06 Tetor 2022

Energjia, kjo plagë e pashërueshme e Kosovës

Shkruar nga Ramush Haradinaj

Në shtatorin e vitit 2017, gjendja elektro-energjetike ne Kosovë, ishte katastrofike. Më e vështirë se sa që është aktualisht.

Kishin shteruar rezervat e thëngjillit dhe eskavatorët nuk gërmonin më. Termocentralet e Kosovës nuk prodhonin rrymë e Kosova shpenzonte miliona euro duke mos prodhuar e duke e blerë rrymë.

Arsyetimi ishte se nuk ishin shpronësuar banorët në Shipitullë!!!

Në fakt që në vitin 2014 Qeveria e Kosovës kishte marrë një vendim për shpronësimin e 54 hektarëve tokë ku gravitonin 20 shtëpi, për të hapur minierën e re, por vendimi nuk ishte realizuar asnjëherë dhe në ata 54 hektarë ishin ndërtuar gjithsej 226 shtëpi.

Kishin mbirë si kërpudhat pas shiu, natyrisht kjo edhe sepse aty i kishin futur duart grupe të ndryshme interesi, që nga vet pushteti i atëhershëm e deri te tuxharët e energjisë.

Kosova nuk prodhonte rrymë e Banka Botërore kërcënonte se do të tërhiqej nga çdo lloj investimi në sektorin e energjisë.

Kjo ishte gjendja që unë e kisha trashëguar me ta marrë detyrën e Kryeministrit.

Duke qenë se situata ishte e rëndë e Kosova po hynte në dimër, pata kaluar javë të tëra në KEK e me banorët e zonës, në kërkim të një zgjidhjeje.

Në një raport të Bankës Botërore thuhej se nëse Kosova nuk do të bënte një zgjidhje të shpejtë do të detyrohej të paguante mbi 150 milionë euro për blerje të energjisë, ndërkaq parallogaria e shpronësimit ishte 20 milionë.

Kështu duke analizuar përfitimet e rreziqet, vendimi im i parë si Kryeministër ishte që të shpronësoheshin banorët, që KEK-u të rikthehej në prodhim me mbi 900 megavatë, që të mos shtrenjtohej rryma dhe që Kosova t’i shpëtonte rreth 150 milionë euro.

Duke e parë se situata elektro-energjetike edhe sot është e rëndë dhe mund të shkojë drejt kolapsit total, i pata kërkuar kryeministrit: që ministrat e tij të kalojnë më shumë orë pune në KEK, që të “mërdhijnë” duke kërkuar zgjidhje; që ta rishikojë projektin e Kosovës së Re; që ta rishikojë projektin e gazsjellësit Shkup-Prishtinë; që të bëjnë marrëveshje për blerje të energjisë sa nuk është bërë tepër vonë…

Por nga gjithë këto e masa të tjera emergjente e afatgjate për përballjen e kolapsit të mundshëm energjetik, ai e ministrat e tij kanë vendosur që të navigojnë në internet dhe të gjejnë modele të kursimit të energjisë, e t’ia kalojnë popullit për t’i lexuar.

Dhe natyrisht të mos harrojnë të na thonë se “Ky dimër do të jetë i rëndë”!

Plaga energjetike e Kosovës, që kullon, nuk shërohet me këshilla nga interneti, por me vendime të mëdha të Kryeministrit.

Luaj nga vendi Albin Kurti, mos u tut!

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 tetor 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raporti me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Byroja Kosovare e Sigurimit shënon 11 vjetorin e themelimit. (Hotel Venus, ora 9:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe UNDP Kosova do të organizojnë  fillimi e fushatës për ndërgjegjësimin e publikut  “Festo me zemër, jo me armë” që synon ngritjen e vetëdijes për rrezikun e posedimit dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KEK-ut, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Oda Amerikane po organizon tryezën e rrumbullakët me titullin "Ndërtimi i partneritetit për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve në Kosovë", për të diskutuar lidhur me këtë temë dhe sfidat e tjera në fushën e kujdesit shëndetësor, me ekspertë eminentë nga Kroacia. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës interviston Jeton Mehmetin Kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Avokati i Popullit organizon dëgjime publike përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ora 10:00)

- Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të mbajë konferencë për media me temë 'Masat për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët'. (Ministria e Ekonomisë, salla e takimeve, ora 11:00)

- Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës raporton para Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal lidhur me punën 6 mujore të vitit 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 12:00)

- Me rastin e vdekjes së ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Deli Lekaj, Komuna e Deçanit organizon mbledhjen komemorative. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 13:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KOSTT-it, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:00)