24 Prill 2024

Fort po shndrit ai diell, por pak po nxeh!

Shkruar nga Behgjet Pacolli

Pas një periudhe bukur të  gjatë kur fjala "riformatizim" trazoi FAQET E GAZETAVE dhe ambiciet e do politikanëve, më në fund ai u krye. U harxhua boll kohë që njerëzit të harronin shqetësimet e përditshme dhe të merreshin me falle për emrat e ministrave të rinj. Tani kemi disa emra të rinj dhe disa emra të vjetër. Por mjerisht s'kemi dëgjuar për strategji të re. Për ndryshim mentaliteti të qeverisjes, për ndryshim të kahjes së ecjes së saj.

Ndryshimet e tanishme të qeverisë  reflektojnë disa sende. Po i rendis thjesht ç'ka mund të  thuhet për to.

E para, këto ndryshime janë  në barazi të plotë numerike për të dy partitë  kryesore të qeverisjes. Kjo do të thotë se midis atyre që gati me zor janë partnerë, ka marrëveshje që asnjera parti të mos duket si viktimë e këtij riformatizimi - kush ka qeverisur më keq, j duhet të zëvendësoHEN më shumë ministra prej saj. Numrat e zëvendsuar konfirmojnë një ekuilibër në keqqeverisje.

E dyta, në qeveri kanë hyrë dhe kundërshtarët më të fortë të kësaj qeverie nga LDK-ja. Kjo tregon se kundërshtitë e këtyre individëve, veçanërisht gjatë fushatës së fundit zgjedhore nuk kanë qenë nxitur nga meraku për qytetarin, por thjesht ambicie për një vend ministri, anipse në role të papërshtatshme për ta. Është krejt e besueshme,  se në këtë rast, mund të ketë edhe bojkot brenda qeverisë dhe natyrisht pasojat do t’i vuante qyetari i Kosovës.

E treta, numri i ministrive të  prekura është i madh. Ky ndryshim në çdo vend normal do të kërkonte një votëbesim të ri të qeverisë. Të pranosh se duhen ndryshuar 6 ministra për qeverisje të keqe - s'janë dhënë arsye të tjera për një ndryshim kaq masiv-, i bie të pranosh se ecuria e qeverisjes në përgjithësi në këtë pjesë të mandatit nuk ka qenë e mirë.

E katërta. Sa është e vërtetë  se një pjesë e dikastereve ku ndërrohen ministrat, janë  të rëndësishme, po aq e vërtetë është se kanë  qenë ministri të tjera, ato të përfolura, per tu zevendesuar.

E pesta, kjo qeveri vazhdon të  shtojë numrin e ministrive çka rrit burokratizimin e mëtejshëm, politikën e shpërblimeve me poste të financuara me paratë e qytetarëve të vendit më të varfër të Europës. Kosova nuk e ka luksin të ketë një ministri më shumë dhe miqtë tanë europianë e kanë bërë të qartë se ministria e Integrimeve ishte e tepërt. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, me një përkushtim më të madh do të mund të kryente edhe atë pjesë të përgjegjësive që tashmë ka Ministria për Integrim, dhe nuk do të kishte nevoj të rritëshin shpenzimet me një Ministri të re.

E gjashta, një pjesë e mirë e emërimeve nuk janë mbështetur mbi kriterin e profesionalizmit, por mbi atë mirëfilli politik. Funksionarëve të lartë  politikë të LDK-së u është kënaqur ambicia të kenë një karrige ministri, anipse s'kanë  asnjë lidhje me punën që do të bëjnë. E di shumë mirë rëndësinë e bujqësisë, të drejtësisë, të shëndetësisë dhe të kulturës dhe bash për këtë arsye do të shpresoja që në krye të një pjese të ministrive të ishin profesionistë të sprovuar. Mbetem me shpresë se këta ministra do të rikonvertohen në profesionin e ri, edhe punën ta kryen pak a shumë me dinjitet.

E shtata. Kjo qeveri ka shumë  ish kryeministra, diçka që e bën të vështirë bashkëjetesën e tyre në një kafaz qeveritar, duke pasë gjithmon parasysh se kryeminstri pat premtuar se në Qeverinë e tij do të veprojnë vetëm njerëz të rinj, e kurrsesi ata të ricikluar. Mund të duket se një pjesë e emrave të ofruar për ministra sigurojnë stabilitetin e aleancës qeverisëse, por ky mund të na dalë nesër thjesht një iluzion.

Të gjithë këto kundërshti të miat nuk lidhen thjesht me konceptin e riformatizimit që  jetësoi kjo qeveri dhe me emrat në krye të ministrive. Megjithatë emrat diçka thonë dhe për llojin e qeverisjes që pritet të shohim në Kosovë. Por meqë unë  nuk mund të vë bast për këtë qeverisje, në cilësinë e kryetarit të një partie të opozitës mund të them qartësisht se çfarë i duhet një qeverisjeje në Kosovë për t'u konsideruar normale.

