23 Tetor 2020

Vinçenc Gjini merr Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani”

Prishtinë, 6 tetor - Në një ceremoni të organizuar sot, në kabinetin e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, janë ndarë çmimet në fushën e muzikës.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” i është dhënë kompozitorit Vinçenc Gjini, me motivacionin “Profesionist i shumanshëm dhe me kontribute të shquara gjysmëshekullore në muzikë, me vështrim kozmopolit”, vlerësim ky që është bërë nga Juria Profesionale në përbërje të: Prof. dr. Vasil Tole, kompozitor, kryetar i jurisë, Prof. Rafet Rudi, kompozitor dhe Baki Jashari, kompozitor dhe dirigjent, të dy anëtarë.

Çmimet e tjera vjetore u ndanë për laureatët:  

Valton Beqirit iu dha çmimi për vepra vokalo-instrumentale, konkretisht për veprën “Rrugëtimi”, e cila e trajton motivin e qëndresës përmes larmisë muzikore të etnosit shqiptar;  

Kreshnik Aliçkajt iu dha çmimi për veprën “Koncert” për kitarë dhe orkestër, me motivacionin e krijimit të marrëdhënies dinamike mes instrumentit dhe orkestrës, në fushën e veprave orkestrale-simfonike dhe koncertante;
 
Për vepra kamertale, çmimi iu nda Drinor Zymberit për veprën “Trance” për orkestër harqesh, për kompaktësinë dhe gjetjen kompozicionale;  

Çmimi për vepër korale iu dha Hajrullah Sylës për veprën “Ubi Caritas” për kor miks me motivacionin e evidentimit të thelbit antifonal të krijimit përmes strukturave kompozicionale të thjeshta dhe emocionale;

Dhe çmimi për veprat solistike dhe duo iu dha kompozitorit Mendi Mengjiqi për veprën “Discantus” për risjelljen e stilit mesjetar të të kënduarit në kohën moderne duke zbuluar tingëllimat e reja.  

Në rolin e nikoqires së ceremonisë, ministrja Vlora Dumoshi, i uroi laureatët për krijimet dhe punën e tyre, duke pohuar se çmimet e ndara nga MKRS-ja janë vetëm një vlerësim modest institucional për vlerat e mëdha të cilat i përçojnë veprat e kompozitorëve dhe muzikantëve të Kosovës.

“Kosova ka krijues të talentuar në fushën e artit e të kulturës, e posaçërisht në fushën e muzikës dhe si shoqëri ne krenohemi me vlerat që kemi, ndonëse si popull me një të kaluar të vështirë historike, kemi arritur të nxjerrim gjithherë vepra të mëdha. Si ministre, jam e nderuar dhe e përkushtuar të përkrah dhe të shtyjë përpara veprat që kanë vlera të mirëfillta e të cilat vlerësohen nga profesionistët dhe kritikët e fushave përkatëse të artit”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi, duke e falënderuar edhe Jurinë Profesionale për vlerësimin dhe punën e tyre.
 
Baki Jashari pjesë e jurisë, tha se “Gjini pa dyshim e meriton çmimin për veprimtarinë e tij dhe për kontributin e tij shumëvjeçar në muzikë."

Ndërkaq motra e kompozitorit Viçenc Gjinit, Maria Gjini Kurti tregoi se për arsye shëndetësore ai sot nuk ishte i pranishëm në ndarjen e çmimeve.

Kompozitori Valton Beqiri fitues për veprën orkestrale-instrumentale për vitin 2019 për veprën “Rrugëtimi” falënderoi ministren Dumoshi për angazhimin e saj si dhe jurinë për vlerësimin.

“Kjo dëshmon se çmimi është duke e dhënë rezultatin e vet dhe falënderoj ministren për angazhimin e saj dhe shpresoj që në të ardhmen të ketë vepra më të mëdha”, ka thënë ai.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Tetor 2020

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (ndërtesa e KQZ-së në, kati i parë, ora 10:00) 

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviziton ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit; Blerim Kuçi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Në kuadër të përmbylljes së “Javës  Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë”, ministri i MPMS-së, Skender Reçica viziton fabrikën “NewCo Ferronikeli”. (Drenas, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në përurimin e “Memorialit të Komandant Drinit - Ekrem Rexha. (Tek parku përballë Shtëpisë së Bardhë, ora 11:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish- Zëvendës kryesuesin e Bordit të Agjencisë së Privatizimit, Naser Osmani. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

-  Komisioni për Integrim Evropian takohet me Shefin e Zyrës dhe Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovës, Tomáš Szunyog në lidhje me Raportin për Kosovën 2020 të publikuar nga Komisioni Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 12:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ish Ministër i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti pritet me një ceremoni zyrtare kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. (Para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shkup, ora 14:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev mbajnë konferencë për media. (Konferenca do të përcillet online, ora 15:05)

- Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizon bisedën “Off the record: Gjendja e hapësirave të braktisura”. (Kino Armata, ora 15:00)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. (Ndërtesa e Presidencës në Shkup, ora 15:35)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. (Kabineti i Kryetarit të Kuvendit në Shkup, ora 16:10)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Artan Grubi, Zëvendës Kryeministër i parë i shoqëruar edhe Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së. (Ndërtesa e Kuvendit në Shkup, ora 16:35)

- Nënshkruhet MoU për krijimin e rrjeteve të pastra 5G në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Departamentit të SHBA-ve. (Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, ora 17:15)

- Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Udhëheqësit e partive politike si Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, Bilall Kasami nga Lëvizja Besa,  Afrim Gashi nga Alternativa dhe Menduh Thaqi nga PDSH. (Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, ora 17:40)