25 Janar 2020

Kur institucionet kërkojnë vazhdimin e paligjshmërisë

Lëvizja Vetëndosje!

Afati që ART-ja u kishte dhënë perçuesve ilegal të telekomunikacionit nga Serbia që këto të ç’kyqen nga Kosova ka kaluar më datën 18 qershor.

Autoritet Rregullativ i Telekomunikacionit ka paralajmëruar prapë heqjen e antenave të telefonisë mobile të Serbisë, të cilat tash e 10 vite funksionojnë në territorin e Kosovës. Këto antena, përveç që ishin vendosur ilegalisht, dhe që kishin emetuar ilegalisht sinjal të telefonisë mobile, vazhdimisht e kanë dëmtuar potencialin ekonomik PTK-së, duke ia marrë asaj një pjesë të konsiderueshme të tregut, që nënkupton një pjesë të konsiderueshme të profitit.

Dëmtimi gradual i PTK-së megjithatë dihet prej nga vjen – prej vendimeve të dëmshme politike, e jo prej ndonjë pamundësie të menaxhimit të pronës publike, siç po na thuhet. Se vendimi për mosheqjen e antenave të kompanive serbe ka qenë dhe mbetet politik, e jo pamundësi teknike e realizimit të kësaj shkëputjeje.

Në këtë paralajmërim reaguan menjëherë ICO-ja, KFOR-i dhe Qeveria e Kosovës, të cilët në mbledhje me përfaqësuesit e ART-së kërkuan që këta të jenë të kujdesshëm! Të kujdesshëm me çka? Kjo kërkesë shumë lehtë mund të shprehet edhe ndryshe: kujdes se ligji nuk zbatohet njëjtë në secilën pjesë dhe ndaj secilit person fizik a juridik. Pra, me një fjalë, institucionet i thanë ART-së mos e merr ligjin edhe aq seriozisht. Natyrisht, se as këto institucione nuk i marrin ligjet e Kosovës seriozisht, përveç në ato raste kur zbatimi i tyre nuk ua prek stabilitetin e tyre institucional, rajonal, personal, etj.

ART kishte bërë shkëputjen e disa antenave pak kohë më parë. Këtë e kishin bërë në pjesë të caktuara të Kosovës, duke e përjashtuar veriun e vendit nga ky veprim. Strukturat paralele të Serbisë, si dhe qeveria e Serbisë, u patën rebeluar pas këtij veprimi të ART-së duke kërkuar që antenat të kthehen, e duke e mbështetur këtë kërkesë në të drejtat e njeriut. Ky rebelim madje u përkrah nga komandanti i KFOR-it gjenerali Markus Bentler, i cili e konsideronte shkyçjen e antenave të papranueshme.

Ndërkohë që strukturat paralele të Serbisë i demoluan tërësisht antenat e Valës dhe IPKO-së në pjesën veriore të Kosovës. Askush nuk u arrestua për këtë dhe, me sa dihet publikisht, asnjë procedurë hetimi nuk u nis për këtë. PTK-ja pastaj i vërshoi serbët që jetojnë në Kosovë me oferta të ndryshme dhe çmime shumë të lira në mënyrë që ata të marrin sim-kartela të Valës 900. Shumë pak prej tyre e bënë një gjë të tillë. Thuaja se e dinin që sinjali i kompanive të Serbisë do të kthehet.

Prania e këtyre antenave në territorin e Kosovës, përveç që është e jashtëligjshme, është edhe e dëmshme. Kompanitë serbe të telefonisë mobile gjenerojnë profit, dhe këtë në dëm të Valës, duke e shtrirë rrjetin e tyre edhe në territorin e Kosovës. Ato nuk e shtrijnë rrjetin për t’i respektuar të drejtat e njeriut, por për respektin që kanë për bilancin e tyre financiar.

Përveç kësaj antenat janë cenim i drejtpërdrejtë i sovranitetit (i cili qartazi ekziston vetëm formalisht në Kosovë) të vendit, sepse dhënia e së drejtës për antena të telekomunikacionit është e drejtë ekskluzive e institucioneve vendëse. Sa kohë që këtu vendosin antena secila kompani që ia ka ënda, atëherë Kosova na del të jetë një territor i lirë, i hapur për pushtim. Dhe pikërisht këtë duket ta kërkojnë ICO-ja, KFOR-i dhe Qeveria e Kosovës.

Komiteti për ekonomi dhe Komiteti për siguri
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 janar 2020

- Federata e Futbollit e Kosovës mban ligjëratë kundër kurdisjeve të ndeshjeve nga zyrtari për integritet në FFK. (Salla e kuqe në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ora 12:00)