29 Mars 2024

Motivi i Qeverisë Haradinaj: konservimi i agjendave nacionaliste deri në vetëshpërbërje si opozitë

Shkruar nga Bajram Gecaj

AAK , më mirë se çdokush e din se çfarë donë të thotë të qenit në opozitë. Larg saj nuk është NISMA, e cila poashtu po qeverisë sikur të ishte fundit i jetës në tokë. Dyjat e bëjnë këtë vetëm për një arsye: për të hedhur dhjam në trup, siç e thotë populli, në mënyrë që t’i rezistojnë dimërit opozitar që i pret vitin në vijim.

E tërë vëmendja dhe energjia e politikës, opinionit publik, medieve dhe shoqërisë civile, përgjatë vitit që po e lëmë pas, ka qenë  e  orientuar gati në tërësi në analizimin e veprimeve dhe në kundërshtinë ndaj iniciativës së Presidentit të Republikës.

Kjo vëmendje dhe ky përkushtim kanë ardhur si rrjedhojë e faktit se Presidenti tërë kohën, pa “izën” e askujt dhe në kundërshtim flagrant me kushtetutën dhe ligjet në fuqi, ka hyrë në një aventurë që ka për objekt prekjen (ndarjen, shkëmbimin apo korrigjim) e kufijve të Kosovës.

Kjo aventurë është bërë me arsyetim banal, sipas të cilit Serbia nuk mund të njeh pavarësinë tonë nëse edhe ne nuk bëjmë disa “koncesione të dhimbshme”. Me këtë qasje, presidenti na tregoi se duhet të japim  territor Kosove në këmbim për një njohje nga ana e Serbisë. 

Nëse fatin e shqiptarëve në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti, do ta kishim lënë në mëshirë të njohjes nga Serbia, atëherë vështirë të besohet se do kishte ndodhur shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, Rambuje-ja me miqtë e Kosovës në vitin 1999, ndërhyrja e NATO-s, Pako-ja e Ahtisar-it dhe, në fund, shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Jo vetëm kaq! Po të mvarej nga vullneti i Serbisë, nuk do të qëndronim fare në trojet tona, pos atyre që do të pranonin nënshtrimin e plotë, me shumë gjasa reale që as fizikisht të mos ekzistonim.  

Presidenti na kishte kërkuar ta mbështesim në avanturën e tij, duke pretenduar se ishte momenti i fundit që Kosova të “normalizonte” marrëdhëniet me shtetin fqinj. Këtë e bëri me pafytyrësi dhe me një arrogancë irrituese, në stilin “unë e di çfarë bëj, ndërsa ju delet e mia duhet ta përcillni shpëtimtarin krejt symbyllur”!

Madje-madje, ai na sulmonte inteligjencën, duke na thënë se do ta bashkonte Luginën e Preshevës, pa dhënë asnjë pëllëmbë toke të Kosovës, pos ndonjë korrigjimi të “imtë” të vijës kufitare. Kjo qasje e tij përbënte një paradoks: në ndërkohë që thoshte se duhet të bëjmë kompromise të dhimbshme, dilte përfundimi tjetër se Serbia memzi priste për të “hequr qafe” Luginën e Preshevës.

Kjo logjikë nuk mund të pajtohej me kompromisin tjetër të dhimbshëm, që përbënte paradoksin tjetër të njëkohshëm, të sipërcekurin - dhënien Serbisë të një pjesë të Kosovës.

Presidentit aktualisht aq shumë ju kanë ngatërruar pozicionet, aq sa paradokset e tij asnjëherë nuk mund të pajtohen sepse, thjeshtë, nuk mund të fitosh krejt pa dhënë asgjë dhe në të njëjtën kohë të pretendosh se ke bërë kompromis të dhimbshëm.

Presidenti, në vazhdën e paradokseve të tij na tha se, nëse ne merreshim vesh me Serbinë, komuniteti ndërkombëtar do ta njihte një marrëveshje të tillë. Ai po harronte se ne nuk kishim arritur të merremi vesh me Serbinë që nga dita e parë e lindjes së dy kombeve, mbi 100 vjet më parë.

Serbia mbase mendon dhe pretendon se po luan lojën e një shteti të moderuar, konstruktiv dhe të gatshëm të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Kosovën.

Kjo, megjithatë, nuk është kështu: kjo sjellje po ndodhë vetëm pse ata po e shohin se shumica e spektrit politik kosovar nuk janë të gatshëm t’i bashkëngjiten iniciativës “hara-kiri” të Presidentit.

Sikur ne të flisnim me një zë, si dikur në Rambuje dhe Vjenë, krejt e sigurt është se Serbia do t’i nxirrte “kartat” e vjetra që i mbanë “nën mëngë”: e tërë historia jonë me serbët ka provuar se “nëse ua japë gishtin, ta marrin dorën”.

