare, nga të cilat nuk përfiton as zhvillimi i atyre shteteve, e as popullsia.

Me këtë përqendrim kaq të madh në ndihmat për Qeverinë dhe partitë politike në raport me sektorët tjerë të shoqërisë, Kosova është bërë si vend i Afrikës qendrore jo vetëm për nga niveli i ultë i zhvillimit ekonomik, por edhe për nga forma e qeverisjes ose tirania. Për më tepër, për “Qeverinë dhe Shoqërinë Civile të Kosovës” kanë qenë të parapara të shpenzohen afër 262,5 milionë euro, ose përafërsisht 33 për qind më shumë se që janë shpenzuar.

Kategoria e dytë ku janë përndarë më së shumti mjete, është ajo e “Veprimtarive të lidhura me borxhet” në vlerë prej 83,483,604 euro. Është interesant se për këtë kategori nuk ishte premtuar asnjë cent, dhe e tërë kjo shumë ishte livruar në vitin 2009.

Për “Arsimin” janë shpenzuar 52,2 nga 62,4 milionë euro sa ishin premtuar. Në sektorin e “Energjisë” po ashtu janë livruar më pak mjete se që janë premtuar, do të thotë 41,3 në vend të 68 milionë euro, e kështu ka ndodhur edhe për sektorin e “Bujqësisë” (32 në vend të 42,4 milionë euro).

Ajo që na intereson shumë, është mbështetja për biznesin, e cila për nga madhësia e shumës së pranuar renditet pas të gjithë këtyre sektorëve që u përmendën më lartë, me vetëm me 25,3 milionë euro. Mirëpo, edhe premtimi në këtë sektor nuk kishte qenë i madh, dhe sillej rreth 35 milionë euro.

Sipas përkufizimit elementar në ekonomi, korrupsioni është veprim i keqpërdorimit të pushtetit dhe financave publike për qëllime private. Organizata “Transparency International”, për vitin 2010, e llogaritë indeksin e korrupsionit në Kosovë me 2.8 pikë, që zë vendin e 110-të nga gjithsej 178 shtete të studiuara për nga shkalla e jo transparencës.

Nga kjo matje kuptohet se korrupsioni në Kosovë alarmant. Këtë e theksojnë vazhdimisht në formë të shqetësimit edhe raportet e KE-së dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, ose dy subjektet që japin më së shumti ndihma financiare për Kosovën krahasuar me të tjerët. Dhe kujt po ua japin kryesisht këto ndihma?

Pikërisht atyre ndaj të cilëve ankohen për praninë e shkallës së lartë të korrupsionit. Kjo është një metaforë rreth thashethemeve që bëhet nga të dyja palët (dhënësit dhe marrësit e ndihmave) për kinse domosdoshmërinë e luftës kundër korrupsionit.

Çka zbulon shpërndarja e raportuar e donacioneve sipas komunave?

Një tjetër krahasim që ia vlen të theksohet, është premtimi dhe shpërndarja e mjeteve sipas komunave, ku afër 453 nga 550 milionë euro figurojnë si të pa përcaktuara, ose janë shpërndarë në forma tjera që nuk hynë në emërtimin e komunave, pavarësisht se në cilin vend janë shpenzuar.

Megjithatë, nga shuma prej mbi 97 milionë eurove që janë shpërndarë, prin Mitrovica me 12,75, vazhdon Malisheva me afër 6,5, Prishtina me 6,24, Peja me 6,14, Skenderaj me 5,84, Prizreni me 5,26, dhe Gjilani me 4,9 milionë euro.

Në mes tjerash, Skenderaj dhe Malisheva kanë marrë gati ato shuma që u figurojnë si të zotuara, ndërsa Prishtina nga 20,6 milionë euro të premtuara, gjerë më tani ka marrë vetëm 30,8 për qind të tyre, Fushë Kosova 48 për qind, Mitrovica pak mbi gjysmën, dhe Prizreni 57,2 për qind.

