20 Prill 2024

Gjuha e kandidatëve

Koincidencë apo mangësi

 Shkruar nga Gani Qarri

Në mbrëmjen e 28 tetorit, po përcillja një intervistë interesante të shkrimtarit, përkthyesit dhe historianit Anglez, Robert Wilton, në Radio Televizionin Shqiptar, i cili më mahniti jo vetëm për njohuritë e gjera në fusha të ndryshme, por edhe me të folurit e pastër dhe të rrjedhshëm të gjuhës shqipe, si rrallë ndonjë tjetër intelektual i kalibrit të tij, jo vetëm të huaj.

E disi, si për koincidencë, zgjedhjet aktuale për kryetar komunash në vendin tonë, sollën risi, jo vetëm në fushatën e zhvilluar elektorale por edhe me emrat dhe profilet e kandidatëve të propozuar.

Madje amë e befasive edhe kësaj here, ishte kush tjetër, përpos Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo pas përpjekjeve të pasuksesshme për mbledhjen e pikëve të mëdha siç pretendonte me kalimin nga ideja për bashkim kombëtar në atë të mbulesave duke caktuar edhe moshën 16 vjeçare, si vitet ideale për vënien e shamive vajzave shqiptare, e ktheu edhe fushatën zgjedhore në skenë teatrale dhe nisi tu këndojë votuesve ninulla gjumi, në vend se ti kthjellonte dhe orientonte ata që të votonin për të, si parti.

Madje përveç befasive tjera ,VV solli risi për qytetarët e Kosovës sidomos me kandidatin e propozuar për kryetar të Prizrenit, emri i të cilit vërtetë për shumicën shqiptare në Kosovë dhe shqiptarët kudo, mbetet i papërkthyeshëm lehtë nga të gjithë ata që nuk e dinë turqishten.

Sado që shqiptarët mbajnë emra nga më të ndryshmit, madje për ta është shumë i njohur edhe emri i Mata Harit e cila për sharmin dhe bukurinë që kishte në formën artistike, njihej edhe si “syri i diellit” apo “syri i ditës”, Mytehar si emër, është risi për ne dhe i pa dëgjuar më herët, i ardhur në këtë fushatë zgjedhore, si befasi ekzotike dhe i panjohur deri më tani.

Përkundër anglezit Robert Wilton si i huaj dhe asaj se Mytaher Haskuka është vendor, ka mbaruar edhe goxha shkollë, e qenka edhe profesor dr. në të gjitha diskutimet publike, sipas mendimit të pjesës më të madhe të shqiptarëve,ai lë shumë për të dëshiruar sidomos në të folurit drejtë dhe pa gabime të gjuhës shqipe, gjatë debateve.

Kështu që një ditë, ne një grup mërgimtarësh, vendosëm nga kureshtja,që një ish kolegun tonë dhe shqiptarin e deri-paradokohshëm të anës së Mamushës i cili pas shpalljes së këtij fshati-komunë edhe pse ai ende mbanë emër e mbiemër shqiptar dhe deri jo fort larg në kohë, të gjitha festat kombëtare i festonte bashkë me ne, por tani ka filluar ta ndiej veten “turk”, si njohës i "mirë" i turqishtes që mbahet, ta pyesnim mbi domethënien e emrit mytehar.

-Si, be... as ti s`pe kuptojsh a...më tha mua.

-Shihe ni her..,ani ki mbaru shkollën per shqip bee bur..... e nuk pe dish.... çka osht mytahar?!..... bëri përsëri ai, sikur u habit.

-Po njojt be loçk osht..., vazhdoi ish shoku ynë...si mu thon Bahtjar si Mytahar, .... qashtu kejt njojt oshte...emen.

-Një koleg tjetër shtoi më tej ; mirë o Bahtjar ,po ai po thonë se në shtëpi flet "turkqe" dhe fëmijët i qon në shkollë turqisht.

-Aaa nime aaaa...., e qysh kujtove ti beee loçk...ju ngashërye atij.

-Po normal be loçk...se ai tyrk osht ... e per qato i qon edhe fmit në shkoll tyrkqe....na sqaroi Bahtijari!

Për dallim nga Mytaheri, unë vërtetë impresionohem shumë me anglezin Wilton, i cili edhe pse i lindur e rritur në Britaninë e Madhe dhe edukuar e ngritur në shkolla e universitete anglofone, mësojë për kohë kaq të shkurtër dhe me një qëndrim tejet të kufizuar në Kosovë e Shqipëri, gjuhën shqipe, jo vetëm ta flasë e shkruaj sikur të ishte vendas dhe shqiptar me rrënjë të vjetra, por edhe përkthejë nga shqipja në anglisht me profesionalizëm të lartë, që nga vepra e Migjenit e deri te ajo e Lasgush Poradecit dhe Ismail Kadaresë.

