16 Prill 2024

Kosova në pikën zero

 Shkruar nga Ramiz Bojaj

Nëse koalicioni qeverisës PDK-LDK, për tri vjet me radhë ishte i domosdoshëm (për proceset e uniformitetit shtetëror të Kosovës), cilat interesa e zhbënë bashkëqeverisjen vetëm tre muaj para zgjedhjeve të parakohshme.

Prishja e koalicionit në mes të PDK-së dhe LDK-së, pak kohë pas përkufizimit të afatit kohor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, nënkupton shkallën e papërgjegjësisë totale të atyre qe janë të thirrur për politikëbërje. Njëherësh, kjo deshmon shkallën e brishtësisë institucionale që e ka përcjellë Kosovën që nga shpallja e pavarësisë.

Pas rënies së institucioneve shtetërore në shkallën zero, shteti i Kosovës humb prioritetet e lobimit,( njohjet e reja), për tu kthyer pas në planin e brendshëm; atë të rimëkëmbjes institucionale. Kjo ka shkaktuar humbjen e përgjegjësisë institucionale përballë sfidave të reja  siç janë: (lobimi, futja nën kontroll institucional të veriut të vendit, zhbërja e strukturave kriminale, ndalimin e kontrabandës, investimet e huaja, dialogu teknik Kosovë-Serbi, etj.,).

Është paksa i çuditshëm fakti se koalicioni PDK-LDK, dukej të ishte funksional edhe pas fërkimeve paraprake (përjashtimi i LDK-së nga koalicioni), por një natyrë e tillë nuk vazhdoi (as edhe për tre muaj gjer në zgjedhjet e parakohshme) pas largimit të presidentit Sejdiu nga kreu i shtetit, për shkak të detyrimit kushtetues. Pavarësisht precizitetit kohor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, Kosovës iu imponua një fazë e re e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat vijnë në rrethana qeverisëse, po ashtu të jashtëzakonshme dhe emergjente. Kosova realisht është futur në  krizë institucionale, ku rikonsolidimi qeveritar cilësohet si një ndër sfidat më të mëdha të vendit që nga shpallja e pavarësisë. Fushata paraelektorale dhe menaxhimi i zgjedhjeve janë dy nga shtyllat më të rëndësishme rreth perceptimit të barometrit të demokracisë qytetare në Republikën e Kosovës.

Imazhe spektakulare

Njëra ndër shkaqet kryesore të prishjes së koalicionit qeveritar është cilësuar, votimi i debatueshëm dhe spektakular i strategjisë së privatizimit të PTK-së, mirëpo kësaj i ka ndihmuar edhe largimi i fotografive të dy ish presidentëve (Ibrahim Rugovës dhe Fatmir Sejdiut), nga zyrat e presidentit, post të cilin me automatizëm (rregull kushtetues) e trashëgoi Kryekuvendari, Jakup Krasniqi.

Segment tjetër, jo shumë i përfolur nënvizohen edhe akuzat e shtuara për afera korruptive të familjes Sejdiu. Element tjetër i zhbërjes së koalicionit PDK-LDK, është edhe hetimi i Policisë së EULEX-it për disa ministra dhe zv.ministra në Qeverinë ‘Thaçi’, të cilët i përkasin dy taborreve më të mëdha politike në vend. Kalimi nga pika ‘antikorrupsion’, në situatë emërgjente do të ruante imazhin e koalicionit qeveriës, pkërisht në prag të zgjedhjeve të publikuara për më 13 shkurt.

Mirëpo, pasojat e votimit të debatueshëm të SP të PTK-së, la përshtypjen e një imazhi të papërgjegjshëm institucional. Fërkimi i partnerëve të koalicionit PDK-LDK si dhe reagimi kritik i  opozitës, e vuri në pikëpyetje jo vetëm Strategjinë e Privatizimit të PTK-së, por edhe të vet Kuvendit dhe Qeverisë. Veprimi i tillë mbeti tregimi më i mirë se si nuk duhet qeverisur shteti. Pasqyrë e një adoleshence politike. Por kjo nuk është e tëra.

