29 Mars 2024

Kuvendi i leshit kundër koalicionit të luftës

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala Bajgora

A po përsëritet historia: Më 2 mars 1444 i sapokthyeri nga Stambolli, Gjergj Kastrioti – Skenderbeu në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë i thirri princër dhe autoritete shqiptare të asaj kohe dhe e themeloi Kuvendin e Lezhës apo Lidhjen Shqiptare të Lezhës, Besëlidhjen e Lezhës, Ligën e Princërve Shqiptarë që kishte për qëllim të bashkoi sa më shumë fisnikë dhe principata që  njiheshin si toka të perandorisë së Bizantit si dhe rimëkëmbjen e Mbretërisë së Arbrit në mënyrë që ta pengojnë zgjerimin e  e perandorisë Osmane që udhëhiqej nga Sulltan Murati i II –të.

Ishte kjo një Aleancë Politike dhe Ushtarake që e kishte mbështetjen e fuqishme të Papës.

Pas 11 qershorit 2017, Albin Kurti, kryesori i opozitës po bënë përpjekje ta formojë Kuvendin e Prishtinës apo Kuvendin e Leshit, një Aleancë Politike ku janë të përfshirë fisnikët dhe mjeranët e politikës aktuale kosovare (VV, LDK, AKR dhe Alternativa) për ta penguar zgjerimin dhe mbajtjen e pushtetit të koalicionit PAN apo koalicionit të Luftës me theks të veçantë asgjësimin apo gijotinimin e PDK-së ndërsa për  AAK –në dhe Nismën, po shfaqin mëshirë nëse largohen nga PAN dhe bëhen pjesë e mbretërisë politike të Albinit.

Për dallim nga Kuvendi i Lezhës që e kanë pasur mbështetjen e Papës nuk e kam të qartë nëse Kuvendi i Leshit e ka përkrahjen e Papës (Dragodanit ).

Problemi kryesor i Kosovës pas përfundimit të luftës ka qenë mungesa e politikanëve që ia duan të mirën popullit dhe vendit sikur që punojnë për jetësimin e idealeve të mijëra e mijëra të burgosurve politikë të gjitha gjeneratave, martirëve dhe heronjve të kombit të gjitha gjeneratave prandaj injorantët u bënë politikanë, analfabetët u bënë intelektualë kurse hajdutët ordinerë e morën udhëheqjen e ekonomisë së vendit të cilën e shndërruan në një plaçkë që e copëtuan pa asnjë mëshirë sikur ujqit e uritur që e shqyejnë një qengj të vogël. Asnjëri nga ish spiujt e ish Jugosllavisë dhe Serbisë nuk mbeti pa u sistemuar.

Madje, shumica prej tyre patën role në shtetndërtim sikur që gllabëruan terrenin informativ në vend se t’i nënshtrohen përgjegjësisë për kolaboracionizëm. Për veprimtari në dëm të popullit gjuhën e të cilit e kishin amtare kurse mendimin, qëndrimin dhe veprimin e kishin sllave dhe serbe.

Ish të burgosurit politikë të Kosovës, në vend se të shndërrohen në një forcë politike pa të cilët asnjë vendim nuk do të mund të merrej për shqiptarët dhe Kosovën, u bënë bisht i një partie politike prandaj fuqia dhe ndikimi i ish të burgosurve politikë të Kosovës u shpërfill deri në përqeshje!

Spiujt e UDB-së dhe KOS-it, tash të BIA-së  serbe zunë vendin e këshilltarëve me ndikim te udhëheqësit e krahut të luftës e që pastaj ,disa prej tyre u dekoruan me tituj dhe ndere deri te Hero i Kosovës ndonëse tërë jetën dhe mundin e shkrinë për Jugosllavinë dhe Serbinë.

Pasardhësit e tyre biologjik dhe politik edhe sot kanë ndikim në Kosovë kurse, sipas traditës, Beogradin dhe Serbinë e konsiderojnë mëmëdhe dhe atdhe të tyre të vërtetë. Paçka se gjatë “ sundimit “ të krahut të luftës bënë miliona dhe karrierë.

Pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017 u krijua një gjeografi e re politike . Tash VV u forcua përkundër të gjitha parashikimeve ndonës krahu i luftës – PAN i fitoi zgjedhjet, me vuajtje të Tantalit.

