19 Prill 2024

Gozhdimi i Isës nga ata që e shtrembëruan Kullën e Pisës

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Zgjedhje të lira, me koalicione të pështira: Që nga zgjedhjet e fundit parlamentare, Kosova nuk pa ditë të bardha.

Koalicionet paszgjedhore VLAN dhe VAN,  për më tepër se gjashtë muaj u përpoqën të marrin pushtetin duke e marrë postin e kryetarit të Kuvendit ndonëse Kushtetuta e Kosovës ua pamundësonte këtë për ta formuar pastaj qeverinë ku, të gjitha postet, nga kryetari i Kuvendit, kryeministri, ministrat, ambasadorët, drejtorët e ndërmarrjeve me shumë para, drejtori i RTK-së, në prokurori, në gjyqësi, në  polici e deri te tredhësit e mizave ishin ndarë dhe vetëm pritej operacionalizimi  i tyre.

Realisht kishte kërcënim për frikësim sepse dhunuesit kishin ndarë rolet, kishte kërcënime publike për heqje kokash të atyre që nuk mendonin si këta kokëtulë të cilët vetëm rrethanat i sollën aty ku, në asnjë shtet normal nuk do të merrnin erë e lëre më të pështjellen me pushtet.

Qëllimin e kishin të keq andaj Zoti dhe ndërkombëtarët ua prishën llogaritë. Zoti i dënon keqbërësit kurse ndërkombëtarët kishin projektet e veta dhe krijuan një koalicion me shumë numra por heterogjen nga aspekti politik, kombëtarë, shtetërorë e të tjera.

Ishte një koalicion me shumë numra, me pak ose aspak dashuri dhe mungesë të skajshme respekti. Koalicioni udhëhiqej nga dy figura krejtësisht kundërthënëse që mohoheshin nga një pjesë e opinionit kurse opozita dhe një pjesë e pozitës mbante qëndrim armiqësorë ndaj tyre.

Është interesant fakti i një transformimi të menjëhershëm i Isa Mustafës  nga VAN –i ; para dite Isa Mustafa ishte akadimik i nderuar dhe pas nënshkrimit të koalicionit me PDK u shndërrua në tradhëtar, ish udhëheqës komunist, shpërdorues i Fondit të 3% dhe epitete të tjera 100% negative dhe fyese ndonëse VAN, sa ishte në dashuri me akademikun e nderuar Isa Mustafa, më shumë kalonte kohë me të se me familjet e veta.

Kadri Veseli u prit me thika për shkak të kaluarës si drejtues i SHIK-ut kurse angazhimin në UÇK-ë as që i merrnin parasysh. U krijua një raport krejtësisht armiqësorë dhe jobashkëpunues midis opozitës dhe pozitës.

 Prej jetësimit të koalicionit të Madh PDK- LDK, LS dhe pakicat, Kosova nuk pati as edhe një ditë të vetme të qetë kurse njeriu më i sulmuar ishte Isa Mustafa.

Nuk mbahet mend që një kryeministër të sulmohet çdo ditë, në punë, në familje apo edhe rrugës për këto dy adresa.

 Është intresant fakti se Isa Mustafa nuk ishte krijues i problemeve por ishte dhe mbeti trashëgues i këtyre problemeve që nuk mund të zgjidheshin prandaj Isa, më shumë e luante rolin e zjarrëfikësit se të kryeministrit. Isës ia futën pykat edhe këta të partisë ku është kryetar duke e ndarë LDK-në nga brenda.

Pastaj Isa gaboi sepse nuk i mori parasysh rrethanat duke menduar se me kalimin e Demarkacionit, do të liberalizohen vizat e që automatikisht nënkuptonte fuqizimin e tij politik. Pikërisht pykat e LDK-së e çanë  Isën,  duke ia dobësuar pozitën brenda koalicionit.

Nuk ka Demarkacion prandaj nuk sa liberalizim të vizave. Madje, edhe nëse kalon Demarkacioni, përsëri nuk do të ketë liberalizim vizash sepse po kërkohen rezultate të matshme dhe të prekshme në luftë kundër korrupcionit përkatësisht arrestimin dhe dënimin e peshqve të mëdhenj. Po përmendet se vetëm via Sanader e dërgon Kosovën drejt Evropës.

