29 Mars 2024

Çka pas aprovimit të ligjit të ri për trajtimin e ndërtimeve pa leje

Shkruar nga arch. Ylber Vokshi-Ylli

Një nga parimet kryesor në funksionimin e një shteti juridik në fushën e ndërtimit, është mos lejimi i ndërtimeve informate apo pa leje në tërë territorin e vendit, dhe respektimi i rregullativës ligjore që u mbulon këtë fushë.

Është një e vërtetë e hidhur që ne në Kosovë ende ligjërisht nuk e kemi trajtuar problematikën e ndërtimeve pa leje, edhe se kemi afro një-gjysmë milioni ndërtimesh të tilla që janë lejuar në afro dy dekadat e para të shekullit të ri 21.

Pas19 vite prapë në Kuvendin e Kosovës do të aprovohet një ligj i ri i radhës,për trajtimin e ndërtimeve pa leje, i cili në formën dhe përmbajtjen e propozuar, skajshmërisht do të dëmton tërë procesin normal të ndërtimit i cili vështirë mundet të stabilizohet pas “shpërblimeve “ që do të iu ofrohen të gjithë atyre që këto vite u lejuan të ndërtojnë pa leje në të gjitha sferat e jetës,nga banimi deri te rekreacioni. 

A janë  të vetëdijshëm vendimmarrësit tanë se me këso veprime-legalizime, po e shkelin në mënyrë drastike Konventën Evropiane e të Drejtave të Njeriut, që është një traktat i cili konsiderohet si rregullues i rendit publik evropian.

Nëse aprovohet ky ligj,pritet që vendimet e gjykatës së Strasburgut në favor të pronarëve kosovarë pas ankesave të tyre,të paraqesin një kërcënim serioz për Kosovën,me kompensime milionëshe nga arka e shtetit. Apo janë të  udhëhequr me thënien - maksimen e Luigjit XV-të “Pas meje kiameti”.

Çështja pronësore deshëm ne apo nuk deshëm duhet të jetë e trajtuar dhe zgjidhur sipas Konventave ndërkombëtare, që në rastin e propozim ligjit për ndërtimet pa leje nuk është bërë. Ne duhemi me iu përmbajtur Konventës Evropiane e të Drejtave të Njeriut edhe se nuk jemi për momentin anëtar fuqiplotë të Këshillit të Evropës.

Si është e mundur të mos respektohet e drejta e pronës – tokës në ato raste kur tentohet – lejohet të legalizohen edhe ato ndërtime pa leje në prona të huaja, si neni 10 – “Lista e pritjes” e cila sipas nenit 21 pika 4, citoi: “Afatet nga ky nen nuk zbatohen për programe për trajtimin e ndërtimeve në “Listën e Pritjes” d.m.th. PAFUNDËSISHT, që i privon pronarët legjitim të pronës, pasi atyre që kanë ndërtuar pa leje nuk iu ngutet të zgjidhim këto konteste, e ky propozim ligj iu lejon këtë.

Këto ditë na ofrohet një propozim ligj i ri i radhës i cili në thelb është i njëjtë me të kaluarin (2016), për të cilin ne dy vazhdime kamë dhënë vlerësimin dhe analizën me 24 shtator 2016 me titull “Lista e pritjes “ zbulim i ri” i Qeverisë së Kosovës”. Do të ishte përsëritje e të gjitha konstatimeve që janë theksuar në atë analizë.

Me këtë propozim ligj kemi disa ndryshime kozmetike. Pos çmimit simbolik të taksave të legalizimit,qëllimi i “Listës së pritjes “, mos definimi i përmbajtjes së dokumenteve që duhet plotësuar për legalizim e shumë çështje tjera që duhet zbatuar.

Propozim ligji i ri ofron disa lehtësira në çmimet e taksave të cilat janë jo serioze, dhe një propozim “fantastik” të shprehur në nenin 20 pika 11 citoi: “Me vendim të Kuvendit Komunal komunat mund të caktojnë taksa që janë më të ulëta se taksat e caktuara me këtë nen ose të lirojnë kategori të tjera nga pagesa.” Që së bashku me “Listën e pritjes” tregojnë një tendencë të pa kuptimtë për një shoqëri, që të shpërblej të gjithë ata që kanë ndërtuar pa leje në shekullin e ri.

Pas 19 vite anarki ndërtimi mundësohet që pa pagesë të legalizohen ndërtimet pa leje. Ku është interes i shtetit për të vepruar kështu,pos interesave të grupacioneve të ndryshme që në këtë mënyrë do ta detyronin tërë shoqërinë në konflikt të hapur ndërqytetor, kurse pasojat e ndryshme morale dhe materiale do ti paguajnë të gjithë banorët e Kosovës.

Ka shumë çështje të pa pranueshme në këtë propozim ligj, si për shembull neni 7 pika 2.1 citoi : “Nëse investitori nuk e kërkon legalizimin, një apo më shumë pronarë të ndërtimit pa leje mund të kërkojnë legalizimin në emër të ndërtesës. ” Na tregoni cili investitor, nëse nuk detyrohet, do të kërkoi legalizim ?  Sa lehtë lirohet apo amnistohet nga obligimet ligjore ai që ka ndërtuar pa leje objekte të përbashkëta.

