19 Prill 2024

Prokurorët dhe gjyqtarët serbë japin betimin para Presidentit Thaçi

Prishtinë, 24 tetor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në mbështetje të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, në pajtim me propozimin e Këshillit Prokurorial, sot, me dekret ka emëruar 40 gjyqtarë dhe 13 prokurorë të rinj të shtetit nga komuniteti jo shumicë.

Presidenti Thaçi, pas ceremonisë së betimit, ka uruar të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e rinj, duke iu ofruar mbështetje në punën e tyre të përditshme.

“Kosova është ndërtuar mbi parimet kushtetuese, të gjithë përfshirjes, të barazisë dhe të lirisë së secilit individ. Kosova ka miratuar masa adekuate për të promovuar një barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore”, ka theksuar presidenti.

Ai ka thënë se dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, pasqyron plotësisht natyrën shumetnike të Kosovës.

Sipas tij, Kosova në vazhdimësi ka bërë dhe po bën reforma në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, me të vetmin qëllim që sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial të funksionojë sa më mirë.

“Në këtë rrugëtim kemi pasur mbështetje edhe nga miqtë tonë ndërkombëtarë, të cilët i falënderojmë. Gjyqtarët dhe prokurorët kanë rol të madh në jetën e qytetarëve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi, pa marrë parasysh dallimin e tyre gjinor, racor, fetar e kombëtar”, ka shtuar presidenti.

Ai ka thënë se mbi supet tuaja është një përgjegjësi e madhe, përgjegjësi që unë kam besim të plotë se do të dini ta mbani, ndërsa dhe qytetarët e vendit tonë do të ndjejnë veten të sigurt dhe të barabartë para ligjit.

“Mirëpres gatishmërinë tuaj për t'u integruar në gjyqësorin e Kosovës dhe për të punuar në përputhje me legjislacionin e Kosovës. Po ashtu, mirëpres gatishmërinë e juaj se funksionin e gjyqtarit, respektivisht të prokurorit, do ta ushtroni me nder, përgjegjësi dhe paanshmëri, duke respektuar rregullat e etikës profesionale”, ka thënë presidenti Thaçi.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, në pajtim me përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe ligjore, e kanë konsideruar si veprim afirmativ propozimin e tyre për të rritur numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, siç është përcaktuar me Kushtetutë, Ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi dhe Marrëveshjen për Drejtësi, të arritur në Bruksel, më 10 shkurt 2015, e cila është vazhdimësi e marrëveshjes së ratifikuar nga Kuvendi me Ligjin Nr. 04/L-199.

Dekretimi i tyre është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur  një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore.

Me aktin e betimit bëhet edhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më 10 shkurt 2015.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)