28 Mars 2024

Interesat e ngushta në vend të solidaritetit kolektiv

Shkruar nga Osman Osmani

Numri i sindikatave në Kosovë është rritur në periudhën e pasluftës. Sa përkon kjo rritje me të drejtat e punëtorëve? Sa është përmirësuar gjendja e punonjësve? Cili është imazhi i sindikatave sot në Kosovë? Një vrojtim kritik dhe dashamirës!

Në vitin 2017, në Kosovë janë të regjistruara 208 shoqata sindikale dhe 28 sindikata të pavarura.

Megjithatë, kushtet e punës, veçanërisht e atyre në sektorin privat, janë të këqija, ndërsa pozita e punonjës*eve është tejet e pasigurt dhe e pa perspektivë.

Hulumtimet e shumta japin një pasqyrë shqetësuese për tregun e punës në Kosovë. Si problem kryesorë shihet politizimi i lartë në Kosovë, sidomos kur bëhet fjalë në shanset për punësim dhe ngritje profesionale në të mirë të ekonomisë kosovare dhe mirëqenies sociale.  

Në një intervistë të organizuar nga Instituti i Kosovës për Politika Zhvillimore (artikull nga Mr. sc. Blerim Burjani: http://www.ekonomia-ks.com/sq/opinion/punesimi-ne-sektorin-publik-dhe-privat), 85% e qytetarëve janë deklaruar se për ta fituar punësimin në sektorin publik duhet patjetër t’u takosh partive politike në pushtet dhe rreth 65 % e kanë ndërruar partin politike për çdo mandat të qeverisjes për të gjetur punë në sektorin publik. Shërbimi civil mbetet sektori me i ndjeshëm.

 Askush nuk është i bindur në Kosovë se i beson ndonjë paneli punësimi, në mënyrë objektive, sepse të gjithë mendojnë se “njohuria” dhe partia janë segmentet themelor të punësimit në vend kur flasim për sektorin publik.

Askush nuk beson se respektohen kriteret ligjore. Diskriminimi i parë bëhet me rastin e hartimit të konkursit dhe përshkrimit të vendeve të punës. Aty hartohen kriteret duke iu përshtatur personave të caktuar.

Gjendja aspak më e mirë dhe e mjerë është edhe në sektorin privat, në disa kompani private punëtorët shfrytëzohen tmerrësisht nga 12 orë punë në ditë apo në kompanitë private të sigurimit të objekteve ka shumë të punësuar që punojnë pa ndonjë shpërblim shtesë për punën e natës dhe ka të punësuar edhe punëtorë nën moshën 20 vjeçe dhe forma e pagesës në orë punë është mjaft diskriminuese.

Jeta e shtrenjtë, pagat e ulëta rritin borxhet private

Të dhënat e nxjerra nga raportet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe hulumtimet e ndryshme tregojnë se gjendja e punëtorëve në Kosovë është e mjerueshme, sidomos në sektorin privat.

Pagat e turpshme (170 Euro), orari i stërzgjatur i punës, ngarkesa për shëndetin, rrezikimi i jetës, mungesa e respektit ndaj djersës së atyre të cilët krijojnë profite për shefat e tyre.

Duke marrë parasysh koston e lartë të jetesës dhe pagat e ulëta, nuk befason fakti se populli ynë është i zhytur në borxhe nëpër banka, persona privat dhe detyrohen të shesin pasurinë e patundshme për të siguruar mbijetesën.

Sipas Institutit të Kosovës për Politika Zhvillimore, çdo i dyti qytetar i punësuar në sektorin publik dhe atë privat është me obligime kreditore, ndërsa bankat vazhdojnë të përfitojnë më së shumti me kamata marramendëse dhe çmime të paarsyeshme për shërbime bankare.

Momenti i fundit për veprim kolektiv dhe solidar nga sindikatat

Duke i pa problemet e shumta për punonjësit në Kosovë, fokusi i sindikatave, si organizata solidariteti, duhet të përqendrohet në përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurisë në punë për të gjithë.

Një sindikatë fokusohet në përmirësimin e të drejtave të anëtarëve të saj, kjo është natyra e tyre.

Forca sindikale rritet dhe ngjallet në luftën solidare edhe për punonjësit tjerë. Andaj, besoj se në fokus të sindikatave në Kosovë duhet të qëndroj përmirësimi i kushteve të punës në degët më të rrezikuara të ekonomisë në Kosovë, sidomos në sektorin privat, sepse çdo ditë nëpër kantieret e ndërtimit vdesin të rinj e të reja, punëmarrës familjarë, në mungesë të sigurisë.