Nëse do t’i bashkoheshim misionit të Presidentit, thënë me fjalë tjera, Serbia do të nxirrte në pah kërkesat e njëjta nga Rambuje-ja dhe Vjen-a.     

Kjo, megjithatë, nuk donë të thotë se fajin duhet kërkuar vetëm tek Presidenti: bazuar në fuqinë politike të tij, kapacitetin intelektual, por edhe në mandatin kushtetues e ligjor, Presidenti asnjëherë nuk mund të dëmtojë vendin pa miratimin e disa prej forcave  politike kosovare.

Ato forca aktualisht gjenden në ekzekutivin kosovar dhe kjo përbën fajin kryesor pse ne sot gjendemi të ngatërruar në “kthetrat e gjarprit” dhe që sillemi “si pula pa krye”.

Në vend se të ushtronte prerogativat e tij kushtetuese e ligjore për të negociuar për dhe në emër të Kosovës, me autorizimin e sovranit të Kosovës, Kuvendit, kryeministri abdikoi në këtë duke ia lëshuar hapësirën për uzurpim Presidentit të Republikës.

Arsyetimi për një abdikim të tillë kishte qenë krejt primitiv dhe provincial: kryeministri na tha atëherë se ishte shumë i zënë me “punët e shtëpisë” dhe se presidenti kishte edhe kohë por edhe përvojë më shumë se ai në procesin e dialogut.

Shumëkush e kishte pranuar këtë si një arsyetim racional e valid, duke u nisur nga realitetit që shpërfaqej e që e paraqiste me plotë të drejtë kryeministrin si një pafuqi politike dhe kapacitet intelektual e moral për t’u marrë me një çështje aq të ndërlikuar si dialogu.

Ne jemi një republikë parlamentare, megjithatë, ku kryeministri është pika themelore e pushtetit ekzekutiv: ajo/ai zgjedhet për t’u marrë me të gjitha çështjet, në veçanti me ato të interesit nacional, apo “çështjet e mëdha”, aq shumë të propaguara gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017.   

Pse, atëherë, kryeministri nuk u mor vetë me dialogun, si një prerogativë e tij kushtetuese? Dy arsyet që u thanë më sipër, e që në publik janë marrë si të mirëqena, nuk qëndrojnë aspak: sipas bindjes sime të palëkundur, kryeministri nuk është marrë me dialog pasi që ka pasur frikë nga përmbysja e menjëhershme e qeverisë së tij.

Sikur të deklaronte kryeministri se ai, jo Presidenti, duhet të merrej me dialogun, krejt e sigurt është se do të mbahej mend si qeveria më jetëshkurtër në historinë shtetërorë të Kosovës.

Kjo më çon në dyshimin e thellë se në këtë që duket si “lëmsh”, presidenti dhe kryeministri janë së bashku, në ndërkohë që deklarimet e tyre  në dukje kontradiktore nuk janë veçse “hedhje hi syve”.

AAK dhe NISMA, në veçanti vetë kryeministri, kanë bërë ç’mos, bile duke dalë edhe nga lëkura e vet e duke hy në atë të LVV-së, për të marrë pushtetin. Për këtë arsye nuk kanë treguar gatishmëri e vullnet për t’u larguar nga karriga në fillim te mandatit.

Këto dy subjekte kishin kundërshtuar në mënyrë primitive dhe me një ashpërsi të paparë më herët në skenën politike marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Më vonë u provua se këtë primitivizëm e kishin pasur ekskluzivisht për të ardhur në pushtet, jo për të mirën e vendit. Kjo është kështu për faktin e thjeshtë se aprovuan të njëjtën vijë kufitare për hir të mbajtjes së pushtetit, që në ditët e para të karrigimit të tyre në pushtet.

“Patriotizmi është streha e fundit e horrave (maskarenjve)”, kishte thënë Samuel Johnson. Qeveritarët e tanishëm kishin (keq)përdorur në ekstrem çështjet popullsite të demarkacionit dhe asociacionit për të marrë pushtetin, dhe tani po e bëjnë mu të njëjtën për ta mbajtur atë.

Formimi i ushtrisë dhe taksa për produktet e Serbisë janë të dyja çështje popullsite, të cilat, ashtu si demarkacioni dhe asociacioni më herët, zgjojnë ndjenja nacionale dhe përkrahje e miratim të gjerë.

