24 Prill 2024

Hulumtim për të rinjtë mitrovicas rreth gjetjes së një vendi pune

Shkruar nga Besim Gollopeni

Punësimi tek të rinjtë luan një rol të rëndësishëm në identitet, vetëvlerësim dhe në mirëqenie psikologjike dhe sociale të tyre.

Puna është aktivitet njerëzor i domosdoshëm për zhvillim dhe përparim personal dhe shoqëror, kusht për ruajtjen e ekzistencës së njeriut dhe për krijimin e mirëqenies sociale.

Mirëpo, sa punohet nga institucionet vendore për të siguruar një mirëqenie sociale më të mirë për shoqërinë kosovare në përgjithësi dhe të rinjtë në veçanti, kjo sigurisht se lë shumë për të dëshiruar.

Rinia kosovare sikurse edhe ajo nga Mitrovica, përballet me shkallë të lartë të papunësisë, varfërisë dhe punësimit pameritokraci.

Sipas statistikave të fundit të institucioneve lokale (Komuna e Mitrovicës), në zyrat e punësimit janë të regjistruar si të papunë apo punëkërkues 907 të rinj nga mosha 18-34, prej tyre 372 femra dhe 535 meshkuj.

Progresi i shënuar ndër vite nga institucionet vendore dhe ato të huaja, nuk është i mjaftueshëm për të rinjtë që hynë në tregun e punës.

Sipas anketës së fuqisë punëtore të AFP-së, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë në moshë pune (15-64 vjeç).

Në kuadër të popullsisë në moshë pune, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 37.8 përqind, shkalla e papunësisë është 26.2 përqind.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 30.3 përqind, ndërsa për meshkuj është 25 përqind. Shkalla më e lartë e papunësisë është te grup moshat 15-24 vjeçare (51 përqind) sipas ASK-së (2016).

Sipas hulumtimit të publikuar nga UNDP, në Kosovë, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe pasojat e saj, dominojnë listën e problemeve me prioritet të lartë të perceptuara nga të anketuarit.

Pothuajse tre të katërtat e kosovarëve besojnë që papunësia, mungesa e rritjes ekonomike dhe varfëria, standardi i ulët i jetesës, janë problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen komunat e Kosovës.

Në vitin 2015, papunësia ishte një ndër problemet kryesore në Komunën e Mitrovicës (40 përqind) (UNDP, 2015).

Gjithashtu, vlen të theksohet se norma e pasivitetit të shoqërisë kosovare është shumë e lartë, veçanërisht për gratë, të cilat pasi nuk mund të gjejnë një vend pune, tërhiqen nga forca e punës.

Këto mund të quhen gjithashtu si të papuna të dëshpëruar që përbëjnë një kategori shoqërore që mund të hyjnë në forcën e punës nëse mundësitë për punësim rriten.

Mirëpo, shtrohet pyetja: A është shkalla e lartë e papunësisë problemi kryesor dhe i vetëm për të rinjtë? Përgjigjja është natyrisht JO. Pra, shkalla e lartë e papunësisë nuk është shqetësimi i vetëm për të rinjtë kosovar dhe veçmas për të rinjtë nga Mitrovica.

Shqetësim gjithë-shoqëror dhe veçmas për të rinjtë, ngelet dhe forma nepotiste, klanore dhe pameritokraci e punësimit.

Ky fenomen tash më është shëndrruar në përditshmëri dhe i pranuar për gjithë shoqërinë dhe veçmas për të rinjtë, si diçka pa të cilin nuk mund t’ia dalësh punësimit dot.  

Përse u realizua ky hulumtim?

Së pari, ky hulumtim ishte detyrë në studimet bazike dhe duke qenë e tillë, ishim të interesuar për të kuptuar më shumë rreth perceptimit të të rinjve mitrovicas rreth gjetjes së një vendi pune.

