20 Prill 2024

Nata e Bartolomeut

Shkruar nga Gani Qarri

Athua kaloj vërtetë tërësisht dhe nuk do të përsëritet sërish kjo natë, për Kosovën?!

Siç e dimë nga përvoja,Thaqi është mësuar me shfuqizime, madje edhe me aso shumë më të rënda se sa kjo e Speciales tani. 

Për ata që kanë harruar apo nuk u bie ndërmend aktualisht, kujtojeni vetëm për një moment, se si me kërkesë të Serbisë,ai kohë më parë, kokë më vete dhe pa asnjë diskutim institucional as publik, shfuqizoi njëanshëm Pavarësinë e Kosovës, duke i vënë, edhe asaj një Fusnotë!

Rast i jashtëzakonshëm që nuk ka ndodhur kurrë, as është dëgjuar të jetë përsëritur kudo qoftë dhe me asnjë nga shtetet tjera të pavarura.

Por as ai, e as klani i tij, asnjëherë nuk e ngritën si problem, këtë akt të paprecedent.

Ndaj edhe plani i tij i fundit, i përgatitur mirë dhe në detaje, për ta shpëtuar vetveten nga aktakuza e Speciales, përsëri ishte më me rëndësi se sa vet shteti i Kosovës,por që farbardhësisht, kësaj radhe përfundoi vetëm si një tentim-dështim komik i Thaqit & CO.

Për mes mashtrimit, ai arriti të siguronte edhe votat e 43 deputetëve për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvend, me arsyetimin se kishte për qëllim vetëm një debat, por jo edhe shfuqizimin e Gjykatës Speciale të votuar nga ai vet.

Madje tentimi i tij për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, u bë lajmë ndërkombëtar dhe zuri vend në faqet e para të të gjitha mediave botërore.

Sidoqoftë, në këtë fatkeqësi, ishte fat i madh, që në një prej “netëve me thika të gjata”, si ajo e mbrëmshmja, ata të cilët e kuptuan shpejtë dhe të parët hilen e Thaqit, ishin miqtë tanë të njohur,si Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Ruairi O’Connell i cili aksionin e tij klandestin, e cilësoi si natën më të rrezikshme për Kosovën që nga paslufta, përderisa z.Delawie e quajti edhe thikë pas shpine ndaj SHBA-s, si dhe ide të tmerrshme e cila do ta kthente orën mbrapa dhe izolonte globalisht Kosovën. 

Në fakt gazeta javore zvicerane “Weltwoche” që më 13 shkurt të vitit 2015, vinte në pahë se si Hashim Thaqi jo vetëm se nga një azilant dhe punëtorë krahu në hekurudhat e Zvicrës, arriti të bëhej kryeministër e pasurohej në mënyrë të dyshimtë, por nuk është as fshehtësi e paditur se, organizata që ai udhëhiqte , dha urdhra për vrasjet politike të pas luftës në Kosovë.

Kjo, edhe mund të jetë njëra nga shkaqet e forta dhe arsyet e pa kalueshme, që e bëjnë të domosdoshme ngritjen e akuzës edhe ndaj tij personalisht, gjë që e ka nxjerr Thaqin tërësisht nga kontrolli.

Ndaj, edhe nënshkrimet për debat mbi mandatin e Gjykatës Speciale, ai u mundua ti keqpërdor për shfuqizimin e saj të tërësishëm, madje me një votim në Kuvend.

Por si duket kësaj radhe u mashtrua keq nga ngutja, duke bërë hesapet pa hanxhiun, ngase si shqiptarët ashtu edhe ndërkombëtaret janë ngopur më akrobacitë e tij të neveritshme.

Pas, kapjes së shtetit, prokurorisë, gjyqësisë e policisë dhe shkatërrimit të të gjithë sistemit të drejtësisë në vend, nga ai dhe klani i tij, tendencat e përçudëshme për vazhdimin e mos-ndëshkueshmërisë juridike deri në pafundësi dhe pengimin e vënies së kriminelëve të mundshëm edhe përpara drejtësisë ndërkombëtare, vërtetë janë bërë të papranueshme për të gjithë.

Një tendencë si kjo, është shumë e tmerrshme dhe e pajustifikueshme në asnjë mënyrë.

Ne të gjithë e dimë se ai vet pati deklaruar ,qysh me ngritjet e akuzave të para nga Dick Marti, se ato ishin të pavërteta dhe do të ngrejë padi ndërkombëtare kundër tij, por që nuk e bëri kurrë, duke shpresuar se mund të akuzoheshin të gjithë të tjerët por jo edhe ai vet.

Madje, ai personalisht nguli aq fort këmbë duke bërë edhe presion të jashtzakonshëm ndaj deputetëve në Kuvend që ta votonin medoemos Gjykatën Speciale, kurse tani brenda nate, tenton ti shfuqizojë dhe bëjë të paqena që të gjitha ato, të cilat vet i sponsorizoi, madje duke keqpërdor edhe Kuvendin?! 

Jo, kjo është e pafalshme dhe nuk duhet të ndodhë assesi. Ndaj mirë që dështoi!

Nëse ai është i pafajshëm ,le ta dëshmoi para Gjykatës. 

Populli nuk është për dënimin e askujt që nuk ka faj, apo aq më keq edhe për burgosje të porositura siç përflitet për rastin e vëllezërve Kiçina në vend.

Ndaj është e vërtetë e madhe se shumica e shqiptarëve në Kosovë dhe gjithë etnisë tonë kudo gjendet ajo, mbetën të befasuar nga marifetet e fundit të Thaqit & CO, që edhe Gjykatën Speciale të cilën vetëm para dy vitesh ata vet e votuan, tani ta shfuqizojnë me një aksion klandestin brenda nate dhe këtë pikërisht në momentin kur ajo ka përfunduar të gjitha procedurat e aktivizimit dhe priten vetëm ngritjet e akuzave të para, të cilat siç duket, pas gjithë akrobacive të tij të gjithfarshme, do ta  godasin përfundimisht edhe vet Thaqin.

Do ta godasin atë bashkë me shokë e zyrtar të lart të shtetit, të zhytur në shumë mëkate politike, korruptive dhe kriminale, që nga shfuqizimi i Pavarësisë së Kosovës me Fusnotë!, nënshkrimi për formimin e "Zajednicës" serbe, shitja lirë dhe falja e aseteve kryesore të shtetit, pazaret me tokat e vendit, demarkimet e dyshimta etj,.etj...

Ndaj, mjaft më, mos e pengoni Gjykatën Speciale as shtet-ndërtimin e vendit,mos u bëni edhe më tejë, ti as shokët e tu, barrë kaq e rëndë për Kosovën, por lëreni atë të mbijetojë dhe ecë e lehtësuar drejtë rrugës së saj të ardhmërisë, pa Ju!.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)