19 Mars 2024

Me balotash përfundojnë zgjedhjet, deri në zgjedhjet e parakohshme

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora
 
Gjuha e fushatës dhe koalicionet për pushtet: Po përfundon edhe fushata për balotazh që do të mbahet me 19 nëntor 2017.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve, në masë të madhe do të jenë përcaktuese edhe për kohën kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare e që duket se do të jenë të pashmangshme. 

Përjashtuar disa rasteve e që nuk kanë dominuar gjatë fushatës, gjuha e përdorur nuk ka qenë e dhunshme e që do të ndikonte në ngritjen e tensioneve gjatë fushatës dhe në ditën e votimit.

E kemi këtë skenë politike që e kemi, i kemi këta, t’i quaj kushtimisht politikaj që i kemi dhe piten duhet ta gatuajmë me miellin që e kemi. Nuk mund t’i bëjmë as më të mirë e as më të mençur se që janë.

Në çdo vend normal në botë,  politikani nuk mbinë si këpurdha brenda  natës por se në te investohet për vite të tëra.

Në jo pak raste në Kosovë, vetëm për ta mbajtur apo për ta marrë pushtetin, disa politikanë shndërrohen në prostituta politike dhe të tilla mbesin gjatë tërë jetës politike.

Dallimi është se vetëm e ndërrojnë makron (kryetarin e partisë) që u gjenë punë me ç’rast i shesin shkathtësitë e  fituara të kurvërisë politike.

Tensionimi i komunikimit midis dy kundërshtarëve politikë (për vendet normale) ose armiqve politikë për Kosovën dhe vendet ballkanike, si trup i huaj i Evropës, ndodhi në raste kur kandidatëve iu mungon përvoja e komunikimit publik, nëse nuk kanë arritur rezultatet e pritura si dhe nëse janë të pasigurt në rezultatin e balotazhit.

Apo, nëse është standard komunikimi i pranuar si normal i subjektit që i takon. Dhuna, qoftë edhe verbale nuk është më mjet që sjell vota.

Debatet ishin kryesisht riciklim i premtimeve që nga përfundimi i luftës e deri më tani. Po fillojmë me radhë, para se të dalë me një parashikim të rezultateve të balotazhit.

1.    Agim Aliu i PDK-së ka qenë krejtësisht dominues në çdo debat me Muharrem Sfarqën e LDK-së duke i mbajtur mësim nga edukata e komunikimit publik dhe duke mos e fyer apo nënçmuar në asnjë rast e që nuk mund të thuhet për Sfarqën i cili, në pamundësi të ofronte fakte kundërshtuese, e akuzonte Agimin se është marionetë e PDK –së sikur që z. Aliu të kishte kandiduar për kryetar komune nga ndonjë subjekt tjetër politik.

2.    Në Prizren kishim dy kandidatë të repektuar që manifestuan tolerancë ndaj njëri – tjetrit duke e kyrsyer nga cilësimet denigruese dhe duke mbrojtur pozicionet e tyre, partiake dhe si të kandidatit. Mytaher Haskuka që ka një bagazh intelektual dhe profesional, më tepër identifikohej me LV se sa që identifikohej si kandidat unifikues. Shaqir Totaj, në çdo debat ishte superior duke e shpalosur programin apo prejektin me të cilin konkuron mirëpo, nëse e keni përcjellë me vëmendje ai nuk është identifikuar si miiltant partiak ( partinë thuaja nuk e ka përmendur fare apo simbolikisht)  por si menaxher. Kjo i krijon përparësi të madhe përballë Haskukës.

3.    Në Gjakovë Ardian Gjini i AAK-së ka qenë shumë më i pranueshëm për publikun sepse ka manifestuar urti dhe maturi duke e respektuar zonjën Lila, si kundërshtare por edhe si femër. Mimoza Kusari – Lila qartazi ka shprehur interesin t’i kthehet të së kaluarës së saj të sukseshme sikur edhe të krijojë situata konfrontuese verbale që Ardiani i është shmangur.

4.    Në Gjilan, Sami Kurteshi, në debate me Lutën i ka tejkaluar pritjet e mia në aspektin pozitiv dhekjo e vë në pozitë të një bashkëbiseduesi, debatuesi dhe kundërshtari që meriton respekt. Luta nuk ka dalë jashtë standardeve.