Zhbërja e koalicionit, pikërisht pak kohë para zgjedhjeve nëkupton edhe fillimin e një fushate të ashpër politike, me pretekst të mbledhjes së elektoratit i cili në masë të madhe është i zhgënjyer nga kualiteti i qeverisjes. Kosova ka zbritur nga shkalla e gjelbërt e politikëbërjes ne atë roze, dhe nëse nuk tregohet më shumë maturi dhe syçeltësi në rikonsolodimin institucional, vijat e kuqe mund të krijojnë kaos vërtet të padëshirueshëm jo vetëm për ne, por edhe për miqtë tanë të cilët janë garantuesit e shtetit të Kosovës.

Sfidat e reja

Kosova realisht është goditur nga një nokaut politik, në kontekst të të cilit duhet kohë dhe maturi për të rikthyer imazhin e një shteti stabil e të qëndrueshëm. Elitizmi politik nuk duhet të bie në grackën e ‘anijes së fundosur’, por të kërkojë më shumë përgjegjësi dhe maturi në mënyrë që të konsolidohet një ‘taborr’ politik funksional (institucional) në mënyrë që të krijohen kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, pavarësisht emërtimit të tyre si të jashtëzakonshme apo të parakohshme. Në këtë kontekst kërkohet edhe konsolidimi i radheve të KQZ-së dhe komisioneve mbikqyrëse vendëse e ndërkombëtare, në mënyrë që çarjes qeveritare të mos t’i bashkangjitet edhe një maratonë tjetër më shumë e ndjeshme; votimet e dikutueshme dhe rivotimet.

Edhe pas rënies në shkallën zero te qeverisjes, Kosova duhet të dëshmojë pjekuri të lartë organizative të natyrës së qeverisjes teknike, ose emergjente, standard i kërkuar edhe nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, koha e shkurtër parapërgatitore për zgjedhjet len përshtypjen e mundësisë së keqperdorimeve në kutitë e votimit. Këtë dyshim e shton edhe vet KQZ-ja, e cila ndihet e ndrojtur dhe kërkon që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse kjo do të jetë një sfidë e madhe për këtë institucion. Sipas Kushtetutës, KQZ-ja është e obliguar t’i organizojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme nëse ato kërkohen, por është mjaft vështirë të ruhen tandardet e kërkuara, për shkak të afatit shumë të shkurtër kohor për zgjedhjet.

Konsensusi i vetmi mjet shpetimi

Institucioneve qeveritare i është imponuar një bashkëqeverisje e shkallës së gjerë, të cilat do të mundësojnë qe në Kosovë të organizohen zgjedhje me standarde të pranueshme nga të gjithë(partitë politike, KQZ-ja dhe vëzhguesit ndërkombëtarë).

Kosova duhet të pranojë konsensusin e gjerë, duke ruajtur funksionalitetin e shtetësisë në kontekst të të cilit duhet të vazhdojë stabiliteti i brendshëm dhe rrugëtimi integrues drejt BE-së, NATO-s dhe strukturave tjera Euroatlantike. Në bazë të Kushtetutës, zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen jo më vonë se dyzet e pesë ditë pas shpërndarjes së Kuvendit. Gjer në këtë kohë, gjetja e një konsensusi të ri për kombinim koalicionesh, në mes të PDK-së dhe ndonje prtie tjetër është tepër i vështirë ose gati përfundimisht i pamundur për faktin se askush nuk dëshiron qeverisje emergjente dhe për vetëm disa javë. Sidoqoftë, partitë politike tashmë kanë ‘shtrënguar muskujt’ për konsolidimin e radheve të veta për një garë të fortë dhe pa kompromis të fushatës zgjedhore, (duke u shpërqendruar qoftë edhe përkohësisht), nga funksionaliteti institucional qeverisës.

Fundi i fundit, shteti duhet të ndihmohet, forcohet e të ruhet si një evenimet i shenjtë dhe i çmuar nga të gjithë, pavarësisht pikëpamjeve dhe bindjeve politike. Kosovës shtetit më të ri në botë, më shumë se kurrë i duhet qetësia, përkrahja dhe përgjegjësia, fillimisht nga vet elitizmi politik, intelektualët dhe qytetarët, e pas gjithë kësaj të presim më shumë ndihmë nga të tjerët. Ndryshe, fajësimet, akuzat dhe kundërakuzat nuk mund të ulin shkallën e përgjegjësisë.

(Autori është publicist, analist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)