19 Korrik 2019

Antigona Fazliu apo Bukuroshja e Lirisë!

Shkruar nga Gani Qarri

Pikërisht sot,në dy dekadëshin e pavdeksisë tënde, është momenti më i mirë që përveç kujtimit të dinjitetshëm për ty,të krijohet edhe një çmim post-mortum me titullin Heroina "Antigona Fazliu", për ndarje mirënjohjesh e shprehje nderimi, ndaj njerëzve më të arritur të kombit,në të gjitha lëmitë dhe trojet shqiptare.

Më 30 prill të këtij viti, u mbushën plot 20 vite nga rënia jote heroike për liri! Ndaj nuk mund të kalojë vit e unë të të mos kujtoj, me dhembje e krenari, dhe për jetë e mot, nga toka deri në qiell, Ty dhe veprës tënde,nga thellësia e zemrës tu shprehë përgjithmonë-lavdi!

Antigonë! fotografia jote më mallëngjen pa masë ende pa filluar të shkruaj për bëmat sublime dhe heroizmat që ke lënë në histori. Kjo më bënë të mos ndjehem tërësisht i qetë, nëse për jetën dhe veprën tënde heroike, nuk do të mund ti gjejë dhe zgjedhë fjalët më të mira, më të veçantat dhe më përkushtueset, ashtu siç do të dëshironte vetëm poeti, të tingëllonin pafundësisht sublimshëm për ty.

Ato të cilat i kanë hije vetëm emrit tënd, më meritoret e më domethënëset që Ti,me të drejtë do të prisje nga ne, në këtë botë të përkohshme, dhe më rrezatueset që do të reflektonin përherë përndritësim pafundësie, para emrit dhe veprës sate shkëlqyese, me të cilën ke kaluar në përjetësi. Zoti të pastë bekuar përgjithmonë këtu dhe atje, ku tani je-në amshim!

Heroina Antigona Agush Fazliu u lindë më 11 mars të vitit 1981,në fshatin Gradicë të Drenasit, nga prindër me të kaluar patriotike dhe aktivist të dalluar të çështjes kombëtare të cilët përpjekjet e tyre të pareshtura atdhetare për çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe arritjen e Pavarësisë së saj, nuk i ndaluan asnjëherë.

Ajo erdhi si fëmija më i vogël në jetën e prindërve të përndjekur politikisht, për tu kthyer vetëm pas pak kohësh në "Sugareshën" më të dashur dhe mbresëlënëse në familje, e cila njëjtë si paraardhësit kryengritës, edhe pse në moshë ende të re, nuk mundi të pajtohej asnjëherë që jeta e saj të riciklohej në rëndomësi dhe kalonte në harresë, duke u angazhuar e zënë vend nderi në historinë e lavdishme të qëndresës kombëtare dhe rënë heroikisht në luftën çlirimtare për lirin e Atdheut.

Nëna Hyra, nga fshati Hade i Kastriotit, ishte kushërirë e afërt e mësuesit dhe poetit martir Fazli Grajqevci, kurse i ati, Agushi nip i mësuesit dhe patriotit të mirënjohur Halit Geci nga Llausha e Skënderajt, i cili më 26 nëntor të vitit 1997, do të vritej pa asnjë faj brenda objektit të shkollës së fshatit, për të vdekur në Spital nga plagët e rënda dhe varrosur më 28 nëntor të vitit 1997, ku do merrnin pjesë mijëra bashkatdhetarë nga shumë anë të vendit, me ç`rast do të bëhej edhe dalja e parë publike e UÇK-s, në Drenicë dhe Kosovën gjithandej.

Antigona, kjo luaneshë dhe luftëtare e paepur e kombit, e vendosur për beteja dhe sakrifica të mëdha deri në vetëflijim, përgjatë muzgjeve dhe agimeve të përgjakura që atëbotë përshkonin Kosovën dhe popullin shqiptar, me përpjekjet titanike dhe heroizëm më të madh se vet mosha dhe qenia e saj, arriti që përmes dritareve të zemrës njerëzore, me veprën heroike të hynte në mënyrën më simpatike dhe ngulitej përgjithmonë në memorien kolektive të bashkëkombësve kudo.