5.    Në Mitrovicë kishim një debat mes një zonje të repektuar, thuaja apartiake dhe një Ostap Benderi ( sinonim i mashtrimit dhe mashtruesit ) siç ishte Agim Bahtiri që nuk tregoi fare respekt për zonjën Idrizi. Duket se kur nuk keni argumente apo bëheni arkitekt i skemës së mashtrimit, nuk mund të veproni ndryshe. As parashikuesja e ndjerë dhe e verbër bullgare, Baba Vanga nuk e ka parashikuar që një i padijshëm dhe analfabet politik do të bëhet kryetar i një qyeteti i njohur për emancipim politik, kulturor, qytetar, kombëtar dhe njerëzor e lëre më se do të garoj për herë të dytë.

6.    Në Prishtinë parashihej të ishte arenë gladiatorësh midis Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit. Prishtina është dhe mbetet epiqendra e të gjitha zhvillimeve në Kosovë si dhe përcaktuese e forcës politike. Ai që e fiton Prishtinën e ka të fituar Kosovën, së paku mendoj ashtu. Ishte  vetëm një debat midis dy gladiatorëve politikë dhe nga ky debat, sipas meje fitues doli Shpend Ahmeti. Debatet tjera abortuan sepse Shpendi nuk deshi të përballej me Arbanin. A ishte kjo pasojë e ndonjë frike, pjesë e taktikës apo qëndrim i partisë, nuk e kam të qartë. Me epërsinë e krijuar gjatë debatit të parë Shpend Ahmeti është dashur të jetë në disponim të medieve në çdo kohë që ato e kërkojnë. Dihet mirëfilli se zgjedhjet nuk i fiton programi por përshtypja e kandidatit që e lë gjatë debateve dhe paraqitjeve mediale.

Në komunat e vogla ka pasur përshkallëzime sikur në Dardanë kur kandidati i LV, në mungesë të përvojës politike ka rënë në grepin e Shaip Surdullit. Edhe në Besianë dhe Kaçanik kishtepërshkallëzime sporadike kurse në Shtime debati i përngjante emisionit humoristik “ Kojshia Show “.

Shumica e koalicioneve ishin krejtësisht joparimore dhe jo të ndershme. Këto koalicione u bënë, ose për ta marrë pushtetin me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet, ose për ta pamundësuar subjektin politik tjetër ta fitojë garën duke bërë përpjekje që me të gjitha mjetet ta nxjerrësh jashtë loje.

Para se të bëjë koalicion me  Sulltan Selim  Pacollin, Shpend Ahmeti, sipas vlerësimit tim ishte favorit absolut ta fitojë edhe një mandat në Prishtinë. Ky koalicion realisht do t’i ndihmojë shumë Arban Abrashit.

Në Prizren Zafa apo Panço Vila, bëri koalicion me LV, jo pse e do Mytaherin apo Albinin por se e urren Hashimin dhe Kadrinë dhe në këtë kontekst u sulmua pa asnjë arsye Shaqir Shejtani-  furraxhia  ( sipas cilësimit të Albin Kurtit ). Kjo i ka dhënë përparësi të madhe Furraxhisë së Hasit dhe e ka groposur Mytaher Melaqen ( sipas cilësimit të Albin Kurtit ).

Kolaicionin që unë e konsideroj protitucion elektoral, midis Albin Kurtit, që llogaritet si intelektual i klasit të lartë dhe patriot i madh dhe Agim Bahtirit, që nuk e ka kapacitetin intelektual të një filloristi ndonëse ka gradë dhe diplomë akademike, vetëm e vetëm ta marrin edhe një mandat, nuk ka si të spjegohet përveç se një mjerim moral, intelektual, politik, njerëzor dhe kombëtar. Kush ka mundur ta imagjinojë situatën kur Albini i drejtohet Agimit  me fjalët sikur ta kishte  para vetes Hasan Prishtinën. E pabesueshme.

Rezultatet e parashikuara :

1.    Në Besianë do të jetë fitore e padiskutueshme e Agim Velit të LDK-së. Ajet Potera i LV nuk është sfidues që e rrezikon perandorin e Podujevës, Agim Veliu.

