29 Shkurt 2020

Lugina e Preshevës ka nevvojë për një ndërkombëtarizim më të fuqishëm

Shkruar nga Mehmet Prishtina

Një luftë e kombinuar politik0-diplomatike në trekëndëshin Beograd-Bruksel-Uashington,  e përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës, është më se e domosdoshme, sidomos tani në prag të zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen në pranverë të këtij viti.

Kjo duhet të ndodhë gjithsesi, sepse siç do të shprehej miku im Muharrem Salihu, koha nuk pret më, Medvegja duhet mbrojtur dhe jo braktisur, por vetëm nëse merret si model praktika lobuese e Kosovës në SHBA që e ndërmori dy dekada më herët, e që rezultoi në çlirimin dhe pavarësimin e saj.

Ditë më parë, katër subjekte politike shqiptare Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës u morën vesh që të garojnë me një listë të përbashkët zgjedhore, me qëllim të demonstrimit të një fuqie më të madhe politike në përfaqësimin e interesave shqiptare në institucionet shtetërore në Beograd.

Sipas Muharrem Salihut, një politikan e afarist i suksesshëm i Medvegjës, drejtuesit shqiptarë në Preshevë dhe Bujanoc kanë detyrim patriotik, moral dhe politik të punojnë dhe luftojnë të bashkuar për të mbrojtur kauzën e shqiptarëve në Serbi, kryesisht atyre në Medvegjë.

Ai është i mendimit se prania e shqiptarëve në zgjedhje duhet të kushtëzohet me kthimin e adresave që u janë mohuar të gjithë medvegjasve.

Ky veprim u kthen atyre dinjitetin dhe i bën të jenë të gjallë mes të gjallëve. Ndihma ndaj popullatës së shtypur medvegjase, të çregjistruar dhe të fshirë nga regjistrat civilë është emergjencë kombëtare dhe forcat politike shqiptare në Serbi nuk duhet të heshtin, apelon Salihu.

A mjafton adresimi i problemeve të grumbulluara shqiptare të Luginës së Preshevës vetëm në Parlamentin e Serbisë në Beograd, apo duhet kërkuar edhe adresa të tjera?

Përvoja parlamentare në Serbi, sidomos kur janë në pyetje përfaqësuesit shqiptarë, ka dëshmuar se jo gjithmonë janë trajtuar me seriozitet shqetësimet që kanë ngritur ata. Kjo dëshmon se parlamentarizmi në Serbi më tepër është përdorur si maskë për të kamufluar problemet reale, se sa për t’i zgjidhur ato.

Unifikimi i shqiptarëve në një listë të vetme zgjedhore, mund të fuqizojë ndikimin politik të tyre në Parlamentin e Serbisë, me kusht që pas zgjedhjeve të ardhshme të formohet një grup parlamentar prej 4, 5 deputetësh, përmes të cilit do të artikuloheshin të gjitha problemet që aktualisht i kanë shqiptarët e jugut të Serbisë.

Mirëpo askush nuk është i sigurt nëse pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, do t’iu siguronte atyre ndonjë ndryshim rrënjësor, madje edhe nëse ata fitojnë 4, apo 5 ulëse në Parlament.

Në demokraci janë të lejuara të gjitha format e presionit politik, përfshi edhe kushtëzimet, si formë pak më efikase e arritjes së objektivave për të cilat angazhohet një elitë e caktuar politike. Por, kur jemi te Serbia dhe përvoja e keqe që kanë shqiptarët me të, atëherë instrumenti i vetëm që iu mbetet atyre ta provojnë për të fuqizuar politikëbërjen në institucionet shtetërore në Beograd, janë kushtëzimet.

I këtij mendimi është edhe Muharrem Salihu, i cili konsideron se përfshirja e partive politike shqiptare pa kushte në zgjedhjet parlamentare në Serbi sjell të mira vetëm për Serbinë, në të paktën dy aspekte themelore: së pari, do të lehtësojë pozitën e Serbisë në bisedime, pasi prania e shqiptarëve në zgjedhje do të përkthehet si miratim me politikat serbe, ndaj nuk do të ketë një çështje të shqiptarëve të Serbisë për diskutim mes Kosovës dhe Serbisë; dhe së dyti, Serbia siç e ka nisur, ka gjasa të shpopullojë Medvegjën nga shqiptarët, duke u rrëmbyer ditën me diell dhe në shekullin e XXI, tokat autoktonëve, që nuk arriti t’ua marrë në 140 vite përpjekje e zbatim të politikave shoviniste e shfarosëse që ka ndërmarr ndër vite kundër shqiptarëve, saktëson Salihu.

Aktualisht shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë vetëm një ulëse në Parlamentin e Serbisë. Në legjislaturat e mëhershme, ka pasur edhe deputet tjerë shqiptarë, por zëri i tyre ka qenë gati i papërfillshëm dhe kjo ka bërë që pjesëmarrja e tyre në jetën parlamentare të Serbisë të mos imponojnë ndonjë zgjidhje për problemet e shumta sociale, shëndetësore, administrative, zhvillimore e kulturore që i kanë shqiptarët e jugut të Serbisë.