Çdo ditë, në familjet tona, në ndeja me miq, në rrugë, kafene, kudo që shkojmë, dëgjojmë për punësime përmes lidhjeve nepotiste, klanore dhe pameritokraci.

Andaj, u bëmë kureshtar për të hulumtuar dhe kuptuar se sa në të vërtet është real dhe faktik një fenomen i tillë për të rinjtë e Mitrovicës.

Hulumtimi niset nga pyetjet hulumtuese: Cili është perceptimi i të rinjve në Komunën së Mitrovicës për gjetjen e një vendi pune? Dhe, Cila është mënyra më e lehtë sipas tyre për gjetjen e një vendi pune?

Si u realizua ky hulumtim?

Për të ardhur deri te gjetjet e hulumtimit, është përdor metoda e anketës (ballë për ballë) dhe intervistës.

Në këtë shkrim, për lexuesit do të ndajmë vetëm disa nga të gjeturat përmes metodës së anketës. Gjithsej janë realizuar 246 pyetësor në Komunën e Mitrovicës.

Mostra ishte gjysmë e planifikuar dhe e rastit. Në hulumtim janë përfshirë në mënyrë të barabartë meshkujt dhe femrat. Pyetësori ishte përpiluar me pyetje të mbyllura (gjithsej 14) dhe pyetje të hapura (gjithsej 7).

Gjithsej, pyetësori kishte 21 pyetje të ndara në tri pjesë kryesore: pjesa e parë e pyetësorit përmban pyetje rreth karakteristikave demografike, pjesa e dytë me pyetje profesionale dhe pjesa e tretë kishte pyetje përmbyllëse rreth gjendjes së tanishme dhe mundësive për ndryshime pozitive rreth temës në shqyrtim.

Cak i hulumtimit ishte grupmosha 15 – 34 vjeç.  Të dhënave e mbledhura nga terreni janë sistemuar dhe analizuar përmes programit SPSS.

Çfarë mësuam?

Hulumtim nxjerr në pah se vetëm 30.7 përqind e respodentëve të përfshirë në hulumtim ishin në marrëdhënie pune,  63.9 përqind ishin të papunë, 4.1 përqind nga ata që punojnë kohë pas kohe dhe raste të tjera. Pavarësisht shkallës së lartë të papunësisë për të rinjtë nga Mitrovica, 88.5 përqind e të papunëve nuk gëzonin asnjë asistencë sociale nga institucionet shtetërore.

Që papunësia ka prekur të gjitha kategoritë shoqërore dhe veçmas të rinjtë, këtë fakt na jep edhe ky hulumtim.

Në kategorinë e të papunëve nuk bëjnë pjesë vetëm ata qytetar me përgatitje të ulëta arsimore e profesionale mirëpo, në mesin e të papunëve hyjnë edhe qytetar me kualifikime të larta universitare. 45.5 përqind e respodentëve të përfshirë në hulumtim kishin të mbaruar shkollimin e mesëm, 48 përqind studimet bazike (Bachelor),  4.9 përqind kishin të përfunduar studimet pas-diplomike dhe raste të tjera.

Të pyetur rreth mundësive për punësim, 60.7 përqind e respodentëve pohojnë se mundësitë për punësim janë shumë të vogla, 20.5 përqind të respodentëve nuk shohin asnjë mundësi të vetme punësimi dhe raste të tjera.

Më tutje, shtrohet pyetje për respodentët nëse ata njohin ose jo persona të tjerë të kualifikuar dhe të papunë në rrethin e tyre social. Nga numri i përgjithshëm i respodentëve, 97.1 përqind pohojnë se njohin edhe të tjerë familjar apo të afërm të papunë. Karakteristikë mbetet fakti që, për rreth 60 përqind e të rinjve të përfshirë në këtë hulumtim, emigracionin e shohin si njërin ndër stabilizuesit kryesor social në vend.

