19 Mars 2024

Kosova ime, urime Ushtrinë

Shkruar nga Gani Qarri

Sot pritjes shekullore për çlirim, ushtri dhe sovranitet shtetëror po i vije fundi. Votimi historik dhe vendimi sovran i parlamentit të Kosovës për formimin e ushtrisë ka domethënie të madhe dhe simbolikë të veçantë për Dardaninë e vjetër sa vet toka dhe të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë.

Është dita kur Kuvendi i Kosovës do të miratojë 3 projektligjet e nevojshme që i hapin rrugën krijimit të ushtrisë së shtetit, deri tek e cila kemi arritur duke kaluar nëpër shumë sfida dhe peripeci të mëdha.

Ndaj, 14 dhjetori i vitit 2018, do të hyj në histori si datë e veçantë për Kosovën dhe popullin e saj, shtet ndërtimin dhe epokën më të re të Republikës së Kosovës.

Vetëm edhe pak orë na ndajnë nga seanca plenare dhe votimi unanim i ligjeve në Kuvend, nga të gjithë deputetët e vendit, për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ma gëzofsh Ushtrinë, lirinë dhe shtetin e ëndërruar për shekuj e shekuj me radhë-Kosova ime!

Dita e sotme është një nga ditët më të veçanta në historinë tënde më të re tanimë shtet sovran e i pavarur.

Mërgimtarët kudo, rrallëherë mund të kenë qenë më të lumtur se në këtë ditë të bekuar për Kosovën dhe popullin e saj.

Kosova ka të drejtë ta ketë ushtrinë e vet,ndaj të gjithë presin me padurim që edhe votimi të jetë unanim nga partitë dhe deputetët autokton,të vetëdijshëm se formimi i ushtrisë nënkupton edhe vulosjen e sovranitetit dhe garantimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, të rrezikuar keq, kohët e fundit nga presidenti kuisling Hashim Thaçi.

Ndaj sot kemi të drejtë të ndjehemi shumë krenar me plot fat dhe të adhuruar deri në qiell edhe nga vet Zoti, për faktin se në rrugëtimin tonë historik, në vijimësi kemi gëzuar dhe gëzojmë mbështetjen e vendosur dhe të pareshtur të shteteve dhe fuqive më të mëdha e më progresive në botë, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe aleatëve të tjerë ndërkombëtar për themelimin e Ushtrisë së shtetit tonë të lirë.

Kështu që 14 dhjetori i vitit 2018, jo vetëm se do të na gëzojë shumë, bëjë më të sigurt dhe pafundësisht krenar, por për të gjithë qytetarët do të jetë një datë e paharruar e cila do të shënohet me germa të arta në piedestalin më të lartë të historisë më të re të shtetit tonë Kosovës.

Ushtrinë e Kosovës, askush më nuk mund ta ndal as e konsideron të rrezikshme, përveç Serbisë fashiste që ende ëndërron të na shkelë dhe pushtojë me zjarr e hekur, siç veproi disa herë për më tepër se 80 vite me radhë, por kjo ëndërr e trishtë, nuk do të përsëritet më kurrë dhe me ditën e sotme përgjithmonë do të fundoset dhe perëndojë edhe për të.

Formimi i ushtrisë nuk ka asgjë negative dhe as destabilizuese, madje një gjë e tillë nuk ka arsye as të diskutohet, tha edhe shkëlqesia e tij, Ruairi O'Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në vendin tonë.

Përkundrazi pas kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë se do të intervenojë sot, do të ndërhyjë nesër , do të sulmojë vendin tonë me forcat e saj etj, e bëri të domosdoshme që Kosova përfundimisht të krijoj ushtrinë e vet dhe forcat e nevojshme për vetëmbrojtje nga ky shtet tipik agresor.

Pra për shumë arsye dita e 14 dhjetorit po hynë në histori si datë e veçantë për Kosovën., jo vetëm se pritjes shekullore po i vije fundi, por edhe se Kosova përfundimisht, po e zgjidh problemin e mbetur pezull për krijimin e Ushtrisë.

