18 Tetor 2019

Enver Hadri, në kujtim edhe të një përvjetori

Shkruar nga Gani Qarri

U mbushen plot 29 vite nga dita kur kriminelët serb të UDB-s, vranë heroin Enver Hadri në Bruksel të Belgjikës.

Atdhetari i shquar i çështjes kombëtare dhe aktivisti i dalluar për të drejtat e shqiptarëve nën pushtim, Enver Hadri erdhi në jetë më 1941,në një familje të njohur patriotike në Pejë, vit kur Lufta e Dytë Botërore sapo kishte arritur edhe në Kosovë dhe okupatorët serb ishin dëbuar nga trojet tona etnike.

Por fatkeqësisht pa kaluar shumë kohë edhe fëmijëria e tij, do të lëndohej pashërueshëm, rëndë dhe përjetësisht nga një ngjarje makabër e cila do të kthehej në brengë dhe enigmë për gjithë jetën e Enverit të ri.

Dhe pikërisht kur Enveri i vogël priste ti gëzohej mbushjes së katër vjetorit të jetës, babai i tij do të kidnapohej nga bandat çetnike serbe me rroba "partizane" dhe do të ekzekutohej në një vend të panjohur, për të mos e parë më kurrë ai as familja.

Ndaj që kur u bë të dinte, orientimi i tij patriotik dhe kombëtar i Enver Hadrit, ishte dhe mbeti, luftimi i pushtuesve serb dhe përpjekjet për çlirimin e Kosovës.

Objektivi i par dhe i përjetshëm i Enverit, u bë liria e bashkëkombësve dhe shqiptarëve kudo, i cili nuk do të ndalonte përpjekjet deri në ditën e vdekjes së tij, nga një atentat i organizuar në Bruksel të Belgjikës, kryeqytetin evropian, ku ai qëllimisht ishte vendosur dhe vepronte me sukses të pareshtur për çështjen kombëtare dhe të drejtat e të gjithë shqiptarëve nën pushtimin jugosllav.

Paraprakisht kundër pushtuesve të vendit Enver Hadri punoi edhe në Kosovë, derisa u zbulua më 1972, kur i përndjekur nga pushteti okupues jugosllav, u detyrua ta linte vendlindjen e tij- Pejën, dhe atdheun e pushtuar Kosovën, e të vendosej në Bruksel të Belgjikës, për të vazhduar veprimtarin e tij atdhetare në kryeqendrën e Evropës.

Një vit më vonë, gjykata e pushtuesve jugosllav, e dënoi atë në mungesë me 7 vite burg, por Enveri tanimë ishte vendosur në Belgjikë dhe kishte zgjedhur pikërisht Brukselin, kryeqytetin e Evropës, si adresë të re të veprimit të vet kombëtar.


Pasi u njoh me atdhetarët që vepronin atje, Enver Hadri fillimisht u angazhua në grupimin e njohur politik "Lidhja e Prizrenit" për të krijuar më vonë "Komitetin e Rezistencës Kombëtare", me ç`rast nxori edhe revistën "Zëri i Kosovës" të cilën e botonte në dy gjuhë, atë shqipe dhe frënge.

Përveç përpjekjeve të pareshtura të tij, për futjen e çështjes së Kosovës, në agjendat e diplomacisë ndërkombëtare të Unioni Evropian dhe NATO-s, etj, të cilat kishin selit e tyre në Bruksel, përmes kësaj reviste ai informonte rregullisht edhe politikanët evropian dhe ata vendor mbi gjendjen e rëndë dhe shkeljen flagrante të të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve nën pushtimin serbo-sllav, si dhe bënte thirrje për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trojeve shqiptare në përgjithësi.

Aktivitetet patriotike të tij, jo vetëm se ishin të pareshtura dhe nuk dinin të ndalur, por ato shpesh herë sikur u paraprinin dhe shkonin krahas ngjarjeve që zhvilloheshin në atdhe.

Vetëm rreth një muaj pas shpërthimit të demonstratave të 11 marsit 1981 në Prishtinë, më 13 prill të po atij viti, i ndihmuar me tërë fuqinë nga bashkëveprimtari patriot Vebi Ibrahimi edhe ai një atdhetar i flakët dhe dëshmor i vrarë në Bruksel vetëm disa muaj pas shpërthimit të demonstratave në atdhe nga UDB, organizuan protestat e para edhe në Belgjik, të cilat do të përhapeshin kudo kishte shqiptar, gjithandej Evropës dhe botës, në shenjë mbështetjeje dhe solidariteti me demonstruesit në Kosovë.

