28 Mars 2024

Kosova kushtetuese apo pjesëtimi i fajit për humbjen e veriut

Shkruar nga Roland Gjoni

Gjatë muajit shtator, krerët e Kosovës, udhëtuan dy herë për në New York, ku biseduan me Baroneshën Ashton rreth dialogut të pritshëm me Serbinë. Pas udhëtimit, askush nuk sqaroi se kur do të mbahen bisedimet, a do të jetë veriu pjesë e bisedimeve, sa pritet të jetë kohëzgjatja dhe a do ngadalësohen njohjet (siç po ndodh) nëse negociatat zgjasin me vite, nëse njohjet ngecin kur mund të paraqitet kërkesa për anëtarësim në OKB.

Ata nuk shpjeguan se a do të ketë Kosova platformë negociuese të miratuar në Kuvend me konsensus, a do të pranojë Kosova që BE-ja të jetë e vetmja palë ndërmjetësuese duke ditur së zyrtarisht për BE-në vetëm Serbia është shtet sovran ndërsa Kosova (për shkak të mosnjohjes nga 5 anëtarë të BE-së) ende mbetet një territor i shkëputur nga Serbia, me shtetësi të kontestuar ku BE-ja ka një mision për sundimin e ligjit por jo edhe marrëdhënie të drejtpërdrejta kontraktuale me të.

Në vend që të jepnin përgjigje për këto pyetje, publikut i ofruan konferenca shtypi aeroportuale për shkeljen e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës. Tash është e qartë se Presidenti e ka shkelur Kushtetutën, se posti i kryetarit të partisë nuk ngrihet e shkrihet sepse Kushtetuta kërkon që Presidenti të jetë kreu i shtetit dhe simbol i unitetit të popullit të Kosovës, e jo prijës e anëtar i një partie, qoftë edhe me korrespondencë. Tash është e qartë se interpretimi i Kushtetutës nuk duhet bazuar në marrëveshjet dhe shkeljet e syrit nga ndërkombëtarët që shkojnë e vijnë.

Është po aq e qartë, se edhe Kryeministri, duke dashur të parandalojë zgjedhjet e parakohshme komunale në Rahovec e ka keqkuptuar institucionin e dorëheqjes duke e shtyrë kryetarin e Rahovecit të besojë se dorëheqja është një derë rrotulluese nga e cila mund të hysh e të dalësh kur të thotë mendja ose Kryeministri. Pas këtyre vendimeve kurajoze të Gjykatës Kushtetuese, të mbështetur edhe nga miqtë e Kosovës, po krijohet një bindje e përgjithshme se kjo kulturë e re e zbatimit të kushtetutshmërisë po tregon se Kosova po maturohet si shtet ku Kushtetuta respektohet nga të gjithë.

Pashmangshmërisht, zbatimi i Kushtetutës ka shkaktuar reaksionin zinxhir paqëndrueshmërisë kushtetuese. Partnerët e koalicionit janë pajtuar për të mos u pajtuar për zgjedhjen e një President të ri me mandat të plotë 5 vjeçar dhe po e çojnë Kosovën drejt një dimri të gjatë elektoral gjashtëmujor.

Në këtë hark kohor, duhet vetëshpërndarë Kuvendi, të shpallen zgjedhjet, të mbahet fushata zgjedhore, të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike që e përforcojnë bindjen se Kosova po maturohet si shtet. Pas rezultateve, duhen zhvilluar biseda për koalicionet e mundshme, zgjedhur Presidenti, votëbesohet Kryeministri, programi dhe kabineti tij. Deri atëherë, shteti do të ketë një president në detyrë, një kryetar parlamenti në largim dhe një kryeministër të pafuqishëm dhe pa legjitimitet demokratik për të miratuar vendime të rëndësishme.

Veçse askush nuk po e vret mendjen se a do mund të zbatohet Kushtetuta edhe mbi Ibër, a do mundet Qeveria e re, “edhe më kushtetuese e legjitime” të mbërrijë në veri apo do ndalet buzë Ibrit. Edhe kur institucionet nuk ishin në krizë, fare pak është bërë për ta zbrapsur ndarjen faktike të veriut, prandaj, gjasat janë që gjatë dimrit zgjedhor ndarja përforcohet. Në mungesë të institucioneve shtetërore të qëndrueshme, Strategjia për Integrimin e Veriut të Kosovës do të mbledhë edhe më shumë pluhur në ndonjë sirtarë të Qeverisë dhe ICO-s. Gjashtë grupet punuese ndërministrore të shpallura me vendimin e Qeverisë Nr. 112/08 qysh me 8 Mars 2010, as që do të themelohen deri atëherë.