Gjendja e rëndë nën pushtim dhe zhvillimet rrëqethëse nën robëri, bënë që asokohe Ajkunat shqiptare (sinonim i nënave tona ndër shekuj), të shkulnin flokët për fatkeqësinë që kishte goditur kombin dhe tmerrin që përjetonte populli ynë i shumëvuajtur, kur vallja e çmendurisë makabre luhej e papenguar, mbi trupat e bashkëkombësve të vrarë pafajshëm, gjë që as asokohe nuk mund të linte asnjë shqiptar të qetë!

Në ato vite të rënda që kalonte Kosova, në shënjestër të pushtuesit serb ishin vënë personat dhe familjet më patriotike, ndaj nga vet fakti se Familja e Antigonës njihej si njëra nga kështjellat" e vjetra dhe me themele të forta të Çështjes Kombëtare, do ti vinin goditje të reja, të cilat edhe asaj ia thyen shpresat e jetës së qetë dhe ndërprenë ëndrrën e nisur rinore për shkollim.

Ato vite, pushtuesit jo vetëm se i pushuan vëllezërit e Antigonës nga puna, por maltretuan e burgosën edhe babain Agushin, vëllain më të vogël Avniun i cili u detyrua të ndërpriste edhe shkollimin si dhe vëllain e madh Hajrizin, mësues i matematikës të cilit në vitin 1996, ia thyen edhe dhëmbët e nofullës së poshtme, duke marr shkas nga aktiviteti atdhetar i tyre, por edhe origjinën patriotike të familjeve të të dy prindërve, histori e cila nga regjistra të vjetër dhe të rinj, ishte mirë e njohur për regjimin pushtues të Serbisë dhe kasapit Millosheviq.

Po ky regjim barbar, burgosi dhe torturoi deri në shkatërrim edhe birin e xhaxhait të saj Xhemajl Fazliun, i cili si inxhinier i parë i bashkisë së Drenasit dhe udhëheqës i Ferronikelit, do ti printe grevës së njohur të punëtorëve atje, për mbrojtjen e asaj pak autonomie që nga vitit 1974, ende e kishte Kosova.

Madje, ai jo vetëm se do të izolohej bashkë me grupin e intelektualëve të asaj kohe dramatike, por edhe do të burgosej e maltretohej në mënyrat më çnjerëzore i cili në vitin 1998, do të dërgohej për vuajtjen e dënimit në Vranje dhe Leskovc të Serbisë, ku trupi i tij ishte dërmuar deri në atë masë, sa që ende pa kaluar moshën 52 vjeçare dhe vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, do të vdiste si nacionalist i denjë.

Poema e vrasjeve tragjike vazhdonte pandalshëm në gjithë vendin, madje gjendja në Kosovë, sa vinte e keqësohej deri në dëshpërim kurse tragjedia kombëtare për dit e më tepër rritej e zmadhohej duke shuar pa asnjë pengesë, qindra jetëra shqiptarësh të pa fajshëm.

Kurse pas provokimeve të herë pas hershme ndaj Familjes Jashari, pushtuesit serb bënin përgatitjet e fundit për hedhje në sulmin përfundimtar, i cili edhe do të fillonte nga 5 marsi i vitit 1998 dhe për tri dit e tri net me radhë, do të zhvillohej luftë e pa ndërprerë, kur një familje e vetme matej me një ushtri të të tërë, të organizuar shtetërore, duke u shkri deri në pjesëtarin më të ri të pranishëm, për mbrojtjen e tokës së të parëve, shtëpisë së vet dhe Atdheut autokton.

Kështu, stina e flijimeve të mëdha sapo kishte filluar, me ç`rast përveç trimërisë së pa-precedent të mese 28 pjesëtarëve të të gjitha moshave, të Familjes Jashari, dhe rënies së tyre biblike në altarin e lirisë, pranverat e hershme, paralajmëronin një vit të nxehtë politik në historinë më të re biblike të shqiptarëve, kur Antigona me rastin e 28 Nëntorit të parë, pas rënies së Adem Jasharit ,do të përzgjidhej si luftëtare e denjë, për ngritjen e Flamurit Kombëtar i cili tanimë gjithandej Kosovës i printe luftës për liri.

