29 Mars 2024

E vërteta për Aeroportin dhe drejtësia e Christofer Dell

Shkruar nga Organizata ÇOHU!

 

Ditën e drejtësisë në Kosovë, më 16 janar, ambasadori Christofer Dell, pati një fjalim shumë shpresdhënës për drejtësinë në Kosovë. Fjalimi ishte i hapur, direkt dhe prekte esencën e drejtësisë, që ishte ndërhyrja e politikës në punët e saj. Prej 16 janarit shumë gjëra kanë ndryshuar, por akoma nuk kemi siguri se drejtësia në Kosovë do të funksionojë pa u ndikuar nga politika.
 
Ditën e martë, pra dje, ambasadori Dell bëri një tjetër paraqitje direkte dhe të fortë por që aspak nuk shkon në favor të asaj për çka u angazhua më 16 janar. Zoti Dell me një shkrim të tij në lidhje me koncesionimin e Aeroportit të Prishtinës befasoi shumkë për një qasje tërësisht të njëanshme. Në këtë shkrim ai ka konstatuar se procesi i koncesionimit të ka qenë i rregullt dhe për këtë ka dhënë garancën e këshilltarëve strategjik që Ambasada Amerikane ia ofroi qeverisë.
 
Mbas procesit të koncesionimit ka pasur ankesa nga ofertues tjerë dhe akuza se ka pasur manipulime. Në situata të këtilla palët duhet të jenë të barabarta dhe pretendimi i një ofertuesi në koncesionin e Aeroportit të Prishtinës duhet të trajtohet simbas rregullave të lojës. Është e qartë se një përgjigjje për ktë mund ta japë vetëm drejtësia. Mirëpo reagimi i zotit Dell ka ardhur pa e pritur drejtësinë ta thotë fjalën e vet. Pra zoti Dell ka bërë një ndërhyrje në procesin e debatimit dhe shqyrtimit të ankesave të një pale. Në një konferencë për shtyp Organizata ÇOHU! ka nxjerrë argumentat e veta në lidhje me këtë koncesionim dhe problemi kryesor është se me rastin e hapjes së ofertave publikut kosovar nuk i është bërë e ditur përmbajtja e tyre. Pra, nuk ka pasur transparencë dhe nëse mungon transparenca është e drejt e secilit të hedh dyshime mbi mbarvajtjen e procesit.
 
Të njejten ditë gazetat kosovare që nuk janë nën ndikimin e qeverisë kanë qenë të mbushura me raporte mbi profilin e kompanive që kanë fituar në koncesionim, ku zyrtarë të këtyre kompanive dalin se kanë pasur probleme serioze me ligjin dhe involvim në korrupsion. Ditëve të fundit shoqëria kosovare është futur në një debat shumë të rëndësishëm në lidhje me mbisundimin e ligjit. Praktika e qasjes së njëanshme të hetimit të zyrtarëve vendor por mbylljen e syve kur ata janë të huaj është edhe një qasje tjetër e dëmshme për drejtësinë kosovare duke qenë se çelësi i një drejtësie të besueshme për çka është angazhuar zoti Dell më 16 janar është pa-anshmëria.
 
Marrë para sysh sentimentin e fortë pro-amerikan që kemi ne kosovarët është e qartë se një shkrim i Ambasadorit Dell ka një peshë specifike më të madhe. Kjo do të thotë se deklarata e tij ndryshon qenësisht rrjedhën e debatit rreth proceseve të rendësishme ekonomike të vendit. Shoqëria kosovare do duhej të lehej e pavarur në ballafaqimin në debate të tilla të rëndësishme, të cilat më shumë sesa në lidhje me një koncesion e kanë rëndësinë në krijimin e një shoqërije të hapur ku njerëzit hapur dhe pa arbitrim të huaj debtojnë mbi  çshtje të një rëndësie të madhe publike.
 
Në një fjalim tjetër zoti Dell ka thënë se drejtësia nuk mund të arrihet nëpërmjet linçimit të zyrtarëve. Semantikisht kjo deklaratë është shumë korrekte, por duke e pasur para sysh kontekstin në të cilën është thënë kjo ka qenë poashtu ndikim në proceset që po zhvillohen nga ana e EULEX-it. Ne kemi qenë dëshmitarë të një debati të rëndësishëm në shoqërinë kosovare mbi aksionet e policisë së EULEX-it me bazë dyshimet për korrupsion. Zyrtarët e lartë, përfshier këtu edhe kryeministrin Thaçi si dhe mediat nën tutolën e qeverisë kanë përdorur pikërisht fjalën “linçim” duke bërë një ndërhyrje direkte në punën e policisë kriminale dhe potencialisht në punën e prokurorisë dhe gjykatave. Kjo fjali e zotit Dell ka qenë një tjetër ndërhyrje duke qenë se në kuptimin e debatit që qe hapur mbi punën e EULEX-it ka prekur pikërisht një sens që qeveria e ka rrahur shumë në përpjekjet e saj për të shpallur aksionet e EULEX-it një ndërhyrje për të cënuar integritetin e institucioneve të Kosovës.
 
Për tu kthyer tek koncesionimi i Aeroportit të Prishtinës. Pa marrë para sysh sa të vlefshme kanë qenë konsulencat e ofruara nga ana e Ambasadës Amerikane, procesi si i tillë ka qenë i supozuar të jetë i institucioneve të Kosovës, gjegjësisht komiteteve gjegjëse. Mbrojtjen e këtij procesi do duhej pritur pikërisht nga institucionet e Kosovës, gjegjësisht nga kryeministri Thaçi dhe edhe në këtë kuptim ndërhyrja e zotit Dell ka qenë paradoksale dhe me një pasojë për kapacitetin e institucioneve të Kosovës për të marrë vetë përgjegjësinë mbi procese të tilla të rëndësishme.
 
