19 Prill 2024

Kur integrimi i Kosovës fillon me dialogje

Shkruar nga Lutfi Haziri

Çdo shtet demokratik në tranzicion të këtillë si ne apo Ballkani Perëndimor duhet deomos të zhvillojë dialog me shoqërinë civile, dialogun social dhe dialogun me opozitën. Në këtë pikë jemi shumë larg, pasi askush nuk po na kushtëzon, aq më pak Brukseli apo Ëashington DC. Kjo çështje na takon neve dhe vetëm neve.

Në vjeshtën e vitin 2006, UNMIK-u përmes Rezolutës 1244 e pati kosovarizuar në tërësi procesin e integrimeve evropiane. Atëbotë isha në postin e Zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Kosovës dhe nga unë u kërkua që ta udhëhiqja këtë proces, edhe përkundër asaj që në baza të rregullta isha edhe në detyrën e Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, që për prioritet kryesor kisha reformimin e pushtetit lokal në Kosovë.

Reformimi i pushtetit lokal, atëherë bazohej kryesisht në kushte të mëdha, që kishte të bënte me parimin etnik dhe mbërritjen e koncensusit me opozitën, në këtë rast me Partinë Demokratike të Kosovës, që ishte partia me e madhe opozitare në vend.

Duke i patur parasysh këto çështje me rëndësi për të ardhmen e vendit, dëshiroj të theksoj se kosovarizimi i procesit të Dialogut të Parë për stabilizim-asociim, pati ndodhur për faktin se Kosova i kishte për prioritet Standardet para Statusit, të cilat qenë vendosur jo nga pala kosovare, por nga PSSP-ja dhe të cilat mbështeteshin fuqishëm edhe nga Grupi i Kontaktit. Atëherë na u tha se derisa Kosova nuk e ka të zgjidhur statusin, ne duhej të ecnim ngadalë me Dialogun e Parë me Brukselin dhe ai ishte Mekanizmi për Stabilizim-Asociim. Kështu erdhi deri te dialogu, i cili ndodhi pikërisht për shkak të moszgjidhjes së statusit.

17 Shkurti i vitit 2008, shënoi ngjarjen më të madhe dhe më sublime për qytetarët e Republikës së Kosovës, pasi u shpall Deklarata e koordinuar për pavarësinë e Kosovës nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nuk duhet harruar se edhe në këtë kohë, ne ishim ende në fazën e Dialogut të Parë! Kërkohej nga ne mekanizmi i procesit për Kosovën dhe pikërisht këtu filluan ngërçet.

Le të përkujtojmë edhe një herë se pesë shtete anëtare të BE-së nuk e pranuan Kosovën dhe për pasojë të kësaj, edhe vet Komisioni Evropian mori qëndrim neutral karshi statusit të Kosovës. Jemi dëshmitarë se në këtë periudhë me rëndësi për shtetin më të ri në botë, pati mungesë koordinimi në fushën e politikës së jashtme, por pati edhe refleksion në raport me Kosovën.

Ndonëse ishin tre vite mbrapa, megjithatë qëndrimi doli. Nuk mund të ndryshohet procesi nga Dialogu i Parë, por tash për shkak të zgjidhjes së statusit të Kosovës, kërkohej nga ne po ashtu që të vazhdohej me këtë modalitet, deri në një modalitet tjetër!

Të përkujtojmë se KS i OKB-së e votoi një Rezolutë të sponsorizuar nga BE-ja. Tash me të gjithë anëtarët e BE-së u koordinuan për ta dërguar Kosovën drejtë Dialogut të Dytë, por tash jo me BE-në, por me Serbinë dhe për hatër të Serbisë, prandaj Serbia e ka avancuar statusin e saj karshi BE-së në shkallën e shtetit kandidat, duke i plotësuar disa kushte pas pesëmbëdhjetë vjetësh, siç është dorëzimi i kriminelëve të luftës.

E gjithë kjo me BE-në u arritë në një rrugë pa dialogje. Tashmë Kosova u fut në një udhë të pafund sa i përket raporteve BE-Serbi. Dialogu i Dytë po e vazhdon rrugëtimin, por në një udhë gjithnjë e më të mjegulluar.

Në vend të librave të regjistrit, ne po i pranojmë kopjet e tyre, ndërsa në vend të tabelave RKS, ne po i pranojmë tabelat “Proba”, që esencialisht nuk parathonë asgjë. Kështu, Qeveria dështoi në vendosjen e masave të reciprocitetit edhe pse 20 korriku dukej premtues.

Pas premtimit të vitit 2009 nga vet Komisioneri për Zgjerim, u deshën dy vjet që të gjenden mekanizma të veçantë për Kosovën. Dialogu me Kosovën për BE-në do të jetë me referencë që nuk e paragjykon statusin e saj dhe ende po presim që të sqarohet parimi i Dialogut të Tretë.

Komisionerja për PB dhe Drejtësi, do të jetë ajo që më 19 janar të vitit 2012, do t’ia sjell Kosovës detyrat teknike. A do të jemi të kushtëzuar me progresin në Dialogun e Dytë apo Dialogun teknik? Sigurisht që po!
Si rrjedhojë e kësaj doli edhe Dialogu i Katërt nga Raporti i fundit i Progresit si mekanizëm i veçantë për rregullimin e sundimit të ligjit si fusha ku Kosova gjatë njëmbëdhjetë viteve të fundit ka shënuar progres të limituar, apo të themi më saktë ka dështuar.

Në asnjë rast pa kërkesën e Grupit të Kontaktit apo të Grupit të Quntit, nuk është arritur të zbatohet asnjë detyrë e veçantë nga fusha e sundimit të ligjit. Një mekanizëm që tashmë ekziston në Kosovë dhe që bashkëkryesohet midis Qeverisë dhe EULEX-it po barten në Bruksel. Nga Brukseli do të koordinohet fusha e sundimit te ligjit, si dhe do te kërkohen përmbushjet e detyrave si; lufta kundër krimit të organizuar, krimeve të luftës dhe çdo lloj krimi tjetër.

Nëse kihet parasysh se Kosova e ka humbur rastin e ndërtimit të institucioneve të drejta e funksionale duke përfituar nga mbështetja e madhe, atëherë po kthehemi në pikën zero, pra nga ajo pika zero e qershorit të vitit 1999.

Çdo shtet demokratik në tranzicion të këtillë si ne apo Ballkani Perëndimor duhet deomos të zhvillojë dialog me shoqërinë civile, pastaj dialogun social dhe dialogun me opozitën. Ku gjendemi në këtë pikë?  Shumë larg, pasi askush nuk po na kushtëzon, aq më pak Brukseli apo Ëashington DC. Kjo çështje na takon neve dhe vetëm neve…

(Autori është Kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane dhe deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës)


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)