13 Nëntor 2019

Kosova në udhëkryqin politik

Shkruar nga Bahri Bivolaku

Ca nga politikanë, por dhe ca opinionistë karshi zhvillimeve më të reja për dhe rreth Kosovës, po kërkojnë revolucion apo përmbysje e për t’i dhënë fund një politike me të cilën po ecën Kosova.

Nuk po flasim për qëndrime apo ndërrim rruge që kanë të bëjnë me vendosje të kufirit përcaktues se ku mbaron politika e fillon kriminaliteti, as të qartësimit për shtet ligjor, arsim e gjyqësi të pandikuar, nuk po flasim e ngrehim qëndrime politike as për mënyrën se si ta bëjmë vendin më të zhvilluar dhe me më shumë perspektivë, për çka edhe do të përputheshin qëndrimet me shtetet aleate të vendit.

Përmbysja po kërkohet karshi një rruge, të cilën aleatët tanë po e trasojnë si rrugë të vetme dhe të domosdoshme. Nëse për Kosovën rruga politike e trasuar nga qendrat politike si Viena (bisedimet para statusit), Brukseli (bisedimet pas statusit) dhe Vashingtoni (mbështetja për marrëveshjen finale),qenkan të gabuara, cila është rruga tjetër?

T’ua kthejmë shpinën aleatëve tanë dhe të ecim të vetëm, apo të kërkojmë ta ndjekim rrugën e Lindjes e të Moskës?

Të parën vështirë ta ndjekim, se në moshën që kemi, hapat nuk mund t’i ndjekim pa mbështetje, gjersa rruga e Lindjes apo Moskës është rrugë qorre dhe nuk na çon askund.

Dikush nga politika iracionale po kërkon përmbytje të rrugës së politikës Perëndimore, po kërkon diçka që populli ynë nuk e do, pasi në kurriz të vetin i ka sprovuar.

Folklori politik i ngritur nga veprimet populliste politike, shpeshherë i ka bërë dëmë proceseve politike për dhe rreth Kosovës.

Kujtojmë kohën e para pavarësisë kur kishim si objektiv standardet para statusit dhe këtu dështuam me ca veprime populliste në trazirat e marsit, e dëshmuam se ende jemi larg për të arritur standarde, me këtë edhe rezultoi plani i Ahtisarit dhe përkufizimet e vendosura.

Edhe sot në rrethanat ekzistuese, ky folklor mund të na dëmtojë. Shenjat e para vërehen. Politika Perëndimore siç di të përkdhel, di edhe të dënojë, aty nuk ka folklor, por ka pragmatizëm.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 nëntor 2019

- Save the Children në bashkëpunim me Minstrinë e Arsimit dhe Institutin Pedagogjik organizojnë konferencën ndërkombëtare ‘Fuqizimi i Kujdesit, Zhvillimit dhe Edukimit në Fëmijërinë e Hershme’ që ka për qëllim të ofrojë mundësi për hartuesit e politikave, ofruesit e shërbimeve, përfaqësuesit nga akademia dhe akterë të tjerë, për t’u informuar dhe ndarë praktikat më të mira mbi rëndësinë e investimeve në kujdesin dhe zhvillimin e fëmijërisë së hershme. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit lidhur me dy projekte të mëdha të Ministrisë së Infrastrukturës siç janë, rehabilitimi i rrugës Prishtinë - Pejë dhe Prishtinë - Mitrovicë ku edhe do të bëhet edhe publikimi i hulumtimit mbi arsyet e vonesave në punime në këto dy rrugë, i titulluar “Rrugë pa fund”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Organizata "Voice of Roma, Ashkali and Egyptians" VoRAE organizon Festivalin Multikulturorë i pari i këtij lloji në Kosovë. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e diskutimit me temë “Roli i vendimeve të Gjykatës Supreme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit: Një thirrje për disiplinim të gjyqtarëve që marrin vendime të kundërligjshme”. (Qendra e konferencave Orion, ora 10:30)

- Në kuadër të fushatës “Jo drogë tek të rinjtë”, Task Forca Anti Drogë tek të rinjtë dhe siguri në Shkolla do të organizoj pritje për student, ku do të shfaqin prezantimet me njohurit e tyre lidhur me narkotikët, si dhe do të bashkëbisedojnë me Shefin e Task Forcës Anti Drogë. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 11:00) 

- Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prizrenti, Visar Shehu, do të mbajë konferencë për shtyp për ta njoftuar opinionin publik me më të rejat nga fusha e shëndetësisë. (Zyret e Shërbimit Urgjent, rruga Tirana në Prizren, ora 11:00)

- Ambasada e Francës në Kosovë mban konferencë për media në të cilën do të prezantojë edicionin e 19 - të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë i cili organizohet në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës, Belgjikës dhe Luksemburgut, Aleancën Franceze, Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës. (Salla e konferencave në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ora 12:00)

- Teatri i Qytetit te Mitrovicës "Muharrem Qena" shfaq premierën teatrore “Kur treni vonohet”, me autor Osman Goranci dhe me regji të Artan Tmavës. (Qendra e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, ora 19:00)