Krahut të luftës tani po i faturohen gabimet e pasluftës; futja nën sjetulla e udbashëve të Jugosllavisë dhe Serbisë dhe injorimi i miqve, bashkëmendimtarëve dhe bashkëveprimtarëve me të cilët  ndanë çastet më të vështira të jetës sikur ishin torturat në burgjet e Jugosllavisë dhe Serbisë nga prindër biologjikë dhe politik të këtyre të cilëve pa asnjë kriter ua hapën rrugët dhe mundësitë për karrierë dhe pasurim.

I rehabilituan ata që do të duhej të merreshin në përgjegjësi. Pa respektuar asnjë kriter dhe pa u skuqur fare. Prandaj, kur të fleni me fëmijë mos u ankoni pse ju kanë pëshurrur!

 Disa komandantë të Luftës u bënë baronë të Paqes andaj e harruan luftën, shkelën mbi gjakun e dëshmorëve dhe i nëpërkëmbën vlerat e mirëfillta kombëtare.

E injoruan çdo vlerë morale, intelektuale dhe kombëtare vetëm për ta ruajtur pushtetin kurse iu nënshtruan antivlerave dhe varreve që tërë kohën punuan kundër Kosovës dhe shqiptarëve.

Servilizmin, nepotizmin dhe injorancën e shndërruan si mjet për marrje dhe mbajtje me çdo kusht të pushtetit. Zgjedhjet e fundit e vërtetuan këtë kur lista për deputetë ishte e mbushur me familjarë që nuk marrin erë nga politika por të cilët morën shumë vota.

Kosova do të duhej ta rregullojë me ligj që të pamundësojë garën për deputetë apo ndonjë post të lartë për familjarët që i kanë baballarët, majkat, dajat, axhallarët në poste kryesore të pushtetit pa shtet sepse në këtë mënyrë po u mohohet e drejta për mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët.

Në këto zgjedhje për nepotizën në listën e kandidatëve u shquan, PDK, AAK, VV, AKR, LDK  (më pak) dhe Nisma . Përcaktues për lista për deputetë në zgjedhjet e fundit ishte nepotizmi dhe raporti apo nënshtrimi që kishte për bazë klientelizmin dhe prostitucionin partiak !

Ku mbeti tani Kuvendi i Leshit: (Nuk) e  kuptoj VV se e do pushtetin me çdo kusht sikur që edhe Albini dëshiron të bëhet kryeministër me çdo kusht.

Kanë dyfishuar votat dhe kanë mbështetje për kërkesën e tyre. Mirëpo, nuk e kuptoj se janë në gjendje ta bëjnë çdo marrëveshje dhe me çdo kend vetëm për ta rrëzuar PDK nga pushteti.

 Po del se nuk është qëllimi marrja e pushtetit për përmirësimin e jetës së qytetarëve por se është qëllimi që PDK të largohet nga pushteti që pastaj t’i tërheqin zvarrë rrugëve, gjykatave dhe burgjeve të Kosovës.

E kanë akuzuar për keqqeverisja dhe të gjitha të zezat e këtij vendi koalicionin PDK – LDK  kurse tani po e amnistojnë LDK nëse ajo iu ndihmon në marrjen e pushtetit. Përgjegjësia për qeverisje të keqe është e përbashkët; PDK dhe LDK dhe pasojaa duhet të jetë gjithashtu e përbashkët! Nëse flasim për parime dhe mbështetur në fakte.

Pse LDK do të ishte e mirë për VV kurse PDK e keqe ? Pse deri dje as kur Isa Mustafa u shndërrua në pëllumb prej balte për gjahtarët e VV, VV anatemohej si parti e dhunës dhe terrorit e tash, për shkak të pushtetit po del se partneriteti me LDK është gjëja më normale në këtë botë dhe çuditemi pse ky koalicion nuk ka ndodhur më parë! Koalicioni VV dhe LDK nuk ka lidhje me parime për një VV burimore ku fryma kombëtare ishte alfa dhe omega e veprimit politik kurse tani, kur VV, nga Lëvizja kombëtare u shndërrua në një pluralizëm mendimesh ku çështja kombëtare ka mbetur si folklor i një të kaluare, koalicioni me LDK është shumë parimor.

Plus e keni këtu AKR e sidomos  “ partinë “ e valltares ekzotike të Gadafit dhe lejlekut të çdo partie, që me dy deputetë sillet sikur ta kishte fuqinë vendosëse politike të kancelares Merkel atëherë bëhet një mozaik i hatashëm i parimeve të marrjes së pushtetit me çdo kusht,  sipas parimit të xhaxhit Makiaveli . Unë jam që VV ta merr pushtetin, ta provojë pushtetin, ta ushtrojë pushtetin por pa hakmarrje ndaj kundërshtarëve politikë nëse nuk do ta provokojë një luftë qytetare.