Ndaj me të drejtë edhe po pritet me kaq ngazëllim seanca plenare në Kuvend për votimin e ligjeve të nevojshme si dhe jetësimin e agjendës shtetërore të shndërrimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Fatmirësisht, ne nga SHBA, siç kemi marrë përkrahjen e plotë për formimin e Ushtrisë,po ashtu na u tha vëllazërisht se do marrim edhe ndihma konkrete për ngritjen e kapaciteteve tona të nevojshme ushtarake.

Ngase ushtria, si njëra nga komponentët më të qenësishme për garantimin e mëvetësisë së një shteti të pavarur, ka për detyrë ta ruaj sovranitetin e shtetit, cep me cep të territorit dhe parandalojë fushëveprimin e armikut në vendin tonë.

NATO, në përfundim të ndërhyrjes së saj ajrore kundër Serbisë në vitin 1999 u vendos në Kosovë për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe këtu.

Por fushata agresive kundër shtetësisë së Kosovës dhe qasja kërcënuese e Serbisë ndaj nesh edhe tash, njëjtë si në të kaluarën, asnjëherë nuk pushoi, ndaj kjo dhe e ka bërë të domosdonë që Kosova me në fund, ta ketë ushtrinë e vet!

Madje duke parë nevojën që kemi për vetëmbrojtje nga ky shtet agresor, komandanti i Forcave të NATO-s më seli në Napoli, admirali amerikan, James Foggo, nga Shkupi deklaroi se “transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është një vendim sovran, që duhet ta ndërmarrin deputetët e Kosovës”.

Të mërkurën edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, gjithashtu tha se Kosova ka të drejtë ta ketë ushtrinë e vet, ndaj edhe vendi i tij mbështetë krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Për aq më tepër ambasadori amerikan në Kosovë, z.Philip Kosnett, transformimin e Forcës së Sigurisë e konsideroi si historik për Kosovën,si vend sovran dhe i pavarur, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do ta mbështesin plotësisht zhvillimin profesional dhe ndryshimin organizativ të Forcës së Sigurisë në Ushtri!

Kosova, përkundër sjelljeve agresive të Serbisë, në vigjilje të krijimit të ushtrisë së saj,u tregua e kujdesshme dhe siguroi serbët në vendin tonë, se ushtria nuk është e drejtuar kundër asnjë qytetari të saj, ndërsa pohimet agresive të qeveritarëve serb, janë thjeshtë “propagandë e qëllimshme nga ana e Serbisë”.

Megjithatë në orët e mbrëmjes së djeshme, Policia u njoftua edhe për një mjet të dyshuar në afërsi të rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, konkretisht në rrugicën e hyrjes së Gazimestanit ku u gjetën 15 kilogram eksploziv.

Ky ishte vetëm njëri nga tentimet për ta destabilizuar brenda për brenda vendin tonë nga armiqtë, pak para votimit të ushtrisë së shtetit të Kosovës.

Përkundër të gjithave Ushtria e Kosovës do të formohet ,atë jo vetëm Serbia, por nuk ka forcë më që do të mund ta ndalojë.

Ushtria e Kosovës, u tha se do ti ketë 5 mijë trupa aktiv dhe 3 mijë rezervë të armatosur lehtë, fakt që nuk paraqet asnjë kërcënim për Serbinë,ndaj shteti serb jo vetëm habit por edhe bëhet pafundësisht qesharak me reagimet kaq agresive kundër Ushtrisë së Kosovës e cila me përkrahjen e fuqishme të SHBA-ve, dhe aleatëve tjerë ndërkombëtar, pas formimit mëton të bëhet pjesë e NATO-s, ku shihet edhe e ardhmja e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur e sovran.

Mbarësi dhe urime të pafund, Ushtrisë,Shtetit dhe gjithë Popullit të Republikës së Kosovës!


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)