11 Gusht 2022

Besa Tafilaj Pinchotti nënë e tre fëmijëve me emr shqip, Lirë, Zanë dhe Lorik

Shkruar nga Rexhep Shahu

Shqiptaro amerikania Besa Tafilaj Pinchotti, nënë e tre fëmijëve me emra shqiptarë, drejtoreshë ekzekutive e Asociacionit Nacional të Familjeve Ushtarake të SHBA-ve (National Military Family Association) u bë më shumë e njohur këtë fillim vere për takimin e saj me Presidentin amerikan Biden.

Ajo grua e re shqiptaro amerikane, me burrë amerikan, tre fëmijëve të saj u ka ngjitë emra shqip dhe gjithë familja e quan gjë normale dhe ndjen krenari.

E lexova këtë histori dhe m’u shtua respekti për babain e saj Ramiz Tafilaj, që e njoha si njeri të përkushtuar në misionin e tij fisnik për të botuar libra në gjuhën angleze në Amerikë për Kosovën dhe shqiptarët, që të mundësojë të njihen sa më shumë edhe nga institucionet e duhura shqiptarët, Kosova e historia shqiptare.

Ramizin e njoha në një udhëtim për Sarandë e Gjirokastër me shkrimtarin Jusuf Buxhovi, në maj 2022, udhëtim promovues për libra të botuara nga Z. Tafilaj, me entin e tij botues.

Ndersa e cmoja kontributin e Tafilaj, më bëri shumë përshtypje historia e vajzës së tij me tre fëmijët e saj me emra shqiptarë.

Fatkeqësisht nuk e vemë re sa duhet këtë akt të lartë ose nuk e vemë re pothuaj fare.

Kaq shumë na ka përfshirë e po na sundon globalizmi si dikur internacionalizmi sa shumëkujt i vjen turp për rrënjët e tij shqipe.

Po shtohen shqiptaro - gjermanë, shqiptaro - italianë, shqiptaro - anglezë, shqiptaro – grekë, shqiptaro – amerikanë etj., etj., dhe dalëngadalë do të zhduken emrat shqip të fëmijëve që do të linden jashtë hapsirës shqiptare. Por ka edhe përjashtime fatlume si historia në fjalë.

Besa Tafilaj Pinchotti, e lindur në Teksas të Amerikës, nga baba shqiptar Ramizin e nënë amerikane me origjinë hebreje, e martuar me burrë amerikan, ka lindë tre fëmijë dhe të tre fëmijëve u ka vu emra shqioptarë, Lirë, Zanë, Lorik.

Kjo më duket gjë e mrekullueshme, frymëzuese. Një dashuri reale për Kosovën dhe rrënjet shqiptare. Një leksion i madh ardhedashurie e patriotizmi.

Për botën amerikane kjo ndoshta nuk është ndonjë problem, po për botën shqiptare, sipas meje, është një mrekulli, një shembull e model krenarie.

Mund ta jetosh gjithë jetën duke mbajtë fjalime e duke shkruar parulla patriotike, duke kënduar këngë nëpër koncerte biznesi patriotik, duke brohoritur në mbledhje e mitingje deri në qiell për patriotizëm e atdhedashuri, por nuk e mbërrin këtë që ka bërë kjo grua amerikanë me origjinë shqiptare, kjo nënë amerikane, bijë e një babai patriot shqiptar Ramiz Tafilaj dhe zonjës së nderuar Diana Tafilaj që don dhe nderon origjinën e rrënjët e burrit të saj dhe vajzës së saj.

Një gjyshe amerikane që kujdeset për nipat e saj me emra shqiptarë.

Besa Tafilaj Pinchotti është lindë e rritë në Houston të Teksasit. Ajo ka përfunduar studimet universitare ne University of Texas për gazetari e biznes, kurse magjistraturën e ka kryer në University of North Carolina.

Para se t’i bashkangjitej NMFA-së para gati një dekade si Drejtoreshë për Avancim, Besa kishte bërë një karierë të suksesshme si gazetare dhe prezentuese televizive, duke qenë edhe autore e disa raportimeve ekskluzive për luftën në Kosovë në TV-te amerikane!

Besa, nëna e përkushtuar e Lirës, Zanës, dhe Lorikut është e martuar me David J Jr Pinchotti një oficer i Marine Corps të Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa shkruaj këto radhë dhe dua për shpirt ta lexojnë këtë shembull gjithë shqiptarët kudo ku janë në planet, më kujtohet qortimi I sertë plot dhimbje i Teuta Haxhijaj që kam lexuar në Facebook, qortim që duhet të bëjë me turp çdo kënd që ndjehet shqiptar:

“Nana emnin Teutë, çikat Aminë, Azra…
Nana emnin Besë, çika Medinë.
Baba emnin Ilir, djemt Rijad, Omer.
Baba emnin Agron, djali Aman…”

Ne sikur kujdesemi me përkushtim e zell me tha rrënjët tona, me zhdukë gjurmët tona, me zhdukë identitetin tonë. Ne jemi rracë që na ka shpëtuar gjuha, kultura, doket e traditat tona.

Por nëse i fshijmë dhe bëhemi arabë, ne kemi fshirë rrënjët, origjinën… Për këtë mund të sponnsorizohen njerzit… Është biznes i fortë globalistësh, internacionalistësh.

Ata që duan ta zhdukin cdo gjë shqiptare duhet të dinë se Zoti e di gjuhën shqipe por duhet me i folë Zotit shqip.

Ata që përçudnohen e përçdnojnë në emër të Zotit nuk kanë lidhje me njeriun, duhen lidhë shkurt në grazhde.

Këto mu kujtuan kur po lexoja për tre fëmijët me emra shqip Lirë, Zanë, Lorik të Besa Tafilaj Pinchotti.

Dhe më forcohet bindja e gjithmonëshme se Kosova është e do të jetë falë nënës shqiptare.

Në qendër të gjithë qyteteve shqiptare duhet të ngrihet një shtatore e Nënës Shqiptare, një shtatore e njejtë kudo.

Që kudo të shihet Nëna shqiptare, rrënja e kësaj toke dhe e këtij kombi.

Shumica e herojve tanë kanë vdekë me krye në jastëk, gjuhën, rracën, kombin na e ka mbrojtë Nëna shqiptare, vajza shqiptare, bija shqiptare…

Faleminderit Besa Tafilaj Pinchotti dhe gjithë familja juaj e madhe.



Kalendari

Ngjarjet e datës 11 gusht 2022

- Handikos organizon ceremoninë e shpërndarjes së 70 karrocave për personat me aftësi të kufizuara, donacion nga Izraeli, ku do të marrin pjesë ambasadorja e Izraelit, znj. Tammy Ziv, ministrja e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë,  znj. Donika Gërvalla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. (Qendra e Resurseve për Personat me Aftësi të Kufizuara Adresa: Veternik, ora 10:00)

- Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës mban konferencë për media. (Selia qendrore e Vetëvendosjes, ora 11:00)

- Në qytetin e Vushtrrisë organizohet Akademia Verore "Arbën Xhaferi‘’ edicioni i II-të. (Kalaja e Vjetër të Vushtrrisë, ora 17:00)