Nëse PAN nuk e formon qeverinë (mendoj se do ta arrnojë një qeveri menderemthënë ), PDK dhe LDK duhet ta votojnë qeverinë me VV dhe të kalojnë në opozitë.

Duket se VV,  më armike e konsideron  PDK se Listën Serbe  dhe se çdo udhëheqës të PDK –së e konsideron më armik se Vuçiqin, Daçiqin dhe Vulinin. Kjo është e vërtetë, për fat të keq dhe kjo nuk është një lajm i mirë për të ardhmën. E kuptoj luftën politike dhe e pranoj si një mjet të ligjshëm për të ardhur në pushtet.

Por nuk e kuptoj hasmërinë deri në armiqësi apo asgjësim të armikut politik, deri në zhdukje! Është një prirje për kanibalizëm politik! PDK, e  urryer nga të gjithë e ka mundësinë e artë që me daljen vullnetare në opozitë të bëjë përpjekje për rirreshtim duke i larguar nga vetja të gjitha përgjegjësitë për marrje të vendimeve në të ardhmën e që nuk do të jenë aspak të dobishme për Kosovën.

Do të lirohej edhe nga Lista Sebe dhe nuk do të detyrohej t’i përshtatej projekteve politike të Beogradit . Të gjitha këto do të bëheshin përgjegjësi e qeverisë së re që do të udhëhiqej nga VV në një Kuvenb të Leshit (Lezhës ).

Nëse VV deri më tani ka pasur parime, më tregoni çfarë parime ka pasur LDK, AKR dhe çupa e Gadafit! Cilin proces të dëmshëm për Kosovën e kanë kundërshtuar deri më tani,  përjashtuar VV që e ka bërë këtë! Me formimin e qeverisë së VV (nëse ndodhë kjo e për çka nuk jam fort optimist ), edhe VV do të detyrohet të largohet nga parimet ...ose nga pushteti!

Gadafistët duhet t’ia puthin duart dhe këmbët LDK –së, ndryshe as që do të bëheshin deputetë! Nëse PDK përpiqet me çdo kusht të mbetet në pushtet do të bëjë gabim të madh. PDK duhet ta votojë Ramushin ose Albinin për kryeministër, pa vënë asnjë kusht dhe të kalojë në opozitë për t’u përgatitur për zgjedhje lokale. 

Tash janë vendimtare zgjedhjet lokale, për të gjitha partitë! LDK po e luan rolin e Zhaklina Kenedi që,  pasi mbeti e ve, e rriti çmimin deri sa u martua me Aristotel Onazis, miliarderin grek por se kur nuk u bë rehat! LDK po e kërcënën VV se do të qëndrojë në opozitë nëse nuk i japin postin e kryeministrit,  për ta zbatuar programin qeveritar.

LDK edhe mund të martohet sikur Zhaklina por, me gjasë do të mbetet një vejushë e parehatuar dhe e pangushëlluar.

Deri dje,si e dashura e PDK –së, e shkërdhyer dhe stërshkërdhyer por jo  edhe e dhunuar (u martua me dëshirë ), sot, në një mungesë të korrektësisë elementare po flet zi e terr për dashnorin e djeshëm – PDK-në!

Kjo është e meta kryesore e partnerëve të interesit të një kurvërie politike; si të braktisesh, në vend ta ruash ndershmërinë me një deklaratë se u ndamë për shkak të mospërputhjes së karaktereve (ani karaktereve!!!!), nguteni të thoni se u tradhëtuat nga partneri ndonëse tërë kohën keni ndejtur pa brekë dhe me ofertë konkrete për hamshorët e rastit!

E them me përgjegjësi të të gjitha profileve se,  nëse LDK do të hyjë në një shtrat politik me VV, do ta harrojë ate që i ka ndodhur me PDK dhe ajo aventura politike do të ishte një zhvillim romantik krahasuar me hamshorët e VV. Edhe LDK duhet ta votojë Ramushin ose Albinin dhe të shkojë në opozitë!

Çdo përpjekje për mbijetesë politike përmes ofrimit të shërbimeve të natyrave të ndryshme do të ishte katastrofale për LDK. Sulltanët e LDK –së duhet të shkojnë në pension politik duke u lënë hapësirë të rinjve dhe atyre që e duan këtë parti! Sulltanët nuk e duan LDK-në por i duan të mirat materiale të LDK-së sikur edhe ata të PDK-së.