Nëse Demarkacioni ka njësi matëse, lufta kundër korrupcionit është si goma, interpretohet sipas nevojave politike të faktorit ndërkombëtar.

Faktori ndërkombëtar, për shkak të oportunitetit politik ka bashkëpunuar, jo me peshqit e mëdhenj të korrupcionit dhe krimit të organizuar në Kosovë por me balenat dhe peshkaqejt e korrupcionit dhe krimit të organizuar.

Mund të mos pajtohem me Isën dhe mund edhe të mos më pëlqej mirëpo, për shkak të korrektësisë ndaj vetes, familjes dhe opinionit më duhet ta them se qeverisja e Isës është më e mirë se qeverisjet paraprake sidomos në fushën e disiplinimit financiar dhe kursimit të mjeteve.

Mund ta sulmoni Isa Mustafën dhe Kadri Veselin për situatën e krijuar por duhet të thuhet se që të dy, në vazhdimësi kanë qenë të penguar në kryerjen e detyrave për të cilat kanë qenë të mandatuar. 

Kur keni shkuar në Kuvend ka qenë si në kohën para shpërthimit të luftës, në mëngjes keni qenë mirë por më vonë nuk është ditur si do të përfundoni.

Merreni me mend Kuvendin e Kosovës ku në kohë paqeje seancat i mbani me qindra policë, ekipe kujdestare mjekësore si dhe ekip kujdestar me prokurorë!

Apo, kur në seancat e Kuvendit fjalori i rrugëve u shndërrua në mënyrë normale komunikimi dhe kod apo standard moral identifikues.

Isën e ka gozhduar opozita, po e gozhdon PDK por aktakuzën dhe vendimin për ekzekutim ia kanë shkruar pontpilatët e LDK-së, në emër të ruajtjes  së territorit të Kosovës ndonëse në jetën e tyre nuk e kanë shkrepur një plumb të vetëm për Kosovën dhe lirinë që pameritueshëm e gëzojnë dhe po e shpërdorin.

 Kush lufton për të fituar kohë nënkupton se ai nuk e vlerëson kohën. Isa bëri gabim që shkoi në Bruksel për të kërkuar kompromis me burokratët e Brukselit duke kërkuar dy vite kohë apo dënim me kusht nëse nuk ratifikohet Demarkacioni me Crna Goren.

Bashkimi Evropian nuk pranon të japë diçka veresie kur i ka paratë e sigurta në duar. Po ta kishte Isaja kartën e Vuçiqit në dorë, do ta kishim një situatë tjetër.

Tash, 15 deputetë rebelë të LDK-së po i shkruajnë Isa Mustafës duke kushtëzuar votimin për Demarkacion me futjen e një aneksi në Marrëveshjen e Demarkacionit e cila do të shqyrtohej pas dy viteve.

Shumë të pasinqertë, injorantë dhe mashtrues këta deputetë ! Nga frika se mund të shkohet në zgjedhje dhe se do t’i humbin privilegjet përrallore të pamerituara në njërën anë dhe nga fakti se janë të vetëdijshëm se Isa kurrë nuk do t’i fusë në listë për deputetë të LDK –së po i propozojnë një ofertë shantazhuese sikur që po e bënë edhe Lista Srpska.

 Se Lista Srpska shantazhon nuk është për t’u habitur, është me mandat nga Serbia por se këtë do ta bëjnë deputetët e LDK është jashtë çdo standardi moral.

Pastaj, të “rebeluarit “ e LDK-së, përjashtuar ata që janë krejtësisht analfabetë, janë të informuar se Kosova nuk ka asnjë mundësi t’ua shtojë si aneks Marrëveshjeve ndërkombëtare as edhe një prese të vetme e lëre më kërkesën për rishqyrtim pas dy viteve.

