18 Nëntor 2018

Diyanet, makineria Islamike e Erdoganit Në Ballkan

Shkruar nga Alon Ben-Meir dhe Arbana Xharra

Tabela me fotografinë e një xhamie me katër minare të stilit Osman dhe me flamurin e Turqisë është vendosur në një lokacion të rëndësishëm në qendër të Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës. Me më pak se 2 milionë banorë, Kosova e cila shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, është vend me mbi 800 xhami. Bashkësia Islame e Kosovës, tash po ndërton “Xhaminë e Madhe” me një kosto prej 35-40 milionë dollarë.

Drejtoria e Çështjeve Fetare e Turqisë (Diyanet), është financuese e këtij projekti, e cila gjithashtu ka mbështetur ndërtimin e një xhamie të ngjashme në një hapësirë prej 10.000 metra katror në rrugën Xhorxh W. Bush në Tiranë, xhami kjo më e madhja në Ballkan, sikurse ka ndërtuar edhe dhjetëra xhami të tjera nëpër vendet fqinje.

Presidenti i Turqisë, Erdogan ka vënë në funksion dy organizata shtetërore, Diyanet dhe Agjencinë Turke për Zhvillim (TIKA), si makineri shtetërore përmes të cilave Turqia po investon në Ballkan që të rrisë ideologjine islamiste.

Diyanet është institucioni zyrtar shtetëror, roli i së cilës është të, “ekzekutojë veprat në lidhje me besimet, adhurimin dhe etikën e Islamit, të ndriçojë publikun për fenë e tyre dhe të administrojë vendet e shenjta të adhurimit”. Diyanet gjithashtu është përgjegjëse për çështjet fetare të diasporës turke. Vetëm në Gjermani, administron mbi 970 xhami me imam të trajnuar nga kjo organizatë.

Austria ishte vendi i parë që e kuptojë se xhamitë e ndërtuara me paratë e Erdoganit përdoren për qëllime politike dhe për të promovuar axhendën e tij islamike. Në qershor 2018, kancelari Sebastian Kurz, urdhëroi mbylljen e shtatë xhamive të ndërtuara nga Diyanet dhe deportoi 60 imamë dhe familjet e tyre si pjesë e ‘luftës kundër islamit politik’.

Në shkurt të vitit 2016, në Gjermani u zbulua se klerikët nga organizata Diyanet ishin përfshirë në spiunazh kundër ndjekësve të Gylenit. Dy vjet më parë, “Cumhuriyet”, gazetë e pavarur turke, raportoi se Diyanet ishte shumë aktive në mbledhjen e inteligjencës, veçanërisht në aktivitetet e simpatizantëve të Gylenit në 38 vende të Evropës, përfshirë Gjermaninë dhe Ballkanin. Akuzat për spiunazh nga organizata kanë ekzistuar që nga vitet 1990, por këto zbulime vunë në dukje një operacion shumë më të gjerë se sa që ishin menduar më parë.

Ndërkohë, Diyanet ka zgjeruar programin e saj fetar në vendet që e konsiderojnë rikthim të ndikimit osman duke ndërtuar kështu mbi 100 xhami jashtë Turqisë.

Presidenti i Diyanet Ali Erbaş, e ka konfirmuar se kanë marrëdhënie jashtëzakonisht të forta me vendet e Ballkanit duke nënvizuar se bashkëpunim i tyre do të vazhdojë edhe në të ardhmen, veçanërisht në lidhje me edukimin, shërbimet dhe botimet fetare. Ai ka theksuar rëndësinë e ndikimit tëTurqisë në Ballkan. “Ballkani ka një vend të veçantë për ne. Lidhjet tona historike do të vazhdojnë siç kanë qenë në të kaluarën. “

Ironikisht, ndërsa pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit vuajnë nga papunësia, mungesa e investimeve të huaja dhe varfëria, investimet e Erdoganit janë të përqendruara në xhami dhe institucione fetare në një kohë kur niveli i papunësisë vetëm në Kosovë është 30%.

Lulzim Peci, ish ambasador i Kosovës në Suedi dhe Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), është një nga zërat më kritikë në Kosovë kundër skemës politike islamike të Erdoganit. Ai thotë se xhamitë për Erdoganin nuk janë vetëm faltore, por instrument politik për të shtyer axhenten e tij islamiste. “Në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë, ndërtimi i xhamive dhjetëra milionëshe ka të bëjë edhe me simboliken e ‘supermacisë’ turke në aspektin e ndikimit jo vetëm fetar por edhe politik”, thotë Peci.