Si duhet të  punohet

Vendit i duhet një program kundër varfërisë që po shtohet gjithnjë e më shumë. Megjithëse nuk kemi statistika të besueshme, vlerësohet se 18% e popullsisë jeton nën nivelin e varfërisë, do te thote ne mjerim, me më pak se një euro në ditë, dhe kane probleme duke nisur nga me jetiku, per tu ushqyer. Nuk po dëgjojmë për ndonjë program anti-varfëri, por përkundrazi për taksim të mëtejshëm të pensioneve, diçka që do të rrënojë edhe më ekonomitë e dobta familjare.

Po si luftohet varfëria? Duke ofruar punë. Puna sigurohet nëpërmjet mbështetjes së sektorëve që  punësojnë më shumë njerëz si bujqësia. Është e pafalshme që Kosova ta punojë tokën tre herë më pak se Maqedonia. Nuk arrij të kuptoj sesi Kosova e ka humbur primatin e tokës që ishte hambar për drithëra, për perime, etj, për gjithë ish Jugosllavinë. Me rifitimin e këtij primati që duhet të jetë objektiv i palëkundur i kësaj qeverie, lidhet shtimi i punësimit, dhe rritja e mirëqenies së përgjithshme.  Duhet nxitur blegtoria mbi baza moderne, nëpërmjet mbështetjes me mikrokredi qoftë për familjet e blegtorëve, qoftë të bujqve. Bujqësia dhe blegtoria vendosen mbi baza moderne nëpërmjet krijimit të një rrjeti shkollash bujqësore dhe profesionale në përgjithësi. Gjithashtu edhe shfrytezimi i energjive te studentave per te krijuar, porograme te vecanta per cdo familje, ku do te analizoheshin te gjitha ato cka ajo familje posedon (toka, livadhe, male etj), në interes te shfrytezimit të tyre, në favor të prodhimtarise. Ketu pos shfrytezimit racional të palujtëshmërive të familjeve, do te gjenerohej edhe pune, për pjestarët e këtyre familjve. Kjo prodhimtari për të cilën flasim, do të grumbullohej dhe do të procesohej sipas bionormave. Dhe do të plasohesheni në tregun e brendshëm dhe të jashtëm. Keshtu për cdo familjeje do të mundësohej që në mënyrë racionale te zhvillohej ekonomia e tyre dhe te gjenerohen te ardhura.

Varfëria luftohet dhe duke kursyer më shumë paranë publike. Kur kam propozuar një  qeveri me 6 ministri kisha parasysh pikërisht varfërinë e madhe dhe anormalitetin që një vend kaq i vogël të kishte ministri sa SHBA apo Britania e Madhe përshembull. Ndërkohë është gjithashtu jo normale që pikërisht në momente të një krize të fortë ekonomike botërore që i ka dhënë efektet dhe në Kosovë, të miratohet ndërtimi i një rruge me kosto të lartë për kilometër  në këtë formë jotransparente që po shohim . Pra, nëpërmjet saj, buxheti edhe ashtu i vogël i Kosovës i ekspozohet një borxhi tepër të madh.

Vendi duhet të shpallë  si prioritet absolut nxitjen e investimeve të huaja. Ky prioritet arrihet nëpërmjet masave të forta ndaj të gjithë atyre që i kërkojnë mito investitorëve, pra nëpërmjet një fushate antikorrupsion që tani s'duket asgjëkundi. Duhet shpallur një plan që ta shndërrojë Kosovën në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Duhet plotësuar kuadrin ligjor për pronën, zyrat e noterisë, të kadastrës, etj, etj. Duhen shfuqizuar ligjet që kundërshtojnë njeri-tjetrin në pronësi.

Tash dy vite po kalkulohet me paratë  e privatizimit. Shpresoj shumë se këto para do të kthehen në Kosovë. Do të jetë një gabim shumë  i madh, që këto para shfrytezohen për të mbushur buxhetin e Kosovës. Këto para janë djersa e paraardhësve tanë. Prandaj ato duhet të shfrytëzohen për të gjeneruar zhvillim.Paratë nga privatizimi duhet t’i jepen një Agjencioni për Gjeneratat e Ardhshme. Me këto para duhet të hapet një bankë investive në Kosovë, e cila do të mbështese në fillim një program Agro-ekonomik gjithë kosovarët dhe vecanerisht do të mbështeste bizneset e vogla.  Me zhvillimin e bizneseve të vogla në Kosovë do të bëheshin mrekulli në zhvillimin ekonomik, duke u gjeneruar të paktën 100 mijë vende pune. Do të shtohej prodhimi dhe do të rritej eksporti. Vendi do të ishte në gjendje që brenda tre viteve të gjeneroej zhvillim, kreditë do të kthehesheshin brenda dy viteve dhe biznesi do të zhvillohej vazhdimisht.

Ja, këto programe dhe shumë  të tjerë presin qytetarët dhe ne si opozitë nga kjo qeveri. Ndryshimet e njerëzve në përmasa kaq të mëdha s'kanë asnjë vlerë nëse nuk shndërrohen në  ndryshim të mentalitetit. Druaj që ai diell që fort po shndrit, do të na ngrohë pak. Për të gjithë këto arsye ne kërkojmë që vendi të qeveriset nga një qeveri teknicienësh dhe profesionistësh apartiakë deri në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme që duhet të zhvillohen me një Kod të ri Zgjedhor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)