Pastaj, kjo marrëveshje është ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi dhe ata më nuk merren me këtë çështje. Ky koalicion qeveritar, ose një tjetër pas zgjedhjeve eventuale do të detyrohet ta nënshkruaj Demarkacionin sipas Marrëveshjes së Brukselit e jo me shtojca të “ patriotëve “ të LDK-së apo lumpenproletariatit të “  rebeluar “ të PDK që e kanë plaçkitur tokën dhe nëntokën e Kosovës e tash u paska rënë hise ta mbrojnë territorin e Kosovës ! Të tillë ke edhe në VV, në AAK dhe Nisma për Kosovën!

Nëse e hani pa asnjë mëshirë përmbajtjen e Kosovës pse atëherë i kushtoni aq rëndësi lëkurës së saj ! Nuk ka dyshim se zgjedhje të parakohshme mund të ketë nëse këtë e lejojnë ndërkombëtarët mirëpo këto zgjedhje nuk do të ofrojnë asnjë zgjidhje, as për Demarkacion e as për Asociacion e as për probleme të tjera me të cilat po përballet dhe do të përballet edhe më shumë Kosova në të ardhmën ! Do të ishte mirë që edhe opozita të provohet në këto procese.

Pse zgjedhjet nuk ofrojnë zgjidhje: PDK mund t’i fitojë zgjedhjet por e ka shumë vështirë të gjejë partnerë për qeverisje.

Nëse mendohet koalicioni i mundshëm me AAK dhe Nisma për Kosovën dhe nëse e marrin bekimin në Zyrën e Dragodanit për çka shumë dyshoj dhe mirë do të bëhet nëse ndodhë kështu sepse ky koalicion do të ishte e keqe e madhe për Kosovën, do të krijohej një qeverisje e paqendrueshme dhe shantazhuese sikur ajo në Maqedoni.

Partia Vetëvendosje është e përçarë dhe ka tendencë që Albin Kurti të margjinalizohet deri në atë masë që të detyrohet ta lëshojë partinë apo të formojë një parti tjetër.

Krahu” ushtarak” i Vetëvendosjes  po e përkrahë paqësorin Ahmeti dhe FER-in kurse Visar Imeri më nuk do të pranojë të jetë zëvendësues apo nën hijen e Albinit.

Si kryetar i Vetëvendosjes ka fituar fuqi sikur edhe menynë politike e ka me ushqime që i pëlqejnë atij e jo që ia propozon Albini.

AAK është parti e një personaliteti që i zgjedhë përcjellësit që i pëlqejnë dhe që janë pa sy, pa vesh dhe pa kurriz!

Nisma për Kosovën u bë dashnore e hamshorëve të AAK-së për t’ua përmbushur pasionet dhe perversitetet politike. AKR është në fazën e reanimacionit, midis jetës dhe vdekjes por se mund t’i fuqizojë partitë tjera nëse e kalon pragun dhe besoj se do ta kalojë këtë prag.

Alternativa mbetet alternativë për një kohë tjetër dhe rrethana tjera. U fuqizua jashtëzakonisht shumë me Hasan Pretenin sikur edhe PDK me Komandant Dajën  !

LDK, të cilën nuk e kam përkrahur kurrë, mbetet në rrethin e ngushtë për t’ i fituar zgjedhjet. A do të hyjë LDK në koalicion me Vetëvendosjen është lehtësisht e parashikueshme. Sidomos nëse do të ketë koalicion PDK – AAK – Nisma për Kosovën.

Apo, mund të bëhet një koalicion edhe më i madh se i tashmi ; të gjitha partitë në një grazhd me Vetëvendosjen në livadh ku Kadriu mund të bëhet kryeministër dhe Isaja kryetar Kuvendi. Posti i kryetarit të Kuvendit për Isa Mustafën është sikur një mandat në krye të banjës “ Nëna Naile “ kurse edhe Kadriu do të kënaqej me postin e kryeminstrit të cilin, edhe tani pjesërisht është duke e ushtruar.

Dikush mund të pyet se a është i moralshëm ky kombinim ?! Më tregoni më parë se çka nënkuptoni me moral atëherë  ju tregoj nëse është e moralshme apo nuk është ! 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)