Atëbotë përveç burrave, sipas një shkrimi në revistën “Teuta” luftës do ti bashkoheshin edhe rreth 200, femra, prej të cilave mese 40 sosh do të binin trimërisht në luftë, për lirinë e vendit.

Pikërisht heroizmi i familjes Jashari, ishte ai që nxiti edhe Antigonën, ti ndërpriste mësimet në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli”, ku ishte e regjistruar, për tu ngjitur edhe ajo maleve të vendlindjes, angazhohej në ushtri dhe shërbente bashkë me Dr. Lec Gradicën dhe Emine Gashin- Lecin, në spitalin e UÇK-s, në Gradicë të Drenasit, atje ku burrat e pushkës, të cilët shtoheshin çdo ditë, kishin shumë nevojë që dikush tua mjekonte edhe plagët e trupit të “fituara” në betejat çlirimtare.

Lufta sa vinte e intensifikohej, ndaj në mëngjesin e 22 shtatorit të vitit 1998 forcat pushtuese serbe do t`i mësynin edhe pozicionet e Brigadës 114,në fshatin Shkabë, ku në përballje me to, bien heroikisht për të mos vdekur kurrë edhe bashkëshortët, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Fatime Hetemi dhe Skënder e Behxhet Karaxha, ndërsa në sulmet e 23 dhe 24 shtatorit të atij viti, në rrethinat e Qyqavicës, flijohet heroikisht edhe mjeku Lec Gradica.

Përveç angazhimit të vëllait të madh, Hajrizit në logjistikën e UÇK-s dhe vëllait të vogël Avniut, në brezin e kufirit shqiptaro-shqiptar, ku ai edhe do të plagosej gjatë luftimeve të pareshtura kundër forcave pushtuese serbe, pas marrjes së komandës në brigadën 114, nga Ilaz Kodra si udhëheqës i ri i saj, më 8 nëntor të vitit 1998,në Shkabë të Drenasit,vendlindjen e heroit Fehmi Lladrovci, komandanti i ri do të organizonte betimin solemn të ushtarëve të sapo ardhur, me ç`rast në betimin përurues, do të shkëlqente edhe Antigona Fazliu, si ushtarja më e re, e cila tani e tutje do të merrte pjesë edhe në beteja të drejtpërdrejta me armikun.

Po atëkohë përveç dëmeve dhe shkatërrimeve tjera nga sulmet barbare të pushtuesve serb, do të digjej edhe spitali ushtarak në Gradicë, ndaj pas djegies së tij, me mësimet që kishte marrë nga shkolla dhe përvojën praktike të fituar në atë spital me ushtarët e plagosur, infermierja e re do të angazhohej në dy fronte dhe kryente njëkohësisht dy funksione me rëndësi:

1.Mjekimin e të plagosurve dhe

2. Pjesëmarrjen në luftimet kundër armikut.

Angazhimet e saj, u zhvilluan kryesisht në kuadër të brigadës 114, tanimë të udhëhequr nga komandanti Ilaz Kodra, brigadë që gjatë gjithë kohës do të dallohej për dinjitet,luftë dhe trimëri.

 Për çlirimin e vendit kjo brigadë dha mese 167 dëshmorë, në mesin e të cilëve, nga 30 prilli i vitit 1999,edhe komandantin e brigadës, trimin Ilaz Kodra si dhe ushtaren më të re të asaj brigade, heroinën e njomë Antigona Fazliu të cilët në të njëjtën ditë u flijuan heroikisht, duke mbrojtur trimërisht, me trupat e tyre popullsinë civile nga forcat okupatore serbe në fshatin Vërbovc të Drenasit.

Antigona si e re entuziaste edhe në beteja, arriti të tregonte përkushtimin dhe vlerën e vërtetë të një luftëtareje të vendosur që çmoi lartë dijen, përvetësoi artin e shërimit mjekësor, ndihmoi luftën dhe mbi të gjitha dëshmoi se e donte me gjithë zemër vendin e të parëve dhe lirinë e tij, për të cilat luftoi dhe ra heroikisht në fushën e nderit.

Dhe mu në vitet më të rënda që kalonte populli i saj, ajo iu përgjigj me krenari kushtrimit, sapo shqiptarët i thirri historia për lirin e atdheut.