Fondi special për investimet në veri, përveçse nuk do të lëvrohet, mund të shpenzohet për karburant, billborda, postera dhe mëditje për këngëtarët, badigardët dhe byrekë për vëzhguesit e fushatës zgjedhore. Pikat kufitare dhe doganore jo vetëm që nuk do të rivendosen por do mbushen me mallra kontrabandë të Serbisë për kompanitë donatore të fushatës. Hapja e Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës dhe kthimi në punë i prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptar, do harrohet edhe për disa muaj. Ekipi Përgatitor Komunal për Mitrovicën e Veriut do vazhdojë “pushimet me pagesë” pa kryer kurrfarë pune në themelimin e komunës së re të Mitrovicës.

KQZ-ja, edhe këtë here, do hezitojë të hapë qendrat e votimit mbi Ibër dhe do mjaftohet me dërgimin e ndonjë kamioni si qendër votimi mobile pak përtej urës osë në Mëhallën e Boshnjakëve. Policia e Kosovës do shprehet se nuk dëshiron të provokojë dhunë, EULEX-i do justifikohet se merret me sundimin e ligjit dhe jo me menaxhimin e zgjedhjeve dhe KFOR do përsërisë se është neutral ndaj statusit dhe nuk siguron as zgjedhjet e Serbisë e as të Kosovës.

Ndërkohë që politikanët do dalin derë me derë në tallava-fushatë bashkë me estradën, analistët e opinionistët, Serbia do ta konsolidojë edhe më shumë kontrollin politik dhe financiar larg radarit të Kosovës dhe engjëjve të saj mbrojtës ndërkombëtarë. Më shumë policë të MUP-it e SUP-it, me ose pa uniformë, do kërcënojnë shqiptarët në përpjekjet e fundit për ç’shqiptarizimin total të komunave veriore përpara bisedimeve për ndarjen përfundimtare. Gjatë kësaj kohe, misioni UNMIK-ut në Mitrovicë edhe më shumë do të ngjasojë me një shtëpi-muze të ish Bashkimit Sovjetik që me paratë e shtetit të Kosovës u zgjat jetën strukturave paralele.

E pasi spektakli zgjedhor të ketë përfunduar, të gjithë do harrojmë se arsyeja e zgjedhjeve të reja ishte respektimi i Kushtetutës dhe me lehtësi do ta përbrendësojmë idenë se Kushtetuta dhe kushtetutshmëria kanë vlerë në Ibër e teposhtë. Meqenëse çështja e parë e Qeverisë së re do të jetë dialogu me Serbinë, miqtë ndërkombëtarë do këshillojnë ndërtimin e një koalicioni të madh, aq të madh sa kur të pjesëtohet faji, të gjitha partitë, të reja e të vjetra, të paqes e të luftës të ndihen bashkëfajtore dhe bashkëvuajtëse në humbjen e veriut.

Koalicionit të madh do t’i thuhet miqësisht se veriu de fakto është humbur prandaj, bisedat me Serbinë duhet ta përfshijnë edhe ndarjen e mundshme në këmbim të njohjes nga Serbia. Ndoshta koalicionin e pagëzojnë ironikisht me emër madhështor e të pakontestueshëm si “Koalicioni për Kosovën Kushtetuese”.

Kryeministri i ri, telegramin e parë të urimit, këtë radhë do ta marrë nga ata që jetën e dhanë për një Kosovë tjetër. Teksti i telegramit do të jetë i thjeshtë e pa rrotulla: I nderuar Kryeministër i Kosovës Kushtetuese prej Ibrit e teposhtë “Mos me thoni ma Bac u Kry” e as “Bac u Konfirmu” por thoni të vërtetën: “Veriun po e dorëzojmë e fajin po e pjesëtojmë”.

(Autori është ligjërues i së Drejtës kushtetuese në Universitetin Amerikan të Kosovës)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)