19 Mars 2024

Cili është misioni i z. Delawie

Shkruar nga Gani Qarri

Ka kohë që në vendin amë, dëgjohet vetëm një zë, e ai është zëri kumbues i ambasadorit Donald Lu, i cili tanimë po bëhet i pranueshëm edhe për veshët e “shurdhër” që deri dje nuk donin ta dëgjonin nga pozita as opozita në Shqipëri.

Ky është kryediplomati i vetëm në Tiranë, që nuk ka hezituar asnjëherë të thotë atë që sheh dhe ndjenë, nuk ka hezituar ti thotë të zezës e zezë dhe të flas me gjuhën e arsyes e të fakteve, e jo të sillet sipas shijes së të fortëve në politikë dhe pushtet, pa u frikësuar se me fjalimet e tij të fuqishme antikrim, do ti irritojë kriminelët duke prekë direkt në interesat e tyre të paligjshme.

Madje ai nuk e pati bezdi asnjëherë që të përmend pareshtur emra kriminelësh të mëdhenj dhe bandash nga më të rrezikshmet në vend, duke ua përkujtuar shqiptarëve gati çdo ditë se në sistemet demokratike, secili pushtet dhe qeveri që nuk vepron në pajtim me interesat e vendit dhe qytetarëve të vet duhet të përmbyset nga populli sa më parë.

Ndaj dhe deklarimet kaq të guximshme e domethënëse të z. Donald Lu, përcillen me aq shumë vëmendje dhe kanë efekt gjithnjë e më të madh publik, jo vetëm në Shqipëri ku ai vepron, por edhe në Kosovë dhe kudo ka shqiptar.

Kështu, të paktën në shtetin amë, tanimë ka filluar të rritet edhe shpresa e banorëve se më në fund, edhe për ta do të ndodhë diçka e mirë dhe njëjtë si në krejt botën demokratike, të gjitha grupet kriminale dhe mafio-oligarkitë e pa fund, që tash e sa vite sundojnë me çdo gjë, do të përfundojnë atje ku e kanë vendin, dhe përfundimisht edhe në Shqipëri do të vendoset rendi dhe shteti ligjor.

Por përkundër të gjitha veprimeve të drejta e të guximshme të z.Donald Lu atje, tek ne në Kosovë, fatkeqësisht nuk ndodhë e njëjta gjë.

Madje, kryediplomati amerikan në Prishtinë, z. Delawie, megjithëse njerëzit edhe këtu, njëjtë apo ndoshta edhe më tepër se sa në shtetin amë, besimin më të madh e kanë në Amerikën dhe të gjitha shpresat kryesore i mbështesin tek SHBA, ai jo vetëm se asnjëherë nuk u deklarua hapur për parregullsitë dhe veprimet anti-ligjore e korruptive brenda Misionit Evropian EULEX, por nuk dha asnjë shenjë të vetme dhe sado të vogël, për inicimin e ndonjë veprimi qoftë edhe të vetëm, kundër krimit të organizuar dhe bandave të shumta korruptive në vend!

Ai nuk shprehu asnjëherë hapur vendosmërinë, se vërtetë e ka ndërmend të mos pajtohet me krimin e organizuar dhe nuk dha asnjë mesazh të qartë kundër pushtetarëve të inkriminuar dhe krerëve të partive politike këtu, që ato të spastrojnë radhët e veta nga çdo element i dyshimtë dhe të lidhur me krimin e organizuar si dhe ti largojnë të gjithë anëtarët e dënuar nga organet e drejtësisë.

Z. Delawie përpiqet më tepër të merret me pushtet politik dhe bëjë politikën në vend,se sa në realitet i takon dhe me apo pa vetëdije kalëron në fusha përtej kufijve të përcaktuara nga Shteti që përfaqëson, pa oratori misionari dhe sens diplomatik.

Madje, megjithëse askujt deri më tani nuk i është thënë as komunikuar publikisht se ai mund të jetë edhe ndonjë ekspert i përmbaruar për shënjime kufijsh e vendosje demarkacionesh ndërshtetrore. përkundër dallimeve të mëdha profesionale dhe obligimeve që ndryshojnë katërçipërisht nga puna e tij diplomatike, ai ngulmon pa asnjë drejtpeshim misionar, për imponimin me forcë të kufirit ende të pa ratifikuar as në Kuvend.

Z. Delawie, që kur ka ardhur këtu, për dallim nga ambasadori Donald Lu, ende nuk ka provuar të inicioi publikisht qoftë edhe një betejë të vetme kundër krimit të organizuar në vend.

