20 Gusht 2019

Vihet gurthemeli i xhamisë në fshatin Shupkovc të Mitrovicës

Mitrovicë, 12 korrik - Sot është bërë vënia e gurthemelit të xhamisë në fshatin Shupkovc, iniciativë e ndërmarrë nga qytetarët, Bashkësia Islame dhe në mbështetje të Komunës së Mitrovicës.

 Me rastin e vendosjes së këtij gurthemeli ishte i pranishëm kryetari i komunës, Agim Bahtiri, zv.ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Gjergj Beka, kryetari  i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Irfan Krasniqi, drejtori për Urbanizëm, Besnik Beka, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Nehat Bahtiri, përfaqësues nga Bashkësia Islame dhe banorë të këtij fshati.

Në fjalën e tij kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka uruar vënien e gurthemelit të Xhamisë në fshatin Shupkovc, duke thënë se ndërtimi i kësaj xhamie si një shtëpie e Zotit do të sjell vetëm paqe dhe harmoni për banorët e kësaj fshati.

Po ashtu kryetari Bahtiri theksoi se që nga fillimi e deri më sot xhamitë kanë pasur një rol qendror për pastrimin shpirtëror të shoqërive dhe bashkimin mes njerëzve, duke shtuar se xhamitë janë edhe vende ku mësohet drejtësia, dashuria, mëshira dhe respekti.

Ndërsa kryetari i Bashkësisë Islame, Irfan Krasniqi, në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame falënderoi kryetarin Bahtiri për mbështetjen e tij duke thënë se vënia e këtij gurthemeli të kësaj xhamie do të shërbej për një edukim të mirëfilltë fetar.

“Ky objekt do të rrezatoj harmoni, vëllazëri dhe paqe për të gjithë qytetarët”, tha kryetari i Bashkësisë Islame, Irfan Krasniqi.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)