Në nenin 19 pika 3  theksohet se certifikata e legalizimit është e baras-vlefshme me certifikatën e përdorimit,duhet pasur kujdes shumë pasi kemi raste të shumta ku objektet publike janë ndërtuar fare pa llogari statike, me hapësira deri në 30 metra,që paraqet rrezik permanent për mysafirët në ahengje ndryshme,e këso raste ka shumë në tërë Kosovën.

E kamë theksuar disa herë se nuk zgjidhet kjo problematikë me një ligj të ri pasi i kaluari dështoi. Kjo problematikë është shumë ma komplekse, duhet analizuar dhe ri-shqyrtuar shkaqet përse u injoruar ligji aktual nga ata që kishin ndërtuar pa leje,përse numri i atyre që aplikuan për legalizim ishte simbolik,vetëm 2493 veta ma pak se 1%,nga numri i përgjithshëm i të paraqiturve në 28 komuna që është zyrtarisht 352 836 raste.

Në thelb është mos gatishmëria e vendimmarrësve tonë me e zbatuar ligjin,blerja e kohës deri sa të “harrohet” kjo çështje dhe të jetësohet në praktikë ky realitet që vetë e kanë lejuar,është qëllimi përfundimtar i tyre.

Se si është keqpërdorur procesi i ndërtimeve me leje e pa leje tregon rasti i Shipitullës dhe Hades ku janë lejuar shumë ndërtime pa leje, në tokën që është ditur se duhet shpronësuar, pasi aty gjenden rezervat e mëdha të thëngjillit, e shpallur “ Zonë me Interes të Veçantë Ekonomik” që në vitin 2004, kurse Qeveria aktuale është “detyruar” ti vlerëson dhe do ti paguan edhe ato ndërtime që në shumtën e rasteve i kanë ndërtuar pa leje për përftime klienteliste milionëshe.

Kjo formë e punës-pagesave anti-ligjore e përjetëson një formë të re të punës edhe në rastet tjera të trajtimi të ndërtimeve pa leje në tërë Kosovën, në rastet kur janë të domosdoshme shpronësimet e pronave,apo largimet e objekteve pa leje,në rastet e rehabilitimeve të domosdoshme urbane etj.

Prapë nuk kishte debate publike të shqyrtimit të tij së pari me ekspert, ashtu si kishte ndodhur në vitin 2013-2014,kur u miratua ligji i kaluar për trajtimin e nderimeve pa leje nr. 04 / L - 188,e që u treguar tërësisht i pa zbatueshëm.

Më duhet ta përsëris atë që e kamë bërë me vite në këto dy dekada,duke përsëritur se disa metoda të legalizimeve janë treguar efektive në botë në kohëra të ndryshme,ato u anashkaluan me qellim në rastin tonë,përse nuk u bënë hulumtime ma detale për të përfituar nga ato eksperienca.

Janë të domosdoshme ndryshimet dhe plotësimet e propozim ligjit nga ana  Komisionit  Parlamentar për Bujqësi,Pylltari dhe Planifikim Hapësinor dhe Delegatëve të Kuvendit të Kosovës,edhe se kam një dozë rezerve që as kjo formë ligjore nuk do të zbatohet, pasi deri me tani as që ka pasur interesim të madh  për një gjë të tillë.

Në fund dua të apeloi te të gjithë ata cilët do ta aprovojnë ketë ligj përfundimisht,me pasojat që do të rrjedhin nga ai nëse aprovohet,e që do të ndikojnë direkt në ecurit e ardhshme në fushën e ndërtimit në Kosovë. 

Trajtimi i keti kanceri në indin urban të qyteteve dhe vendbanimeve tona, kërkon qasje tërësisht ndryshe që të mos na përsëriten në të ardhmen këso deformime urbane,që në rastin e propozim ligjit për ndërtimet pa leje nuk është bërë.

Si mendohet të funksionoi kjo shoqëri në të ardhmen me këso qasje selektive në zgjidhjen e problemeve fundamentale në fushën ndërtimi,që i ka krijuar vet estabilshmenti politik në shekullin e ri 21.

Ky propozim ligj i ri për ndërtimeve pa leje në leximin e parë kaloi në Kuvendin e Kosovës (25 janar 2018) e si duket do të kaloi përfundimisht, pasi askush nuk po mendon për pasojat që do të pësojnë në të ardhmen.

Pas tërë kësaj maskarade, cilët banorë të Kosovës të cilët janë të interesuar të ndërtojnë, do ti nënshtrohen taksave zyrtare të ndërtimi të cilat janë shumëfish ma të mëdha se kjo që po iu ofrohet atyre që kanë ndërtuar pa leje këto vite (1 euro m2).

Me ketë ne vetëm po stimulojmë ndërtimet pa leje, të cilat ende po ndodhin dhe do të ndodhin edhe në të ardhmen, me fajin e atyre që janë kompetent ti ndalojnë.                                       

/Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës KPHK/



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)