Për mendimin tim tash është koha më e keqe për VV të marr pushtetin dhe është koha më e mirë për PDK dhe LDK të dalin në opozitë! Mendoj, që nuk do të thotë se e kam mirë, se çdo parti që do të jetë në pushtet në këtë kohë do të jetë humbëse kurse çdo parti që do të kalojë në opozitë do të jetë fituese!

Qeveria e minoriteteve politike dhe kombëtare sikur edhe qeveria që eventualisht do të dalë nga Kuvendi i Leshit, nuk do të kenë jetëgjatësi të një mandati të plotë! Qeveria e minoriteteve politike dhe etnike, në një mjedis 95% të homogjinitetit etnik nuk ka legjitimitet për vendime të mëdha, është e brishtë dhe e panatyrshme.

Nëse Qeveria e Kuvendit të Leshit ka për qëllim hakmarrjen në luftë për pushtet  duke përdorur shtetin dhe nëse do t’i arrestojë keqbërësit dhe hajdutët milionerë të vet atëherë do të ketë të drejtë t’ çfarosë të njëjtit në radhët e armiqve politikë! Ndryshe, do të ketë shumë probleme!

Sadri Ramabaja dhe haxhiqamilët: Sadri Ramabaja është i sinqertë edhe kur të godet. Nuk të godet prapa shpine, por në lule të ballit që duhet të vlerësohet . Edhe kur nuk e ka mirë, nuk të prenë në besë prapa shpine. Kemi dallime politike por e kemi një synim që kurrë nuk na ka ndarë; bashkimi kombëtar dhe bashkimi me Shqipërinë.

Ky ishte motivi kryesor që e kam mbëeshtetur VV. Besoj se edhe Sadriu për këtë është bërë anëtar i VV. Për mua ky motiv nuk ekziston më sepse antikombëtarët apo profiterët në baza kombëtare po mbizotërojnë VV. Për Sadriun nuk e di ç’mendon për këtë.

Mirëpo, pas një reagimi të Sadriut për një iftar në sheshin e Dardanës (Kamenicës) ku ai, organizatorët por edhe pjesëmarrësit e pamanipuluar i quajti haxhiqamilë e që ishte reagim shumë i qëlluar njerëzor, kombëtar, moral dhe politik, Sadriu iu nënshtrua një pushkatimi publik pikërisht nga haxhiqamilët që rrinë në hije dhe nga partia e Sadriut. 

Ushtrimi i fesë dhe agjërimi janë të drejta shpirtërore dhe krejtësisht individuale. Dardana nuk mund të shndërrohet në Kandahar, Taxhikistan apo Alepo. Iftari apo syfyri nuk mund të organizohen në sheshe dhe rrugë por në shtëpi, restorante apo objekte kulti.

Keqpërdorimi i fesë për qëllime politike është dukuri e tmerrshme dhe nuk duhat të lejohet. Nga askush dhe prej askujt. Sadriu ka të drejtë dhe meriton përkrahje për shkak të qëndrimit të drejtë, të sinqertë dhe të dinjitetshëm; njerëzor, kombëtar, moral dhe politik për rastin në fjalë!

Daja Hashim dhe teto Kolinda: Trekëndëshi i Bermudeve  ishte mister i gjatë shkaku se shumë anije apo edhe fluturake fundoseshin, pa lënë gjurmë. Kishte shumë interpretime por ky mister zgjati për aq kohë sa u sqarua se magnetizmi ishte forca fatale tërheqëse për anije dhe fluturake. Deri sa dikush ia pa sherrin Trekëndëshit të Bermudeve, Hashim Thaçi, president i Kosovës ia pa hajrin Trekëndëshit; Nishani – Pahor dhe Kolinda.

Çdo herë kur dëshiron vëmendje për vizita jashtë vendi dhe për t’ i heshtur skeptikët që thonë se presidenti ynë legjendar është në një izolim ndërkombëtar ai takohet me njërin nga këndet e këtij trekëndëshi që unë e quaj KONIPA (Kolinda, Nishani dhe Pahor) . Si brirë të këtij trekëndëshi për një katërkëndësh imagjinar e kemi  si rezervë Baton legjendar  apo Rasputinin kosovaro – shqiptar. Dinak është Hashua! 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)