Kjo dhemb aq më shumë, kur përditë e më tepër mbijnë fakte të reja dhe ngritën akuza të rënda se krimi dhe korrupsioni nuk qenka zhvilluar vetëm nga vendorët dhe brenda mesit tonë “arrogant”, por edhe më tepër dhe më-me të madhe se që është ditur e menduar, krimi e korrupsioni galopant qenka rritur e kultivuar pareshtur dhe atë në mënyrë hibride, pikërisht brenda vet të ashtuquajturit "Mision Evropian për Sundimin e Ligjit, si EULEX-i.

Për aq më keq, ky Mision as që paska punuar fare për të vënë rendin dhe ligjin në Kosovë, por më tepër se cilido institucion tjetër dhe i pa penguar nga askush, gjatë gjithë kohës paska vepruar për të kënaqë Serbinë, emëruar shqiptarët si kafshë, trajtuar ata si skllav, dënuar të akuzuarit pa fakte dhe prodhuar vazhdimisht pa-ligjësi, vetëm e vetëm për të vazhduar bisedimet e dëmshme për shqiptarët me Serbinë dhe kënaqur sa më shumë shtetin serb.

Si nuk u përmend asnjëherë nga ai, qoftë edhe një emër i njollosur nga krimi dhe paligjësit në Kosovë, njëjtë siç përmend pothuajse çdo ditë z.Donald Lu, emra e mbiemra dhe grupe të tëra njerëzish të inkriminuar në Shqipëri.

Si mund të ecë dhe zhvillohet procesi i spastrimit të politikës nga elementët e inkriminuar edhe në Kosovë , kur ju z.Delawie nuk tregoni ndonjë interesim të theksuar për këtë punë si përfaqësues i SHBA, por fokusoheni vetëm në Demarkacion.

Si mund të harroni kaq lehtë dhe shpejtë se politika e demokracisë së njohur amerikane, në vendin tonë përfaqësohet nga Ju?!

Këtu në Kosovë, njerëzit siç kanë besimin më të madh në Amerikën dhe shpresat kryesore i mbështesin tek ajo, pasi që është thënë e shkruar në vazhdimësi dhe cekë me mijëra herë se “korrupsioni dhe krimi i organizuar prej vitesh mbajnë lidhje të pashkëputura me pushtetarët kryesor dhe politikanët më të fuqishëm në vend, ata presin që përfundimisht Ju si ambasador i shtetit më të madh mik, ta thoni një fjalë edhe kundër tyre.

Pse, megjithëse qëndroni për disa vite në Kosovë, ju kurrë nuk vepruat si Donald Lu, dhe nuk ishit në gjendje të ngrinit zërin të paktën qoftë edhe një herë të vetme sipas shembullit të tij.

Edhe nëse nuk do të përmendnit emra të caktuar, të paktën të deklaronit se si përfaqësues i SHBA, jeni kundër çdo lloj krimi të organizuar dhe nuk mbështesni asnjë grup apo individ që rezulton i involvuar në korrupsion dhe mban lidhje me rrjetet kriminale si dhe mafio-oligarkët e shumtë në vend, për të trimëruar kështu edhe organet e drejtësisë vendore që të veprojnë më me guxim.

Siç duket, qytetarët e Kosovës tanimë i ke mbuluar me droje se mund ta përfundoni mandatin tuaj këtu edhe nëse ai do të zgjatë rrafsh 20 vjet, por të mos bëni as edhe një veprim të ngjashëm me z. Donald Lu.

Pra nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë asgjë në këtë drejtim, përkundër pritjes së banorëve të Kosovës që njëjtë si zoti Donald Lu, edhe ju të kërkoni nga pushteti dhe partitë politike që të nxjerrin nga radhët sa më parë, çdo pjesëtar dhe anëtar i cili ka apo ka pasur probleme me ligjin dhe drejtësinë, duke mos u pajtuar që cilido pushtetar, a lidership partiak, të sakrifikojë perspektivën dhe ardhmërinë e vendit dhe popullit të tij, për të shpëtuar prapanicën e vet.

Dhe për fund, ajo që ende mund të presin shqiptarët e zhgënjyer- nga ju, por tanimë më tepër nga dëshira se sa nga shpresat, sepse ato ua keni humbur fare, është që të paktën me mosveprimet, apo veprimet tuaja të ngathëta, të mos bini ndesh edhe me ligjin për dekriminalizim dhe moralin e politikës amerikane, e cila gjithmonë ka ushqyer shpresat më të mëdha për gjithë botën e shtypur dhe aq më tepër për shqiptarët.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)