19 Prill 2024

Hashim, mos kërcëno se askush më nuk ta ka frikën

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Dy kërcënues kujdestarë: Janë dy kërcënues kujdestarë që tërë kohën më rrinë si Shpata e Demokleut mbi qafën time dhe nuk e di kurrë se ku do të përfundojë koka ime, në Prishtinë apo Bruksel ose Washington. Disi kam filluar të ndjehem si Ali Pashë Tepelena, trupin në Prishtinë, kokën në Bruksel.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, zotëri Hashim Thaçi gjithmonë kur i vjen veja të dalja emergjente, si Papa Françesku që në enciklikën e tij i drejtohet botës urbi et orbi, Hashimi i kërcënon ndërkombëtarët me destabilizim të situatës dhe paqëndrueshmëri afatgjate.

Sidomos kur i kalon vagoni i fundit për liberalizim të vizave i kujtohet se në Kosovës paska pasur luftë dhe ka pasur shumë viktima që kanë mbetur të padënuara.

Atëherë i kujtohet se Serbia paska bërë krim dhe gjenocid në Kosovë e që vetëm pas një jave e përqafon Vuçiqin si ta kishte djalë tezeje.

Më kujtohet se kur duhej të votohej Gjykata Speciale, më shumë angazhohej presidenti Thaçi për te se vet Dik Marti.

Njeriu i drejtë dhe i përgjegjshëm kërkon drejtësi për viktimat pa bërë dallime etnike, fetare, racore, gjinore etj. sikur edhe përgjegjësi për ata që kanë bërë krime, pa bërë asnjë dallim.

Njeriu pa ndjenja shpirtërore, i zhveshur nga çdo ndjenjë përgjegjësie, kërkon drejtësi vetëm për viktimat e “ veta “ kurse nuk i interesojnë viktimat tjera. Viktimat e “ veta “ i mbronë, jo se ndjenë dhembshuri por i përdorë për konsum dhe përfitime politike.

Njeriu që ka mungesë të theksuar të përgjegjësisë, ata që kanë bërë krime nga radhët e veta i konsideron si patriotë kurse kundërshtarët thjesht kriminelë.

Nuk ka asgjë më e ulët se kur krimet arsyetohen me sloganin se: ” lufta jonë është 100% e pastër sepse kemi bërë luftë të drejtë..”.

Është dallim i madh midis luftës së drejtë dhe luftës së pastër. Lufta e drejtë, e lufta e së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës ka qenë 1000 % e drejtë, nuk do të thotë se ka qenë 100 % e pastër.

Ky është mendimi dhe ky është qëndrimi im që e kam pasur gjatë dhe pas përfundimit të luftës e që e kam të paluhatur edhe sot.

Në këtë kontekst e kam kundërshtuar Gjykatën Speciale, jo se dua t’i amnistojë ata që kanë kryer krime eventuale, por se kam vlerësuar, në bazë të informatave që i kam se kjo Gjykatë është e padrejtë sepse nuk siguron drejtësi për të gjitha viktimat por siguron drejtësi vetëm për viktimat joshqiptare (serbe, rome etj.) si dhe ato shqiptare që kanë bashkëpunuar me okupuesin.

Kjo është tabloja e viktimave që do të fitojnë drejtësi e që, nëse trajtohen 10- 30 raste në këtë Gjykatë bie se viktimat që do të fitojnë drejtësi nuk do të jenë më shumë se 0. 3%.

Në aspektin e realizimit të së drejtës për viktima edhe ky 0.3% është pozitiv po si do të realizojmë drejtësi për 99.7% të viktimave dhe si do të kërkojmë përgjegjësi penale për kriminelët ?!

Drejtësia për viktima është hiçgjë nëse kriminelët nuk i sillni para drejtësisë. Nëse kjo Gjykatë Speciale e ka këtë mision për të ndarë drejtësi selektive dhe gjithashtu për të ndarë përgjegjësi selektive, në asnjë rrethanë nuk do të pranoja dhe me asnjë kusht nuk do ta votoja.

As me kushtin e jetës e lëre më për një karrike të pëshurrët apo beneficione që nuk mund t’i gëzosh dhe të cilat pashmangshëm të mbesin në fyt.

Është shumë e pamoralshme që njëherë e voton pastaj e ç’voton. Këta deputetë janë hiçgjë dhe nuk janë për asgjë!

Deputetët që miratojnë ligje për një shtet, ta bëjnë punën të bëjnë hajgare me votuesit dhe qytetarët, duke luajtur guxhash me Gjykatën Speciale nuk e meritojnë as respekton që shprehet edhe në miligram.