Dilemën nëse përfshirja e shqiptarëve në betejat parlamentare në Serbi, do të japë fryte apo jo, e bën edhe më të theksuar paralajmërimi i opozitës serbe për një bojkotim eventual të zgjedhjeve të pranverës.

Kur t’i shtohet kësaj edhe periudha e vështirë e dialogut Prishtinë-Beograd që pritet të pasojë me formimin Qeverisë së re të Kosovës, atëherë përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës iu mbetet të dinamizojnë përpjekjet lobuese në institucionet evropiane e amerikane në Bruksel e Washington.


Një luftë e kombinuar politiko-diplomatike në trekëndëshin Beograd-Bruksel-Uashington,  e përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës, është më se e domosdoshme, sidomos tani në prag të zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen në pranverë të këtij viti.

Jo vetëm për faktin se pikërisht pushteti serb ka nevojë për një kritikë më të fortë në Bruksel për detyrat e pa kryera në shtëpi, e që lidhen drejtpërdrejt me të drejtat e nëpërkëmbura kolektive të shqiptarëve në këtë shtet, por edhe për nevojën e një ndërkombëtarizimi më të madh të problemeve shqiptare, elita politike e Luginës së Preshevës duhet të jetë më aktive dhe më  prezente në institucionet ndërkombëtare, përfshi sidomos ato që merren drejtpërdrejt me çështjet e pakicave në shtetet multietnike, siç është Serbia.

Në zgjedhjet parlamentare, në vitin 2016, partitë politike të shqiptarëve në jug të Serbisë, përveç Partisë për Veprim Demokratik, nuk morën pjesë në garën zgjedhore për shkak  të, siç kishin deklaruar, pakënaqësisë për qëndrimin e autoriteteve serbe ndaj shqiptarëve. Në Parlamentin e Serbisë, që ka 250 deputetë, Ardita Sinani u zgjodh si përfaqësuesja e vetme shqiptare.

Megjithatë, pranvera politike e shqiptarëve të këtij krahu, duhet të shënojë një kthesë në metodologjinë e veprimit, duke futur në përdorim edhe betejën diplomatike si mjet më efikas në tërheqjen e vëmendjes ndërkombëtare për çështjet që vazhdojnë të jenë jetike për tri komunat shqiptare në Luginën e Preshevës.

Është mirë që partitë shqiptare janë bërë bashkë për të garuar me një listë të  vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi, por do të konsiderohej e pambaruar kauza politike e këtyre partive nëse veprimin e tyre e kufizojnë vetëm brenda Parlamentit dhe institucioneve të tjera serbe.

Deputetët e ardhshëm shqiptarë para ditën duhet ta kalojnë në Parlament, kurse pasditën  - në ambasadën e BE-së dhe SHBA-së në Beograd dhe jo rrallë të udhëtojnë edhe në Bruksel e Washington me qëllim lobimi për  çështje që nuk marrin zgjidhje në institucionet shtetërore të Serbisë.

Kjo duhet të ndodhë gjithsesi, sepse siç do të shprehej miku im Muharrem Salihu, koha nuk pret më, Medvegja duhet mbrojtur dhe jo braktisur, por vetëm nëse merret si model praktika lobuese e Kosovës në SHBA që e ndërmori dy dekada më herët, e që rezultoi në çlirimin dhe pavarësimin e saj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 shkurt 2020 - Drejtoria e Shëndetësisë së bashku me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, do të ofrojnë kontrolle të përgjithshme mjekësore pa pagesë për sëmundje të traktit urinar ku me pas do të ketë prononcim për media nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Visar Shehu. (Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, ora 10:00)

- Federata e pingpongut të Kosovës do të organizojë Kampionatin Individual të Kosovës për Seniorë “Adem Jashari”. (Shkolla fillore Tefik Çanga në Ferizaj, ora 10:00)

- Mbahet Kuvendi i Punës i Federatës i Basketbollit i Kosovës (FBK). (Hotel International Prishtina & SPA, ora 10:00)

- Qendra e Levizjes në Prishtinë mban konferencë për media. (Zyret qendrore të Lëvizjes në Arbëri, ora 11:00)

Anibar International Animation Festival organizon bashkëlexim dhe diskutim në Klubin e Kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë. (Kinema “Jusuf Gërvalla”, në Pejë ora 12:00)

- Mbahet ceremonia përmbyllëse për Garën Kombëtare për Kitarë, ku do të shpallen rezultatet dhe fituesit që do ta përfaqësojnë Kosovën në Garën Ndërkombëtare që do të mbahet në Qershor 2020, në Monheim në Gjermani. (Amfiteatri i Pallatit të Rinisë, ora 18:00)