28 Mars 2024

Diskriminim në punësim nga shteti

Shkruar nga Lulzim A. Beqiri


Neni 5 i ligjit të punës përcakton qartë se diskriminimi është i ndaluar në punësim dhe profesion, lidhur me rekrutimin në punësim, trajnimin, promovimin e punësimit, kushtet e punësimit, masat disiplinore, ndërprerjen e kontratës së punës ose çështjeve të tjera nga marrëdhënia e punës të rregulluara me këtë ligj dhe me ligjet e tjera në fuqi, mirëpo në realitet ky ligj është i mirë vetëm kur rri në raftet e Qeverisë dhe të ministrive përkatëse.

Sipas Institutit Kosovar për Media dhe Politika, sfida më e madhe me të cilën do të përballet Kosova në vitet e ardhshme, ka të bëjë me parimin e barazisë. Diskriminimi në tregun e punës në shoqërinë kosovare është aq i përhapur dhe dinamik, sa që nuk ka kohë për pritje nevojiten masa urgjente për ta ndalur atë.

Ndonëse nuk ka pasur vullnet politik për të luftuar këtë problem, Qeveria e Kosovës duhet të kuptoj rëndësinë e parimit të mundësive të barabarta si parakusht për drejtësi sociale dhe ekonomi të zhvilluar, dhe të hartojë kornizën ligjore për adoptimin e masave që e luftojnë diskriminimin në bazë të bindjeve politike, gjinisë, moshës dhe aftësive të kufizuara.

Nuk ka konkurs publik në Kosovë që hapet dhe nuk aplikojnë një numër i konsiderueshëm kandidatesh, dhe për atë vend pune veç është duke punuar dikush, thjesht kurdisje e çdo konkursi.

Raporti i Progresit  për vitin 2018 ka dhënë vërejtje serioze lidhur me politizimin e vazhdueshëm të administratës publike, pra nepotizmi ndikon negativisht në efikasitetin dhe pavarësinë profesionale të administratës publike.

Ryshfeti, lidhjet familjare, lidhjet partiake sipas UNDP-së janë faktori kyç për të siguruar një vend pune në sektorin publik, ky fenomen e ka përcjellë Kosovën që nga paslufta e këtej, asnjë Qeveri nuk e ka luftuar këtë të keqe, andaj edhe ka marr përmasa shqetësuese një praktikë e tillë.

Në vitin 2017 ATK-ja kishte shpallë konkurs pune për inspektor tatimor, në atë konkurs kishin konkuruar mbi 2000 punëkërkues dhe për kuriozitet ishin pranuar 30 zyrtar, shumica dominante e tyre pa i plotësuar kriteret, madje pa kaluar as testet elementare, pa diplomë Universiteti, pa përvoj pune, thjesht anëtar të partisë politike që kishte pushtetin në vitin 2017, për fat të mirë ky konkurs u anulua dhe u shkoj dëm ryshfeti që kishin marrë.

Gjithashtu ditë më parë Ministria e Punëve të jashtme kishte shpallur konkurs për disa pozita në këtë ministri, si gjithherë i kurdisur, në atë konkurs u pranua zyrtari i cili veçse  kishte një vit që kishte filluar punën, pra një maltretim për garuesit tjerë, me këtë rast edhe kanë shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës, lidhur me barazinë dhe mosdiskriminimin.

Papunësia është një barrë e madhe për të gjithë qytetarët në këtë vend të dalë nga një luftë e përgjakshme, duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik.  Siç dihet, ky fenomen shkakton shumë dëme të mëdha, si në aspektin ekonomik, shoqëror, social e politik.
Mbetet sfidë e madhe për institucionet e Republikës së Kosovës dhe mekanizmat që kanë qasje në përmirësimin e kësaj dukurie, që e ka kapluar shoqërinë kosovare, posaçërisht rininë e saj, e cila përbën më shumë se 50% të fuqisë punëtore. 

Rritja e madhe e papunësisë mund të shërbejë si shtrat i ngrohtë për zhvillimin e dukurive negative të dëmshme për shoqërinë në përgjithësi, e posaçërisht për rininë, e cila në Kosovë është jashtëzakonisht në moshë të re. Këto dukuri mund të jenë: kriminaliteti, vjedhjet, plaçkitjet, zhvillimi i ekonomisë ilegale, droga, huliganizmi etj.  Për të siguruar ekzistencën e vet dhe të anëtarëve të familjes, të papunët janë të prirë të bëjnë punë të liga dhe të dëmshme që shkojnë në dëm të shoqërisë në përgjithësi. Mund të konstatojmë se papunësia e madhe paraqet një problem mjaft kompleks dhe të ndërlikuar ekonomiko-shoqëror dhe social, për çka duhet edhe  qasje komplekse për zgjedhjen e këtij problemi.

Janë qindra mijëra konkurse të kurdisura, punësojnë dajallarë, nipa, mbesa, kushërinj, tezakë, por ama shumica  pa meritë, thjesht ky fenomen ka shtri rrënje, nuk ke mundësi me u punësua në Kosovë nëse nuk ke dikë, apo nuk jep para, nuk ka institucion në vend që nuk është prek nga ky fenomen çoroditës.






 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)