20 Prill 2024

Garanti për tërësinë territoriale të Kosovës

Shkruar nga Gani Qarri

Ngjarjet e befasishme të zhvilluara si skenar filmash aksion, para pak ditësh në Mitrovicën e Veriut, me të drejtë shtojnë frikën tek të gjithë qytetarët, se po-qese nuk ndërhyjnë SHBA-t, dhe shtetet tjera mike të Kosovës,pas bisedimeve të përsëritura konspirative, vetëm sa ka filluar zhvillimi i skenarit ukrainas për ndarjen e vendit tonë të vogël e të brishtë nga treshja Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Aleksander Vuçiqi. 

E njëjta lojë u nis në shkurt–marsin e vitit 2014 edhe në Ukrainë, e cila filloi me trazira dhe përfundoi me aneksimin e Krimes nga ana e Rusisë, ndërsa për të vënë nën hije pushtimin e Krimesë, Rusia vazhdoi krijimin e tensioneve dhe pushtimet edhe në Ukrainën Lindore të banuar me shumicë ruse, taktikë që erdhi si përsëritje e skenarit gjeorgjian, kur Rusia pati aneksuar më parë edhe territoret e Abkazisë dhe Osetisë së Jugut.

Ndaj nuk do mend se orkestrimet e së hënës së 26 marsit në Mitrovicën e veriut nga treshja Thaçi-Vuqiq-Rama me arrestimin spektakolar të Marko Gjuriqit, ishin veprime të ngjashme dhe zhvillime të njëjta me ato të vitit 2008 në Gjeorgji, si dhe imitim i skenarit të vitit 2014 në Ukrainë, kur asaj edhe iu mor Krimea.

Ndërsa për dallim nga Ukraina ku aktorët kryesor ishin presidenti i atëhershëm ukrainas Viktor Janukoviq dhe ai i Rusisë Vladimir Putin, aktor të ngjarjeve të së hënës në veri të Mitrovicës, ishin presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe partneri i tij nga Kosova, Hashim Thaçi, në prapaskenën e së cilës nuk do mend, se nuk mund të mungonte as kësaj radhe, suflimi hileqar i kryeministrit Edi Rama me këshilltarët e tij UDB-ash-kosovar, qëllimi i të cilëve, pas disa takimeve konspirative, ishte realizimi i skenarit të njëjtë si në Ukrainë,  për të ndarë praktikisht veriun nga Kosova dhe futë atë përdhunshëm nën sovranitetin e Serbisë.

Madje, edhe aksionet e fundit të listës serbe për të shpallur njëanshëm "zajednicën" përkojnë plotësisht me krizën e Krimesë, grupim politik ky,i varur kryekëput nga Vuçiqi, i cili sipas diktateve të tij, planifikon që menjëherë pas formimit të "zajednicës" edhe serbët e veriut, të shpallin një referendum të ngjashëm si në Krime, për ta ndarë edhe këta Veriun nga Kosova, dhe bashkuar atë Serbisë.

Se ky skenar është pikërisht përsëritje e orkestrimeve ukrainase, fletë edhe fakti që njëjtë si Janukoviq i cili në kulmin e krizës në Ukrainë, konsultohej me Putinin se çfarë veprimesh duhej ndërmarrë në vendin e vet, njëjtë veproi edhe Hashim Thaqi, duke zhvilluar , siç e thotë edhe ai, biseda telefonike në kulmin e zhvillimeve dramatike në Veri të vendit, me Aleksandër Vuçiqin. 

Po-ashtu, siç udhëtoi në vitin 2014 baronesha Eshton në Kiev dhe Moskë, njëjtë veproi edhe zonja Mogherini duke udhëtuar menjëherë në Beograd, gjë që rritë frikën edhe më tepër, se i gjithë ky skenar, është një marrëveshje trepalëshe midis presidentit serb Aleksandër Vuçiq, kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit Hadshim Thaçi, për ndarjen përfundimtare të Kosovës, të cilin do të provojnë, që para shqiptarëve, edhe këtë akt tradhtie ta shesin, kinse si “kompromis” të pakalueshëm për arritjen e paqes në rajon.

Madje për të vënë popullin e Kosovës në siklet të gjithanshëm dhe krijuar bindjen se pa kompromise të mëdha e të dhembshme, nuk do të ketë asnjë rrugëdalje për shqiptarët, pas votimit të imponues të Demarkacionit me Malin e Zi, jo vetëm se humbëm gjithë ata hektar tokë por nuk u hoqën as vizat,madje për aq më keq, qytetarëve të vendit tonë iu shtua edhe një vizë shtesë dhe vendosë edhe një pengesë tjetër me para dhe procedura nga Edi Rama, për Rrugën asnjëherë të përfunduar të kombit, që atyre tu kufizohen udhëtimet edhe në Shqipëri.

Ndaj në mënyrë që të parandalohet projekti i bosnjëzimit dhe ndarjes së vendit, Kuvendi i Kosovës pas ngjarjeve në Veri, për momentin, duhet urgjentisht ti ndalojë të gjitha bisedimet me Serbinë dhe si kusht për vazhdimin e tyre, paraprakisht të kërkojë garanti me shkrim nga BE dhe Bashkësia Ndërkombëtare, se nga bisedimet me Serbinë nuk do të rrezikohet tërësia e Kosovës,kurse për vazhdimin e tyre, të formojë një trup profesionistësh me prezencën e të gjithë faktorëve politik, si dhe të shkarkojë menjëherë grupin aktual me në krye Hashim Thaçin dhe të gjithë udhëheqësit me ngarkesë shantazhimi, që pritet të akuzohen nga Gjykata Speciale, të cilët për të shpëtuar veten, jo vetëm se mund të bëjnë koncesione të dhembshme në dëm të vendit por edhe faljen e territoreve, tjetërsimin e Veriut dhe rrezikimin e gjithë shtetësisë së Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)