20 Gusht 2019

Bishat dhe bishtat përzgjedhin tekstet shkollore

Shkruar nga Shukri Klinaku

Z. Ministër Shyqiri Bytyqi! Pse lejoni që bishat dhe bishtat të përzgjedhin tekstet shkollore

Kush janë bishat?

Nuk ka proces më të lënduar ligjërisht sesa procesi aktual i përzgjedhjes së teksteve shkollore, sepse nuk është respektuar as një rregullore, as një udhëzim administrativ, as një ligj.

Dhe nuk ka, as nuk mund të ketë proces më jo transparent, sepse as edhe një herë të vetme, as një organ kompetent për këtë proces nuk i është përgjigjur ndonjë pale, ndonjë ankese a kërkese; as një organ kompetent, as edhe një herë deri më tani - kur ju pretendoni se procesi është në fund - nuk ka dhënë rezultat publik, as shtëpive botuese mbi vlerësimin e dorëshkrimeve sipas standardeve dhe kurrikulës.

Pra, bishat janë ata që kanë shkelur çdo rregull në këtë proces dhe nuk denjojnë të flasin dhe të japin as ma të voglin shpjegim për procesin.

Kush janë bishtat?

Disa këshilltarë të juaj - që janë edhe anëtarë të "komisionit" përzgjedhës të teksteve shkollore, që nuk kanë guxim të publikojnë, as të nënshkruajnë rezultatin e vlerësimit të dorëshkrimeve.

Zoti ministër! Në vazhdim edhe një herë po i renditi faktet kryesore që tregojnë se procesi është jo ligjor dhe jo transparent:

1. Në mënyrë të kundërligjshme është përjashtuar nga vendimmarrja në procesin e përzgjedhjes së teksteve shkollore i vetmi organ kompetent në këtë proces - KEPTSH-i.

2. Vendimet i ka marrë një "komision", i cili është ilegal. Për pasojë:

3. Nuk ka, deri në ditën e sotme - asnjë - vendim, asnjë rezultat mbi shqyrtimin e konkurseve për tekstet shkollore. Palët në konkurs nuk kanë marrë asnjë rezultat valid mbi vlerësimin e dorëshkrimeve. Meqenëse "komisioni" nuk ka emër, nuk ka legjitimitet, është e qartë se nuk guxon të nënshkruaj vendim, as rezultat.

4. Ky "komision" ka lëshuar disa letra informale, në rrugë informale, me disa shifra memece që i quan "rezultate", të cilat nuk tregojnë gjë mbi vlerësimin e dorëshkrimeve sipas standardeve dhe kurrikulës.

5. Deri më sot kam bërë dy ankesa lidhur me procesin e përzgjedhjes së teksteve shkollore, në afat ligjor, pranë Komisionit për ankesa në MASHT - por nuk kam marrë përgjigje në asnjërën prej tyre.

6. Recensentët kanë punuar dhe janë paguar kot, vendimet i ka marrë "komisioni".

7. "Pilotimi e teksteve", me të cilin term po manipulohet tani, nuk është gjë tjetër pos një gënjeshtër dhe manipulim që bëjnë bishtat e procesit.

Të gjitha këto shkelje të rënda do të jenë pjesë e tri padive gjyqësore:

e para për shkeljet administrative;

e dyta, një padi civile; dhe

e treta, një kallëzim penal, për falsifikimet, për shkeljet ligjore, dhe përfitimet jo ligjore të bishave dhe bishtave.

Sigurisht se paditë do të drejtohen ndaj MASHT-it dhe ndaj individëve me përgjegjësi, por edhe ndaj juve, nëse vazhdoni të lejoni këtë krim shumëdimensional, sepse jeni kreu i MASHT-it.

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)