Këtë kontinuitet të veprimit kombëtar të atdhetarëve shqiptar kundër regjimit pushtues sllav, UDB-a, serbe nuk mundi ta duronte gjatë, ndaj ajo fillimisht organizoi vrasjen e aktivistit të mirënjohur Vehbi Ibrahimi, i lindur me 23 maj të vitit 1938 në fshatin Uglar të Gjilanit, patriot i flakët dhe nip i familjes së heroit të famshëm Idriz Seferi, i cili do të bëhej viktima e parë në mërgim.

Ai u qëllua për vdekje më 10 tetor të vitit 1981,nga UDB-a serbo-sllave, në Bruksel të Belgjikës, si anëtarë i BESËLIDHJES KOMBËTARE, vrasësi i të cilit, nuk do të zbulohej asnjëherë deri në ditët e sotme.

Pas vrasjes së Vehbi Ibrahimit, kur mezi kishin kaluar vetëm pak më tepër se tre muaj nga vdekja e tij në Bruksel, më 17 janar të vitit 1982, në Untergrupenbach të Gjermanisë, UDB në një atentat kriminal, vrau mizorisht edhe patriotët e shquar të kombit që vepronin në Gjermani; vëllezërit Isuf e Bardhosh Gërvalla si dhe patriotin Kadri Zeka, tragjedi e cila u kthye në njërën nga datat më të trishta të historisë së të gjithë shqiptarëve.

Ndaj pas shuarjes së patriotëve më të shquar kombëtar në diasporë, misionari kryesor dhe ambasadori i parë më besnik që kishin shqiptarët në atë kohë në Bruksel dhe Evropë, do të mbetej atdhetari dhe aktivisti i palodhur Enver Hadri i cili edhe pse pothuajse i vetëm kundër të gjithëve si dhe pengesave e vështirësive të pafund që i bëheshin nga shumë anë, arriti që ti hapte me sukses të gjitha dyert e Diplomacisë Evropiane si dhe ato të Parlamentit Evropian për Kosovën dhe të drejtat e shqiptarëve nën pushtimin e Jugosllavisë komuniste.

Madje ende pa kaluar as dy vite të plota nga vrasja e atdhetarit Vehbi Ibrahimi, grupi i patriotëve të udhëhequr nga Enver Hadri, më 1983, themeloi në Bruksel "Komitetin Shqiptar për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut për Kosovë”, i cili mori përsipër organizimin e tubimeve politike, takimeve me politikanët perëndimor dhe tribunave informative për të plasuar të vërtetën dhe argumentet autentike mbi gjendjen dhe problemet e shumta të shqiptarëve.

Enver Hadri hapi edhe radion "Iliria" me program dhe edicione edhe në gjuhën frënge me qëllim të informimit sa më të mirë e të drejtpërdrejtë të diplomacisë, qytetarëve dhe demokracive evropiane mbi situatën e rëndë të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe kërkesat e tyre për liri dhe pavarësi.

Enveri dhe ekipi i tij organizonin shpesh edhe konferenca publike për median ndërkombëtare, në të cilat flitej hapur dhe me argumente autentike kundër veprimeve kriminale të regjimit diktatorial të Millosheviqit dhe sistemit të tij pushtues, policor e ushtarak në Kosovë

Kështu që nga fundi i viteve të 80-ta, "Komiteti Shqiptar për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut" me në krye Enver Hadrin ishte bërë aq i besueshëm dhe i preferuar si për gazetat belge e evropiane ashtu edhe për agjencitë më të famshme botërore të lajmeve, sa që u shndërrua në qendrën kryesore informative dhe citohej si burimi më i sigurt i risive dhe njoftimeve të pareshtura, që vinin nga ish Jugosllavia.

Veprimtaria patriotike e Enveri Hadrit e bëri atë ambasadorin e parë të Kosovës në Parlamentin Evropian, kurse ekipi i tij u shndërrua në diplomatët nismëtar të cilët arritën ta bënin gjithandej dhe me shumë sukses, internacionalizimin e dramës kosovare.

Ndaj rëndësia e personalitetit të Enver Hadrit, për shqiptarët dhe Kosovën e atyre viteve, ishte jo vetëm e madhe por edhe historike, madje siç do të dëshmohej disa vite më vonë, edhe e pazëvendësueshme për shumë kohë.