Unë ju siguroj sot, megjithatë, se edhe këto dy çështje nuk shtyhen para për shkak të ndjenjës patriotike dhe shtet-ndërtuese të tyre, ani se elementi i tillë mund edhe të jetë shkarazi prezent, por kryekëput për ta mbajtur pushtetin sa më gjatë, dhe me qëllim të krijimit të atuve elektorale për zgjedhjet që po vijnë, por edhe për të mbuluar dështimet dhe aferat e përditshme.

AAK , më mirë se çdokush e din se çfarë donë të thotë të qenit në opozitë. Larg saj nuk është NISMA, e cila poashtu po qeverisë sikur të ishte fundit i jetës në tokë. Dyjat e bëjnë këtë vetëm për një arsye: për të hedhur dhjam në trup, siç e thotë populli, në mënyrë që t’i rezistojnë dimërit opozitar që i pret vitin në vijim.

Është tanimë e qartë se kjo qeveri dhe ky konstelacion forcash politike kanë humbur legjitimitetin, dhe se jetëgjatësia e tyre varet kryekëput nga Lista Serbe dhe nga vetë presidenti, të cilët padyshim se i mbajnë në dorë frerët e përmbysjes së saj. 

Duke e ditur këtë, kryeministri ka krijuar këto atu “patriotike”, të cilët mund të (keq)përdoren si për mbajtjen e tashme të pushtetit, ashtu edhe për luftën e ardhme politike.

Ne situatën e krijuar, kryeministri i Kosovës pret që presidenti dhe spektri i partive politike opozitare të hezitojnë për të (keq)përdorur Listën Serbe dhe/ose taksen e fundit në produktet serbe kundër qeverisë ekzistuese.

Nëse, megjithatë, do ta bënin këtë, kryeministri kalkulon në përkrahjen masive të popullit për “patriotizmin” dhe "dorën e tij të fortë”.

Një “vegëz” të tillë kryeministri e kishte lënë më herët edhe në çështjen e demarkacionit. Marrëveshja u miratua në Kuvendin e Kosovës në formën që ishte nënshkruar.

Njëjtë më herët kishte bërë parlamenti i Malit te Zi. Dokumentet tjera të aprovuara nga Kuvendi i Kosovës nuk kanë asnjë peshë ligjore. Kur AAK të mbetet nesër në opozitë, megjithatë, çështjen e taksave kundër Serbisë dhe çështjen e demarkacionit do të vazhdon t’i keqpërdor për qëllime të politikës ditore, duke pretenduar se AAK kishte trasuar rrugë për ndryshimin e saj, por tjerët nuk kanë pasur vullnet për këtë, edhe pse tani nuk bëjnë gjë në atë drejtim. 

Kryeministri ka provuar sa e sa herë deri më sot se do të bëj çmos të mbajë pushtetin me çdo kusht, ashtu siç kishte bërë çmos për ta marrë atë. Për këtë do të lidhë marrëveshje me secilin dhe do të lëshoje pe bash për gjithçka, pos natyrisht karriges së kryeministrit.

Koha do të tregojë, për shembull, se çfarë çmimi pagoi për bashkëpunim me PSD e Alternativën, pasi që pretendimi se bashkëpunimin e bëjnë për hir të "çështjeve nacionale" është hiq më pak se hipokrizi e kulluar dhe një farsë qesharake, që i përmbysë tërësisht qëndrimet e tyre të mëhershme "parimore".

Në të njëjtën kohë, kryeministri duket se "e ka bërë mendjen një" me interesin personal e grupor, dhe nuk do të tërhiqet bash për asgjë, as edhe para presionit të miqve ndërkombëtarë. Këtë nuk e kishte bërë as gjatë kohës kur "na patën qitë faqen e zezë", me dhunë të paparë ndaj institucioneve.

Kishte presion marramendës të miqve më të mirë dhe më të dëshmuar edhe atëherë, por kryeministri nuk qante kokë as për ta e as për interesin e vendit, sepse pushteti për te ishte më i ëmbël se cilido çmim tjetër.  

Nga sa u tha më sipër, e përsëris atë të cilën e kam deklaruar tanimë disa herë: pa kushtëzime, partitë opozitare duhet të bashkohen kundër kësaj qeverie të mbrapshtë me këdo dhe cilindo me qëllim të përmbysjes së saj.

Nuk guxojmë të lejojmë më që kjo qeveri të vazhdoj me fajësimin e shteteve mike dhe Bashkimin Evropian për dështimet vetanake. Dështimet e mëdha, siç janë qeverisja e stërkequr e kriminale, mos-ecja para e dialogut dhe integrimeve evropiane, mos-pranimi në INTERPOL, ndalja dhe kthimi prapa i procesit të njohjeve, si dhe mos-liberalizimi i vizave janë dështime kryekëput të kësaj qeverie, dhe të akujt tjetër. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)