29 Mars 2024

28 nëntori dhe prerjet politike

Shkruar nga Bahri Bivolaku

“Njerku im, Qazim bej Vlora (djali i Ismail Qemalit) kishte disa dokumente të cilat i mbante gjithnjë në dorë dhe nuk i lëshonte në asnjë vend.

Mua më tërhiqte vëmendjen një dokument të cilin nuk e lëshonte nga dora asnjëherë dhe thoshte shpesh që këtu është gjithë historia e pavarësisë së Shqipërisë, por kur iku nga Shqipëria (1945) e mori me vete…” kështu thotë Edip Ohri, ish komandanti i aviacionit shqiptar për 20 vite me rradhë në ushtrinë e Shqipërisë që pas luftës nacional-çlirimtare.

Ai i shërbeu asaj gjerë në burgosjen e tij nën akuzën se donte të bombardonte bllokun e banimit të udhëheqjes komuniste.

Ish ushtaraku Ohri këtë histori të familjes Vlora e rrëfen në detaje në gazetën shqiptare, madje ai rrëfen edhe për episodën se pse ishte detyruar djali i Ismail Bejë Vlorës Qazimi, i cili edhe ishte sekretar personal i njeriut që shpalli pavarësinë e vendit të ik nga Shqipëria.

Shkas për largimin e Qazimit nga Tirana ishte ndërprerja e penzionit patriotik që iu bë nga qeveria komuniste dhe ai ikë në Strugë në pronat e bashkëshortes Behie Ohrit(Nëna e Edip Ohrit), ku edhe vdes në dhjetor të vitit 1953 në vetmi të plotë.

“Pas vdekjes, policia e Strugës bashkë me pushtetin lokal mes dokumenteve ka sekuestruar edhe dokumentin origjinal të pavarësisë ” thotë Ohri për gazetën shqiptare.

Ky është episodi i dhimbshëm i një historie shqiptare, i cili padyshim që nuk do duhej të ndodhte, por që në historinë e politikës shqiptare qasja e tillë ka zënë rrënjë, ku çdo gjë fillohet nga e para.

Kështu bëri edhe Zogu me ardhjen e tij në pushtet dhe veçanërisht pas rikthimit duke eliminuar rivalët e tij politik të Shqipërisë së atëhershme, patriotët e mëdhenjë shqiptarë, vetëm pse kishin orientime social-demokrate apo tjera nga ai.

Një qasje e tillë e trashëguar që nga ajo kohë është bartur edhe në politikën e re tek liderët partiako-politik andej e këndej kufirit me qasjen se “Historia fillon nga unë, të mëparshmit kanë qenë tradhëtarë”.

Qasja e tillë nuk reflekton vazhdimësi dhe kontinuitet të zhvillimit, por prerje dhe fillim nga zeroja. Partizanizmi partiako-politik rrënjët i ka mu në këtë fillim të të menduarit dhe të bëri politik.

Shqiptarët janë komb i vogël për të bërë prerje të tilla historiko-politike, ata duhet bashkuar rreth të mirës që kanë prodhuar e prodhojnë në periudhat e ndryshme kohore e jo të nxjerrin në sipërfaqe vetëm anën e keqe të tyre.

Prerjet e tilla nuk reflektojnë qytetërim. I gjithë zhvillimi politik i kombit dhe qasja karshi tij duhet shikuar veprimin në kontestin kohor e jo nga prizma e së sotmes.

Në politikën shqiptare duhet mbizotëroj mendimi pozitiv për të kaluarën, duke pasur për bazë nxjerrjen e anës së mirë të saj. Urtësia politike nuk është virtyt i të dobëtit, por mençuri vepruese për të ecur tutje.

Tendencat politike të fillimit nga viti zero në Kosovë

Në Kosovë ka zëra thirrës, por edhe veprime politike, të cilat shkojnë drejtë angazhimit dhe objektivës së tillë për të bërë prerje revolucionare dhe filluar nga zeroja pa pasur parasysh koston politike të shoqërisë.

 Krejt kjo është duke u bërë në emër të një pakënaqësie në gjendjen aktuale qoftë nga prizmi social apo edhe politik të shoqërisë.

Dëshirohet të krijohet opinioni publik i gatshëm për veprim për të rrënuar një të kaluar të afërt dhe të tashmen duke zëvendësuar me qëndrime e veprime të reja politike duke sigmatizuar bartësit e asaj si tradhëtarë politik.

Lëvizjet në dhe rreth parlamentit të Kosovës shihen nga ky prizëm, duke harruar se në Kosovë përveç dobësive të shfaqura në jetën partiako-politike ka pasur mjaft hapa pozitiv karshi gjendjes dhe pozitës në të cilën ishte më parë.

Veprimi politik qoftë në Kosovë a Shqipëri nuk do të shikohet vetëm bardhë e zi, pasi ajo ka koloritin e saj.

Politika në botën e sotme shikohet jo si tendencë e prerjeve por e vazhdimësive duke synuar gjithnjë koncenzusin primar të arritur nga dialogimet e vazhdueshme nga akterët.

 Shqiptarët në politikë nuk e kanë luksin për moskomunikim mes veti në fushat ku nuk do të duhej të kishin. Mospajtimet eventuale duhet të jenë objekte të trajtimeve të përbashkëta e jo pika ndarëse.

Në Kosovë dhe Shqipëri politika ende nuk e ka komoditetin për të qenë e ndarë në spektre të së djathtës a të majtës. Janë vende e shtete në tranzicion dhe ende me probleme të pazgjedhura.

Nuk e kanë pasur as atëherë në kohën e Zogut por dhe më vonë. Gjersa të arrihet kjo fazë e zhvillimit shtetëror në sistem të konsoliduar të demokracisë politika duhet gjithnjë ta ketë cak arritjen e koncenzusit kombëtar politik.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)