2.    Në Kastriot – Obiliq garën për kryetar e fiton Xhafer Gashi i AAK-së, Mehmet Kkrasniqi i LDK të bëhet gati për zgjedhjet e radhës.

3.    Në Vushtrri mundësi më të madhe për të fituar e ka kandidati i PDK-së z. Idrizi ndonëse edhe z. Tahiri i LDK-së është i mirë

4.    Malisheva mbetet Washingtoni i Nismës, Ragip Begaj është kryetar.

5.    Në Rahovec Smalj Latifi i AAK-së ka përparësi. Idriz Vehapi i PDK  duket se nuk ka vullnet të bëhet edhe një herë kryetar por se mbetet si mundësi.

6.    Në Dragash luftohet për votën e pakicave. PDK është më e shkathë në këtë drejtim

7.    Në Klinë do të duhej që Sokol Bashota të shkojë në pension politik e që ka pak gjasa të ndodhë. Mund të ketë përmbysje të rezultatit përkundër se Sokoli është favorit.

8.    Në Shtime mund të ketë përmbysje të rezultatit. Kandidati i PDK –së, tash i pavarur dhe kandidati i PDK – nga radhët e LV do të bëjnë çmosë ta spostojnë nga pushteti Vezirin e Madh të PDK –së i cili ka epërsi.

9.    Në Kaçanik fitues absolut është kandidati i PDK-së Besim Aliu. Kodra i LV mund të hypë maje kodrës dhe të lëshojë kushtrimin për zgjedhje të ardhshme.

10.    Në Dardanë përparësia e kandidatit të LV mund të shkrihet në favor të kandidatit të LDK.

11.     Në Therandë Sali Asllanaj i LDK-së ka përparësi para Baliut të AAK-së.

12.    Në Gjakovë kryetar i ardhshëm do të jetë Ardian Gjini i AAK-së. Mimoza kthehet në Prishtinë.

13.    Në Gjilan fitoren për kryetar do ta gëzojë Lutfi Haziri i LDK-së. Samiu i LV e pret rastin tjetër.

14.    Në Ferizaj fitore e padiskutueshme e Agim Aliut. Nuk e shoh Muharrem Sfarqën si fitues.

15.    Në Prizren, për mua fitues i mundshëm është Shaqir Totaj. Nuk përjashtohet përmbysja, si dëshirë.

16.    Mitrovica është problematike. Valdete Idrizi, në çdo aspekt është me mijëra vjet të dritës para Agim Bahtirit dhe do të duhej të fitonte. Dëshira ime është të fitojë Valdetja por Ostap Benderi i AKR ka gjasa të fitojë dhe nëse kjo ndodhë për mua janë shenjat e para të një përmbytjeje të madhe apo kijametit.


17.    Dhe, në Prishtinë është beteja për Stalingradin. Përcaktues për fituesin do të jenë se sa janë të gatshme partitë garuese dhe ndihmuese t’i mobilizojnë votuesit për të dalë në zgjedhje. Madje, sikur edhe në zgjedhjet e fundit kur PDK votoi për Shpendin të bëhet kryetar i Prishtinës, edhe kësaj radhe përcaktues të fituesit do të jenë votat e PDK-së. Megjithatë Shpendi mbetet favorit por nuk do të ishte befasi të ndodhë përmbysja e rezultatit.
18.   
Ky është parashikimi ku mund edhe të dështoj por pasi kemi të bëjmë me një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar ( Kosova ) dhe pasi unë që moti jam deklaruar i papërgjegjshëm, mbi mua nuk bjen asnjë përgjegjësi, politike, morale apo ligjore. Uroj që zgjedhjet të kalojnë në atmosferë të qetë dhe të pranohen rezultatet e zgjedhjeve sikur që kam dëshirë që jofituesi i balotazhit ta urojë fituesin për kryetarë të komunave.

Dhe krejt në fund, me rastin e vdekjes së idolit, frymëzuesit dhe udhëzuesit për veprimtari të deritashme për disa poltikanë të Kosovës, ju shprehi ngushëllime të sinqerta për vdekjen e Salvatore Toto Rinas. Jeni shumë larg të personalitetit të tij por mos u dekurajoni, mos e humbasni shpresën. Nga EULEX nuk keni rrezik, përveç mbrojtjes që mund ta keni nëse e ofroni një meny të pasur financiare.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)