Shuarja e heroit me gjithë peshën e rëndë të rënies, vërtetoi katërçipërisht se çfarë zbrazëtie të tmerrshme la mungesa e këtij atdhetari, për një periudhë tejet të gjatë jo vetëm në diasporë por edhe në Kosovën e pushtuar dhe të mbetur pa zëdhënësin e saj të sprovuar dhe më efektiv në gjithë Evropën.  

Fal veprimtarisë së vendosur dhe të pareshtur patriotike të ENVER HADRIT, përkundër mbështetjes së madhe që shteti i atëhershëm jugosllav kishte në Evropë, më 12 prill të vitit 1989, Parlamenti Evropian në Bruksel, miratoi rezolutën e parë e cila kritikonte hapur situatën dramatike që mbretëronte në Kosovë, gjë që vërtetë ishte një sukses i paparamendueshëm për shqiptarët dhe veprimtarët kombëtar në vend dhe diasporë.

Madje po në atë tubim, merret vendim që një delegacion i Parlamentit Evropian, të vizitoj Kosovën për të parë nga afër gjendjen dhe bindur mbi padrejtësitë e regjimit pushtues dhe dhunën serbe që ushtrohej kundër shqiptarëve si popull shumicë në Kosovë dhe vendbanimet tjera autoktone të tyre nën pushtimin sllav.

Pra Enver Hadri ishte njeriu i parë i cili jo vetëm që hapi dyert e Parlamentit Evropian për Kosovën por edhe çështjen e shqiptarëve nën Jugosllavi e ngriti dhe katapultoi në Institucionet më të larta Evropiane.

Më 25 shkurt të vitit 1990,në Bruksel do të mbahej tubimi i radhës i Parlamentit Evropian, ndaj Enver Hadri kishte përgatitur listën me emrat e 32 viktimave shqiptare që forcat okupuese policore e ushtarake të Serbisë, kishin vrarë në Kosovë dhe përpiluar tekstin e rezolutës që do ti dorëzohej Parlamentit Evropian.

Ndaj me qëllim të ndalimit të veprimtarisë atdhetare si dhe sukseseve të patriotëve shqiptar, që për kohën lan shembull me sukseset e rrafshit diplomatik në Parlamentin Evropian dhe institucionet tjera ndërkombëtare me në krye Enver Hadrin, pas vrasjes së Vehbi Ibrahimit dhe vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës, nga UDB, Millosheviqi përfundimisht kishte marrë vendim që ta vriste edhe heroin Enver Hadri.

Pavarësisht asaj se UDB në aksionin kriminal të radhës për eliminimin e patriotëve që në Perëndim angazhoheshin për kauzën kombëtare të shqiptarëve nën pushtimin serbo-sllav, tanimë kishte vënë në shënjestër vet Enver Hadrin, ai me 25 shkurt të vitit 1990,merr listën e përgatitur me emrat e shqiptarëve të vrarë dhe niset me veturë nga rruga "Rue d`l Albanie Nr. 23,ku banonte dhe vepronte, në drejtim të ndërtesës së Parlamentit Evropian.

Por, fatkeqësisht me të arritur në lagjen Saint-Gilles para kryqëzimit të rrugëve "Rue St. Bernhard" dhe "Rue de la Victorie", ndizet drita e kuqe në semafor dhe në atë çast tragjik ai duhej të ndalonte, kurse nga vetura "golf" e cila ndaloi paralel me të, ai u qëllua për vdekje me dy plumba në kokë, nga tre kriminelë serb të UDB-s.

Si pasojë e plagëve të marra në rrugët e hapura të Brukselit, nga kriminelët e UDB-s serbo-sllave më 25 shkurt të vitit 1990,heroi Enver Hadri vdiq në Spital në moshën 49 vjeçare.

Ndaj, fatkeqësisht edhe lista me dhjetëra emra, njëjtë si jeta e 32 shqiptarëve të vrarë në Kosovë nga Serbia, u la me gjakun e një shqiptari tjetër të pastër, atdhetari të shquar dhe patrioti të flakët kombëtar, listë të cilën heroi të nesërmen do t`ia dorëzonte Komisionit për të Drejtat e Njeriut, në Parlamentin Evropian.

Organizator i atentatit për eliminimin fizik të Enver Hadrit ishte shefi serb i UDB-s  Bozhidar Spasojeviq, kurse aktin kriminal e realizuan kriminelët serbë nga Beogradi Adrija Llakoniq, Vesko Vukotiq dhe Darko Ashanini.

Dy nga atentatorët e Enverit u vranë në Beograd.

