16 Korrik 2018

Masakra e Belegut dhe dështimi i drejtësisë vendore e ndërkombëtare

Shkruar nga MSc. Adem Lushaj

Me homazhe dhe vendosje të kurorave me lule, janë përkujtuar dhe nderuar dhjetëra të vrarë e të zhdukur të fshatrave Irzniq, Beleg, Drenoc, Carrabreg, Hulaj, Hereq, Gllogjan, Sllup, e fshatrave tjera të Deçanit, Pejës dhe Gjakovës.

Edhe pas 19 vitesh, viktimat e rastit të Belegut dhe Irzniqit, u bëjnë ftesë organeve të drejtësisë, të ngrehin kokën dhe të tregojnë ndërgjegjen e duhur institucionale, e Ata që kryen krimin njerëzor të marrin dënimin e merituar.

Qytetarët e Belegut dhe fshatrave tjera, ende shpresojnë në drejtësi, ende presin që drejtësia të thotë fjalën e vet, e që kriminelet të marrin dënimin e merituar.

Nëntëmbëdhjetë vite më parë, forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, pas humbjes poshtëruese të pësuar, një ditë më parë, në Betejën e Pozharit, nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin ndërmarrë një ofensivë të egër vrasëse, ndaj popullatës së pa mbrojtur të strehuar në fshatrat Irzniq dhe Beleg.

Ata, pos që kishin djegur shtëpi, plaçkitur dhe vrarë, kishin kryer edhe krimet më të ulëta njerëzore, aktin e dhunimit seksual.

Edhe pse, ekipe të hetuesisë, së pari nga UNMIK, pastaj edhe EULEX, ishin marrë me rastin, duke mbledhur dëshmi të shumta, qoftë deklarata të dëshmitarëve të drejtpërdrejt, por edhe autopsinë e kufomave, deri më tash, asnjë i arrestuar.

“Kam dëshmuar tri herë para Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, për krimet e bëra në Beleg, por asnjë rezultat deri më tash”, ka treguar Mehmet Mazrekaj, i mbijetuari i masakrës së Belegut, duke thënë se drejtësia ka humbur besimin qytetar, pasi që edhe pas sa vitesh, nuk është zbardh ky rast dhe kryesit e veprës shëtisin të lirë.

Dëshmitari i Hagës, ka njoftuar hollësisht për masakrën e ndodhur në Beleg, ku janë vrarë dhe zhdukur mbi 40 persona, por edhe akte tjera çnjerëzore.

“Ishim tubuar në fshatin Beleg së bashku me bashkëqytetarët e fshatit Drenoc dhe fshatrave tjera të Deçanit, Pejës dhe Gjakovës, ndërkohë forca të shumta ushtarake dhe policore të maskuara, duke përdoruar çdo lloj dhune, kanë maltretuar, plaçkitur, vrarë dhe ende kemi të zhdukur dhjetëra qytetarë”, ka treguar Mazrekaj, i cili ishte maltretuar rëndë nga të maskuarit serb.

Siç thotë ai, Zoti e ka shpëtuar nga xhelatë, por kurrë nuk do harron tmerrin e natës ndërmjet 29 dhe 30 marsit, ku ishin ndarë femrat nga meshkujt, të ngujuar edhe nëpër stalla të lopëve.

“Dihen me emër dhe mbiemër gjithë ata që kanë kryer vepra kriminale, por drejtësia ndërkombëtare dhe vendore, nuk ka treguar asgjë deri më tash”, ka thënë Mazrekaj, i zhgënjyer ndaj institucioneve lokale dhe qendrore, të cilat shumë pak janë marrë me rastin e ndodhur.

Është i trishtueshëm rasti me të riun Faton Vishaj, i cili në moshën fëmijërore është bërë pre e këtyre vrastarëve, duke u marrë nga prehri i gjyshes, përkundër lutjeve që mos ta bëjnë një gjë të tillë.

“Mos më lësho gjyshe, mos i lerë të më marrin”, ishin lutjet e tij, çka xhelatët nuk kursyen as këtë fëmijë, duke bërë që ajo skenë ta përcjell gjyshen e tij, për tërë jetën.

Një fat i njëjtë e ka përcjell edhe të riun, Jetmir Mazrekaj, i cili kishte arritur me plagë të shumta, të largohet dhe të gjen strehim në familjen Haklaj të Isniqit.

Për 12 ditë, Demush dhe Sadri Haklaj, me copa djathi dhe ilaçe tjera, janë munduar të shëronin Jetmirin, të cilin vrastarët serb, e kishin gjurmuar, e më pas kishin hedhur në një bunar të fshatit Llukë të Epërm, për të fshehur krimin e bërë.

Ata, në fshatin Irzniq kishin ekzekutuar 7 persona, në mesin e tyre edhe një nënë: Zeqë, Tahir, Himë, Hajdin e Shkurte Dervishaj, si dhe, Tahir e Hajdar Dacaj.

Ndërkaq, në Beleg me 29 dhe 30 mars të vitit 1999, janë vrarë dhe zhdukur: Daut Aliçkaj, Naim Vishaj, Nezir Vishaj, Hysni Binakaj, Gëzim Vishaj, Qazim Hulaj, Ali Kadrijaj, Shaban Kadrijaj, Jetmir Mazrekaj, Shaqë Binakaj, Malë Vishaj, Mujë Vishaj, Zymer Binakaj, Fatmir Vishaj, Faton Vishaj, Zenel Vishaj, Hamit Zukaj, Rexhep Neziraj, Brahim Zukaj, Hazir Zukaj, Ramë Kilaj, Smajl Ukëhaxhaj, Hajdar Mazrekaj, Nekë Binakaj, Sahit Mazrekaj, Sundim Mazrekaj, Hasan Mazrekaj, Misin Tolaj, Xhevat Tolaj, Isa Tolaj, Shaban Nitaj, Mehmet Tolaj, Haxhi Kadriaj, Arif Mazrekaj, Afrim Haderxhonaj, Bashkim Haderxhonaj, Muhamet Haderxhonaj, Xhevdet Haderxhonaj, Ali Mazreaj, Beqir Dervishaj, Tafë Dinaj dhe Ragip Morina.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 Korrik 2018

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00 - vetem pamje) 

- Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë organizon lansimin e programit për financimin e NVM-ve dhe bizneseve fillestare Start-up. (Innovation Center Kosovo, Rr. “Rexhep Mala” 28 A, ora 11:00)