Deputetët që bëhen kukull e liderit apo liderëve e që pastaj shndërrohen në pleshta, s’ka ç’të thuash për ta.

Nuk shkon bashkë edhe t’ua tregosh muskujt faktorëve vendimmarrës ndërkombëtarë e pasta t’i ulesh brekët para tyre.

Kush e ka në rend të parë interesin kombëtar dhe shtetëror, pa asnjë hezitim e gëlltit helmin në vend të mjaltit. Këtë sakrificë të vetflijimit sikur që e bënë Sokrati apo Seneka për të vërtetën nuk e kërkon askush nga deputetët apo politikanët tanë.

Por, nuk kanë të drejtë që nga ne të kërkojnë sakrifica kurse ata të përqyrren para “ mikut “ ndërkombëtarë. Edhe ata që janë gjysmë të informuar kanë qenë të sigurt se Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet.

Ka qenë një lojë mirë e koordinuar midis disa politikanëve kosovarë dhe një pjese të ndërkombëtarëve.

Situatat dhe skenat si: “ thikë prapa shpine, pabesi, rrezikim i Kosovës, humbja e përkrahjes ndërkombëtare, rrezikim i rendit ndërkombëtar ....dhe budallallëqe të tjera “ kanë qenë për përdorim të jashtëm dhe të brendshëm dhe prej kësaj pune nuk pati dhe nuk ka asgjë.

Në një vend normal, shfuqizimi i një Ligji për themelimin e një Gjykate apo Shtëpie Publike (i njohur si puf për përdorim ndërkombëtar), është e drejtë legale dhe legjitime.

 Te ne kjo e drejtë u konsiderua sikur të ishte fundi i botës. Kurrë nuk jam brengosur për këtë sepse e kam pasur të qartë fundin duke i njohur mirë politikanët por edhe deputetët që, edhe fjalët por edhe pordhët i kanë të forta. Për punë mos të flasim.

Tash, Hashimi kur ndërkombëtarët thanë se ka ikur treni për Kosovën për liberalizim të vizave dhe për integrime evropiane e nxori nga brezi armën e mbushur me pordhë duke i kërcënuar ndërkombëtarët me destabilizim të situatës.

Askush nuk po ia ka frikën askush më Hashimit. Madje as unë që deri dje jam pëshurrur në tëlina me të dëgjuar kërcënimet e Hashit. Merreni me mend deri ku ka ardhë puna!

Viza dhe Mona Liza: Kur Ramush Hardinajt nuk iu dha viza për Amerikë, LDK vetëm sa nuk e shpalli ditë zie kombëtare dhe shtetërore. Mandej erdhi dhe viza angleze dhe këta të LDK dhe menedrmethënë shoqëria civile përjetuan orgazëm nga kënaqësia.

Një i arratisur nga shoqëria civile deklaroi publikisht, mbase për ta poshtëruar Ramushin se: “ po të ishte në vend të tij nuk do të rrinte as dy muaj si kryeministër pasi i qenka refuzuar viza ...”.

Tash, pasi e mori vizën britanike dhe kur ta merr vizën amerikane do të thonë se: “ ...u palua Ramushi prandaj e mori vizën ... “.

Ramushi po bënë gabime, do të bëjë gabime edhe në të ardhmën, shumë herë nuk jam pajtuar me te, jemi ballafaquar rëndë por Ramushin e kam vlerësuar shumë për sakrificën dhe luftën e madhe që e ka bërë, falë së cilës e gëzojnë lirinë dhe të drejtën të shajnë e të fyejnë edhe ata që deri dje kanë qenë pjesë e grazhdit të Jugosllavisë dhe të Serbisë ..”.

Për mua ka qenë e papranueshme nderimi me një minut heshtje për Oliver Ivanoviqin, i dënuar dhe i rikthyer për rigjykim për krime ndaj shqiptarëve.

Të mos gjindej asnjë deputetë shqiptarë që do ta kundërshtonte këtë veprim të pashembullt për së keqi, kjo është brengosja ime.

Mirëpo, Ramushi dhe të gjithë ata që kanë luftuar për lirinë time dhe të gjithë juve që jeni mosmirnjohës dhe përbuzës mbetet dhe mbeten përmendore të përjetshme.

Për luftën dhe sakrificën që e kanë bërë.! Në këtë kontekst e konsideroj si përpjekje të kotë Baton Haxhiun që donë ta zveshë Albin kurtin nga vlerat kombëtare, patriotike, intelektuale dhe politike.