Sa i përket kontratës për koncesionimin e Aeroportit të Prishtinës në një konferencë për shtyp të Organizatës ÇOHU! janë dhënë argumenta të cilat nuk janë hedhur në dyshim si të tilla nga askush deri sot.  Argumenti kryesor ka qenë fakti se koncesionuesi ka paguar zero euro për marrjen e një kompanije kaq të rëndësishme siç është Aeroporti i Prishtinës. Zoti Dell ka përmendur investimin që koncesionuesi do bëjë në ndërtimin e një terminali, një kulle të re dhe të një parkingu. Aeroporti është kompani fitimprurëse dhe marrë para sysh afatin e realizimit të këtyre investimeve del se ato do të mbulohen me para nga fitimet e Aeroportit. Në anën tjetër, zyrtarë qeveritar kanë rrahur gjoks se kanë arritur ta kenë një kuotë prej 25% të fitimeve nga Aeroporti. Kjo është paradoksale sepse këtu bëhet fjalë për 25% të parave të veta, pra të fitimeve që deri dje qeveria i kishte 100%.
 
Poashtu është rrahur shumë gjoks se Qeveria ka arritur të fitojë kushtin e moslargimit të punëtorëve nga Aeroporti. Qinrda punëtorë në kompanitë publike janë punësuar që prej ardhjes në pushtet të PDK-së dhe ka pasur edhe informata nga vetë menaxherët e kompanive publike se këta punëtorë janë dërguar me listat e Bordeve të këtyre kompanive, të cilat siç e dijmë janë tërësisht politike.
 
Shkrimi i juaj zoti Dell është paraqitur në mënyrë të njëanshme në një pjesë të medias kosovare, duke treguar qartë se media i përgjigjet autoritetit tuaj. Ka pasur media që nuk kanë nxjerrë fare argumentat tonë dhe të kritikëve tjerë të koncesionimit të Aeroportit, por i kanë dhënë hapësirën kryesore shkrimit tuaj. Kjo besoj se nuk do duhej t’ju bënte të ndjehenit mirë. Disa nga këto media na kanë akuzuar neve direkt si OJQ se po e bëjmë ekspertin e finansave, por nuk kanë hedhur fare dyshim në kompetencën tuaj dhe në një debat të tillë natyrisht se do duhej të flisnin argumentat e jo pozicioni që ka një individ apo grup. Ne edhe mund ta bëjmë ekspertin e proceseve të koncesionimit dhe privatizimit sepse kemi vite që merremi me këtë problematikë. Mirëpo, do doja me këtë rast t’iu thosha këtyre mediave të ndikuara nga autoriteti juaj zotit Dell se nuk do ekspert për të kuptuar se Aeroporti i Prishtinës është falur. Siç e tham edhe më herët koncesionuesi nuk do paguaj asgjë për marrjen e Aeroportit, kurse investimet do bëhen kryekëput nga fitimet e Aeroportit. Kjo nuk është e vështirë për tu kuptuar.
 
Në fund zoti Ambasador, dua ta sjell edhe një argument në këtë kontekst dhe që argumenton se ndërhyrjet në politikat e qeverisë nga “konsulentë” potencialisht do ta dëmtojnë ekonominë e Kosovës. Në një strategji të refuzuar nga Kuvendi i Kosovës, Kosova B është përfshier në projektin Kosova e Re. Vetëm pak kohë më parë “konsulentë” ndërkombëtar kanë bërë evaluimin e Kosovës B, e cila sipas ekspertëve që punojnë në këtë termocentral është renovuar në masën prej 90%. Sot e kësaj dite flitet për një kuotë prej 15% të pjesëmarrjes së publikut në projektin Kosova e Re në ndërkohë që për gati një dekadë Kosova B do të jetë prodhuesi kryesor i energjisë në këtë projekt. Është disi si paradoksale që USAID të ketë ekspertët që evaluojnë Kosovën B dhe të njejtit të jenë ata që simbas Komisionit për Ekonomi të Kuvendit të Kosovës të “insistojnë” në përfshierjen në strategjinë e Kuvendit të Kosovës B në projektin Kosova e Re edhe pse i njejti propozim ishte refuzuar vetëm disa javë më parë.
 
Zoti Ambasador, ne nuk jemi cinik, ashtu siç keni thënë ju në një intervistë. Ne as nuk kemi dyshim në përkushtimin e shtetit për mbisundimin e ligjit. Ne kemi nxjerrë dhe nxjerrim dyshime për përkushtimin e zyrtarëve që janë nën hetime për korrupsion për mbisundimin e ligjit. Ju e keni thënë edhe vetë më 16 maj se korrupsioni në nivele të larta duhet të luftohet dhe krejt çka themi është se nuk do duhej që zyrtarëve mbrapa të cilëve ka dyshime serioze për korrupsion t’iu lehet mundësia të nënshkruajn kontrata kaq të rëndësishme si ajo për koncesionimin e Aeroportit të Prishtinës. Natyrisht nuk duhet paragjykuar punën e hetuesisë për korrupsion në nivele të larta qeverisëse. Mirëpo, në kohën kur në mënyrë spektakolare kemi kontrollë të policisë hetuese pikërisht ndaj ministrive që janë të përfshiera në koncesionimin e Aeroportit të Prishtinës dhe në privatizimin e PTK-së, ne si qytetarë kosovar kemi të drejt të bëjmë pyetjen, pse po nguten proceset e koncesionimit dhe privatizimit pa u kryer puna e drejtësisë.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)