19 Prill 2024

Kur makina e quajtur Shtet nuk gjen rrugën!

Shkruan: Nehat Bllacaku

Një menaxher i një ndërmarrje publike, një ditë tregonte se si gati e kishte humbur vendin e punës. Ai nuk ishte gjendur në keqpërdorim detyre ose diçka të ngjashme. Por vetëm pse ia kishte tërhequr vërejtjen për mos ardhje në punë njërës nga punëtoret. Në këtë rast kishte qëlluar që ajo të ishte njëra nga dashnoret e drejtorit të tij!

E fillova këtë  shkrim me tregimin real se s’i funksionon administrata shtetërore dhe cili është niveli i drejtuesve tanë. Administrata në të gjitha institucionet publike është e ndërtuar mbi bazën e familjarizimit, partisë, regjionit dhe në përgjithësi punësimit pa kritere.

Pakënaqësia e qytetarëve, mosbesimi dhe zhgënjimi nga institucionet është gjithnjë duke u rritur. Kjo përbënë një problem të madh dhe pakënaqësi sociale vështirë të përballueshme gjatë. Është shkelje e të drejtave të njeriut dhe gjithsesi jo demokratike mënyra e punësimit dhe mos transparenca në institucionet tona.

Kjo mënyrë e punësimit dhe funksionimit ka bërë që të kemi jo vetëm shërbime të dobëta por edhe selektive të administratës në përgjithësi. Veprimet e pa ndryshuara edhe pas shpalljes së pavarësisë ka bërë që fjala shtet të mos këtë asnjë rendësi. Kur dëshirojmë të themi shteti, me ose pa dashje na shkon ndër mend pushteti aktual, drejtuesit dhe regjioni. Duhet të theksojmë që askush më shumë se ne në Kosovë nuk e ka dëshiruar që të mirat të ja atribuoj shtetit. Por liderët dhe institucionet nuk kanë bërë asgjë që ne të kemi këtë kënaqësi.

Në të gjitha institucionet tona, përveç stafit politik që ndërrohet në çdo ndryshim qeverie, stafi tjetër është punësuar dhe punësohet pa kritere dhe në mënyrë krejtësisht jo transparente. Të zëmë p.sh RTK. Kush mban mend konkurs të hapur? Përderisa numëron qindra punëtor në TV dhe dy radiot publike, askush nuk e ka pasur mundësinë të punësohet me konkurs publik.

Shumica e të punësuarve janë të afërm të menaxhmentit, politikanëve dhe allashveresheve tjera. Përderisa qytetarët e Kosovës e kanë financuar këtë televizion pa u pyetur fare për afër 9 vite, sërish parlamentarët tanë i dhanë më shumë se pesë milion euro taksa të qytetarëve (vetëm për gjashtë muaj).

Përderisa qytetarët paguajnë taksa dhe shërbyesit civil marrin paga minimale, me taksat dhe ndalesat tona punëtorët në RTK-së do të vazhdojnë të marrin paga maksimale!!! Sistem i ngjashëm i administratës dhe punësimit është krijuar dhe ndjekur në të gjitha ndërmarrjet publike, agjencitë shtetërore, arsimore dhe akademike.

Këto institucione kanë ngritur sistem mashtrimi në fazën e punësimit. Pra, mashtrim i hapur. Shpallen konkurset, shpenzohen para të majme në publikim, maltretohen punëkërkuesit e shkretë, duke sjellë dokumente, përderisa ato vende janë zënë. Thjesht shpallja bëhet për të mbuluar dallaveret e zyrtarëve.

Ky sistem, këto veprime që sot janë kudo në institucionet e vendit, brenda të cilave fshihet gjithçka, ndër to blerja me para e pozitave dhe kushtëzimet më poshtruese. Kanë zbehur krejtësisht rolin e institucioneve të shtetit, por janë duke zbehur edhe institucionet e pavarura s’i Ombudspersoni dhe Agjencia Anti-korrupsion.

Shteti në të cilin ligjet dhe ndëshkimet nuk vlejnë për udhëheqësit, politikanët dhe komandantët!

“Askush mbi ligjin, zero tolerancë për korrupsionin dhe krimin e organizuar” janë sloganet më ironike të institucioneve tona. Kjo për faktin që vetë ata, të afërmit dhe klanet e tyre janë mbi të gjitha. Kush mund ta dënoj ndonjë ministër, politikanë me zë, drejtor apo komandantë për ndonjë vepër, qoftë edhe kundër vajtje? Kush ka guximin të përmend prejardhjen e pasurive qindra milionëshe, të krijuar brenda natës? Kush ka guximin të hetojë aferat korruptive me paratë e taksa paguesve? Kush ka guximin të hedhë në shitje dhjetëra prona që dikur ishin publike dhe sot shfrytëzohen nga grupet dhe klanet e ndryshme? Gazetari italian Roberto Saviano, i njohur për shkrimet anti-mafia thotë: “Ai që punon me fjalët, me fjalët që ua fusin frikën disa pushtetarëve, e di shumë mirë, se vetë ato pushtete nuk mund të lejojnë që t’i njëkohësisht të kesh autoritet dhe jetë. O njërën o tjetrën”.

Asnjë mekanizëm deri më tani nuk luan rolin e shtetit. Kosova është vend partiak. Secili që vjen në pushtet pasurohet. E tëra i mbetet si një dhuratë që do të ja sigurojë jetën atij dhe fëmijëve të tij. Kjo nuk është ajo që kanë pritur qytetarët e Kosovës. Sigurisht që askush nuk ka pritur që do të ndodhin mrekulli. Por, kanë pritur që shteti do të sundojë, transparenca në të gjitha nivelet të jenë në nivelin e duhur. Vetëm viteve të fundit mijëra njerëz janë larguar nga puna, qoftë për shkak të privatizimit apo për arsye të tjera, ndër to dhe politike. Njerëzit në Kosovë janë mbushur nga premtimet e pa realizuara, ata gjithnjë e më shumë po humbin durimin.

Poeti i madh Ali Asllani para shumë dekadave ka thënë dhe sot kjo shkon shumë mirë: “Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka, të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju zuri darka! Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe, gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe”

(Autori është drejtor ekzekutiv në OJQ Mileniumi i Ri, pikëpamjet janë  personale)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)