Kjo më bëri të mendoj gjatë mbi vërtetësinë e të dhënave të kandidatit të vetëvendosjes për kryetar të komunës së Prizrenit, për të cilin thuhet se është i lindur dhe rritur në Kosovë madje Vetëvendosje e proklamon atë edhe si kandidatët shqiptar, ndaj ku qëndron arsyeja që ai e flet shqipen dukshëm më dobët dhe në trajta shumë më të pakonstruktuara, sikur të mos ishte vendas dhe si i ardhur rishtas në vendin tonë.

Megjithëse ky person mban edhe një titull të lart “akademik” të cilin e ka arrit në mënyrën që e di ai, është për keqardhje se si në asnjë debat televiziv, nuk mund të dëshmojë të folur të rrjedhshme, pa fjalë që jo rrallë  i mungojnë dhe pa gabime të gjuhës shqipe.

Shprehjet e sakatuara që ai shpesh përdorë, qoftë duke ua ndërruar vendin fjalëve në radhitje, qoftë duke i zëvendësuar disa tjera me gjetje jo adekuate dhe jo gjithëherë të kuptueshme dialektore të cilat i bien ndërmend aty për aty, e disa edhe duke i anashkaluar fare, të krijojnë përshtypjen sikur të mos jetë i përgatitur sa duhet për kandidimin e nisur, as lindur e rritur në Kosovë dhe trojet shqiptare.

Tek e fundit edhe Prizreni është qytet i Kosovës dhe i banuar me shumicë shqiptare, nuk është Stamboll as Ankara, ku shqiptarët nuk guxojnë ta flasin gjuhën e tyre as të deklarohen se janë shqiptar.

Përkundrazi në Kosovë Mytaheri nuk e ka as e kishte këtë preokupim, dhe do duhej që të paktën në shenj respekti ndaj shumicës shqiptare ta shfrytëzonte në maksimum të drejtën që ofrojnë ligjet demokratike të Kosovës së lirë,  praktikonte deri në perfeksionim të folurit shqip, edhe për tu paraqitur si kandidat vërtetë bindës e serioz që mëton të jetë përfaqësues i të gjithë qytetarve në një post kaq të lartë siç është pozita e të parit të një qyteti prestigjioz si Prizreni.

Qyteti i Lidhjes nuk është kasaba e kohës së Perandorisë, por qyteti modern, ndër më të njohur historik për shqiptarët dhe i dyti për nga madhësia në gjithë Kosovën, ndaj secili që vendosë të kandidojë  për kryetar të tij, si në gjithë botën edhe tek ne, gjuhën e shumicës duhet ta dijë e flasë drejtë e rrjedhshëm dhe pa gabime as të rastit, për të na përkujtuar të gjithëve se edhe titullin shkollor që ai e posedon, nuk e ka pa të drejtë as të marrë me njohësi, siç përfliten shumë të tjerë.

Për aq më tepër, edhe në duelin e zhvilluar mbrëmë në studion e TV-“Klan Kosova”, ai tha sikur një ministër kinse i paska frikësuar biznesmenët në Prizren dhe ju paska thënë ;”Kini kujdes per kan votoni” por në pyetjen e moderatorit se cili ishte ky ministër, ai emrin e tij, bëri sikur nuk deshi ta përmendte...

E pse jo?!...Nëse njëmend një “ministër” sipas tij, vërtetë paska bërë një gjest të tillë, kjo është vepër e dënueshme dhe ai duhet të shpallet publikisht me emër e mbiemër, e nëse ti e di por nuk e thua, atëherë ka mundësi që deklarata jote të mos jetë e vërtetë, z. kandidat dhe nuk ke kujt t`ia veshësh atë që deklarove mbrëmë...

Ose frikësoi edhe ti biznesmenët, tregoju atyre se po nuk të votuan ty, Erdogani nuk do të vijë më në Prizren as nuk do të proklamoi sërish, se: “Kosova është Turqi”.

Nëse mendon se vetëm kështu, atyre do tu hiqej nga ti, përfundimisht frika, do kthjellohen më mirë dhe votojnë pikërisht atë që duhet edhe pse ndoshta jo ty.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)