Por, a është papunësia problemi qendror që mëton të jap përgjigje ky hulumtim, gjithsesi se jo. Pyetja kryesore për të cilën ky hulumtim jep përgjigje ishte: Sipas të rinjve mitrovicas, cila është forma më e lehtë për tu punësuar?.

Në këtë pyetje, respodentët kishin mundësinë të zgjedhin tre nga opsionet e dhëna. Me këtë rast, 56.1 përqind e respodentëve pohojnë se mundësia më e lehtë për tu punësuar është përmes arsimimit universitar në institucionet publike, 4 përqind përmes arsimimit në institucione private universitare, 18.4 përqind përmes certifikimeve profesionale, 50.4 përqind përmes përvojës së gjatë në punë, 61.9 përqind e respodentëve pohojnë se forma më e lehtë për gjetjen e një vendi pune është përmes lidhjeve nepotiste dhe klanore, 25 përqind përmes mit-dhënies dhe formave të tjera.

Për shumicën e qytetarëve të përfshirë në hulumtim, forma më e lehtë për të ardhur deri te gjetja e një vendi pune apo punësimi, është e mundur përmes lidhjeve nepotiste dhe klanore (personave me ndikim).

Për tu kuptuar sa janë të rinjtë të kënaqur me politikat zhvillimore të institucioneve vendore të hartuara ndër vite, në lidhje me zbutjen e papunësisë dhe zgjidhjen e problemeve të punësimit, rreth 40 përqind e respodentëve pohojnë se aspak nuk janë të kënaqur, rreth 40 përqind pohojnë se janë fare pak të kënaqur, 17 përqind mesatarisht të kënaqur dhe 3 përqind shumë të kënaqur.  

Duke jetuar me një gjendje të pafavorshme sociale dhe ekonomike, hulumtimi nxjerrë në pah edhe tendencat e të rinjve për të ardhmen. Nga numri i përgjithshëm i respodentëve të përfshirë në hulumtim, 51.2 përqind e respodentëve e shohin të ardhmen e tyre në Kosovë dhe 48.8 përqind e respodentëve të tjerë e shohin të ardhmen e tyre jashtë Kosovës.

Konkluzione

Për shumicën e qytetarëve, shqetësim i madh ngelet shkalla e lartë e papunësisë, punësimet pameritokraci dhe përmes lidhjeve nepotiste apo klanore.

Qytetarët, në shumicën e rasteve nuk janë aspak të kënaqur me përzgjedhjen e kandidatëve në vend pune sepse, kjo përzgjedhje sipas tyre nuk konsiston me meritokraci.

Perceptimi i të rinjve është se shumë më lehtë vjen deri te punësimi përmes lidhjeve nepotiste e klanore dhe formave të tjera, se sa përmes meritokracisë.

Të rinjtë mitrovicas nuk e fshehin edhe pakënaqësinë që kanë kundrejt institucioneve publike në drejtim të dizajnimit të politikave dhe strategjive zhvillimore për zbutjen e papunësisë dhe luftimin e fenomeneve negative të cilat kanë ardhur në shprehje për punësimin e individëve pameritokraci.

Shkalla e lartë e papunësisë dhe punësimet pameritokraci apo/ose përmes lidhjeve nepotiste e klanore, rritin mundësinë për emigrim të të rinjve andaj, fuqimisht i rekomandojmë institucionet e vendit që të merren seriozisht me dizajnimin e politikave që do të zbusin shkallën e lartë të papunësisë sidomos tek të rinjtë dhe të luftohen fenomenet negative të shoqërisë siç janë edhe forma e punësimeve pameritokraci apo përmes lidhjeve nepotiste, klanore dhe të tjera.

/Ky hulumtim është realizuar nga studentet Hatixhe Gashi, Fjolla Peci dhe Dinore Rama, i udhëhequr nga Prof. Ass. Dr. Besim Gollopeni, pranë Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”. Qëndrimet e shprehura në këtë hulumtim janë krejtësisht personale/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)