18 Prill 2024

Art politik multimedial

Shkruar nga Suzana Varvarica Kuka

Rrezeart Galica - Giqi është tashmë një emër i njohur në artet pamore shqiptare bashkëkohore. Kohët e fundit ishte një prej artistëve pjesëmarrës në ekspozitën ndërkombëtare të arteve vizive “Onufri”, edicioni i 17, që organizoi Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, gjatë muajve dhjetor 2010-shkurt 2011.

Ai,  përmes artit të tij, i cili është krejtësisht një produkt i formuar përmes impenjimit të artistit ndaj atyre që ndodhin në shoqërinë e sotme shqiptare, dhe veçanërisht në atë kosovare dhe asaj që shkaktojnë këto ndodhi apo bëma, shprehet plot ide si një artist krejtësisht i pavarur.

Në tërësi këto fenomene të formës, bëma apo ndodhi, na ngacmojnë të gjithëve, na cytin të bisedojmë dhe të japim mendime, por Rrezeart Galicën e përfshijnë të gjithin dhe i shkaktojnë atij imazhe, që në mënyrë krejt impulsive dhe profesionale i realizon në teknikat multimediale.

Artisti Galica tenton të jetë i pranishëm në të gjitha galeritë e vendeve të Ballkanit ku jetojnë dhe krijojnë shqiptarët. Krijimtaria e tij do të jetë e pranishme për publikun tetovar dhe të huaj të Galerisë së Arteve të Tetovës në Republikën e Maqedonisë.

Ekspozita e tij vetjake do të hapet me datë 25 shkurt 2011 dhe ajo është menduar nga artisti dhe organizatorët të jetë e ndarë në dy cikle, të cilët deri më tani, janë prodhimtaria e tij artistike më obliguese dhe i përcaktohen të tilla prej këtij obligimi.

E gjithë krijimtaria e vet është artistike dhe cikli i parë është një vijueshmëri imazhesh me temë aktuale dhe përmbajtje politike. Ndërsa cikli i dytë i takon temave të tjera që çdo artist krijon në bazë të përgatitjes profesionale.

Krijimtaria e ciklit të parë e ka kaluar tashmë kufirin e mendësisë shqiptare. Dhe është shumë e rëndësishme të theksohet se pjesa e veprave me përmbajtje politike, tani, po u jepet për temë specializimi në fushën e artit, studentëve të Akademisë së Arteve të Bukura të Peruxhias në Italisë /Accademia di Belle Arti Pietro Vannucci Perugia.

Krijimtaria e tij konsiston tejet profesionale në gjuhën specifike në artin multimedial, pasi, si një artist grafist ka ditur të vlerësojë drejt dhe seriozisht eksperiencën e mrekullueshme të ateliesë së grafikës dhe të artistëve grafistë të Kosovës në disa kohëra.

Kjo ka sjellë që ai të mbështetet në një bazament të fuqishëm dhe ta pasurojë me krijimtarinë e vet, e cila përzgjedh të aplikojë teknikat e reja, që janë produkt i një epoke dhe brezi të ri artistësh.

Gjithmonë situata e tij do të konsiderohet aktive e flak për flaktë me temat që i servir politika e sotme e vendit të vet dhe e potikave të të huajve për vendin e tij.

Kjo e bën në tërësi krijimtarinë e tij të jetë në ballin e dydimensionalit të një imazhi, që në përgjithësi është koncentrik dhe dëftues. Mirë është të lexojmë qartë në atë problem figurativ që artisti na e ball, por që nuk është thjesht një i tillë.

Rrezeart Galica – Giqi ka lindur në Prishtinë, më 1981. Ai i ka kryer dhe përfunduar studimet në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës në vitin 2005 në atelienë e Dizajnit Grafik. Po pranë këtij universiteti ka kryer studimet Master në vitin 2008 në drejtimin specifik të Multimedia-s.

Më parë dhe sapo ka mbaruar diplomimet ka marrë pjesë në disa ekspozita në grup artistësh lokalë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Ekspozitën e parë vetjake e ka hapur në Prishtinë në vitin 2009. Më pas në 17 tetor 2009 e ka hapur në Shkup dhe më 18 nëntor 2009 në Tiranë. Ekspozita e Tetovës është ajo e katërta.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)