Komunat të cilat kanë marrë më shumë mjete se që u janë përndarë, janë (brenda kllapave, shuma ekstra në euro): Ferizaj (796.122), Gllogovci/Drenasi (750.825), Hani i Elezit (251.400), Lipjani (111.636), Gjakova (77.882), dhe Deçani (8.790). Të gjitha të tjerat ende janë duke i pritur shumë mjete të premtuara.

Edhe këtu mbetet diçka e dyshimtë në të dyja anët. Përndarja e mjeteve në shuma deri-diku si të përafërta ndërmjet komunave të mëdha si Peja, Prizreni, Gjilani, me komunat e vogla si Skenderaj, Malisheva, Drenasi, dhe Hani i Elezit ndoshta mund të arsyetohet me atë se këto të fundit janë më të pazhvilluara dhe kanë pasur nevojë për këtë përndarje, por edhe shpenzim, të mjeteve. Mirëpo, ka edhe shumë komuna tjera të vogla e pazhvilluara, si për shembull Shtimja, e cila nga 627.948 euro të përndara (11 herë më pak se Skenderaj) ka marrë vetëm 247.110 euro (afër 9,5 herë më pak se Drenasi).

Cili ishte, apo është, ndikimi?

Ndonëse këto janë statistika për gjendjen e mjeteve të premtuara dhe shpenzuara nga donatorët, efekti i tyre mbetet i pa hulumtuar. Nuk dihet dhe mbahet disi sekret se sa prej këtyre shumave të raportuara janë shpenzuar në Kosovë, kanë dalë jashtë ose janë kthyer menjëherë në vendet prej nga kanë ardhur në emër të asistencës teknike, trajnimeve, ekspertëve dhe këshilltarëve të huaj.

Ajo që dihet përafërsisht dhe shpesh herë është kritikuar haptas vazhdimisht dhe publikisht, është se Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë shpenzuar miliona euro nga buxheti i shtetit për pagesën e këshilltarëve të huaj, sidomos në ministritë që lidhen me sektorin e ekonomisë.

Mbi 5,5 milionë euro janë shpenzuar për reklamim të paefektshëm në mediet e huaja, në kuadër të fushatës “Kosova: Evropianët e rinj”. Pasi fituesi i këtyre mjeteve ishte një firmë e huaj, dihet se ku kanë shkuar. Ndërsa për këshilltarët e huaj, MEF-i dhe Qeveria mund t’u thonë se efekti i atyre pagesave (që vazhdojnë edhe sot) është ky apo ai lloj këshillimi dhe ekspertize, por asgjë nuk flet më mirë se hulumtimi i gjendjes në terren në ato institucione dhe sektorë ku raportohet se janë shpenzuar mjetet.

Statistikat, analizat financiare dhe raportet, sado të dobishme të jenë, përsëri nuk mund ta sqarojnë realitetin pa ndërmarrjen e një qasje tjetër në matjen e ndikimit të këtyre donacioneve, e kjo do të thotë se në bazë të statistikave të tilla, të bëjmë analiza në vendet ku janë shfrytëzuar mjetet dhe për çfarë qëllimi, me çka do të ishim në gjendje t’i konstatojmë efektet e vërteta.

Në të kundërtën, do t’i gjenim defektet ose drejtimet ku kanë shkuar mjetet, nëse nuk e kanë dhënë efektin e pritur. Problemi më i mprehtë dhe i ndjeshëm këtu, është se donatorët, jo vetëm që nuk e mbështesin këtë lloj sektori, por mund t’u marrin në sy të keq dhe t’u shkaktojnë probleme atyre që tentojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

Në rastin më ekstrem, edhe u burgosin për t’iu “disiplinuar” rreth raportimit të realitetit me ndihmat e jashtme dhe prapaskenave të tyre që nuk e kanë qëllimin për zhvillim. Por, shukatja është më e dëmshme, dhe me pasoja afatgjate individuale e kolektive.    

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)