Adrija Llakoniç, vetëm një muaj pas vrasjes së Enver Hadrit, u qëllua për vdekje nga bashkë-atentatori i tij Vesko Vukotiç, në diskotekën e ashtuquajtur  "NANA" në Beograd, kurse më 1995, do të vritej edhe krimineli tjetër Darko Ashanin, përderisa atentatori i tretë gjakësor Vesko Vukotiq, në fund të vitit 2008 nga organet e burgut në Belgjikë ku mbante dënimin, u transferua në Serbi dhe nga atëherë, ndoshta jeton i lirë, sikur të mos kishte bërë asgjë.

Drejtësia belge e dënoi (në mungesë) me burgim të përjetshëm edhe organizatorin e atentatit shefin e UDB-s, Bozhidar Spasojeviqin, por ai, në vend se ti dorëzohej drejtësisë dhe vuante dënimin e merituar, do të dekorohej dy herë nga shteti serbo-sllav për vrasjen e atdhetarëve shqiptarë, si aktivistin për të drejtat e njeriut heroin Enver Hadri dhe atdhetarët kroat në diasporë.

Pas vdekjes së Enver Hadrit fatkeqësisht, u shua edhe "Komiteti Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut", i cili kishte vepruar me shumë sukses për vite me radhë në Bruksel.

Për heroin Enver Hadri janë shkruar shumë tekste dhe dhënë një mori vlerësimesh nga më të ndryshmet , prej atyre më pozitive deri te sulmet më të paskrupullta dhe agresive.

Por këto të fundit kryesisht nga xhelozia e sëmurë dhe njerëz të dyshimtë e inatçi, për shkak të aftësive dhe arritjeve të mëdha të z.Hadri, të cilat nga vrasja e tij, nuk mundi ti përsëriste më askush tjetër, në Evropë as kudo qoftë në Botën mbar.

Më 2006, Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e dekoroi Enver Hadrin me Urdhrin e Artë "Hero i Kosovës" për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Sot edhe shumë rrugë, shkolla e institucione, në Kosovën e lirë e të pavarur, mbajnë me krenari emrin e heroit Enver Hadri.

Ndërsa me rastin e 76 vjetorit të lindjes, më 2 prill të vitit 2017,në shenjë kujtimi ndaj veprës së tij atdhetare, Filatelia e postës së Kosovës, lëshoi në qarkullim pullën postare me portretin e këtij heroi dhe idealistit i cili sakrifikoi jetën për Kosovën.

Më 2018 u promovua libri i Behare Rexhepit dhe Reshat Sahitajt me titull " AMBASADORI I PARË KOSOVAR" kushtuar, aktivistit të shquar të çështjes shqiptare ENVER HADRI, njërit prej veprimtarëve më të veçantë të çështjes kombëtare.

Ndërsa këto ditë, me rastin e 29 vjetorit të rënies së këtij heroi, Unioni Kombëtar i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptar, nën patronatin e Qeverisë së Kosovës, organizoi edhe një manifestim përkujtimor në Bibliotekën universitare në Prishtinë, në kujtim të jetës dhe veprës së pa harruar kombëtare të Enver Hadrit.



Kalendari

Ngjarjet e datës 18 tetor 2019

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion të nivelit të lartë nga MCC, kryesuar nga znj. Caroline T. Nguyen, Drejtoreshë Menaxhuese e MCC për Evropë, Azi, Pacifik dhe Amerikë Latine, me këtë rast, do të nënshkruaj amandamentimin e Marrëveshjes CDF. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)

- Me rastin e shënimit të Ditës së Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz dhe njëkohësisht hapjes së fushatës Kundër Trafikimit me Njerëz, Ministria e Punëve të Brendshme organizon konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit mban mbledhjen e dhjetë te rregullt e Komiteti për Politik dhe Financa. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur organiozn aktivitetin e shënimit të themelimit të qendrës për karrierë në SHMLT ,,11 Marsi” në Prizren. (Objekti i SHMLT ,,11 Marsi” në Prizren, ora 10:30)

- Komisioni i Pavarur i Mediave do të mbajë konferencë për media në lidhje me prezantimin e  “Raportit të monitorimit të  Ofrueseve të Shërbimeve Mediale Audio-vizuele  gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme 2019”.  (Zyra e KPM-së, qyteza Pejton, ora 12:00)

- Galeria Qahili organizon hapjen e ekspozitës "20" të Mentor Avdilit. (Galeria Qahili, ora 20:20)