19 Prill 2024

Krimineli nuk mund të vinte pa mbrojtjen e KFOR-it

Shkruar nga Lëvizja Vetvendosje!

Dje, nën mbrojtjen e KFOR-it dhe pa kurrfarë paralajmërimi, Kosovën e vizitoi Shefi i Armatës Serbe, Miloje Miletiq. Kjo është hera e dytë që KFOR-i ia mundëson ardhjen në Kosovë të parit ushtarak të Serbisë, pas vizitës së Dragan Paskashit në vitin 2005.

Në Prishtinë  u takuan komandantët e dy ushtrive që nuk e njohin pavarësinë  dhe sovranitetin e Kosovës: KFOR-i dhe Armata e Serbisë. Sjellja e Miloje Miletiqit në Kosovë nga ana e KFOR-it, është përpjekje me paramendim për fyerjen e popullit të Kosovës, poshtërimimin e gjakut të derdhur për liri, sulm ndaj familjarëve të mijëra të vrarëve nga armata e Miletiqit gjatë luftës në Kosovë si dhe armiqësim i popullit shumicë me KFOR-in. Më 1998-99 Miloje Miletiqi ka qenë pjesë e ushtrisë e cila ka bërë dëbimin, spastrimin etnik, masakrimin dhe gjenocidin mbi popullin shqiptar të Kosovës. Kurse sot është pjesë e një ushtrie e cila, duke e konsideruar kosovën si pjesë të Serbisë, është i gatshëm ta përsëritë krimin sapo t’i jepet mundësia ndonjëherë. 

KFOR-i vazhdimisht ka pasur mirëkuptim për agresionin e serbisë ndaj Kosovës, por kjo e fundit me Miletiqin nuk ka lidhje as me neutralitet të shtirur – ky është qëndrim pro Serbisë dhe pajtueshmëri me agjendën e saj kriminale ndaj Kosovës. Komandanti i KFOR-it, Markus Bentler është më i shquari në këtë drejtim. Ai ishte që i pari dhe pothuajse i vetmi zyrtar i lartë ndërkombëtar që dënoi sheqjen e antenave të operatorëve telefonikë të Serbisë në veriun e Kosovës. Dhe ai bisedoi me Miletiqin edhe për këtë problem. Pra, në të vetmin veprim ku u duk se intitucionet e vendit po tregonin pak vullnet sovran, Bentleri sulmoi pikërisht aty. Bentleri tha se kjo gjë nuk mund të ndodhte në vendin e tij, në Gjermani. Çfarë hipokrizie! Gjermanisë kjo nuk i ndodh sepse antenat e telefonisë atje janë të gjitha nën sovranitetin e atij shteti dhe brenda territorit ku ushtrohet ky sovranitet. 

KFOR-i vazhdimisht i ka toleruar strukturat kriminale paralele të Serbisë në Kosovë. Por gjatë udhëheqjes së Markus Bentlerit, madje, edhe ka penguar shqiptarët e Kroit të Vitakut të kthehen në shtëpitë e tyre. Mund të thuhet që KFOR-i po sillet shumë më keq me popullin e Kosovë se që sillej përpara shpalljes së pavarësisë së Ahtisaarit.

KFOR-i ka shkuar duke e përkeqësuar strategjinë e tij antishqiptare. Kjo kulmoi me shkatërrimin e UÇK-së dhe TMK-së si dhe mosndërhyrjen kur Kosovës iu dogjën kufijtë. Bentleri dhe Miletiqi janë dy përgjegjës për situatën kriminale në veri të Kosovës nga ku lulëzon krimi ekonomik dhe kriminaliteti i organizuar. Nga kjo gjendje përfitojnë tregtarët e mëdhenj dhe politikanët kryesorë. Qindra miliona euro mallra hyjnë nga Serbia në mënyrë ilegale dhe pa u doganuar. KFOR-i e toleron këtë situatë.

KFOR-i po na fyen pothuajse me çdo veprim, duke filluar që prej reklamave me qen e mace, e deri te sjellja e kriminelëve në Kosovë. Ne i thërrasim institucionet e Kosovës që ta kushtëzojnë raportin e tyre me KFOR-in me përmirësimin e sjelljes nga ky i fundit. Përveç kësaj, KFOR-in e lusim që herave tjera, nëse veç ka vendosur të presë ushtarakë serbë në Prishtinë, patjetër ta tregojë vendin e mbajtjes së takimit, por mundësisht edhe rrugën kah do të vijnë ata. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)