Investimet e mëdha të Erdoganit në simbolizmin osman janë të dizajnuara për të ndikuar në mentalitetin e popullatës në Kosovë dhe për të rritur ndjenjat pro-turko-islamiste në gjeneratat e tanishme dhe të ardhshm.

Ideologjia islamike që promovon Diyanet shkaktoi indinjatë të përhapur edhe në Turqi. Diyanet deklaroi se vajzat mund të mbesin shtatzënë e të martohen në moshën 9 vjeç dhe djemtë të martohen në moshën 12 vjeçare.

Kështu, shqetësimet mbi aktivitetet e Diyanet nuk kufizohen vetëm në ndërtimin e xhamive, por ndikimi i tij kulturor dhe shoqëror i bazuar në islamin radikal.

Një ditë pas grusht shtetit të dështuar në Turqi, turma të shqiptarëve dhe boshnjakëve në Maqedoni, Bosnje, Shqipëri dhe Kosovë demonstruan në mbështetje të Erdoganit dhe qeverisë së tij. “Ai në mënyrë të qartë vizualizoi potencialin dhe mekanizmat që ka në Ballkan dhe Diasporën, të cilin e kapitalizon dhe e përdor sa herë që dëshiron”,thotë Xhemal Ahmeti, historian dhe ekspert për çështjet e Evropës Juglindore.

“Për fat të keq, xhamitë shqiptare në këtë mënyrë konfirmojnë tezën e islamistës zviceranë, Saida Keller-Messahli, në librin e saj, ‘Islamic Centrifuge in Switzerland’, ku thotë se xhamitë shqiptare janë qendra radikale që i shërbejnë axhendes islamike për radikalizimin e myslimanëve shqiptarë në favor të politkës së Erdoganit “, thotë Ahmeti.

Visar Duriqi, gazetar i Kosovës i specializuar në çështjet fetare, thotë se projekti për ndërtimin e xhamisë me fonde turke dërgon një mesazh të qartë politik nga Erdogan për kontroll që ai ka mbi këtë rajon. “Kosova është një vend që nuk ka nevojë për më shumë ndërtesa fetare”, ka thënë Duriqi. Xhamitë po përdoren gjithnjë e më shumë për të përhapur ideologjitë politike.

“Nuk është më çështje nëse këto objekte janë të nevojshme, sepse qëllimi është të ndërtojnë sa më shumë objekte të tillq që të jetë e mundur për të forcuar influencën politike nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Turqisë së Erdoganit”, thotë Xhelal Neziri, një gazetar me përvojë nga Maqedonia.

Ai thotë se në vendet me popullsi shumicë krishtere në Ballkan, si Serbi, Maqedoni dhe Kroacia, Turqia po investon në projekte të mëdha zhvillimi, ndërsa në Shqipëri dhe Kosovë investimet drejtohen kryesisht në ndërtimin e objekteve fetare islamike. “Është treguar se ndikimi më i fuqishëm dhe i qëndrueshëm në këtë rajon, veçanërisht në mesin e shqiptarëve, bëhet pikërisht nëpërmjet instrumentalizimit të fesë”, thotë Neziri.

Ballkanasit duhet ta kenë të qartë se kushdo që ndjek sado aspak ambicjet e Erdoganit në nuk mund t’i shpëtojë përfundimit se udhëheqësi turk kishte një axhendë të veçantë dhe të artikuluar të Islamit, të cilën ai është i vendosur të ngulit në psiqikën e popullit të Evropës Juglindore, duke ndërtuar xhami dhe emëruar imamë që ndjekin doktrinën e tij. Është pjesë përbërëse e vizionit të Erdoganit për të rivendosur elementët e Perandorisë Osmane nën udhëheqjen e tij.

Erdogan vetë dhe shumë zyrtarë të tjerë turq kanë folur hapur për ëndrrën e tyre që deri në vitin 2023, në përvjetorin e njëqind të Turqisë moderne, vendi do të gëzojë aq ndikim që dikur kishte gëzuar nga osmanët. Kështu që Erdogani e përdorë Diyanet si një nga automjetet e tij kryesore për këtë qëllim.

Për shtetet e Ballkanit, kjo me siguri do të shndërrohet në ankth, nëse nuk e pengojnë Erdoganin të ua “shfarosë” identitetin e tyre në emër të Allahut, duke e ulur Islamin në shërbim të komplotit të tij afatgjatë kërcënues.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 nëntor 2018

- Për nder të Ditës Botërore për Përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor bëhët ndezja e qirinjve në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor. Teatri Kombëtar, ora 18:00)