19 Prill 2024

Ku është gjenerata e ’81-it

Shkruar nga Ali Mehmeti

Gjatë jetës së çdo njeriu janë disa momente historike të cilat i ndajnë “epokat”. Gjenerata ime, ose më saktë unë, i ka/më përjetuar disa të tilla.

Në vitin 1968, kur isha dymbëdhjetë vjeçar, për herë të parë pashë flamurin kuq e zi me shqiponjë dykrenore, në duart e një të riu hipur mbi një autobus të transportit urban të Prishtinës. Vite më vonë e kuptova se, rastësisht kisha qenë prezent në një ngjarje historike.

Në vitin 1981 ndodhi një zgjim masiv nacional i shqiptarëve të Kosovës, kur megjithatë mbetën edhe shumë të tillë që ankoheshin se iu prish rehatia dhe vëllazërim bashkimi.

Në vitin 1989/90 u zgjuan edhe ata, që mbetën të përgjumur edhe pas vitit ‘81, sepse iu erdh radha edhe atyre të përjetojnë fatin e atyre që ua “prishën rehatinë” në vitin ’81. U diferencuan, u izoluan, u burgosën, u përjashtuan nga puna, madje edhe fëmijët iu përjashtuan nga shkolla.

Në vitin 1995, pas injorimit nga bashkësia ndërkombëtare, që edhe Kosova të trajtohet sikur problem që duhet zgjidhur në konferencën e Dejtonit, u bë e qartë, se politika e proklamuar sikur paqësore, që në fakt nuk ishte as e tillë, por plotësisht nënshtruese, nuk do sjell kurrfarë rezultati.

Prapë pjesa më e zgjuar, ajo e ’81-it, u vu në ballë të rezistencës së armatosur të cilën e përqafoj edhe pjesë më madhe e rinisë, përkundër etiketimeve fillestare nga më të ndryshmet, nga faktori politik ndërkombëtar dhe politikanët defetist vendor.

Në vitin 1999 prapë u tregua se gjenerata e ’81-it ishte më largpamëse. Arriti ta mobilizoj edhe faktorin ndërkombëtar, që rezultoi me çlirimin e Kosovës, kësaj pjese të truallit shqiptar, të pushtuar gjatë një shekulli nga Serbia gjenocidale.

Në vitin 2008, u shpall pavarësia e Kosovës, e cunguar skajshmërish nën trusni të madhe ndërkombëtare, duke parandaluar bashkimin me shtetin amë dhe duke ofruar të drejta të gjera, deri te vetoja në disa vendime, të pashënuar diku në Evropë, për pakicën serbe.

Duke mirëkuptuar lëshimin pe ndaj kërkesave të “miqve” dhe të miqve ndërkombëtar, në shumë momente deri te shpallja e pavarësisë, do mbetet e pakuptueshme pse qeveritë e pastajme vazhduan avazin e vjetër, duke thërrmuar edhe më tutje pavarësinë e cunguar.

Bën decentralizimin, respektivisht krijimin e komunave me popullsi shumicë serbe (të cilat sot Serbia i quan “komuna serbe” – nuk e di si quhen në dokumente origjinale që janë në anglisht?), nënshkruan marrëveshje të ndryshme ku secila ishte me e dëmshme se tjetra, duke kulmuar me nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës mbi krijimin e Gjykatës speciale me 2/3 të votave.

Sot, mund të hamendësojmë se jemi para një momenti tjetër historik, kur po vendoset fati i kësaj pjesë të truallit shqiptar për ndonjë dekadë në vazhdim. Sot, jemi para negociatave me faktorin ndërkombëtar, jo me Serbinë!

Sot, do duhej të ishin të vetëdijshëm për gabimet e tyre të gjithë opozitarët, nga të gjitha partitë, që në çfarëdo mënyre kanë marrë pjesë në vendimet e gabuar pas vitit 2008, duke mos përfituar kurrfarë favori për Kosovën, përveç pozicioneve të tyre politike dhe rrahjen e krahëve nga ndërkombëtarët për ruajtjen e stabilitetit.

Sot, këta opozitarë do duhej ta mbështesin qeverinë e Kosovës duke përforcuar pozitat e saj negociuese, për interesa të Kosovës dhe për t’i larë, sadopak, gjynahet e mëparshme.
Sot, të akuzosh qeverinë e Kosovës për destabilizim, do të thotë ta përkrahesh qeverinë e Serbisë.

Sot, nëse ende e pyet dikush(?) gjeneratën e ’81-it brenda partive opozitare, zëri i tyre duhet të dëgjohet fuqishëm, edhe njëherë, ndoshta për herë të fundit?!       
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)