Pagat janë në krahasim me sektorin publik shumë më të ulëta. Pra, fillimisht nevojitet solidarizim për përmirësimin e pagave në sektorin privat, të cilat janë tejet të ulëta.

(Mos)Organizimi sindikal në Kosovë

Njëri ndër problemet kryesore të organizimit sindikal në Kosovë, pas mungesës së organizimit kolektiv në vend, është dëshmuar mungesa e reformave në sindikata në pajtueshmëri me ndryshimet sistemore, pastaj mungesa e solidaritetit në mesin e punëmarrësve dhe sindikatat e copëtuara, në krye te të cilave të janë “dinosaurët” (kryesues të tej moshuar me autoritet zyrtari).

Pastaj, pjesëmarrja e krerëve sindikalist në procesin e privatizimit, jo për të ruajtur pasurinë e të mirën publike e shoqërore, por për të marrë pjesën e kulaçit nga plaçka në kurriz të pasurisë publike.

Duke reduktuar kështu organizimi sindikal vetëm në një grup të ngushtë interesi, i atyre që janë në krye të tyre.

Pasiviteti sindikal nuk mund të arsyetohet vetëm me deklarata për atdhedashuri e shtet ndërtim, por edhe me angazhimin për një shoqëri sociale, për kushte të mira të punës, paga dinjitoze dhe jetë të mirë për të gjithë.

Lufta për më shumë paga është e arsyeshme, por duhet të operohet me kujdes dhe në përputhje me gjendjen në vend.

 Nëse Sindikata e Arsimit kërkon paga më të mira për punonjësit e tyre, kjo është kërkesë legjitime, por jo edhe patjetër e arsyeshme në kontekstin shoqëror.

Sipas Zyrës s Bashkimit Evropian  në Kosovë, gjendja e arsimit në Kosovë nuk është përmirësuar dhe vazhdon të jetë në zonë kritike dhe se “ka një stagnim në fushën e arsimit, jo vetëm në çështjet e buxhetit, por edhe në të organizimit”.

Kërkesat për paga dhe kërcënimi me grevë në këto kushte pandemie dhe duke marrë parasysh pagat relativisht të mira në këtë sektor në krahasim me punëtorët e sektorit privat, atëherë kërkesat dhe veprimet e tyre mund të jenë shumë kundër produktive.

Mësimdhënësit, të cilët kërcënojnë me grevë, rrezikojnë të hidhërojnë opinionin e gjerë dhe sidomos prindërit, të cilët brengosen si për nivelin e ulët të cilësisë së arsimimit ashtu edhe për faktin se me mbyllje të shpeshta, fëmijët humbin shumë nga njohuritë shkollore.

Pas mbylljes së kohëpaskohshme të shkollave shkaku i pandemisë, të kërcënosh me grevë dhe mbyllje të shkollave, është akt marrëzie e jo e forcës sindikale, sepse kjo i bie si bumerang në kokë vetë sindikatave, siç po tregojnë edhe në reagimet e shumta publike edhe në rrjetet sociale, sa herë të bëhen deklarime kërcënuese me grevë.

Humbja e besimit në shoqëri paraqet një problem të madh, i cili nuk mund të riparohet shpejtë.

Shkatërrimi i besimit në sindikata për oportunitete politike është i papranueshëm dhe duhet të ndalohet nga vetë baza, pra nga vet punëtorët, në këtë rast mësimdhënësit. Keqpërdorimi i detyrës si udhëheqës sindikal për politikë ditore, duhet të merr fund.

Sindikatat në Kosovë duhet reformuar e fuqizuar

Vetëm me sindikata të forta dhe shoqata të punëdhënësve të afta për të negociuar, partnerët socialë mund të negociojnë dhe zbatojnë zgjidhje të qëndrueshme e të përgjithshme (kontrata kolektive të punës, marrëveshjet kolektive).

Këto krijojnë bazamentin për paga të mira dhe të drejta dhe kushte të mira dhe të sigurta të punës si dhe zhvillimin e një sistemi të fortë të aftësimit profesional.

Pos tjerash ne presim që qeveria e Kosovës të futë pagën minimale, premtim ky i saj në fushatën zgjedhore.

Ne, sindikalist*et shqiptaro-zviceran, kemi dhënë sugjerimet tona për reformë sindikaliste në Kosovë dhe bashkë me partnerët tanë në Zvicër e Kosovë jemi të gatshëm që së bashku ti hyjmë kësaj sfide. Topi tani është në duar të drejtuesve të sindikatave në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)