Ndaj, Antigona me të drejtë u nderua me titullin "Dëshmore e së fundmi edhe heroin e Atdheut", për të cilën janë mbajtur sa e sa manifestime përkujtimore, thurur këngë e shkruar edhe shumë poezi, kushtuar kontributit, trimërisë dhe heroizmave shembullore të saj të cilave edhe sot u gëzohen të gjithë shqiptarët.

Madje, edhe pse në moshë të re, ajo sfidoi jetën dhe rinin për të quar deri në fund amanetin e dëshmorëve, arritjen e lirisë dhe realizimin e Pavarësisë së Kosovës.

Kështu që emri i saj sot reflekton dritë, e fytyra plot nur rrezaton si dielli kudo nënën Kosovë dhe praron përjetësisht shtigjet e historisë, ndaj sikur të kishte një ligj për zgjedhjen e miseve të rëna për çlirim,  të parën Antigonën pa asnjë hezitim, bashkëkombësit kudo, do ta votonin për bukuroshen numër 1- të lirisë!

Kështu që, biografia e ndritshme e Antigonës jo vetëm më mallëngjen pa masë për veprën që në një moshë kaq të re, ajo ka arritur ta vulosë, me germa të arta në faqet e historisë, por edhe më obligon që këtë shkrim ta përfundojë me një porosi të dal nga zemra, në mënyrë që përveç botimit të antologjive kushtuar asaj, të krijohet edhe një çmim post-mortum me titullin Heroina "Antigona Fazliu", për ndarje mirënjohjesh dhe shprehje nderimi, ndaj njerëzve më të arritur nga të gjitha lëmitë dhe trojet shqiptare, çmim që secili i vlerësuar, do ndjehej më tepër se i nderuar, kur ai mbanë emrin e Antigonës-Bukuroshes së Lirisë, heroinës tonë më të re,e cila tash e përgjithmonë, meriton çdo lavdi!



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 korrik 2019 - Ekipi i Luftimit të Brigadës së Këmbësorisë së 44-të, Garda Kombëtare e Ushtrisë së New Jersey do të marrë komandën e MNBG-E nga Ekipi i Luftës së Brigadës së 29-të të Mbrojtjes së Këmbësorisë, Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Hawaii ku menjëherë pas ceremonisë do të mbahet një konferencë shtypi. (Camp Bondsteel, ora 9:00)

- Klinika e Kirurgjisë Vaskulare, në bashkëpunim me Katedrën e Kirurgjisë dhe Fakultetin e Mjekësisë mbajnë mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së Prof.dr. Gazmend Shaqiri. (Amfiteatri i Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, ora 9:00)

- Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës do të mbajë dëgjim publik për Projektligjin e Punës. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit të Auditimit të Kompanisë Regjionale 'KRU Prishtina', të Ndërmarrjes Publike ,,Posta e Kosovës", etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion prej 56 studentësh të programit Akademia Verore, nga 28 shtete të ndryshme. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00)

- Grupi i Aktivisteve protestojnë para policisë në Fushë Kosovë për të mos lejuar që përdhunimet e vrasjet të fshihen brenda mureve të Policise dhe Prokurorise që sipas tyre më së paku i mbrojnë. (Marrshimi nis nga lagja Meshari te pazari për të vazhduar drejt stacionit policor në Fushë Kosovë, ora 14:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 15:00)
 
- Matt Taylor, regjisor i “Rick & Morty Exquisite Corpse”, prezanton filmat e animuar në kuadër të Festivalit Ndërkombëtarë të Filmit të Animuar - Anibar. (Kinema “Jusuf Gërvalla” në Pejë, ora 14:00)

- Në kuadër të aktiviteteve "Ditët e Diasporës 2019" në përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në Deçan behët hapja e Panairit Verorë 2019. (Qendra e qytetit të Deçanit, ora 16:00)
 
- Fondacioni Lumbardhi prezanton ekspozitën 'Kino e artistit' Vladimir Miladinović. (Kinema Lumbardhi, ora 19:30)

- Fondacioni Lumbardhi organizon koncertin e këngëtares kroate te pop dhe jazz, Vesna Pisaroviç Quartet: "The Great Yugoslav Songbook". (Kinema Lumbardhi, ora 21:00)