20 Prill 2024

Agim Zogaj, Guximi vendimtar i Gjermanisë

Guximi vendimtar i Gjermanisë

Prof. dr. Agim ZOGAJ

Kosova me të gjitha kapacitetet po zhvillon betejë vendimtare për t’i hapur shtigjet e reja, portat për afirmimin në arenën ndërkombëtare, në anën tjetër Serbia nuk po pushon të ndërmarrë çdo veprim, jo vetëm diplomatik, për t’ia bërë sa më të mundimshme ecjet.

Diplomacia serbe vazhdon ta forcojë kursin e saj antiKosovë, në fakt kundër lirisë, kundër së ardhmes së popullit tonë, të qytetarëve të vendit tonë.

Pra, po vepron edhe kundër serbëve kosovarë, të cilët vazhdon t’i keqpërdorë dhe t’i manipulojë.


Në tërë këtë vorbull të betejës diplomatike midis shtetit tonë, Republikës së Kosovës dhe shtetit fqinj, Serbisë, vazhdimisht dhe me shumë durim kemi pritur që, BE-ja me politikën e jashtme të saj të jetë më e qartë, më e vendosur në “disiplinimin” diplomatik të udhëheqjes serbe e cila, siç po shihet, nuk kupton se, së fundi në asnjë rrethanë nuk mund ta pengojë funksionalizimin dhe afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.


Udhëheqja jonë shtetërore, qeveritare, parlamentare dhe përgjithësisht opinioni publik shqiptar po dëshmojnë qytetari dhe kulturë politike evropiane duke pritur, duke mos bërë presion ndaj Brukselit zyrtar që të qartësohet ndaj qëndrimeve agresive të diplomacisë serbe.

Nga ana tjetër, Brukseli zyrtar do të duhej ta kuptonte më drejtpërdrejt se, sa e vështirë është për popullin e Kosovës dhe udhëheqjen e saj që, vazhdimisht të jetë e kërcënuar nga diplomacia serbe dhe, sidomos nga ndërhyrjet e rrezikshme të shtetit serb në zhvillimet e brendshme të shtetit të pavarur të Kosovës.


Gjithnjë në këtë kontekst, dje ndodhi mrekullia politike, kur nga burimet e medieve serbe u bë e ditur se, përfaqësues të parlamentit gjerman i kanë sqaruar Beogradit zyrtar se anëtarësimi i Serbisë në BE nuk do të përkrahet nga Gjermania nëse Serbia nuk e njeh Kosovën.


Madje, parlamentarët gjermanë kanë paralajmëruar Serbinë se, pos njohjes së Kosovës, ajo duhet të përkujdeset, pra të mos e pengojë që Kosova të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara dhe në organizmat e tjerë ndërkombëtarë. Ky qëndrim i parlamentarëve gjermanë, në fakt i diplomacisë së jashtme gjermane, është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe domethënës.


Kjo në radhë të parë, sepse Gjermania po sinjalizon se përbrenda strukturave të politikbërjes së jashtme të BE-së, veçmas karshi çështjes së shtetit të Kosovës duhet t’i bëhet e qartë Serbisë se rruga e saj drejt Evropës është e kushtëzuar, drejtpërdrejt me qëndrimin ndaj Kosovës. Gjermania, kjo mike historike e popullit shqiptar, ua ka bërë me dije pushtetarëve të Serbisë se ata, pra Tadiqi me bashkëpunëtorët e tij, duhet ta ndryshojnë rrënjësisht kursin e politikës ndaj Kosovës, ndryshe do të vendnumërojnë në aspiratën drejt anëtarësimit në BE.


Po ashtu, qëndrimi më i ri i shtetit gjerman, pesë shteteve anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, u jep ta kuptojnë se kundërshtimi i tyre në këtë plan nuk do të tolerohet deri në pafundësi, sepse realisht, kryeneqësia e tyre, që me këtë veprim jodemokratik ta ruajnë miqësinë me Serbinë, e prish konsensusin e ndërtimit të politikës evropiane.


Pozicionimi, kaq i qartë i diplomacisë gjermane në raport me Kosovën, përkatësisht krijimi i kushteve ultimative diplomatike për njohjen e shtetit tonë edhe nga shteti fqinj, Serbia, u dërgon mesazhe të qarta edhe serbëve kosovarë, sidomos në Veri të Kosovës.


Ndërsa, në nivel të diplomacisë ndërkombëtare, veçmas të relacioneve SHBA - BE në lidhje me çështjen e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor, ky qëndrim i parlamentarëve gjermanë është paralajmërim se, për Kosovën, afrimimin e saj ndërkombëtar po vijnë ditë edhe më të mira. Gjermania, edhe një herë u dëshmua se, për ndërtimin e politikave evropiane është faktor dominant, qenësor në mos, flamurtare e ideimit të strategjisë së BE-së për ndërtimin e rendit të ri evropian. Epokën e re

(Autori është mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)