Ta bësh krahasimin midis Albin Kurtit dha Baton Haxhiut sa i përket këtyre vlerave është si ta krahasosh elefantin me pleshtin.

Të gjithë ne e kemi një të kaluar, personale dhe familjare. Albin Kurti e ka një të kaluar të sqaruar, Batoni e ka një të kaluar me shumë hije. E ka shumë të pasqaruar.

Deri sa akuzat e Albinit ndaj Batonit kanë qenë shumë të qarta, përgjigja e Batonit, jo që nuk ka qenë përgjigje ndaj akuzave të Albinit por vetëm sa i ka bërë më të dendura hijet nga e kaluara e Batonit.

Përgjigjet e gjata apo litanitë “ intelektuale “ të Batonit, vetëm sa e kanë bezdisur lexuesin i cili nuk besuar fare në ato përgjigje. Kam përshtypje që as Batoni nuk ka besuar në ate çka ka shkruar.

Kjo është vetëm se për nisur një ballafqim me të kaluarën. Jam i gatshëm të bëhem pjesë e debatit mdonëse me Albinin moti i kemi ndarë rrugët kurse me Batonin kurrë nuk kemi qënë në të njëjtën rrugë .

Kositja e gjerë e Behgjet Pacollit: Begja fort është trimëruar. Të gjithëve po u kërcënohet. Ambasadorëve ( 22 ) që do t’i kthejë prapa. Politika e Jashtme e Kosovës gjithmonë ka qenë në duar të gabuara.

Enveri e ka masakruar ministrinë duke e dënuar me vdekje ndërsa Begja po e dërgon drejt ekzekutimit me gijotinë.

Hashimi ministrinë për punë të jashtme e ka përdorur si pushim midis dy akteve seksuale dhe për ta pajisur me garderobë Bekim Çollakun.

Behgjet Pacolli i paska iinvestuar 80,000 ojro në rinovimin e hapësirës së MPJ, kuptohet prej donacioneve të Buxhetit të Kosovës (humanist i madh është Begja ...) kurse Ambasadën e Kosovës në Washington e ka lënë pa ujë për pije kurse tavolinet dhe karriket ku priten delegacionet dhe palët u ngjajnë mobileve që hudhen në rrugë.

Aso mobilje nuk mund të gjeni as në Guinea Bisao ku ishte Begja për ta rikthyer njohjen nga ky shtet. Po mos ta njohte Guinea Bisao Kosovën, do ta kishte marrë fund puna jonë.

Begja është hajgarexhi i madh, luan koqe me kend të mundet. Së voni doli me propozim i cili nuk dallon fort nga ai i Daçiqit apo Vulinit se: “ Serbia nuk e ka të domosdoshme ta njohë pavarësinë e Kosovës ... “. Begjë jarani, fol në emër tëndin e jo në emëer të Behxhetit.

Kam pëshurrur afërsisht 9 vite ( 5, 5 vite në vetmi ) sikur që jam dhjerë poaq kohë në oturakët e ndryshkur të prodhuar në vitet 1945 -48, jo për ate çka deklarove por për ate për çka u flijan Baca Adem Demaçi, Komandanti legjendar Adem Jashari dhe heronjtë që u sakrifikuan për këtë që t’i po e keqpërdorë politikisht.

Mbase për ty Baca Adem Demaçi dhe Komandanti Legjendar Adem Jashari nuk paraqesin asgjë por për mua dhe shumë të tjerë janë fryma dhe kuptimi i jetës. Ndaku Begjo!

Kërcënimi i dytë: Çdo herë kur e shoh para medieve Rrahman Jasharin më kap frika dhe tmerri. Gjithmonë kërcënohet me greva dhe kryengritje të SBASHK-ut. Jo për libra dhe arsim më të mirë por për rritje të pagave.

Tashë në fillim, njëri prej këtyre të dyve do të jetë exheli im, ja Hasha, ja Rrahmani. Hasha do të më prishë me “ miqtë “ ndërkombëtarë që aq shumë i dua dhe aq shumë i respektoj. që nga koha e Dellit e këndej kurse Rrahmani do me më prishë me miqtë vendorë, Hashimin, Ramushin, Kadrushin, Zejdushin etj...

Duket se pas një kohe do ta dëgjoni këngën e kënduar nga kori i burrave dhe i grave i ansamblit folklorik nga Gjylekari dhe Muqibaba për mua: “ trupin në Prishtinë o, kokën në Bruksel, të vranë or të vranë or Behxhet këta....”
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)